| E marte, 03.02.2026, 06:55 PM |
GJERGJ ELEZ ALIA – FIGURË LEGJENDARE APO HISTORIKE
Nga
Syrja Etemi
Letërsia
gojore shqiptare ka ruajtur ndër shekuj figura heroike që shpesh lëkunden
ndërmjet reales dhe mitikes. Një ndër këto figura është Gjergj Elez Alia, hero
i ciklit të këngëve epike legjendare, i cili në studimet albanologjike ka
ngjallur debat mbi origjinën dhe karakterin e tij: a kemi të bëjmë me një
figurë tërësisht legjendare apo me një personazh historik të mitizuar nga
tradita popullore?
Sipas të
dhënave të sjella në revistën “Gjurmime
Albanologjike” (Folklor dhe Etnologji), nr. XI, 1981, një kontribut të
rëndësishëm për ndriçimin e kësaj figure jep historiani osman me origjinë
boshnjake Ibrahimbeg Allajbegoviq –
Peçevi (1574–1650).
Në veprën e
tij të njohur “Tarihi Peçevi”,
në kapitullin “Mbi emrin e kodrës Gerz Ilias (në Budim)”, Peçeviu
përmend një personazh historik të quajtur Gerz Elias (Gerz Elez), një akinxhi i njohur boshnjak i fundit të
shekullit XV, i dalluar për trimëri dhe aftësi luftarake, veçanërisht në
betejat përreth Beogradit. Këtu vërehen qartë dy shtresa narrative: tradita
historike, e lidhur me origjinën dhe veprimtarinë luftarake të Gerz Eliasit dhe
tradita epike popullore, e frymëzuar nga këto bëma dhe e transformuar në këngë
heroike.
Gjergj Elez
Alia në traditën epike shqiptare
Në letërsinë
gojore shqiptare, Gerz Eliasi shfaqet me emrin Gjergj Elez Alia, një figurë tashmë e mitizuar, për të cilën janë
krijuar një numër i madh këngësh epike. Tiparet kryesore të kësaj figure janë: plagët
e shumta në trup (simbol i sakrificës dhe qëndresës); lidhja e fortë me motrën,
si figurë e përkushtimit familjar; përballja e fundit heroike me një armik të
jashtëzakonshëm (Balozin e Zi).
Në këtë rast
do të fokusohemi te varianti pollogian (nëse mund ta quaj kështu) i
konsiderimit të kësaj figure në diskurs, që do ta quaj: si varianti i Pollogut që konsiston nga Gjergj
Elez Alia – te Shishmën Memet Aga…
Cekëm edhe
mëlartë faktin se, figura e Gjergj Elez Alisë zë një vend qendror në traditën
epike shqiptare, duke u shfaqur si një hero legjendar me tipare të theksuara
mitike, por njëkohësisht me elemente që e lidhin me realitetin historik të
shekujve XV – XVI. Ky trajtim synon të shqyrtojë raportin ndërmjet legjendës
dhe historisë në figurën e Gjergj Elez Alisë, duke u mbështetur në burime
historiografike osmane, studime albanologjike dhe materiale të letërsisë gojore
shqiptare, veçanërisht variantin epik të njohur në trevën e Pollogut me emrin Shishmën Memet Aga.
Një aspekt
veçanërisht interesant i kësaj tradite është varianti i ruajtur në trevën e
Pollogut e Sharrit, dhe, jo vetëm, ku protagonisti i baladës paraqitet me emrin
Shishmën Memet Aga. Edhe pse emri
ndryshon, struktura narrative dhe motivet themelore mbeten të afërta me ciklin
e Gjergj Elez Alisë.
Në këtë
variant dhe përmbajtje të tekstit të këngës vërehen këto parametra: motivi i
heroit të plagosur rëndë; kërcënimi i jashtëm i mishëruar nga Balozi i Zi; roli aktiv i motrës
(Fatimja) në përgatitjen e heroit për betejë; përballja vendimtare dhe triumfi
i heroit mbi armikun.
Ky
transformim antroponimik (nga Gjergj Elez Alia në Shishmën Memet Aga) dëshmon
për adaptimin lokal të figurës epike,
në përputhje me realitetin kulturor, fetar dhe shoqëror të trevës.
Analizë
folklorike dhe simbolike
Kënga e
Shishmën Memet Agës përmban një pasuri motivesh simbolike: plagët – simbol i qëndresës dhe
sakrificës së heroit; Balozi i Zi
– figurë demonike që përfaqëson kaosin, dhunën dhe rrezikun kolektiv; vëllamëria
(pobratimia) – vlerë
tradicionale e besës dhe solidaritetit; motra
– figurë ndërmjetëse mes jetës dhe vdekjes, që rikthen heroin në betejë.
Këto
elemente e vendosin këngën në kuadrin e epikës legjendare ballkanike, por me
tipare të qarta shqiptare të një treve të caktuar, e, në këtë rast – të trevës
së Sharrit e Pollogut.
Përfundim
Nga analiza
e burimeve historike dhe e materialit folklorik rezulton se figura e Gjergj
Elez Alisë përfaqëson një ndërthurje të
historisë me legjendën. Gerz Eliasi historik duket se ka shërbyer si
bërthama reale, mbi të cilën imagjinata popullore ka ndërtuar një hero epik me
dimensione mitike. Varianti i Shishmën Memet Agës dëshmon gjallërinë dhe
elasticitetin e traditës gojore shqiptare në përshtatjen e figurave heroike
sipas kontekstit lokal.
Ja, po e paraqes tekstin në vijim:
SHISHMËN MEMET AGA
Paska kën-o Shishmën
Memet Aga
Dimdhet vara në trup i ka pas-e:
Motra e vete te krejet po i ri
E, lot për ftejr-e poi shkojn si
shi:
-Ç’kie motër xhi po qan me za?
M’je mërzit izmet tuj m’i ba?
M’je mërzit izmet tuj m’ba mu-e?
Mos t’ka ra malli me u martu-e?
- S’ jum mërzit, v’lla izmet tuj
t’ba
As po du-e, me u martu, bre v’lla
Po m’vejn keç-o v’lla me t’kallxu-e
Se shëm var’ vlla t’kan randu-e
S’e shum var’ në trup m’i ki-e
Po ka dal-o nji Baloz i zi-e
Ban zullum-o kejt bitevi-e
Ban zullum-o kejt shpi për shpi-e
Kërkon - deri ka nji dash n’temci-e
Ka ni vash të re, deri po e kërkon-e
E i ka ardh’ rendi k’saj kullës to(jo)n-e.
Nis po fol-o Shishmën Memet Aga:
-Haj moj motër, mori motra jeme
- Merma gjokin mir’ e mir për dore
E t’m’i shkojsh te pobratim Jovëni
Shëm selëm t’i bojsh pi Shishmën Agës
Të ma mbathe gjokin veresi-e
T’ja vene patkojt-o pi dukati
E, t’ja vene thaumbët pi thumba(ja)ki!
Mur Fatimja gjokin për dore
E t’mi shkoj te pobratim Jovëni
-Mir se erdhe moj turkine mir-e!
-Mer se t’xheta pobratim Jovëni!
Ke selëm pi Shishmën
Memet Agës
Me e mbath gjokin veresi-e
Me ja vu patkojt pi dukati
Me ja vu thaumbët pi thumba(ja)ki!
Ej, shejf xhi thot Ki Jovani zi-e:
- Un’ e mbathi gjokin veresi-e
Si t’mi japësh të di sijt e zi-e
Ene façet-o mun si qahi-e
Si t’mi japësh vetllat kalemli-e.
- T’pqasshin sit, more shkavi zi-e!
Nuk t’i fali-o di sijt e zi-e
Nuk t’i fali façet si qahi-e
Nuk t’i fali vetllat kalemli-e
Tu e pas xhall Shishmën Memet Agën
E mer gjokin e në shpej ka shku-e
Po shkon vllait me i kallxu-e
Shejfe vllai ç’i i ka thën-e:
-Shko, mi motër te Dost Imeri
Ke selëmin pi Shishmën Agës
Të ma mbathe gjokin veresi-e
T’ja vene patkojt-o pi dukati
E, t’ja vene thaumbët pi thumba(ja)ki!
Mur Fatimja gjokin për dore
E t’mi shkoj-o te Dost Imeri
-Mer se erdhe tej motra jeme
-Mer se t’xheta tej vllaj jem
Ke selëmin pi Shishmën Agës
T’ma mbathish gjokin veresi
E t’ja vesh patkojt pi dukati
T’ja vesh thaumbët pi thumbaki
-Mos baj gajle tej, oj motra jeme,
Do ja vej petkojt-o pi dukati
Do ja vie thaumët pi thumbaki
Do e mbathi gjokin hiç pa pare
Shiqir Zoti xhi ësht Aga xhall-e
E bon hazër për n’allaj me dal-e.
Mur Fatejmja atin me shalu-e
N’shpi te v’llau në od ka shku-e
E t’mi shkoj te prag’i votrës,
Ene i thot-o: - Oj vllaji motrës...?
-Haj moj motër n’çarshi me dal-e
Shtatdhet kut pqehur me më mar-e
Kejt për traupi me ma mbajt-e
Se shëm vara në trup i kam-e...
E mer Fatimja pqehur’n e bardh-e
E ja mshtell vllajt an’emban-e
E mer gjokin e dul n’migdën-e
Ene Arapin atej ma xhën-e
E ma xhën Arapin ati-e:
-Hajde çit tha Baloz i zi-e!
Me topuz Arapi ka xhujt-e
Ene gjoki drejt ka ra n’ gjuj-t-e
Shejfe në gjuj-o, ati kur ka ra-e
E topuzi i shkoj n’hava-e
E kur mrëjn-o karshi karshi-e
Drejt me shpat përxhimc e pret-e
I shkon shpata an’eman përti-e
Hajde luj o ti Balozi zi-e
Sa i bëni 10 hapa matan-e
E Balozi drejt n’tok ka ra-e
Shejf xhi bon-o Shishman Memet Aga
E me kalin drejt ka fluturu-e
Pobratim Jovanin me kërku-e
Ma kërkon-o e ati e xhën-e
Ene krejen drejt ja shkurton-e
Masandej shkon te Dost Imeri
E mer n’grejk pobratim Imerin
Të di bashk-o jan’ përmallu-e
Të di bashk-o jan hallallu(ju)e.
E në shpi Memeti kur a shku-e
V’lla e motër prap’ jan’ taku-e
Pi mallzimit-o tuj vajtu-e
Vlla e motër n’vent jet’ kan ndru-e
Nuk lan nderën për me va mar-e
E çun imrin të di façeba(ja)rdh-e.
Këndoi, Memet Jusufi, dhjetor, 1996
Sllatinë-Tetovë
Shënoi, S.E.