E marte, 30.12.2025, 09:46 PM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Ikona e poetit Atë…

E marte, 30.12.2025, 07:01 PM


IKONA E POETIT ATË…

-At’ Gjergj Fishta është Atë

                                              dhe në poezi-

Nga Visar Zhiti

Dhe dua të flas prapë:

…iku në Qiell në 30 dhjetor në fundvitin e 1940 dhe nisi pavdeksia e tij, me vështirësitë nga toka…

Ndërroi jetë në kohën e pushtimit fashist italian, që nuk ia duronte atë pushtim, edhe pse ishte antar i Akademisë Italiane, i kulturës së saj, i poetëve të mëdhenj. Ai ishte i Krishtit… dhe do të vuanin eshtrat e tij në varr.

Ndërkaq dihet sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore, një diktaturë tjetër po aq e keqe sa pushtimi, me mynxyra më shumë. Do të arrihej deri atje sa t’i shprishnin dhe varrin në Kishën e tij Poetit Kombëtar, At’ Gjergj Fishtës, duke ia hedhur eshtrat në lumin Drin… E si mund ta duronin djajtë e kuq misionarin e Zotit dhe të Atdheut?

…çuditërisht në varr do të mbeste, e përzier me dheun, vetëm skeleti i dorës së djathtë… U harrua, u la me qëllim? Ogur për të ardhmen?…

Gjithsesi Dora që kishte shkruar homerikisht eposin e Kombit, deshi Zoti dhe mbeti…

Ç’emocion!

Për këtë unë botova një elegji gegnisht, është në librin tim me poezi, “Thesaret e frikës”, që e çmonte shumë miku im, bardi tjetër me shpirt fishtian, Ali Podrimja.

Po e risjell sot këtu:

SHKODËR, (RI)VARRIMI

I AT’ GJERGJ FISHTËS

N'varrin e shembun dhe t'harruem

u gjetën copa kocash, mbetun

                              nga mëkati i pakalbun.

Çka mund t'bahet me to, o At',

veçse skeleti i dorës, që mbi dhe

ka shkrue eposin e vdekun

                                                 të t' gjallëve e nan dhe eposin e gialle

                                            të t'vdekunve?

Baj kryq dhe dora m'zhvishet,

bjen mishi, m'bahet skelet

                                 si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand

                                 si shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.

Ranë bujashka fjalësh n'varrin

                               që s'do té vdesi ma.

*   *   *

Lexuesit e At’ Fishtës s’do të ishin më si dikur, të fshehtë e nuk do të dënoheshin më, por do të shtoheshin me gjeneratat e reja.

Ky do të ishte dhe motivi i disa prej pikturave të miqve të mij të njohur.

Profesor Guljelm Mosi kompozoi një tablo, aq sa dramatike, po aq dhe me paqe parajsore, Poetin Atë Gjergj Fishta patriark me tim atë me libër në dorë, diçka po i lexon, se unë kisha shkruar diku që ishin takuar. Piktura ka mugëtirë dhe mister.

Ndërsa një Gjergji tjetër, po nga Lezha, Maestro Gjergj Kola, në kompozimin e tij, krahas librit, shton dhe vetë lahutën, po edhe lahutarin e ri, gjeneratën tjetër, e gjitha nën një dritë mahnitëse, bluja e qiellit me të kuqen gjak të luleve, që vazhdon dhe në xhamadan…

Desha ta kujtoj Atin kështu me vepra kushtuar Ati-j, që i kam, që i ndjej të afërta, të miat.

Im atë më kishte treguar, atëhere kur nuk lejohej, takimin e Atë Gjergj Fishtës me studentë të “Normales” së Elbasanit, mes të cilëve ishte dhe vetë. Dhe unë kam futur në romanin tim të fundit, “Këpuca e aktorit”:

AT’ FISHTA NA THA: PËRPARA!…

Pa i mbaruar studimet krejt, në vitin e fundit nisëm udhëtimin nëpër Shqipëri. Po nuk e njohe atdheun, nuk bëhesh mësues i mirë, përsërisnin mësuesit tanë. Ne ishim dhe grupi i teatrit. Dy hamej shëtisnin portretin tim rrugëve të qyteteve, ku shkonim, kështu lajmërohej dhe shfaqja që do të jepnim.

Shkodra. Liqeni... sikur kishte rënë një pjesë e qiellit në tokë dhe ajo ishte plotësuar me qiej të tjerë. Mbi kodër të thepisur kalaja e saj, e Rozafës, e legjendës më të bukur në botë për nënën që u muros, por u lut që një sy t’ia linin jashtë, se do shikonte foshnjën e saj, po edhe një dorë, se do të tundte djepin, një gji se do t’i jepte gji. Kalaja pikonte qumësht nga muret. Më magjepsi. Nuk doja të ikja nga aty. Po kishim lënë takim me At’ Gjergj Fishtën, ia kishim kërkuar dhe na priste...

U nisëm për në Bibliotekën Françeskane nëpër një rrugë me kalldrëm. Po flisnim gjithnjë e më pak e po mendonim me shumë. Ranë kambanat. Ajri u mbush me shpendë të padukshëm, që, po të shiheshin, do të ishin të madhërishëm. U futëm në oborr. Sa shumë trëndafila. Pastaj brenda në Bibliotekë. Kryqi i madh... rafte me libra gjithandej, të gjithë muret, edhe sipër... të trashë, volume me radhë, I, II, III... X... XXX... shkallët e drunjta... aromën e dijes nuk e kisha provuar ndonjëherë kështu.

Po vjen, u dëgjuan mërmërima dhe dolëm ta presim afër derës, jashtë. Po afrohej me hap të ngadaltë, sikur çalonte pakëz, m’u duk. U hutuam. Poeti Kombëtar i gjallë. Sa herë na kishin folur mësuesit për të e veprën e tijj, na e recitonin dhe ne bashkë me ta. I veshur me të zeza, me veladon. Me kapuç të zi mbi krye, leshrat e zbardhëllyera, të shkurtra, të  drejta, me pak baluke anash mbi ballë. Fytyrë e plotë, vështrimbutë, por dhe të ngulmët.

- Mirse-keni-ardh’, djelm të mbarë, - tha me një zë të altartë dhe na dha dorën të gjithëve. Vërtet kishte diçka nga drurët, që bëhen kryqe. S’dinin ç’t’i thoshim. Donim të fliste ai. Lavdëroi mësuesinë dhe shkollat, janë si oazet në shkretëtirë, - na tha. Nxori një kuti, s’e di a kishte qenë e argjendtë më parë, por i bindur se prekja e tijj e shndërroi në të tillë, merrni nga një cigare, - na i afroi bujarisht. Mos donte që at’ Gjergji, me emrin si të Skënderbeut, të na shikonte burra? Askush nuk guxoi të prekte nga cigaret, edhe pse pedagogë nuk kishim. Jo, jo, nuk tymosim.

- Unë po e marr, thashë, as unë nuk tymos, por po na i jepni ju, është fat, Atë. - Ma ndezi duke buzëqeshur sovranisht. Mbas pak u bë gazmor:

- Ti e pike sikur mushku, - më gërgau. Qeshëm të gjithë. Më pa në sy. U ndjeva sikur më mbështolli një re. - Cilli ta ka msue duhanin?

- Duhani ishte i babës. Cigaren ia mora vëllait të madh.

- Asht detyrë me i msue etnit tanë, ma shumë se ata na, - tha. - Fmijt e mirë e përmirsojnë dhe t’kaluemen, - shtoi me qetësi. – Ku e ke babën?

- Në malin e Tomorrit.

- Asht Mal i Shenjtë... ka qit dhe Naimin... – dhe më ledhatoi lehtë kryet.

- Ne kemi dhe një teatër, - guxova dhe i tregova.

- Bukur fort, kam lexue n’revistën tuej. Teatri ka randsi për nji popull, - po shpjegonte sikur po këngëzonte, - nuk asht vetëm argtim. Aty ku njerëzit mblidhen bashkë, janë ma t’fortë. Edhe unë kam shkrue do drama...

I njohim, thamë dhe po përsërisnim titujt me radhë, “Kthimi i Uliksit në Itakë”, “Shqyptari i qytetnuem” edhe “Shqyptarja e qytetnueme”, “Jerina ose mbretnesha e luleve”, “Juda Makabé” ngrita zërin unë. Një tjetër përmendi “Lahutën e Malcis” si dramë është dhe ajo, “Mrizi i zanave” një tjetër... Pushuam. Do fliste Atë Gjergji. Duhet me e dashtë atdheun, ai asht i pari... dhe dija asht dashni... Asht rreziku me shkue nga robnia në robni, por ne jena ba per me ken të lirë... bashkë, me luftu… Mnia ime asht kundër s’keqes... edhe m’kan kërcënue, por duhet me e bajtë kryqin... Shqypnia asht kryqi em... Heshtëm. I dhamë fletoren tonë të kujtimeve që të na linte aty një porosi. U ul mbi poltron te tryeza në anë të librave. Nën hijen e Krishtit ngjeu pendën te boja e zezë dhe ai shkruaj": “Përpara djema!”. Vetëm kaq. Kishte dhënë kushtrimin. 

Pa lëvizur e pamë kur ikte ngadalë si një copëz nate e gdhendur, ktheu kokën para se të futej te dera e qelës dhe ngriti dorë për të na përshëndetur. A për më shumë se aq. Këta janë etërit e vërtetë, edhe pse s’kanë fëmijë. Ne u ndjemë të bekuar..



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx