E merkure, 07.01.2026, 10:35 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Klea Marku, një yll i ri rroku që shkëlqen vezullimshëm në galaksinë “X Factor Kids Albania”

E marte, 06.01.2026, 06:54 PM


Klea Marku, një yll i ri rroku që shkëlqen vezullimshëm në galaksinë “X Factor Kids Albania”

Nga Albert Vataj

Në skenën e ndezur të “X Factor Kids Albania” ka shpërthyer një zë që nuk kalon pa u vënë re. Një vocal i fuqishëm, me prirje dramatike dhe prani skenike të ngarkuar me energji, që vjen si jehonë e traditës së rokut shqiptar, por me dimensionin e veçantë të një artisteje të re që sapo po fillon rrugëtimin e saj. Ky zë i përket Klea Markut, një premtim artistik që projekton jo vetëm ëndrrën e këngës, por edhe identitetin e një personaliteti të formuar nga disiplina, arti dhe pasioni.

Klea nuk është thjesht një konkurrente. Ajo përfaqëson një univers të brendshëm ku takohen tre botë: muzika vokale, violinçeli dhe sporti. Shtatë vite i ka kushtuar violinçelit, duke mësuar durimin, frazimin, disiplinën dhe harmoninë. Ky instrument, melankolik, i thellë, shpesh meditative, duket sikur i ka edukuar ndjeshmërinë dhe qasjen ndaj muzikës. Por ky shpirt nuk mund të ishte i mbyllur vetëm në strukturën klasike: energjia e saj shpërthen natyrshëm edhe përmes volejbollit, sport që kërkon ritëm, lëvizje dhe vendosmëri. Në këtë ndërthurje, Klea shfaqet si një temperament që kërkon liri, hapësirë skenike dhe horizont krijues.

Pirro Çako, mentori i saj, ka folur me superlativa për kapacitetin vokal të Kleas, duke lënë të nënkuptohet se ajo mbart potencialin e një “rockstar-i” të ardhshëm. Juria, në të gjitha performancat e saj, ka evidentuar maturinë muzikore, praninë skenike dhe kurajon për të zgjedhur materiale të vështira, një tregues serioz i profilit artistik që ajo po ndërton.

X Factor Kids Albania mbetet një laborator i rëndësishëm talentesh: një udhëtim televiziv ku zbulohet gjenerata e ardhshme e skenës muzikore, fëmijë 7–12 vjeç që sfidojnë skenën me guxim, disiplinë dhe ëndrra. Formati, nën drejtimin e Vera Grabockës dhe Alketës Vejsiu, me një juri profesionale dhe performanca LIVE, shpesh shndërrohet në hapësirë formuese, aty ku ky talent kalitet, testohet dhe projektohet.

Klea është dalluar veçanërisht me dy interpretime si “Bring Me to Life”, performanca që e çoi nga audicionet në netët live, ku juria vendosi ta shpëtojë, duke e konsideruar një zë me peshë konkuruese.

Për të shkuar te “I See Red”, një interpretim i ngarkuar emocionalisht, i publikuar në kanalin zyrtar të programit, që e afirmoi edhe më tej si një zë me nuanca dramatike dhe energji skenike.

Zgjedhja e këtyre këngëve nuk është rastësore. Ato kërkojnë kontroll të fortë teknik, menaxhim të intensitetit, dhe aftësi për të përçuar tension emocional. Fakti që një artiste kaq e re guxon të ndërmarrë materiale të tilla, flet për ambicien e saj dhe për pjekurinë që po formohet.

Nga pikëpamja vokale, Klea demonstron projektim të mirë të zërit dhe aftësi për të mbajtur energjinë skenike. Në disa momente, intensiteti dramatik duket se e paraprin teknikën, duke krijuar risk për humbjen e balancës mes emocionit dhe kontrollit. Kjo nuk është dobësi, por një fazë e natyrshme zhvillimi, që kërkon punë në, teknikën e frymëmarrjes, frazimin më të qartë, kontrollin e fuqisë vokale, natyralizimin e prezencës skenike.

Klea lidhet emocionalisht me tekstin dhe këtë e ndien publiku, një ndër kapitalet më të çmuara për një interpretues. Sfida e radhës është që kjo ndjenjë të kanalizohet me qetësi, elegancë dhe vetëdije teknike.

Në një garë si X Factor Kids, ku standardet janë të larta dhe talentet të shumta, qëndrueshmëria vokale dhe zgjedhja inteligjente e repertorit bëhen faktor kyç. Klea duket e fortë në këtë rrugëtim dhe potenciali i saj shfaq dukshëm kalitje të vazhdueshme për të vijuar në përsosjen e ballafaqimit të saj me skenën, me sjelljen në traditën tonë të këngës jo vetëm në zë të fuqishëm, por edhe një element unik të përfaqësimit.

Klea Marku shfaq një kombinim të rrallë, pasion, disiplinë, inteligjencë muzikore dhe guxim artistik. Ajo nuk është vetëm një zë premtues i skenës së fëmijëve; ajo është një projekt artistik në ndërtim, me mundësi reale për t’u shndërruar në figurë referuese të muzikës moderne shqiptare.

Rruga është e gjatë, sfidat janë reale, por Klea tashmë ka një element thelbësor, një identitet që kërkon të rritet në skenë, jo për të imituar, por për të krijuar. Drita e yllit të saj do të dojë dhe do të marrë nga ky shpirt e passion i fuqishëm energji, për të shndritur në agimin e një ëndrre që ajo bën realitet, e sotme dhe e ardhme që nis nga “X Factor Kids Albania”, për t’u udhëprirë drejt përmbushjes së saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: At' Gjergj Fishta, gurëthemeli i qenësishëm i vetëdijes sonë kombëtare Albert Vataj: Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit Blerim Latifi: Kërshëndellat, kujtesë se jemi të moçëm në gjeografinë fizike e shpirtërore të Europës Albert Vataj: Rita Petro, laureate e poezisë së shpirtshme, e forcës së fjalës si “një formë e ndërgjegjes që i reziston heshtjes” Albert Vataj: Letra emocionuese që Charlie Chaplin i dërgoi së bijës natën e Krishtlindjeve Albert Vataj: Ismet Bellova, zëri i një legjende që do të dëgjohet si një jehonë në qiellin e kujtesës dhe përjetësisë Albert Vataj: Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Albert Vataj: Visjan Ukcenaj, rrezja e një drite që sheh thellë në shpirtin e një nëne sakrifikuese deri në vetëmohim Albert Vataj: Tinka Kurti, ikonikja e artit skenik shqiptar Albert Vataj: Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit, njerëzorja, thellësisht njerëzore e shenjtores Albert Vataj: Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë Albert Vataj: Lahuta në UNESCO – fitorja shqiptare përballë pretendimeve serbe Albert Vataj: Ata që na mëkuan dashurinë e vërtetë, dhe mbeten përjetshmëri në qielloren e ndjenjës që na bëri me krahë Albert Vataj: Kryevepra e Giovanni Spertini, balanca perfekte e natyralizmit dhe idealizimit në mermer Albert Vataj: “Mjerimi” të Cristóbal Rojas, thirrja e një shpirti që guxon të mos i dorëzohet dhimbjes Albert Vataj: E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian Albert Vataj: Historia e jashtëzakonshme e Mary Sawyer dhe qengjit të saj Albert Vataj: Çdo e sotme vjen për të qenë ndryshe nga dje, dhe ikën për të mos u kthyer më Albert Vataj: Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror Albert Vataj: Xhokonda e Prados, një tjetër Mona Lizë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx