Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Ismet Bellova, zëri i një legjende që do të dëgjohet si një jehonë në qiellin e kujtesës dhe përjetësisë
E hene, 22.12.2025, 04:56 PM

Ismet Bellova, zëri i një legjende që do të dëgjohet si një jehonë në qiellin e kujtesës dhe përjetësisë
Nga
Albert Vataj
Ka
ndaluar jeta e një njeriu që ishte zëri i shpirtit të fushës së blertë
shqiptare, zëri i sportit më popullor, zëri i oshëtimës së miëra zërave që
ndezën me emocion dhe përjetim futbollin, zëri që u bë eter komunikimi mes
lojës dhe fitores.
Ka
ndarje nga jeta që nuk mbyllin një kapitull, por e shndërrojnë atë në
përjetësi. Ikja e Ismet Bellovës, në moshën 91-vjeçare, i përket pikërisht
këtij rendi, atij të figurave që nuk shuhen, por ngjiten më lart, atje ku
legjendarët bëhen zë i kujtesës kolektive. Edhe pse prej vitesh zëri i tij
dëgjohej vetëm si një jehonë që vinte nga thellësia e kohës, nga emocionet e
futbollit, nga drithërimat e stadiumeve dhe nga përqendrimi solemn i
mikrofonit, Ismet Bellova mbeti i gjallë në ndërgjegjen e sportdashësve. Dhe
sot, pikërisht sepse ai ishte i gjallë në kujtesë, ndarja e tij ndihet si një
heshtje e madhe.
Ismet
Bellova nuk ishte thjesht një komentator sportiv. Ai ishte zëri që i dha formë
emocioneve, fjala që i mësoi shqiptarët të dëgjonin sportin si rrëfim, si
dramë, si pasion njerëzor. Në një kohë kur imazhi mungonte ose ishte i
kufizuar, ishte zëri i tij ai që ndërtonte stadiume të tëra në imagjinatën e
dëgjuesit, që i jepte trup lëvizjes së topit dhe puls ngjarjes sportive.
I
lindur në Tiranë më 1 qershor 1934, Bellova erdhi nga një brez ku sporti nuk
ishte vetëm garë, por formim karakteri. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF
“Vojo Kushi” në vitin 1960 dhe me të njëjtin dinjitet i shërbeu dy misioneve
fisnike: edukimit fizik dhe gazetarisë sportive. Ai ishte mësues në kuptimin më
të plotë të fjalës, mësues i trupit, i disiplinës, por edhe i fjalës së matur
dhe të përgjegjshme publike.
Rrugëtimi
i tij sportiv nisi herët. Qysh në vitin 1948, Ismet Bellova u shpall kampion i
vendit për të rinj në pingpong, duke dëshmuar se ai nuk ishte vetëm zë i
sportit, por edhe pjesë e tij. Por historia e tij me mikrofonin nisi më 29
nëntor 1950, kur komentoi ndeshjen Dinamo–Partizani 1–0, finalen e Kupës së
Shqipërisë. Ishte një moment themelor jo vetëm për karrierën e tij, por për
vetë historinë e transmetimeve sportive shqiptare. Aty nisi një rrugë e gjatë
në Radio Tirana, ku Bellova u shndërrua në një institucion më vete.
Zëri
i Ismet Bellovës ishte i veçantë sepse nuk bërtiste. Ai nuk e kërkonte
emocionin; ai e ndërtonte atë. Me një gjuhë të pasur, të saktë dhe të
përmbajtur, ai e trajtonte sportin si kulturë dhe si edukim qytetar. Për këtë
arsye, breza të tërë u rritën duke e dëgjuar, duke e njohur lojën jo vetëm si
rezultat, por si proces, si përpjekje, si vlerë.
Jeta
e tij ishte e lidhur ngushtë edhe me sportin në plan personal: ai ishte i
martuar me Bukuroshe Shtizën, Mjeshtre e Merituar e Sportit, duke formuar një
çift simbolik të përkushtimit dhe dinjitetit sportiv shqiptar.
Vlerësimet
dhe dekoratat që mori gjatë jetës janë të shumta, por asnjëra nuk e tejkalon
peshën e asaj që ai la pas. Megjithatë, titujt si “Mësues i Popullit”, Urdhri
“Naim Frashëri” Klasi i Artë, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”,
“Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”, si dhe çmime prestigjioze si “Mikrofoni i
Artë”, Çmimi i Karrierës në RTSH apo krijimi i Çmimit “Ismet Bellova” në
gazetarinë sportive në vitin 2004, janë dëshmi se institucioni që ai
përfaqësonte u njoh dhe u respektua.
Ndarja
nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median
shqiptare, por jo një humbje për kujtesën. Ai mbetet i pranishëm te brezat që
edukoi, te profesionistët që u formuan duke e pasur model, te dëgjuesit që e
ndoqën me përkushtim dhe respekt. Emri i tij është tashmë pjesë e historisë së
shkruar dhe të pashkruar të sportit shqiptar.
Ismet
Bellova u largua nga kjo botë, por zëri i tij nuk u shua. Ai thjesht u ngjit më
lart, në qiellin e përjetësisë së atyre që nuk komentuan vetëm ndeshje, por
ndërtuan kujtesë.









