E merkure, 28.01.2026, 11:16 PM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: 28 janari si një ditë e letrave

E merkure, 28.01.2026, 06:59 PM


28 JANARI

SI NJË DITË E LETRAVE…

Nga Visar Zhiti

Ka data në kohën e përbashkët që ndërthuren, sjellin dhe dritë, lëshojnë dhe hije ankthëruese, na bashkojnë me ato që do të donim si në gëzime feste, por dhe me ato që s’do t’i donim kurrë si burgun, po edhe na ndajnë, madje dhe nga vetja…

Gjithsesi janë poezia e jetës dhe liria dhe libri përbashkuese, që na dhurojnë dhe horizonte që nuk do t’i arrinim kurrë vetëm.

Për këto do desha të flisja. Por do të duheshin dhe veshët e zemrave…

Në atdhe, për 28 Janarin e sotshëm në botën e letrave dhe më gjerë po shkruhet dhe po flitet se shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare do të mbushte 90 vjeç, ai la pas një krijimtari siperane ku begatohet gjuha shqipe, në romanet e tij nyjëzohet fati i kombit, me një estetikë dhe modernitet që ka bërë që vepra kadareane tashmë të jetë  në bibliotekat e botës në sektorin e kryepunëve bashkëkohore, etj, etj.

Nuk mund të harrojmë se pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme të veprës së tij Kadare e shkruajti nën diktaturë, që natyrisht nuk e zgjodhi ai atë kohë, por përgjegjësia mbetet e të gjithëve.

Shumica atë përgjegjësi e kanë me tollona siç kishin dhe ushqimet atëhere dhe ca e ca siç patën dhe privilegjet. Tashmë dihet se janë dënuar dhe shkrimtarë, me burg e pushkatime, por dhe ndryshe, duke i bërë të realizmit socialist, nga ku dhe s’po dalin dot, madje po bien dhe të tjerë në atë gropë…

E njëjta datë e të gjithëve mund të jetë krejt ndryshe për ty, ku do të duhet të ndalësh, je i detyruar të thuash diçka për të tjerët dhe veten dhe kohën.

Në 28 Janar unë kam dalë nga burgu, i harruar dhe vetëm, më kishin dënuar me 10 vjet heqje lirie dhe punë skllavi nga shkaku i poezive të mia, me akuzën se nuk ishin të realizmit socialist, etj, etj.

Por sot në Chicago Komuniteti Shqiptar në Illinois-Albanian Community of Illinois ka organizuar një takim me temën “Poezia është liri”. Me nismën e tyre Governatori i këtij shteti, JB Pritzke, e shpalli 28 Janarin si “Dita e lirisë”.

Mbi të gjitha duhet të kemi një ditë lirie brenda vetes, të çdoditshme, në përballje me ata që duan t’u marrin lirinë të tjerëve, deri tek operativët dhe patronazhistët e tyre të kudogjendur, që tani inatshëm po merren dhe me kritikë.

Në letrat shqipe të mos ketë më kohë që të dënohet fjala e lirë dhe poezia e saj, të mos mos flaket më eposi i At’ Gjergj Fjshtës që bashkë me eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin, të mos ridënohet me vdekje në mungesë Ernest Koliqi dhe të mos burgoset prapë dhe i vdekur Mitrush Kuteli- themeltarë të tregimit modern shqiptar, të mos ridënohet me heshtje mizore poeti i qiejve Lasgush Poradeci, të mos riburgosen romancierët partizanë Petro Marko e Kasëm Trebeshina, edhe Mustafa Greblleshi e i panjohuri ende Astrit Delvina, etj, të mos rivriten shkrimtarë dhe intelektualë të lartë nga kleri, sidomos ai katolik, që të mos arratisen sërish shkrimtarët e rëndësishëm Martin Camaj dhe, me të dalë nga burgu, poeti dhe filozofi Arshi Pipa, më pas dhe shkrimtari çam Bilal Xhaferri, etj, etj, të mos ripushkatohen të rinjtë e përjetshëm poetët-klithmë Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka dhe të mos varin prapë në mes të qytetit të tij, të fundmin në të gjithë perandorinë komuniste, poetin Havzi Nelaj...

Që gjysma e letërsisë shqipe që bëhej në Kosovë e diasporë, të mos ndalohet më.

Mbi një masakër të tillë u ngrit Realizmi Socialist dhe u lejua të shkruante Kadare, prandaj dhe romanet e tij kanë diçka prej feniksi, shpendit që ringjallej nga hiri. Vargmalin e veprës së tij të plotë e risolli botuesi “Onufri”, më mirë se kurrë dhe në estetikën e tyre. Tani ajo nuk ka nevojë për patronazhistë që as kanë mundur ta kuptojnë, që Inteligjenca Artificiale i ka shndërruar në inteligjentë më artificialë me teprì, por për lexuesin e pafundmë.

Lajm i bukur dhe me vlerë është se po sot u hap në New York libriara www.alblibris.al me dërgesa në të gjithë SHBA, një lloj Amazoni shqiptar për Amerikën e Veriut.

Dija e librit, me format më moderne, është shenjtërisht e domosdoshme dhe themeltare për çdo ardhmëri, krijuesit janë apostuj të pamposhtur si vetë e ardhmja.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx