Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Flamuri ynë, zjarr prometean dhe flatër engjëlli
E enjte, 27.11.2025, 07:00 PM

FLAMURI YNË, ZJARR PROMETEAN DHE FLATËR ËNGJËLLI
-
Festë dhe oratori -
Nga
Visar Zhiti
SOLEMNITET
Festën
Kombëtare, më të madhen e shqiptarëve, atë të Flamurit, e festojnë me madhështi
shqiptarët kudo në botë, por mbase më bukur se diasporën e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës… bashkë si një familje e madhe, këtu ku ndjehem më shumë
shqiptarë, po aq sa dhe amerikanë, dinë të nderojnë dhe dine të kujtojnë. Çdo
bashkatdhetar ngjan me një flamur të gjallë, sikur secili nga ne është midis
flamujve, - le të flasim me fjalët që i takojnë Flamurit, - që valëvit histori
zulmëmadhe dhe identitet të veçantë, ideal lirie dhe përbashkimi, përpjekje
shekullore, qëndresë nën pushtimet e gjata, triumf dhe aleancë dhe vizion,
krenari të ligjshme dhe dashuri.
Na
ka prirë Flamuri ynë dhe jemi nën palat e tij si nën vezullime agimesh dhe
muzgje të atdheut, të ëndrrës mbarëkombëtare.
Ky
Flamur është ngritur hijerëndë në kështjella dhe pirgje dhe fusha beteje, ka
mbulur heronjtë, por dhe nëpër dasma, vargani i krushqëve kishte kryeflamurtar,
e mbajnë duart e fëmijëve, ky flamur ngrihet mbi institucionet shtetërore,
presdencë, parlament, kryeministri, por dhe në ballkone pallatesh, ku banojmë,
në tryeza pune e në zarfe me pullat postare, është në takime ndërkombëtare, ne
ceremonira e në fusha sporti e festa e ngrihet lart bashkë me Himnin, ringrihet
me çdo fitore e titull kampion, e gjejmë dhe në valixhe emigrantësh si amanet,
në librat e shkollës dhe antologji poezish, në sheshe e në veprimtaritë kudo në
diasporë-, në ambasada në të gjithë kryeqytetet e shteteve të mëdha e të vogla
e në Organizatën e madhe të Kombeve të Bashkuara, aty me të gjithë flamujt e
tjerë, i sigurtë, i barabartë.
Por
ndër më të bukurit. Më i bukuri, na pëlqen të themi ne, shqiptarëve.
Flamuri
jemi ne.
Ne
jemi Flamuri. të parët tanë dhe ata që do të vijnë…
FLAMUR ME MITOLOGJI:
Jemi
populli me flamurin ndër më të vjetrit në botë, që shkon te legjendat dhe
mjegullat e mitologjisë. Një cohë e kuqe si gjaku dhe një shqiponjë dykrenore e
zezë në mes. E kuqja dhe e zeza, ngjyra që përftohen nga qielli dhe toka. E
errëta e tokës te shqiponja, që ta çojë lartësive qiellore dhe purpuri i
agimeve dhe muzgjeve të atdheut, që të zbresë pllajave dhe fushëtirave deri në
gjak.
Pse
është kështu Flamuri unë? Çfarë do të thotë? Nga vjen?
Janë
pyetje që i kemi bërë të gjithë dhe përgjigjet janë të shumta, ndër breza, nga
më sugjestionueset, pasionante dhe shkencore, na vijnë nga studiues historianë
e mitologë, antropologë e etnografë e i përsërsim në breza, në kuvende e
përvjetorë e festa.
Çfarë
porosie dhe enigmash shpalos Flamuri ynë? Pse këto dy ngjyra, ç’simbolizojnë me
ç’kod zbërthehen dhe ku është zanafilla?
Natyrisht
e gjitha lidhet me historinë e popullit, kanë atë lashtësi, mendësinë,
filozofinë dhe idealin, kulturën, traditën, gjuhën mbi të gjitha, duke u bërë
dhe maja valavaitëse e tyre.
Flamuri
është dëshmitar i heshtur i ecurisë nëpër epoka, i fitoreve dhe humbjeve, i
përjetësisë së një kombi…
Kaluam
drama, luftra të gjata e paqe të shkurtra, stinë begatish e dimra vuajtjesh,
murtaja dhe epidemi ideologjike dhe u përballëm me hordhi të shfarosjes, mbijetuam
me perandoritë e mëdha, të Yllirëve, Hittitëve, Persëve, Maqedonasve, Romakëve
e Bizantit, ishim pjesë e tyre, morëm dhe dhamë.
SHQIPONJA
Kulti
i shqiponjës është mitik. Shqiponja nuk vritej, shihej si perendia e shpendëve,
hyjnore. E adhuruara e Zeusit të gjithfuqishëm. Që kryente shërbimet midis
qiellit dhe tokës, vetëm asaj i besohej. Shqiponja kishte një vend të veçantë
mes yjeve. Ky mit ka të bëjë me pellazgët, me të cilët janë të lidhur ilirët,
siç besohet nga shumë shkencëtarë. Prandaj dhe shpesh të huajt na quajnë,
"Bij të Shqipes"! Shqiponja ishte emblemë dhe e Pirros së Epirit.
Gjendet dhe te shteti i parë i Arbërit i viteve 1199-1216, duke krijuar një
tradite që kulmoi me shtetin e Skënderbeut, ku Kastriotë e kishin dhe në stemën
e tyre.
Arkeologët
kanë zbuluar në hapësirat ilirike, në trojet e Shqipërisë së sotme shqiponja në
gur, që datojnë në shekujt para Krishtit, si ato në tumat e Matit. Shqiponjat e
gdhendura në dru nëpër djepe, në unaza, janë gjetur në zonën e Korçës, janë dhe
në heraldikën arbëreshe, etj.
Po
pse shqiponja është me dy koka në Flamur?
Përsëri
na ndihmon miti. Zeusi lëshoi dy shqiponja, të cilat fluturuan njëra nga Lindja
dhe tjetra nga Perëndimi. Atje ku do të takoheshin dy shqiponjat, do të ishte
qendra e botës. Pra, dy kokat janë Orienti dhe Oksidenti, bashkime të të
kundërtave, simbole të fuqisë, që mbajnë universin.
Dhe
kur u nda perandoria e Romës, gjysma që mbeti Bizant, e bëri symbol shqiponjën
me dy krerë, e mbajtën ilirët, më vonë dhe sllavët, perandoria Austro-Hungareze,
etj.
Ngjyra
e zezë përfaqëson tokën dhe vdekjen dhe pavdekësinë.
PO E KUQJA?
Është
kozmogoni, lidhet me dritën biblike, shpjegojnë studiuesit. Drita është hallka
ndërmjetëse mes Krijuesit dhe fillimeve të jetës
Ndërkaq,
siç dihet shkencërisht, drita është valë, që me gjuhën e astronomisë quhet si
"Udhëtimi i së Kuqes", etj.
Edhe
Yllirët, - ka studime që i shohin si popull biblik, - që lidhen me Hittitët, që
pa Abrahami, një fis i njohur Pellazgo-Yllir, paraardhës të Dardanëve, të
Kosovës së sotme. Simboli kryesor i Hittidëve është shqiponja me dy krerë. Dhe
e kuqja shikohej si ngjyrë hyjnore, dritë dhe gjak i jetës.
SIMBOLI KUQ E ZI
I
madhërishëm shfaqet në shekullin XV me Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti –
Skënderbeun, atë Flamur ngriti Ai në 28 Nëntor 1443 në kështjellën e Krujës.
Dhe 3 muaj më vonë, në 2 mars 1444 në Lezhë, në ditën e Kuvendit të principatave arbërore, në
Beslidhjen e madhe, e njohën si Flamur të përbashkët të të gjithëve. Që Flamuri
të përmblidhte Veri dhe Jug, mbi dy kokat e shqiponjës vunë një yll me 6 cepa,
që ishte simbol dhe i Muzakajve ashtu si dhe i Balshajve, ai është Ylli i
Betlehemit, simbol i Diellit, - shpjegojnë studiuesit.
E
dëshmojnë dhe Marin Barleti te “Historia e Skënderbeut”, bashkëkohës i heroit,
shkruar latinisht, që u bë libri më i lexuar në Europë, si dhe historianë të
huaj, që Skënderbeu atë flamur kishte, kuq e zi, dhe po me atë luftëtarët e tij
kaptuan detin Adriatik për të ndihmuar mbretin e Napolit, dolën në brigjet e
Italisë, në Europë.
Me
këtë Flamur Arbëria u bë atdhe dhe me të në ballë u mbrojt dhe u mbrujt, luftoi
dhe të githa kryengritjen nën pushtimin e gjatë gati 5 shekullor u bënë me këtë
flamur deri sa të shkohej në Lidhjen e dytë, atë të Prizrenit në 1878.
Mbret
do ta quante Naim Frashëri Skënderbeun në poemën e tij dhe:
Zot’
i madh e i vërtetë!
Emri
yt qoftë i lëvduar,
Të
qofshim falë përjetë,
Mos
qofshim teje mërguar! -
lutej.
Nga dashuria për Zotin dhe atdheun. Që katolikët shqiptarë do ta kishin credo;
për fe dhe atme! – Me këtë thirrje do të jepnin dhe jetën.
Me
atë Flamur Shqipëria u bë muri mbrojtës i Europës, i qyteterimit Perëndimor. Ai
është Flamuri i “Atletit të Krishtit”, Skënderbeut, pa të cilin, - do të
thoshte një kongresmen amerikan, ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe.
Kjo
është Shqipëria e vërtetë dhe Flamuri i saj lavdimadh.
FLAMURIN DO TA
RIZBULONTE
NJË RILINDAS MËRGIMTAR
Në
shekujt e pushtimit Flamuri do të përndiqej, do ta mallkonin e do ta digjnin.
Hiri i tij mbetej në kujtesën e Kombit. Dhe po harroj si ishte, ja ashtu si
flakët…
Rilindasit
risollën Skënderbeun, por po Flamurin?
Që
në vitin e parë të shekullit XX, kur Shqipëria vuante ende nën perandorinë
otomane, një djalë 26 vjeçar, Faik Konica, në mërgim, në Bruksel, do të pyeste
në gazetën “Albania”, që e themeloi vetë: “A ka Shqipëria një Flamur
Kombëtar? (“Albania”, 15 shtator 1901)
Dhe
do të vazhdonte. Po ka, - do t’u thoshte atyre që e donin dhe nuk e donin
Shqipërinë.
“…flamuri
ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavduarit të botës, është
pa dyshim edhe një nga më të vjetrit”, - do të shkruante. Dhe vlerësimet e tij
do të mbeten më të mirët deri më sot.
“Flamuri
përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t’a
kuptojnë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja… Nuk janë kujtime goditjesh
kundra fqinjve, nuk janë kujtime lakmirash edhe rrëmbimesh: Janë kujtime
vetë-mbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta… Nga
kjo pikëpamje, munt të mburremi se Flamuri ynë… është dhe një nga më të
drejtët”.
I
ndershëm, i drejtë, i lavdëruar! Konica,
themelues ynë “vatran”, na e bën flamurin me frymë, shpirt, që flet me
gjuhën e pashkruar! Dhe do të shkruante poezinë e pare për Flamurin
skënderbejan.
Dhe
duhej ngritur prapë. Perandoria otomane, e përzënë nga Ballkani, kishte mbetur
ende vetëm në Shqipëri.
Arbëreshi
Terenc Toçi la Amerikën dhe erdhi në dheun amë. Drejton lëvizjen në malet e
Shkodrës dhe në 1911 ngriti Flamurin në Mirditë dhe sipas marrëveshjes, priste
të zbarkonte me ushtri i biri i Garibaldit, që bashkoi Italinë dhe me ndihmën e
arbëreshëve, por u la vetëm, pa njohje dhe mbështetje ndërkombetare.
SHPALLJA
Duhej
pritur dhe një vit që të vinte Plaku Ismail Qemali, me urtësinë e të parëve, me
përvojën e një diplomati në perandori, me një dashuri të thellë për atdheun
ashtu si Skënderbeu dhe po ashtu si ai me vështrim nga Europa Perëndimore. Dhe
ai mbërriti në Vlorën e tij në vjeshtën e tretë të 1912-ës. U mblodhën aty nga
të gjithë krahinat, edhe nga Kosova erdhën, me kuaj, në këmbë, përmes rreziqeve
dhe pengesave. Karrocën e Hajredin Bej Cakranit, ku ishte futur kryeministri i
ardhshëm. Ismail Qemali, e shtynin nëpër baltra besnikët e tij, teksa vendet
fqinjë po rropateshin ta copëtonin Shqipërinë e mbetur nga Turqia.
S’kishte
institucione e as ngrehina për to, as hotele. Nëpër shtëpitë e vlonjatëve
kishin bujtuar, ku kishte zjarr dhe zemër. Po rrinin bashkë përfaqësuesit e
krahinave, ministrat që do të emëroheshin, asambleja, senati, luftëtarët,
malsorët, qehallarë, rojet, etj, etj. Por s’kishin as flamur që ta ngrinin,
dëshmon Eqrem Bej Vlora në “Kujtimet” e tij. Veç në shtëpinë e tij kishte një,
të vënë në një kornizë të bukur, të cilin ia kishte dhuruar solmenisht në Paris
Don Aladro Kastrioti.
Ismail
Qemali urdhëroi ta merrnin. Dhe e ngriti në ballkonin, ku po mbahej kongresi,
më 28 Nëntor, po atë ditë që dhe Skënderbeu e kishte ngritur në Kruj:e dhe
kështu Shqipëria u shpall shtet më vete. U lajmërua Stambolli për shkëputjen,
Europën dhe të gjitha fuqitë e mëdha. Shqipëria u b:e m;e vete
Kur
ngrihej Flamurin, “m’u dridhën duart, - shkruan në “Kujtimet” e tij Ismail
Qemali, - …dhe m’u duk sikur shpirti i Heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste
si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit… Ja, pra ky është Flamuri ynë… -
thirri i mallëngjyer ai, - dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe
i pandarë, le të punojmë për ta mburuar, për ta përparuar e për ta qytetëruar
si i ka hije Atdheut tonë të lirë…”. Në
ato fjalë ishte shpallja dhe program, drejtimi si një testament. Plaku ribëri
Shqipëri. Të rinjtë ta gëzonin dhe ta bënin të fortë e të denjë. Zv/Kryeministër u vu një katolik, Dom Nikollë
Kacori. U ruajtën raportet mes feve,
S’kishte rroga as për 10 ministat. Thuhej se paguante nga pasuria e tij
një pinjoll i Cakrajve, i porsaemëruar zv/minister i financave. Murat Toptani, dhëndri i Naim Frashërit, u
lexonte vjershat e tij, ulur kanapeve. Kur pas ca ditësh shpërthyen batare
armësh, që s’pushonin, të fusnin frikën. Mijëra gjuhë flakes çanin terrin,
shkruan Eqrem Bej Vlora. Ngjante si luftë, sikur na kishin sulmuar. Ç’të qe?
Turmat qëllonin në ajër se kishin marrë vesh nga telegramet që kishin ardhur nga
Vjena dhe Parisi që Konfrenca e Ambasadorëve në parim e kishte miratuar
“Pavarësinë e Shqipërisë”. Ishin shkrehur deri në 50 000 fishekë, një harbim
fishekzjarresh sa gazmor, po dhe marrok, vzhdon Eqrem Bej Vlora. Ismail Qemalit
nuk i pëlqeu, se loja, tha, mbaron ashtu siç fillon. Ai donte punën, veprat.
Ndërkaq
nga Rumania erdhi Himni i Flamurit, melodisë së njohur Asdreni i përshtati
fjalët. U pëlqye dhe u këndua aq shumë sa nuk u zëvendësua dot me asgjë tjetër.
Njëra nga strofat në kohën e komunizmit, jo vetëm që nuk këndohej, por do të
hiqej dhe nga botimet:
Se
Zoti vetë e tha me gojë Se kombet shuhen përmbi dhé, Por Shqipëria do të rrojë, Për të, për të
luftojmë ne.
I
çuditshëm ky komunikim i shqiptarëve me Zotin kështu. Shkrimtari Ismail Kadare
do t’i kishte një kapitull, pikërisht kësaj strofe, në sprovën e tij
“Mosmarrëveshja”. Shqipëria kishte vonesa, që ktheheshin në ankth dhe ftohtësi
në pritjet e vendeve të tjera. Fqinjët ballkanikë mezi ç’prisnin ta copëtonin.
Edhe Italia përballë. Në 1913 Flamuri
kombëtar është prapë në rrezik. Në Shkodër futen malazestë, bie kalaja, por,
për fat, ndërhyjnë ushtritë e Fuqive të Mëdha, prapset pushtuesi dhe At’ Gjergj
Fishta ngre Flamurin mbi kambanoren e kishës së françeskanëve në Natën e
Shnandout, teksa nga portat dalin fëmijët dhe këndojnë vargjet që kishte
shkruar ai:
Porsi fleta e Ejllit t’
Zotit
Po rrehë Flamuri i
Shqypnis,
E thrret t’ bijt e
Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë
t’ ushtris.
Flamuri
si flatra e ëngjëllit. Mahnitës ky
imazh. Dhe sa kushtrimtar.
Lufta
Ballkanike shton kaosin dhe hanxharët ishin ngritur lart për ndarje. Por nga
përtej oqeanit vjen shpëtimi. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë. Shtetet e
Bashkuara të Amerikës i dalin në krah Shqipërisë së vogël. Presidenti Woodrow
Wilson, që i ftoi zgjedhjet presidenciale tre javë para se Shqipëria të
shpallte Pavarsinë, i refuzoi planet për ndarjen e Shqipërsisë dhe parashtroi
parimin e vetëvendosjes së popujve,
qofshin dhe të vegjël. Dhe që kufijtë
nuk mundet të caktoeshin më mbi bazat e politikës së fuqive të
mëdha. Shqipëria shpëtoi. Kongresistët
në Kongresin e Lushnjës në 1920 arritën pavarsisnë e dytë të Shqipërisë. Në
jakat e tyre kishte nga një flamur të vogël të kuq. Roli i SHBA kishte qenë vendimtar. Te
Presidenti Wilson ndikoi shumë dhe diaspora shqiptare, udhëheqësit e saj,
Konica dhe Noli, kontakti me
shqiptaro-amerikanët. Sot në Tiranë është një shesh që mban emrin e Presidentit
shpëtimtar, Wilson, me shtatoren e tij në mes.
ADHURIMI
Shqiptarët
gjithnjë e më shumë po ndjeheshin më të lidhur, më me ndërgjegje e më me
përgjegjësi, me Flamurin, me më qytetari.. Dhe me dashuri patejtër. Ne ndoshta
jemi i vetmi popull që u vëmë fëmijëve emrin Flamur. Madje dhe në gjininë
femërore, Flamure.
Nuk
ka flamur pa gruan. S’ka Skënderbe pa Donikën e tij. Duart e zonjës Marigo
Posio, që qepën dhe qendisën Flamurin në ditët e shpalljes së Pavarësisë në
Vlorë, vazhdojnë të qëndisin përsëri flamuj të tjerë me rreze drite.
Mamatë
u mësojnë fëmijëve të vizatojnë dhe ja, midis fletëve shfaqet e kuqja e
Flamurit. Atë të kuqe që piktori shqiptar, Onufri, e bëri të famshme në botë me
ikonat e tij. Dhe pasi mësojnë vjersha për mamin, babin, (e jo për prindin nr.
1 e prindin nr. 2), fëmijët recitojnë vargje për lodrat, gëzimet e tyre,
patjetër dhe për atdheun dhe Flamurin. Dhe unë, i vogël, ndër gjërat e para që
kam shkruar, mbaj mend, është dhe kjo: O Flamur i Shqipërisë,/ Që valvitesh kaq
krenar,/ Të ndez era e lirisë/ si zjarr….
Kur
flasim për Flamurin tonë, bëhemi më familjarë. Edhe im atë kishte poezi për
Flamurin. Në flakë si flakë/E shenjtë flak’rove… - shkruante.
I
rritur do të mësoja se fjala flamur ka lidhje vërtet me zjarrin. Gjuha shqipe
zgjodhi ta marrë këtë fjalë nga latinishtja "flammula", (është dhe në
greqishten e re ??????????), se
vokacioni shqiptar gjithmonë ka qene dhe mbetet Perëndimor. Pra, rrënja e
fjalës flamur është flaka, Fjamuri i Arbërit, thoshte poeti i madh arbëresh De
Rada. Ai zjarr, rreth të cilit mblidheshin dikur luftëtarët e përbetoheshin,
ato flakë u bënë flamur.
Flamuri
i shqiptarëve është i zjarrtë me flatra shqiponje.
QË TË VAZHDOJMË ECURINË
po
në kohën e Mbretit Zog si u ndje Flamuri Kombëtar, që, siç shkruanin të huajt,
kishte një zog në mesin e vet, shqiponjën dykrenore. Mbi to u vendos
përkrenarja e Skënderbeut, e trashëguar nga Pirroja i madh. Dhe u bënë
përpjekje për të ndërruar dhe Himnit e Flamurit. Në Jurinë e konkursit ishin
At’ Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e personalitete të tjera dhe fitues nxorën
një të ri, Beqir Çela, nga Karbunara e Lushnjës. Himnin e ri ai e fillonte: O
Flamur, Yll i Lirisë… Ishte i shkollës së Fultzit, Amerikën e shikonte si
vendin e shpëtimit. E pushkatuan fitimtarët komuniste, në vitin 1947.
Një
vit më vonë pushkatuan dhe Baba Ali Tomorin, poet, një libër me poezi i tij
mban titullin “Flamurit shqiptar”.
Flamur!
Ja ku bëhet beja! Mblidhe, mblidhe popullsinë Përparo! Zgjero Shqipërinë mer Kosovë, Çamërine! Të ndih Zoti në beteja.
Edhe
djemtë e Ismail Qemalit u keqtrajtuan nga regjimi. Njëri iku në Maqedoninë
Veriut, - e Jugut për ne, shqiptarët, - në Strugë me gjithë sëndyqin me
dokumenta të Pavarësisë, tjetrin e burgosën.
Lëvizje
dhe rebelime dhe demonstra me Flamur bëheshin herë pas here dhe në Kosovën e
pushtuar. Shpesh forcat policore gdhiheshin duke gjetur të ngritur qyteteve
gjatë natës Flamurin shqiptar. Sikur mbinte vetvetiu.
Sinteza
më e fuqishme për Flamurin, i cili është vetë sintezë e historisë së Kombit, u
arrit nga imzot Fan Noli, një himn si me ritëm trumpetash, si një marrshim
krenar drejt ardhmërisë:
O Flamur gjak, o flamur
shkabë,
O vënd e vatr' o nën' e
babë,
Lagur me lot, djegur me
flagë,
Flamur i kuq, flamur i
zi.
Flamur që lint Shën
Kostandinin,
Pajton Islamn' e
Krishtërimin,
Çpall midis feve
vllazërimin,
Flamur bujar për
Njerëzi.
Ashtu
si gjatë pushtimit fashist, që Flamurit Kombëtar i shtuan dy spatat e Liktorit,
që dukej sikur kërcënonin dy kokat e shqiponjave, ndërkq nazistët pas tyre i
hoqën, komunistët, me të marrë pushtetin, vendosën yllin bolshevik.
Kur
të burgosurit politikë u ngritën në Spaç në revoltën që tundi së brendshmi
themelet e diktaturës, në 1973, ata ngritën në mes të kampit, brenda telave me
gjëmba, Flamurin pa yllin komunist. Po ku e gjetën? Një këmishë të bardhë e
ngjyen me gjakun e tyre dhe piktori i burgosur bëri shqiponjën. E ngritën lart
duke kënduar himnin me lot në sy. Katër të burgosur i pushkatuan dhe ridënuan
dhjetra të tjerë, por dhe vetë burgun.
Dhe
do të vinte dita që të hiqej ylli politik i komunizmit nga Flamuri shqiptar.
Shqipëria do të bëhej demokratike, pluraliste dhe do të hapej drejt botës së
lirë. Shqiptarët po iknin për një jetë më të mirë me ëndrra për të ardhmen e
fëmijëve. Në gjak mbartnin Flamurin dhe festat për të bashkarisht, me këngë e
valle shqiptare dhe fjalën shqip. 28
Nëntori kishte marë forcën e një ditë të bekuar dy herë. Prej saj buron forcë
dhe shpresë.
VALËVITJE NË KOSOVË
Kosova
donte ringjallen e saj.
Në
28 Nëntor 1997 shpallet se është krijuar Ushtria Çirimtare e Kosovës. Lajmin e
UÇK-së e dhanë tre luftëtarë me uniformë dhe të armatosur e me maska në fshatin
Laushë, gjatë varrimi të një mësuesi hero.
U
bë me miratim të Komandantit Adem Jashari. Kështu nisi lufta e organizuar për
liri kundër pushtuesit.
Dhe
po në 28 Nëntor në Kosovë kishte lindur legjenda Adem Jashari, në 1955 në
Prekaz. Bëri një dimër i acartë atë vit, por më keq se dimri ishte dhuna
policore e regjimit serb ndaj shqiptarëve.
Dhe do të ndërhynin forcat e NATO-s dhe SHBA në këtë betejë, jo vetëm
çlirimtare, por dhe morale, mbrohej një popull nga eksodi masiv si në Bibël.
Pas bombardimeve të Beogradit, Kosova u shpall Republikë më vete.
Shqipëria
u fut në NATO dhe Flamuri i saj është bashkë me flamujt e forcave Perëndimore
euroatlantike, me demokracitë më të përparuara.
Shqipëria
dhe Kosova, dy shtete shqiptare të vegjël në Ballkan, por me histori të lashtë,
kanë gjetur te Shtete Bashkuara të Amerikës së madhe aleatin jetik, mbrojtësin
dhe mbështetësin.
Prandaj
dhe shqiptarët e mbajnë Flamurin e tyre pranë atij të Amerikës, në shtëpi dhe
punë dhe festa. Lartësohet në çdo 28 Nëntor në të gjitha trojet tona e kudo ku
ka shqiptarë nëpër botë. Është si zjarri i vatrës që na mbledh. Flakët bëhen
dritë. Më bukur se gjithkund ato shkëlqejnë atje ku jemi, bashkë…









