E marte, 03.02.2026, 11:46 PM (GMT)

Kulturë

Syrja Etemi: Gjergj Elez Alia – figurë legjendare apo historike

E marte, 03.02.2026, 06:55 PM


GJERGJ ELEZ ALIA – FIGURË LEGJENDARE APO HISTORIKE

Nga Syrja Etemi

Letërsia gojore shqiptare ka ruajtur ndër shekuj figura heroike që shpesh lëkunden ndërmjet reales dhe mitikes. Një ndër këto figura është Gjergj Elez Alia, hero i ciklit të këngëve epike legjendare, i cili në studimet albanologjike ka ngjallur debat mbi origjinën dhe karakterin e tij: a kemi të bëjmë me një figurë tërësisht legjendare apo me një personazh historik të mitizuar nga tradita popullore?

Sipas të dhënave të sjella në revistën “Gjurmime Albanologjike” (Folklor dhe Etnologji), nr. XI, 1981, një kontribut të rëndësishëm për ndriçimin e kësaj figure jep historiani osman me origjinë boshnjake Ibrahimbeg Allajbegoviq – Peçevi (1574–1650).

Në veprën e tij të njohur “Tarihi Peçevi”, në kapitullin “Mbi emrin e kodrës Gerz Ilias (në Budim)”, Peçeviu përmend një personazh historik të quajtur Gerz Elias (Gerz Elez), një akinxhi i njohur boshnjak i fundit të shekullit XV, i dalluar për trimëri dhe aftësi luftarake, veçanërisht në betejat përreth Beogradit. Këtu vërehen qartë dy shtresa narrative: tradita historike, e lidhur me origjinën dhe veprimtarinë luftarake të Gerz Eliasit dhe tradita epike popullore, e frymëzuar nga këto bëma dhe e transformuar në këngë heroike.

Gjergj Elez Alia në traditën epike shqiptare

Në letërsinë gojore shqiptare, Gerz Eliasi shfaqet me emrin Gjergj Elez Alia, një figurë tashmë e mitizuar, për të cilën janë krijuar një numër i madh këngësh epike. Tiparet kryesore të kësaj figure janë: plagët e shumta në trup (simbol i sakrificës dhe qëndresës); lidhja e fortë me motrën, si figurë e përkushtimit familjar; përballja e fundit heroike me një armik të jashtëzakonshëm (Balozin e Zi).

Në këtë rast do të fokusohemi te varianti pollogian (nëse mund ta quaj kështu) i konsiderimit të kësaj figure në diskurs, që do ta quaj: si varianti i Pollogut që konsiston nga Gjergj Elez Alia – te Shishmën Memet Aga…

Cekëm edhe mëlartë faktin se, figura e Gjergj Elez Alisë zë një vend qendror në traditën epike shqiptare, duke u shfaqur si një hero legjendar me tipare të theksuara mitike, por njëkohësisht me elemente që e lidhin me realitetin historik të shekujve XV – XVI. Ky trajtim synon të shqyrtojë raportin ndërmjet legjendës dhe historisë në figurën e Gjergj Elez Alisë, duke u mbështetur në burime historiografike osmane, studime albanologjike dhe materiale të letërsisë gojore shqiptare, veçanërisht variantin epik të njohur në trevën e Pollogut me emrin Shishmën Memet Aga.

Një aspekt veçanërisht interesant i kësaj tradite është varianti i ruajtur në trevën e Pollogut e Sharrit, dhe, jo vetëm, ku protagonisti i baladës paraqitet me emrin Shishmën Memet Aga. Edhe pse emri ndryshon, struktura narrative dhe motivet themelore mbeten të afërta me ciklin e Gjergj Elez Alisë.

Në këtë variant dhe përmbajtje të tekstit të këngës vërehen këto parametra: motivi i heroit të plagosur rëndë; kërcënimi i jashtëm i mishëruar nga Balozi i Zi; roli aktiv i motrës (Fatimja) në përgatitjen e heroit për betejë; përballja vendimtare dhe triumfi i heroit mbi armikun.

Ky transformim antroponimik (nga Gjergj Elez Alia në Shishmën Memet Aga) dëshmon për adaptimin lokal të figurës epike, në përputhje me realitetin kulturor, fetar dhe shoqëror të trevës.

Analizë folklorike dhe simbolike

Kënga e Shishmën Memet Agës përmban një pasuri motivesh simbolike: plagët – simbol i qëndresës dhe sakrificës së heroit; Balozi i Zi – figurë demonike që përfaqëson kaosin, dhunën dhe rrezikun kolektiv; vëllamëria (pobratimia) – vlerë tradicionale e besës dhe solidaritetit; motra – figurë ndërmjetëse mes jetës dhe vdekjes, që rikthen heroin në betejë.

Këto elemente e vendosin këngën në kuadrin e epikës legjendare ballkanike, por me tipare të qarta shqiptare të një treve të caktuar, e, në këtë rast – të trevës së Sharrit e Pollogut.

Përfundim

Nga analiza e burimeve historike dhe e materialit folklorik rezulton se figura e Gjergj Elez Alisë përfaqëson një ndërthurje të historisë me legjendën. Gerz Eliasi historik duket se ka shërbyer si bërthama reale, mbi të cilën imagjinata popullore ka ndërtuar një hero epik me dimensione mitike. Varianti i Shishmën Memet Agës dëshmon gjallërinë dhe elasticitetin e traditës gojore shqiptare në përshtatjen e figurave heroike sipas kontekstit lokal.

Ja, po e paraqes tekstin në vijim:

SHISHMËN MEMET AGA

Paska kën-o Shishmën Memet Aga

Dimdhet vara në trup i ka pas-e:

Motra e vete te krejet po i ri

E, lot për ftejr-e poi  shkojn si shi:

-Ç’kie motër xhi po qan me za?

M’je  mërzit izmet tuj m’i ba?

M’je  mërzit izmet tuj m’ba mu-e?

Mos t’ka ra malli me u martu-e?

- S’ jum mërzit, v’lla izmet  tuj t’ba

As po du-e, me u martu, bre v’lla

Po m’vejn keç-o v’lla me t’kallxu-e

Se shëm var’ vlla t’kan randu-e

S’e shum var’ në trup m’i ki-e

Po ka dal-o nji Baloz i zi-e

Ban zullum-o kejt bitevi-e

Ban zullum-o kejt shpi për shpi-e

Kërkon - deri ka nji dash n’temci-e

Ka ni vash të re, deri po e kërkon-e

E i ka ardh’ rendi k’saj kullës to(jo)n-e.

Nis po fol-o Shishmën Memet Aga:

-Haj moj motër, mori motra jeme

- Merma gjokin mir’ e mir për dore

E t’m’i shkojsh te pobratim Jovëni

Shëm selëm t’i bojsh pi Shishmën Agës

Të ma mbathe gjokin veresi-e

T’ja vene patkojt-o pi dukati

E, t’ja vene thaumbët pi thumba(ja)ki!

Mur Fatimja gjokin për dore

E t’mi shkoj te pobratim Jovëni

-Mir se erdhe moj turkine mir-e!

-Mer se t’xheta pobratim Jovëni!

Ke selëm pi Shishmën Memet Agës

Me e mbath gjokin veresi-e

Me ja vu patkojt pi dukati

Me ja vu thaumbët pi thumba(ja)ki!

Ej, shejf xhi thot Ki Jovani zi-e:

- Un’ e mbathi gjokin veresi-e

Si t’mi japësh të di sijt e zi-e

Ene  façet-o mun  si qahi-e

Si t’mi japësh vetllat kalemli-e.

- T’pqasshin sit, more shkavi zi-e!

Nuk t’i fali-o di sijt e zi-e

Nuk t’i fali façet si qahi-e

Nuk t’i  fali vetllat kalemli-e

Tu e pas xhall Shishmën Memet Agën

E mer gjokin e në shpej ka shku-e

Po shkon vllait me i kallxu-e

Shejfe vllai ç’i i ka thën-e:

-Shko, mi motër te Dost Imeri

Ke selëmin pi Shishmën Agës

Të ma mbathe gjokin veresi-e

T’ja vene patkojt-o pi dukati

E, t’ja vene thaumbët pi thumba(ja)ki!

Mur Fatimja gjokin për dore

E t’mi shkoj-o te Dost Imeri

-Mer se erdhe tej motra jeme

-Mer se t’xheta tej vllaj jem

Ke selëmin pi Shishmën Agës

T’ma mbathish gjokin veresi

E t’ja vesh patkojt pi dukati

T’ja vesh thaumbët pi thumbaki

-Mos baj gajle tej, oj motra jeme,

Do ja vej petkojt-o pi dukati

Do ja vie thaumët pi thumbaki

Do e mbathi gjokin hiç pa pare

Shiqir Zoti xhi ësht Aga xhall-e

E bon hazër për n’allaj me dal-e.

Mur  Fatejmja atin me shalu-e

N’shpi te v’llau në od ka shku-e

E t’mi shkoj te prag’i votrës,

Ene i thot-o: - Oj vllaji motrës...?

-Haj moj motër n’çarshi me dal-e

Shtatdhet kut pqehur me më mar-e

Kejt për traupi me ma mbajt-e

Se shëm vara në trup i kam-e...

E mer Fatimja pqehur’n e bardh-e

E ja mshtell vllajt  an’emban-e

E mer gjokin e dul n’migdën-e

Ene Arapin atej ma xhën-e

E ma xhën Arapin ati-e:

-Hajde çit tha Baloz i zi-e!

Me topuz Arapi ka xhujt-e

Ene gjoki drejt ka ra n’ gjuj-t-e

Shejfe në gjuj-o, ati kur ka ra-e

E topuzi  i shkoj n’hava-e

E kur mrëjn-o  karshi karshi-e

Drejt me shpat përxhimc e pret-e

I shkon shpata an’eman përti-e

Hajde luj o ti Balozi  zi-e

Sa i bëni 10 hapa matan-e

E Balozi drejt n’tok ka ra-e

Shejf xhi bon-o Shishman Memet Aga

E me kalin drejt ka fluturu-e

Pobratim Jovanin me kërku-e

Ma kërkon-o  e ati e xhën-e

Ene krejen drejt ja shkurton-e

Masandej shkon te Dost Imeri

E mer n’grejk pobratim Imerin

Të di bashk-o jan’ përmallu-e

Të di bashk-o jan hallallu(ju)e.

E në shpi Memeti kur a shku-e

V’lla e motër prap’ jan’  taku-e

Pi mallzimit-o tuj vajtu-e

Vlla e motër n’vent jet’ kan ndru-e

Nuk lan nderën për me va mar-e

E çun imrin të di façeba(ja)rdh-e.

Këndoi, Memet Jusufi, dhjetor, 1996

Sllatinë-Tetovë

Shënoi, S.E.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx