| E marte, 30.12.2025, 07:01 PM |

IKONA E POETIT ATË…
-At’
Gjergj Fishta është Atë
dhe në poezi-
Nga
Visar Zhiti
Dhe
dua të flas prapë:
…iku
në Qiell në 30 dhjetor në fundvitin e 1940 dhe nisi pavdeksia e tij, me
vështirësitë nga toka…
Ndërroi
jetë në kohën e pushtimit fashist italian, që nuk ia duronte atë pushtim, edhe
pse ishte antar i Akademisë Italiane, i kulturës së saj, i poetëve të mëdhenj.
Ai ishte i Krishtit… dhe do të vuanin eshtrat e tij në varr.
Ndërkaq
dihet sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore, një diktaturë tjetër po
aq e keqe sa pushtimi, me mynxyra më shumë. Do të arrihej deri atje sa t’i
shprishnin dhe varrin në Kishën e tij Poetit Kombëtar, At’ Gjergj Fishtës, duke
ia hedhur eshtrat në lumin Drin… E si mund ta duronin djajtë e kuq misionarin e
Zotit dhe të Atdheut?
…çuditërisht
në varr do të mbeste, e përzier me dheun, vetëm skeleti i dorës së djathtë… U
harrua, u la me qëllim? Ogur për të ardhmen?…
Gjithsesi
Dora që kishte shkruar homerikisht eposin e Kombit, deshi Zoti dhe mbeti…
Ç’emocion!
Për
këtë unë botova një elegji gegnisht, është në librin tim me poezi, “Thesaret e
frikës”, që e çmonte shumë miku im, bardi tjetër me shpirt fishtian, Ali
Podrimja.
Po
e risjell sot këtu:
SHKODËR,
(RI)VARRIMI
I
AT’ GJERGJ FISHTËS
N'varrin
e shembun dhe t'harruem
u
gjetën copa kocash, mbetun
nga mëkati i
pakalbun.
Çka
mund t'bahet me to, o At',
veçse
skeleti i dorës, që mbi dhe
ka
shkrue eposin e vdekun
të t' gjallëve e nan dhe eposin e gialle
të
t'vdekunve?
Baj
kryq dhe dora m'zhvishet,
bjen
mishi, m'bahet skelet
si dora jote
e kombit. E mbushim me zanin tand
si shpatën me
millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.
Ranë
bujashka fjalësh n'varrin
që s'do té vdesi ma.
* * *
Lexuesit
e At’ Fishtës s’do të ishin më si dikur, të fshehtë e nuk do të dënoheshin më,
por do të shtoheshin me gjeneratat e reja.
Ky
do të ishte dhe motivi i disa prej pikturave të miqve të mij të njohur.

Profesor
Guljelm Mosi kompozoi një tablo, aq sa dramatike, po aq dhe me paqe parajsore,
Poetin Atë Gjergj Fishta patriark me tim atë me libër në dorë, diçka po i
lexon, se unë kisha shkruar diku që ishin takuar. Piktura ka mugëtirë dhe
mister.

Ndërsa
një Gjergji tjetër, po nga Lezha, Maestro Gjergj Kola, në kompozimin e tij,
krahas librit, shton dhe vetë lahutën, po edhe lahutarin e ri, gjeneratën
tjetër, e gjitha nën një dritë mahnitëse, bluja e qiellit me të kuqen gjak të
luleve, që vazhdon dhe në xhamadan…
Desha
ta kujtoj Atin kështu me vepra kushtuar Ati-j, që i kam, që i ndjej të afërta,
të miat.
Im
atë më kishte treguar, atëhere kur nuk lejohej, takimin e Atë Gjergj Fishtës me
studentë të “Normales” së Elbasanit, mes të cilëve ishte dhe vetë. Dhe unë kam
futur në romanin tim të fundit, “Këpuca e aktorit”:
AT’
FISHTA NA THA: PËRPARA!…
Pa
i mbaruar studimet krejt, në vitin e fundit nisëm udhëtimin nëpër Shqipëri. Po
nuk e njohe atdheun, nuk bëhesh mësues i mirë, përsërisnin mësuesit tanë. Ne
ishim dhe grupi i teatrit. Dy hamej shëtisnin portretin tim rrugëve të
qyteteve, ku shkonim, kështu lajmërohej dhe shfaqja që do të jepnim.
Shkodra.
Liqeni... sikur kishte rënë një pjesë e qiellit në tokë dhe ajo ishte plotësuar
me qiej të tjerë. Mbi kodër të thepisur kalaja e saj, e Rozafës, e legjendës më
të bukur në botë për nënën që u muros, por u lut që një sy t’ia linin jashtë,
se do shikonte foshnjën e saj, po edhe një dorë, se do të tundte djepin, një
gji se do t’i jepte gji. Kalaja pikonte qumësht nga muret. Më magjepsi. Nuk
doja të ikja nga aty. Po kishim lënë takim me At’ Gjergj Fishtën, ia kishim
kërkuar dhe na priste...
U
nisëm për në Bibliotekën Françeskane nëpër një rrugë me kalldrëm. Po flisnim
gjithnjë e më pak e po mendonim me shumë. Ranë kambanat. Ajri u mbush me
shpendë të padukshëm, që, po të shiheshin, do të ishin të madhërishëm. U futëm
në oborr. Sa shumë trëndafila. Pastaj brenda në Bibliotekë. Kryqi i madh...
rafte me libra gjithandej, të gjithë muret, edhe sipër... të trashë, volume me
radhë, I, II, III... X... XXX... shkallët e drunjta... aromën e dijes nuk e
kisha provuar ndonjëherë kështu.
Po
vjen, u dëgjuan mërmërima dhe dolëm ta presim afër derës, jashtë. Po afrohej me
hap të ngadaltë, sikur çalonte pakëz, m’u duk. U hutuam. Poeti Kombëtar i
gjallë. Sa herë na kishin folur mësuesit për të e veprën e tijj, na e recitonin
dhe ne bashkë me ta. I veshur me të zeza, me veladon. Me kapuç të zi mbi krye,
leshrat e zbardhëllyera, të shkurtra, të
drejta, me pak baluke anash mbi ballë. Fytyrë e plotë, vështrimbutë, por
dhe të ngulmët.
-
Mirse-keni-ardh’, djelm të mbarë, - tha me një zë të altartë dhe na dha dorën
të gjithëve. Vërtet kishte diçka nga drurët, që bëhen kryqe. S’dinin ç’t’i
thoshim. Donim të fliste ai. Lavdëroi mësuesinë dhe shkollat, janë si oazet në
shkretëtirë, - na tha. Nxori një kuti, s’e di a kishte qenë e argjendtë më
parë, por i bindur se prekja e tijj e shndërroi në të tillë, merrni nga një
cigare, - na i afroi bujarisht. Mos donte që at’ Gjergji, me emrin si të
Skënderbeut, të na shikonte burra? Askush nuk guxoi të prekte nga cigaret, edhe
pse pedagogë nuk kishim. Jo, jo, nuk tymosim.
-
Unë po e marr, thashë, as unë nuk tymos, por po na i jepni ju, është fat, Atë.
- Ma ndezi duke buzëqeshur sovranisht. Mbas pak u bë gazmor:
-
Ti e pike sikur mushku, - më gërgau. Qeshëm të gjithë. Më pa në sy. U ndjeva
sikur më mbështolli një re. - Cilli ta ka msue duhanin?
-
Duhani ishte i babës. Cigaren ia mora vëllait të madh.
-
Asht detyrë me i msue etnit tanë, ma shumë se ata na, - tha. - Fmijt e mirë e
përmirsojnë dhe t’kaluemen, - shtoi me qetësi. – Ku e ke babën?
-
Në malin e Tomorrit.
-
Asht Mal i Shenjtë... ka qit dhe Naimin... – dhe më ledhatoi lehtë kryet.
-
Ne kemi dhe një teatër, - guxova dhe i tregova.
-
Bukur fort, kam lexue n’revistën tuej. Teatri ka randsi për nji popull, - po
shpjegonte sikur po këngëzonte, - nuk asht vetëm argtim. Aty ku njerëzit
mblidhen bashkë, janë ma t’fortë. Edhe unë kam shkrue do drama...
I
njohim, thamë dhe po përsërisnim titujt me radhë, “Kthimi i Uliksit në Itakë”,
“Shqyptari i qytetnuem” edhe “Shqyptarja e qytetnueme”, “Jerina ose mbretnesha
e luleve”, “Juda Makabé” ngrita zërin unë. Një tjetër përmendi “Lahutën e
Malcis” si dramë është dhe ajo, “Mrizi i zanave” një tjetër... Pushuam. Do
fliste Atë Gjergji. Duhet me e dashtë atdheun, ai asht i pari... dhe dija asht
dashni... Asht rreziku me shkue nga robnia në robni, por ne jena ba per me ken
të lirë... bashkë, me luftu… Mnia ime asht kundër s’keqes... edhe m’kan
kërcënue, por duhet me e bajtë kryqin... Shqypnia asht kryqi em... Heshtëm. I
dhamë fletoren tonë të kujtimeve që të na linte aty një porosi. U ul mbi
poltron te tryeza në anë të librave. Nën hijen e Krishtit ngjeu pendën te boja
e zezë dhe ai shkruaj": “Përpara djema!”. Vetëm kaq. Kishte dhënë
kushtrimin.
Pa
lëvizur e pamë kur ikte ngadalë si një copëz nate e gdhendur, ktheu kokën para
se të futej te dera e qelës dhe ngriti dorë për të na përshëndetur. A për më
shumë se aq. Këta janë etërit e vërtetë, edhe pse s’kanë fëmijë. Ne u ndjemë të
bekuar..
