E diele, 01.02.2026, 10:02 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes

E diele, 01.02.2026, 06:55 PM


Biblioteka rritet dhe unë vogëlohem, nën peshën e ëndrrës për të zotëruar dritën e dijes

Nga Albert Vataj

Libri, biblioteka, leximi, shkrimtaria, ndijimi, përfshirja, lumturimi... nuk janë vetëm fjalë që u përpoqa t'i rëndisja ashtu nën yshtjen e një shkujdesjeje gati të nënvetëdijshme, si i magjepsur.

Po, ato janë shkallë, nëpër të cilat ngjitem e zbres çdo çast që frymimi më shpërblen me të drejtën e të jetuarit, në këtë botë sfidash ngjethëse dhe ëndërrtare.

Jeta natyrisht që nuk është kaq e thjeshtë. Ajo fatmirësisht është shumë më shumë se sa një rënditje fjalësh sipas një hierarkie të personalizuar dhe të atypëratyshme. Gjithsesi më mbetet t'i përmbahem këtij parimi, si një rishtar rregullave dhe normave të rrepta të besimit.

Të jetosh me libra nuk do të thotë se bën jetën e letrës që edhe kur digjet ajo ndrin e ngroh duke u shndërruar në hi, në atë çfarë ishim dhe do të jemi në matshmërinë e gjithsisë dhe kohës.

Libri i ka shërbyer qëllimeve të mia ashtu si çdo skllav, i cili nuk ka patur kohë të ankohet për peshën e vargonjve që e mbajnë të robëruar ngase ka qenë i rrëmbyer nga epja me përulësi dhe përkushtim të asaj që edhe pse nuk i solli dot liri, nuk u treguar kaq shpirtligë sa të mos i jepte fryte.

Ëndrrat janë realitete që më kanë mëkuar shpirtin e botës nëpërmjet librit, mjeshtërisë së rrëfimit dhe bujarisë që pena dhe parmenda ka pluguar dhe mbjellë diej dhe zemra. Kam jetuar dhe jetoj në dimensione të ndryshme kohore, si në një nevojë për të bashkëndarë atë komunikim që mban të lidhur shtresë pas shtrese katet e ngjitjes së njeriut kah qielli.

Edhe pse libri është pushtet në shtëpinë time, kjo nuk më ka imunizuar nga fraza budallaçe "Këtë (shtëpinë), ç'farë e ke, shtëpi apo bibliotekë?". Për të mos injoruar pyetjen e pafajshme dhe fëminore, "Çfarë të duhen gjithë këto libra?". Apo dilemën cingëritëse të disave, "Gjithë këto libra i ke lexuar?". Edhe njerëz që dinë të flasin kaq pa lidhje bëjnë pjesë në jetën time, dhe kjo jo për fajin tim. Megjithatë unë kam qenë gjithnjë i duruar ose t'i dredhoj bisedës, ose të përpiqem të mos prishi "shenjtërinë" e kësaj bote të vogël të këtyre fatkeqëve, duke ua treguar më maturi dhe durim, se sa i thellë është hendeku që na ndan në këtë bashkësi detyruese të jetuari.

Mburrja nuk më ka pëlqyer ta përdor as si dominim, por as ta pranoj si nënshtrim, për një fakt shumë të thjeshtë, se në lëndën e saj përbërëse më shumë se megalomani ajo mbart ca pika të helmëta vetëkënaqësie. Në këtë marrëdhëni rrekem të trajtoj edhe bibiotekën personale. Pavarësisht se ajo është ndër të paktat gjëra që më mbetet të mburrem, sërish nuk më pëlqen ta përdor këtë kredenical, si të drejtë për tu krenuar. Biblioteka është një mjet në shërbim të punës dhe përfshirjes sime në realizimin e marrëdhënieve me ëndrrën dhe realitetin shpirtëror. Edhe pse ajo u bë pjesë e imja organike, një zgjatim i atyre sirtarëve dhe një peshë që kërkon barazvlerë në tokësoren dhe eternen e gjërave dhe gjëndjeve ku pjesëmarr, sërish ajo hyn dhe del nga unë për t'u krekosur në madhështinë e vet.

“Biblioteka duhet të përmbajë sa më shumë tituj nga gjërat që ju nuk e dini. Ju do të merrni më shumë dije përmes këtyre librave derisa rriteni. Në të vërtetë, sa më shumë dini, aq më të shumtë do të jenë librat e palexuar”, shkruan në “The Black Swan" Nassim Nicholas Taleb. “Një raft me plot libra që s’i keni lexuar është një kujtesë e fuqishme e kufizimeve tuaja – gjërave të shumta që nuk dini, dijeve gjysmake, ose gjërave që mendoni se i keni mësuar, por e kuptoni se jeni gabim. Duke jetuar me këtë kujtesë çdo ditë, mund të shtyni vetën drejt llojit të përulësisë intelektuale që përmirëson vendimmarrjen dhe nxit mësimin”.

Vjen një ditë dhe titujt e librave në bibliotekën time janë shtuar dhe raftët gjithashtu. Unë nuk kam mundur ta konstatoj kur ajo rritej, i bindur se edhe ajo nuk e ka vënë re, se si unë z'vogëlohesha gjithnjë e më shumë nën peshën e saj. E kështu jetët tona mbeten të lidhura ashtu si reciprociteti anatomik i organeve, të cilat funksionojnë në shërbim të njëra-tjetrës për të garantuar jetën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Kur Nënë Tereza, shpirti shqiptar i mëshirës lartësohej në mirënjohjen indiane, “Bharat Ratna” Albert Vataj: 20 vite nga kalimi në amshim i Ibrahim Rugovës Albert Vataj: Sot në përvjetorin e 558 të kalimit në përjetësi të Skënderbeut, udhëprijësit arbër që u ngjit në legjendë Albert Vataj: Shkodra, 14 Janari 1990, historia që nisi si shpresë dhe përfundoi si faj Albert Vataj: Robert Ndrenika, aktori që shndërroi çdo rol në monument të artit tonë skenik Albert Vataj: Mary Sherman Morgan, një grua gjeni që u mbulua me harrim Albert Vataj: Klea Marku, një yll i ri rroku që shkëlqen vezullimshëm në galaksinë “X Factor Kids Albania” Albert Vataj: At' Gjergj Fishta, gurëthemeli i qenësishëm i vetëdijes sonë kombëtare Albert Vataj: Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit Blerim Latifi: Kërshëndellat, kujtesë se jemi të moçëm në gjeografinë fizike e shpirtërore të Europës Albert Vataj: Rita Petro, laureate e poezisë së shpirtshme, e forcës së fjalës si “një formë e ndërgjegjes që i reziston heshtjes” Albert Vataj: Letra emocionuese që Charlie Chaplin i dërgoi së bijës natën e Krishtlindjeve Albert Vataj: Ismet Bellova, zëri i një legjende që do të dëgjohet si një jehonë në qiellin e kujtesës dhe përjetësisë Albert Vataj: Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Albert Vataj: Visjan Ukcenaj, rrezja e një drite që sheh thellë në shpirtin e një nëne sakrifikuese deri në vetëmohim Albert Vataj: Tinka Kurti, ikonikja e artit skenik shqiptar Albert Vataj: Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit, njerëzorja, thellësisht njerëzore e shenjtores Albert Vataj: Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë Albert Vataj: Lahuta në UNESCO – fitorja shqiptare përballë pretendimeve serbe Albert Vataj: Ata që na mëkuan dashurinë e vërtetë, dhe mbeten përjetshmëri në qielloren e ndjenjës që na bëri me krahë

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx