E marte, 03.02.2026, 09:52 PM (GMT)

Kulturë

Ilir Çumani: Lamtumirë Rezi!

E marte, 03.02.2026, 06:52 PM


Sa lajm i trishtë ky fillim shkurti….

Nga Ilir Çumani

Rezarta Reçi, gazetarja profesioniste, buzagaz, plot sqimë dhe me aq elegancë, ju largua kësaj bote me heshtjen e saj të bukur, e qeshur dhe dinjitoze si ajo.

Por, si rrallë nga të ngjashmit e saj, ajo la pas një boshllëk të madh tek të gjithë kolegët, miqtë e shumtë, dashamirësit e pafundëm që i kishte kudo, anembanë Shqipërisë, këndej dhe andej kufirit.

Është e çuditshme se si një njeri mund të jetojë nëpër fjalë, nëpër rrëfime, nëpër tinguj, dhe të bëhet pjesë e shpirtit të tjerëve.

Ajo e bëri këtë pa pretendime, pa zhurmë, duke dhënë gjithçka nga ajo që ishte më e bukura dhe fisnike brenda saj.

Tani, që nuk është më fizikisht, ndjejmë thellësinë e kësaj dhurate: një pasion që nuk vdes, një dhembshuri që mbetet e gjallë.

Lamtumira nuk është vetëm largim; por edhe një përjetim i heshtur i pranisë së dikujt që ka ndikuar pa e kuptuar shumëkush.

Kur kujtoj Rezartën, nuk kujtoj vetëm zërin e saj, por gjithë përkushtimin, pasionin, ndjeshmërinë, atë ndjesinë se çdo fjalë, çdo rrëfim dhe çdo tingull kanë vlerë, se çdo njeri meriton të dëgjohet dhe kuptohet.

Ajo na mësoi se jeta bëhet e bukur kur ia kushtojmë shpirtin të tjerëve, pa u lodhur kurrë nga dhënia.

Tani, kur dritat e mikrofonit heshtin, kur faqet e ditarit mbyllen, mbetet një jehonë e fortë dhe e butë në të njëjtën kohë. Një kujtesë se bukuria dhe ndjeshmëria nuk shuhen kurrë.

Dhe ndërsa e përshëndesim në heshtje, ndjejmë se ajo vazhdon të jetojë në atë çka lëmë pas: në dashurinë që japim, në kujdesin që shprehim, në fjalët që zgjedhim me ndjeshmëri.

Një zë i rrallë u ndal, por asesi nuk u shuajt. Ai do të tingëllojë gjithmonë, mes nesh, mes jetëve dhe zemrave që preku.

Dhe kjo është mënyra se si Rezarta Reçi do të vazhdojë të na flasë, tanimë jo më me mikrofon, por me heshtjen që flet më shumë se çdo fjalë.

Lamtumirë Rezi!

Parajsa ka një vend të veçantë për Njerëzit e rrallë si Ti.

Prehu në Paqen e merituar!

Tiranë, e hënë - 2 shkurt, 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx