E enjte, 11.12.2025, 08:39 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit, njerëzorja, thellësisht njerëzore e shenjtores

E enjte, 11.12.2025, 06:59 PM


OSLO, 11 DHJETOR 1979

Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit, njerëzorja, thellësisht njerëzore e shenjtores

Nga Albert Vataj

Njerëzorja e Nënë Terezës, e cila zbulohet përmes letrave sekrete të krizave të saj të besimit, shtron një dimension të ri dhe thellësisht destabilizues të figurës që bota mendoi se e njihte. Ajo që shpallet në Oslo më 11 dhjetor 1979, në ngjitjen e podiumit të Nobelit me sariun e bardhë e bordurat blu, është versioni i dukshëm, publik, i shenjtores së të varfërve. Fjala e saj është e qartë, ungjillore, e padiskutueshme: dashuria për Zotin nuk ka kuptim pa pranimin e tjetrit; Krishti është i mishëruar në të vuajturit; aborti, droga, dëshpërimi moral perëndimor janë plagët që duhet të luftohen me dritë.

Por vetëm pak javë më parë, e njëjta grua rrëfente në intimitetin e një letre një boshllëk të pangushëllueshëm, një heshtje hyjnore që i shponte shpirtin. Fjalët e saj ndaj atë Michael van der Peet-it nuk kanë gjë prej ikonës së gdhendur, të buzëqeshur, të mbështjellë nga aureola e medias. Janë tone të thyera, të lodhura, të përvuajtura gjer në agoni: kërkon, por nuk sheh; dëgjon, por nuk i vjen asnjë zë; gjuha e saj kërkon lutjen, por fjalët nuk nisin dot. Aty shfaqet një shpirt që e ndjen veten të braktisur pikërisht nga Ai të cilit i kishte premtuar gjithçka.

Këto dy rrafshime, të ndara vetëm 11 javë larg, krijojnë portretin e një kontradikse të gjallë: shenjtores publike dhe gruas së mbështjellë nga dyshimi privat. Tereza e podiumit dhe Tereza e letrave nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë si dy shtresa të së njëjtës ndërgjegje, njëra e ndriçuar, tjetra e tejngjeshur me terr. Pikërisht ky dualizëm e bën figurën e saj njerëzore, gati tragjike në intensitet.

Letrat e mbledhura në “Mother Teresa: Come by My Light”, të ruajtura kundër vullnetit të saj, e çvendosin perceptimin kolektiv nga miti te njeriu. Ato zbulojnë se mungesa e “prezencës së Zotit” nuk ishte një episod, por një gjendje e vazhdueshme që filloi në momentin kur ajo nisi misionin e saj të pamëshirshëm në Kalkutë. Në prapaskenën e buzëqeshjes që i dha botës, ajo jetonte një “natë të errët” të shpirtit pa fund, të ngjashme me përvojat më ekstreme të mistikëve. Vetë Tereza e pranonte maskën: buzëqeshja si perde që mbulon gjithçka; predikimi i një dashurie që vetë nuk e ndjente; frika se mos e gjithë kjo ishte një hipokrizi.

Kjo nuk e zbeh figurën e saj, përkundrazi i jep një përmasë të thellë antropologjike dhe dramatike. Të jetosh gjithë jetën në një errësirë shpirtërore dhe të mos braktisësh misionin, të ushqesh të varfërit, të prekësh të sëmurët, të mbash në jetë idenë e dashurisë hyjnore, ndërsa vetë përjeton mungesën e saj, është akt i një heroizmi të heshtur, të pakrahasueshëm.

Kisha ka fjalorin e vet për këtë realitet: “nata e errët” e Shën Gjonit të Kryqit, në të cilën Zoti fshihet që shpirti të pastrohet. Por tek Nënë Tereza, kjo natë nuk ishte kalimtare; ishte një hapësirë ekzistence që e shoqëroi deri në fund. Kjo e bën portretin e saj unik në historinë e shenjtërimit: një shenjtore që jetoi me një mungesë.

Në këtë kontradiktë qëndron fuqia e saj e vërtetë: jo te siguria, por te qëndrueshmëria; jo te drita, por te besnikëria ndaj detyrës edhe kur drita mungon. Ajo që u perceptua si siguri e pathyeshme ishte në të vërtetë kapja me thonj pas njëbesimi të heshtur, të zhveshur nga ndjesia, nga “konsolacioni”, nga përkëdhelja mistike.

Në fund, njerëzorja e Nënë Terezës është më e madhja e shenjtërisë së saj. Ajo nuk u shfaq e përkryer, por e përvuajtur; jo e qetësuar, por e sfilitur; jo e tejmbushur nga Zoti, por duke e kërkuar me ankth. Kjo tensionon vetë nocionin e shenjtërisë dhe e çon te një përfundim i vjetër sa vetë tradita: se shenjtëria nuk është mungesë dyshimi, por aftësia për të jetuar me të, pa braktisur dashurinë për tjetrin.

Kjo e bën figurën e saj më të afërt, më të prekshme dhe më të ndërlikuar se miti që ngriti bota. Në letrat e saj, Nënë Tereza shfaqet jo si statujë, por si njeri që lufton me errësirën dhe vazhdon të japë dritë.

David Van Biema, në TIME MAGAZINE, në një qasje për të shpërfaqur nerëzoren e shenjtores, mes të tjerash shprehet:

Më 11 dhjetor 1979, Nënë Tereza, "Shenjtorja e të varfërve", shkoi në Oslo. Si gjithmonë me veshjen e saj tipike të bardhë me bordurë blu dhe me sandale, pavarësisht temperaturave nën zero, Anjeza Gonxhe Bojaxhiu u nderua me Çmimin Nobel. Në ligjërimin e saj të pranimit, Tereza, dha fjalimin që bota priste prej saj. "Nuk është e mjaftueshme të thuash që unë e dua Zotin, por nuk e dua komshiun tim", tha ajo, "pasi Jezusi kur vdiq në kryq e kishte sakrifikuar veten e tij, duke u bërë ai vetë i urituri, i zhveshuri dhe i pastrehu. Duhet të gjejmë frymën e Jezusit dhe ta kultivojmë atë". Ajo mallkoi abortin dhe përhapjen e drogës mes të rinjve në perëndim. Në fund ajo sugjeroi që me rastin e Krishtlindjeve që po afronin, bota duhet të kujtohej që drita e gëzimit është e vërtetë pasi Jezusi është kudo. "Krishti është në zemrat tona, Krishti është afër të varfërve që takojmë, Krishtë gjendet në buzëqeshjen që japim dhe në buzëqeshjen që marrim".

Më pak se tre muaj më parë, në një letër drejtuar një rrëfyesi shpirtëror, atë Michael van der Peet, që vetëm këto kohët e fundit është bërë publike, ajo shkuante me një mërzi të thellë rreth një Krishti "ndryshe", një që mungonte. "Jezusi ka një dashuri të veçantë për ju", i thoshte ajo Van der Peet-it. "Por, për mua, qetësia dhe boshllëku është aq i madh saqë e kërkoj dhe nuk e shikoj, vë veshin po nuk e dëgjoj, gjuha ime lëviz kur dua të lutem, por nuk arrin të flasë…dua që të luteni për mua. Dua që t'i luteni Atij që të bëjë çfarë të dojë me mua".

Këto dy deklarata janë shkruajtur me një distancë kohore prej 11 javësh nga njëra-tjetra. E para është tipike e gruas që e gjithë bota mendonte se e njihte. E dyta tingëllon sikur të ketë dalë nga dramat e ekzistencialistëve të viteve 1950. Të dyja së bashku ato sugjerojnë një portret kontraditkor. Ikona njerëzore më e madhe e 100 viteve të fundit, veprat e mrekullueshme të së cilës dukeshin të lidhura shumë ngushtë me afërsinë që ajo kishte me Zotin dhe që është parë vetëm në momentet e saj të lutjeve të heshtura dhe në paqe, si nga përkrahësit e saj të devotshëm ashtu edhe nga telekamerat e shumta televizive, faktikisht ishte duke jetuar në një realitet tjetër shpirtëror, të cilin e ruante me fanatizëm nga bota e jashtme. Ajo tashmë jetonte në një botë ku perëndia duket se ishte zhdukur.

Faktikisht, këtu qëndronte i gjithë problemi. Një libër i ri joarmiqësor i titulliar "Mother Teresa: Come by my light" (Nënë Tereza: Eja drejt dritës time), i cili konsiston kryesisht në korrespondencën e Terezës me rrëfyesit e saj dhe eprorët gjatë një periudhe 66-vjeçare, shpalos një panoramë shpirtërore që bie në kontradiktë me një jetë të dedikuar punës. Letrat, shumica e të cilave janë ruajtur kundër vullnetit të saj (ajo kishte bërë kërkesë specifike që letrat të zhdukeshin, por kisha nuk e bërës këtë gjë), tregojnë se gati gjatë gjithë gjysmës së jetës së saj ajo nuk ndjeu asnjë prezencë të Zotit ose, siç shkruan edhe redaktori dhe përpiluesi i librit, Atë Brian Kolodiejchuk, "nuk e ndjente këtë prezencë as në zemër dhe as në veprat e saj".

Mungesa duket se kishte filluar pikërisht në kohën kur ajo filloi t'i përkushtonte jetën të varfërve dhe të vdiste në Kalkuta dhe, përveç pesë javëve të pushimit në vitin 1959, nuk pushoi kurrë. Edhe pse shfaqej përherë e lumtur në publik, Tereza e letrave jetonte në një gjendje të thellë dhe konstante dhimbjeje shpirtërore. Në më shumë se 40 komunikime, shumë prej të cilave nuk janë publikuar kurrë më parë, ajo vajtonte "thatësirën", "errësirën", "vetminë" dhe "torturën" që po përjetonte. Ajo e krahasonte këtë eksperiencë me ferrin dhe në një moment ajo thoshte se kjo gjendje po e çonte drejt dyshimit të ekzistencës së parajsës, madje edhe vetë Zotit. Ajo ishte tërësisht e vetëdijshme për mospërputhjen e gjendjes së saj të brendshme me sjelljen e saj publike. "Buzëqeshja", shkruan ajo, "është një maskë ose një perde që mbulon gjithçka". Në të njëjtën mënyrë, ajo pyeste veten nëse ishte duke humbur në mashtrimet verbale. "Unë flas sikur të isha e dashuruar me Zotin, një dashuri e brishtë personale", i cilëson ajo një këshilltari. "Sikur të ishit aty, do të thonit, 'Çfarë hipokrizie'". Atë James Martin, redaktor i revistës "Jesuite" të Amerikës dhe autori i "Jeta ime me Shenjtorët", një libër që merrej shumë shkurtimisht me dyshimet e Terezës, thotë: "Nuk kam lexuar kurrë jetën e një shenjtori që të ketë një errësirë shpirtërore kaq intensive. Asnjeri nuk e dinte që ajo ishte kaq e shqetësuar". Kolodiejchuk, redaktor i librit "Eja drejt dritës time" kujton: "Kam lexuar një letër që i drejtohej Motrave (misioneret e bamirësisë bashkë me Terezën) dhe të linte me gojë hapur ashtu siç la edhe ato. Kjo do t'i japë një dimension tërësisht të ri të perceptimit të njerëzve për të".

Libri nuk është absolutisht vepër e ndonjë antikrishti apo të ndonjë spekulatori. Kolodiejchuk, një nga anëtarët më të vjetër të Misionerëve të Bamirësisë, ka qenë përgjegjës për kërkesën e shenjtërimit të saj dhe për mbledhjen e materialeve të nevojshme. Letrat që janë publikuar në libër kanë qenë gjithashtu pjesë e procesit të shenjtërimit të saj.

Edhe kisha e pranon që ekziston një periudhë pasive shpirtërore. Në të njëjtën mënyrë, mistiku spanjoll, Shën John of the Cross, shpiku në shekullin XVI "natën e errët" të shpirtit për të përshkruar një fazë karakteristike të lartësimit të disa mjeshtërve shpirtërorë. Nënë Tereza mund të ketë përjetuar periudhën më të gjatë të rasteve të tilla të evidentuara. ("Nata e errët" e Shën Paul of the Cross zgjati 45 vjet.) Megjithatë, Kolodiejchuk e shpjegon këtë fazë të jetës si errësira e fshehur e besimit. Tereza zbuloi një mënyrë, duke filluar gjatë viteve '60, për të bashkëjetuar me këtë gjendje ankthi dhe nuk e braktisi as besimin dhe as punën e saj. Kolodiejchuk e shkroi këtë libër si një provë përkushtimi të mbushur me besim, të cilin e cilëson si aktin e saj shpirtëror më heroik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë Albert Vataj: Lahuta në UNESCO – fitorja shqiptare përballë pretendimeve serbe Albert Vataj: Ata që na mëkuan dashurinë e vërtetë, dhe mbeten përjetshmëri në qielloren e ndjenjës që na bëri me krahë Albert Vataj: Kryevepra e Giovanni Spertini, balanca perfekte e natyralizmit dhe idealizimit në mermer Albert Vataj: “Mjerimi” të Cristóbal Rojas, thirrja e një shpirti që guxon të mos i dorëzohet dhimbjes Albert Vataj: E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian Albert Vataj: Historia e jashtëzakonshme e Mary Sawyer dhe qengjit të saj Albert Vataj: Çdo e sotme vjen për të qenë ndryshe nga dje, dhe ikën për të mos u kthyer më Albert Vataj: Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror Albert Vataj: Xhokonda e Prados, një tjetër Mona Lizë Albert Vataj: Lamtumira pa lavdi e Oscar Wilde Albert Vataj: Kur libraritë ishin tempuj prehje dhe kreativiteti Albert Vataj: Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu! Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart Albert Vataj: Ronald Tolkien dhe Edith Bratt, një histori dashurie në kufinjtë e legjendës Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx