E merkure, 17.12.2025, 01:05 AM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Kur aktori Roberto Benigni tregon Shën Pjetrin

E marte, 16.12.2025, 06:53 PM


KUR AKTORI ROBERTO BENIGNI

TREGON SHËN PJETRIN

- mes brishtësisë njerëzore dhe mrekullisë -

Nga Visar Zhiti

Donim ta shihnim prapë Roberto Benigni-n, të dëgjonim monologun e tij, “Shën Pjetri – njeriu në ere”, që e shfaqi  para ca ditësh në Kopshtet Sekrete të Vatikanit, në një skenë të ngritur posaçërisht… ne kemi patur fatin të shëtisnim andej, nëpër ato rrugë të blerta të shihnim dhe papët, kemi vizituar dhe varrin e Shën Pjetrit te katakombet… jemi mbi të, - tha Roberto Benigni në monologun e tij të gjatë mbi 2 orë, që iku aq shpejt, sa dy mijëvjeçarët. Dhe fotografoja pamje në ekranin e televizorit, eh, jam dhe djalë aktori, po doja kaq shumë Shën Pjetrin e Benigni-t.

Ai nuk luajti një shenjt, por një njeri që dridhet. Një apostull që bie, mohon, qan - dhe pikërisht aty ai bëhet themel. Zoti e ndërtoi Kishën mbi pluhurin, ku dimë të pendohemi.

Shën Pjetri, njeriu prej ere, - më pëlqen të them - dhe Roberto Benigni në interpretimin e tij nuk ngriti një ikonë të shenjtërisë së ngrirë, por një antropologji biblike të brishtësisë. Shën Pjetri i tij nuk është mermer apostolik, por mish që dhemb, zë i thyeshëm, besim që rrëzohet e ringrihet. Kjo është në thelb teologjia më e thellë e Krishterimit: Zoti nuk zgjedh engjëj, por njerëz prej ere.

“Ti je Pjetër dhe mbi këtë shkëmb…” por ky shkëmb në leximin e Benignit është i çarë. Ai mban në vete mohimin, frikën, turpin. Aktori prek një të vërtetë thelbësore patristike: autoriteti shpirtëror lind nga pafajësia, por dhe nga pendesa.

Benigni e luan Pjetrin si një njeri që e di se ka rënë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai mund të qëndrojë. Në këtë kuptim Shën Pjetri nuk është triumfi i besimit, por drama e besimit që mbijeton pas dështimit.

Interpretimi i Benignit është thellësisht antiheroik. Ai është më afër Kierkegaard-it, pa atë, triumfalizmit, se besimi nuk është vetëm siguri, por dhe rrezik, jo pushtet, por fërgëllimë.

Pjetri i Benigni-t nuk shpaloset nga lartësia e dogmës, por nga ankthi i njeriut që ka parë veten të thyejë fjalën e dhënë, qendrimin. Kjo e bën figurën e tij universale, ai nuk përfaqëson vetëm apostullin, por çdo njeri që ka dështuar në çastin vendimtar, por nuk rri aty.

Benigni nuk “aktron” shenjtërinë, ai e çmitizon atë për ta afruar, ndoshta dhe më shumë te të rinjtë e shekullit XXI. Trupi i tij është i shqetësuar, gjestet të papërsosura, fytyra e hapur ndaj turpit dhe frikës. Edhe ndaj thirrjes. Me estetikën e ungjillit, Zoti hyn aty ku njeriu nuk fshihet dot më.

Në këtë sens, loja e tij bëhet pothuajse liturgjike, jo si ritual i rregulluar, por si rrëfim i gjallë, si psalm i thyer.

Titullin shqip dua ta them: “njeriu prej ere” si një deklaratë ontologjike. Njeriu është formuar nga pluhuri, sipas Biblës dhe Benigni e bën këtë pluhur të dukshëm dhe të prekshëm. Pikërisht mbi këtë pluhur zbret hiri.

Teologjikisht ky është paradoksi qendror i Krishtërimit që hiri nuk e zhduk brishtësinë, por e tejpërshkon atë. Shën Pjetri i Benignit nuk bëhet i fortë, ai bëhet i vërtetë. Dhe kjo mjafton. Një shenjtëri që nuk vjen nga qielli i pastër, por nga toka e përlyer. Një teologji që nuk flet me zërin e lartë, por të atij që ka qarë.

Dhe dua t’i rikthehem Roberto Benigni-t si Shën Pjetër. Për t’u lehtësuar si era.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx