| E diele, 08.02.2026, 06:55 PM |

Banja e Dobërçanit – një thesar shërues në zemër të Anamoravë
Foto-reportazh
nga Asllan Dibrani (Luani)
Në kilometrin e pestë nga Gjilani, përgjatë
magjistrales që të çon drejt Malësisë së Gollakut, Bujanocit dhe
Kamenicës, shtrihet një vend ku natyra ka folur herët, por njeriu ka filluar ta
dëgjojë më vonë. Ky vend quhet Banja e Dobërçanit – një
hapësirë ku uji, balta, djersa e mërgimtarit dhe besimi në Zot janë bërë një.
Kjo rrugë nuk është thjesht asfalt. Ajo është urat
lidhëse mes qytetit dhe malit, mes jetës moderne dhe natyrës së paprekur të
Gollakut, mes së kaluarës punëtore dhe së ardhmes zhvillimore.
Nga furra e gëlqeres tek burimi i shpresës
Zanafilla e Banjës së Dobërçanit lidhet me familjen
Ibishi, fillimisht të njohur për përpunimin tradicional të gëlqeres. Për
dekada, vëllezërit Ibishi ngritën furra, punuan tokën, mbajtën familjen dhe
komunitetin.
Por nën këtë tokë, Zoti kishte fshehur një dhuratë
tjetër.
Fillimisht, popullata vendore e zbuloi rastësisht
ujin: fusnin këmbët, lanin sytë, merrnin ujë për në shtëpi. Me kalimin e kohës
u vërtetua se bëhej fjalë për ujë të rrallë, natyror, të ngrohtë, me
veti shëruese.
Edhe gjatë ndërtimit të rrugës magjistrale në
vitet 1968–1970, punëtorët e rrugës furnizoheshin me ujë pikërisht
nga ky burim.
Mërgimi që u kthye në investim, jo në harrim
Babai fillimisht morri rrugën e
kurbetit destinacioni ishte Gjermania. Me vonë kësaj
rruge ia mësynë edhe familjarët tjerë kush ne Zvicër e kush
në Gjermani nga e cila vëllezërit Ibishi edhe tani janë një
pjesë atje . Por, si shumë shqiptarë të ndërgjegjshëm, ata nuk e la
Kosovën pas shpine. Djersa e fituar në perëndim, bashkë me vëllezërit e tjerë,
u kthye në investim konkret në vendlindje.
Deri para luftës së fundit, ata e shndërruan
veprimtarinë në prodhim industrial për kohën, duke hapur 5–6 furra
përpunimi gëlqereje. Pas luftës, ekonomia ndryshoi – por jo vizioni.
Populli filloi të vijë gjithnjë e më shumë për
ujin: kush për shërim, kush për sy, kush për lëkurë, kush për ta pirë. Aty
lindi ideja e madhe: ta ndërtojmë banjën, jo vetëm ta shfrytëzojmë
burimin.
Një kompleks që rritet me shije dhe vizion
Sot, Banja e Dobërçanit paraqet një kompleks serioz
shërues dhe rekreativ:
mjedise të gjelbra dhe shtigje pushimi
pisha dhe drunj dekorativë
trotuare, shkallë dhe qasje të lehta
parkingje funksionale
Në përbërje të kompleksit janë:
Tri pishina të jashtme (meshkuj, femra, fëmijë)
Hapësirë për terapi me baltë shëruese
Pishinë e mbuluar,
funksionale gjatë gjithë vitit
Mbi 38 dhoma pushimi, me 2–5 shtretër
Restorant
Restoranti – një pushim i ngrohtë pas shërimit
Brenda Kompleksit të Banjës së Dobërçanit ndodhet
edhe restoranti, një ambient i thjeshtë dhe i qetë, ku vizitorët
ndihen si në shtëpi. Ushqimi është i pastër, higjienik dhe i përgatitur
me kujdes, ndërsa shërbimi është i shpejtë, i sjellshëm dhe gjithmonë me
buzëqeshje.
Ky është një vend ku ndalen familjet, të moshuarit
dhe fëmijët, për të pushuar pas terapive apo banjës, duke shijuar një vakt të
ngrohtë në një atmosferë miqësore dhe mikpritëse.
Terapia fizikale – aty ku shërimi fillon me
buzëqeshje
Në kuadër të Banjës së Dobërçanit funksionon
edhe godina për terapi fizikale, ku pacientët mirëpriten çdo ditë
me profesionalizëm dhe ngrohtësi njerëzore nga Dhurata Kallaba dhe Isë
Byqmeti, fizioterapistë të përkushtuar dhe shumë të respektuar.
Me buzëqeshje, durim dhe korrektësi profesionale,
ata ofrojnë trajtime bashkëkohore si masazhe terapeutike,
elektroterapi, ngrohje të pjesëve trupore, terapi me vibrim dhe metoda
të tjera rehabilituese, të cilat ndihmojnë ndjeshëm në lehtësimin e dhimbjeve
dhe rikthimin e funksionit trupor.
Pacientët nuk marrin vetëm trajtim mjekësor, por
edhe qetësi shpirtërore, respekt dhe besim, duke e kthyer këtë
hapësirë në një vend ku shërimi ndihet si proces i plotë – trup e mendje.
Objekt për persona me aftësi të kufizuara
Zhveshtore dhe objekte ndihmëse
“Këmbëngulës për zhvillim – me modele perëndimore”
“Ne jemi këmbëngulës që ndërtimet dhe zhvillimi të
vazhdojnë edhe më tutje, por gjithmonë duke marrë modele nga shtetet
perëndimore – me standard, me rend, me respekt për njeriun dhe natyrën,”
thotë Nexhat Ibishi, bashkëpronar i Banjës së Dobërçanit.

Bisede Asllan Dibranit -Luani me Nexhat
Ibishin njerin nga vëllezërit Ibishi menaxhues
ne këtë kompleks rekreativ.
Sipas analizave profesionale, uji i kësaj banje
ndihmon në:
sëmundje të lëkurës
infeksione
probleme të lukthit
reumatizëm
diabet
hipertension
dhe në mënyrë të veçantë shërimin e të
pamurit dhe lëkurës
Vizitorë ka, punëtorë mungojnë
Banja vizitohet gjatë gjithë vitit, por verës
frekuentimi është shumë i madh – nga e gjithë Kosova dhe jashtë saj, madje edhe
nga vizitorë të huaj. Mediat lokale dhe ndërkombëtare kanë raportuar për vlerën
shëruese të këtij uji.
Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore mbetet sfidë
serioze.
“Para disa vitesh kishim mbi 45 punëtorë në sezon.
Sivjet mezi kemi siguruar 25 dhe jemi detyruar të angazhojmë edhe anëtarë të
familjes,”
tregon Nexhati Ibishi.
Respekt për vizionarin Sabit Ibishi
Me përulësi, Nexhati ia atribuon idenë dhe barrën
kryesore vëllait të madh, Sabit Ibishi, i cili punon në perëndim.
Djersa e huaj u kthye në investim vendor – jo në luks personal, por në zhvillim
kolektiv.
Shënim reflektues i autorit
Edhe pse infrastruktura është ndërtuar, ky ambient
ende kërkon dorën e njeriut për t’i dhënë shpirt të plotë. Banja e Dobërçanit
është më shumë se një kompleks – është dëshmi se Kosova mund të ndërtohet me
dritë, me dije dhe me dashuri për vendin.
Në fund, mesazhi është i qartë:
Mos e lëshoni Kosovën. Kthejeni dijen, punën dhe shpresën këtu.
Sepse atje ku Zoti ka dhënë ujë shërues, shqiptari duhet të japë dritë.



