| E marte, 03.02.2026, 06:52 PM |

Sa lajm i trishtë ky fillim shkurti….
Nga
Ilir Çumani
Rezarta
Reçi, gazetarja profesioniste, buzagaz, plot sqimë dhe me aq elegancë, ju
largua kësaj bote me heshtjen e saj të bukur, e qeshur dhe dinjitoze si ajo.
Por,
si rrallë nga të ngjashmit e saj, ajo la pas një boshllëk të madh tek të gjithë
kolegët, miqtë e shumtë, dashamirësit e pafundëm që i kishte kudo, anembanë
Shqipërisë, këndej dhe andej kufirit.
Është
e çuditshme se si një njeri mund të jetojë nëpër fjalë, nëpër rrëfime, nëpër
tinguj, dhe të bëhet pjesë e shpirtit të tjerëve.
Ajo
e bëri këtë pa pretendime, pa zhurmë, duke dhënë gjithçka nga ajo që ishte më e
bukura dhe fisnike brenda saj.
Tani,
që nuk është më fizikisht, ndjejmë thellësinë e kësaj dhurate: një pasion që
nuk vdes, një dhembshuri që mbetet e gjallë.
Lamtumira
nuk është vetëm largim; por edhe një përjetim i heshtur i pranisë së dikujt që
ka ndikuar pa e kuptuar shumëkush.
Kur
kujtoj Rezartën, nuk kujtoj vetëm zërin e saj, por gjithë përkushtimin,
pasionin, ndjeshmërinë, atë ndjesinë se çdo fjalë, çdo rrëfim dhe çdo tingull
kanë vlerë, se çdo njeri meriton të dëgjohet dhe kuptohet.
Ajo
na mësoi se jeta bëhet e bukur kur ia kushtojmë shpirtin të tjerëve, pa u
lodhur kurrë nga dhënia.
Tani,
kur dritat e mikrofonit heshtin, kur faqet e ditarit mbyllen, mbetet një jehonë
e fortë dhe e butë në të njëjtën kohë. Një kujtesë se bukuria dhe ndjeshmëria
nuk shuhen kurrë.
Dhe
ndërsa e përshëndesim në heshtje, ndjejmë se ajo vazhdon të jetojë në atë çka
lëmë pas: në dashurinë që japim, në kujdesin që shprehim, në fjalët që zgjedhim
me ndjeshmëri.
Një
zë i rrallë u ndal, por asesi nuk u shuajt. Ai do të tingëllojë gjithmonë, mes
nesh, mes jetëve dhe zemrave që preku.
Dhe
kjo është mënyra se si Rezarta Reçi do të vazhdojë të na flasë, tanimë jo më me
mikrofon, por me heshtjen që flet më shumë se çdo fjalë.
Lamtumirë
Rezi!
Parajsa
ka një vend të veçantë për Njerëzit e rrallë si Ti.
Prehu
në Paqen e merituar!
Tiranë, e hënë - 2 shkurt, 2026