Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Ka një çast në kalendar
E merkure, 31.12.2025, 04:59 PM

KA NJË ÇAST NË KALENDAR
-që (as) bashkon dhe (as) ndan
thjeshtë është… -
Nga
Visar Zhiti
…tani
në këto çaste jam përballë dy kalendarëve tanë, janë nga të njëjtat duar, të
birit, se secili ka kalendarin e vet, të atit, të kapitalit, tokësor, të yjeve,
të shtetit, të shkrimtarit, s’ka fare, të së ardhmes, etj, etj.
Dy
kalendarët po rrinë pranë njëri-tjetrit, madje më duket se marrin dhe frymë…
Njëri
ka në fletën e tij të fundit të 12 muajt e vitit që po ikën, iku madje, punë
çastesh, pra ai mban nga jeta që bëmë: punë, dashuri dhe dhimbje, poezi,
lodhje, mirëkuptim, gabime, pritje, mungesa, takime, arritje, konflikte,
teatër, etj, etj, është i plotë dhe përmbyllës, ndërsa kalendari tjetër që në
faqen e parë paraqet atë që do të vijë, ndërkaq ndjehet i lehtë, i pastër, pa
shenja tonat, muajt e ardhshëm janë ende premtime, ende pa gjurmë, i pafajshëm
dhe ankthshmangës gjithsesi, mezi pret të nisë si gëzimet…
Mes
dy kalendarëve është një çast tjetër, i veçantë. Nuk ka shenjë, as numër, as
faqe, as figurë, duket sikur është si të gjithë çastet, madje sikur nuk është
fare.
Ky
çast nuk i përket as kalendarit që shkon, as atij që vjen. Ai i përket njeriut.
Është
çasti kur jeta ndalon frymën paksa, - do të thosha, - dhe mendon pa menduar,
diçka mes kujtesës dhe shpresës, një vagulli jete, ku koha çuditërisht nuk ecën
përpara, por ndam dhe të shikon drejt e në sy, pavarësisht se nuk të pyet, por
duket se kërkon të dijë se çfarë do të marrësh me vete dhe çfarë do të lësh
pas? Dhe ka në atë çast si kurrëkund falje pa fjalë dhe premtime pa zë.
Është
ai çast kur humbjet do fillojnë të bëhen dije, kur arritjet s’do jenë vetëm
kujtime, por përvojë drite, - vuxoj të them, - do të rrezatojnë ashtu si brenda
teje edhe jashtë.
Mos
dua të bëj optimistin, kur s’kam aq shumë arsye?
Ai
çast mos është një dritarez e vogël ku sheh se nuk je më ai që ishe e as ai që
do të jesh?
Ky
çast është dashuria e kohës për ne, them unë. Një porosi që na kërkon të jemi
të lirë dhe nga e shkuara dhe nga e ardhmja.
Nëse
kalendari i vjetër hiqet nga muri dhe i riu vendoset, ai çasti mes tyre nuk
hiqet kurrë. Ai mbetet brenda nesh për të na thënë, të paktën një herë në vit
se jeta nuk janë sasia e viteve, as e dyerve, as e rrugëve, por vetëdije e
shenjtë, punë e shenjtë, shpresë e shenjtë si vetë njeriu.
Provokova
Inteligjencës Artificiale t’ma paraqiste atë çast, thjesht grafikisht, më tha,
mirë, i thashë, viza e harqe e ngjyra më nxori, që m’u dukën pa lidhje me
damarët e jetës, të huaja, pa gjak dhe emocion.
Ah,
ai çast është vetëm imi, ai çast është i njeriut.
Njeriu
vetë është ai çast!
Dhe
me frymëmarrjen e poezisë, që ka gjithsecili. Se kam fjalën për atë shkruarën,
por të jetuarën, që ka forcën dhe shkon përtej të gjitha vdekjeve dhe e kupton
që vdekje s’ka…
Është
çasti i frymëmarrjes së kohës, ku jeta mendon me rrahje zemre, jo vetëm për të
kuptuar se ç’kalon edhe kthehet, por ai çast është vetëm dashuri.
Aty
e shkuara nuk është më barrë dhe e ardhmja nuk është më çështje, aty jemi vetëm
ne, besim hyjnor dhe qendresë njerëzore, jemi dashuria që koha ia lë një viti
ndër duart dhe, pasi ikën, ia jep vitit tjetër që vjen si dhuratë për ne.
Ai
çast është përjetësia…










