Kulturë
Pashk Alia: Figura e nënës dhe e femrës malësore në librin e Llesh Ndojit
E premte, 30.01.2026, 06:52 PM
Figura e nënës dhe e femrës malësore në librin e Llesh Ndojit
-Duke
lexuar librin “Shtjellë fatesh”, botimet “Marianistët”, Lezhë 2025-
Nga Pashk Alia)1
Të nderuar të pranishem!
Të nderuar miq të Llesh Ndojt, vëllezër që vini nga trevat e
Tej Drinave.
I nderuar Llesh Ndoj, autor i librit “Shtjellë fatesh”
Llesh Ndoj vjen para lexuesit me botimin e
radhës “Shtjellë fatesh”! Që në faqet e para të leximit të tij, autori shpalos
se dy të vërteta janë absolute në jetë: Dashuria e nënës dhe rrezet e diellit!
E këtu besoj se merr spunto fillimi i librit të Llesh Ndoit, “Shtjellë fatesh”!
Merr frymëzim tek nëna, nënë Diellorja dhe autori bën një përshkrim hyjnor për
nënën, Dielloren e terminuar si e vogël, hallëmadhe, vajzë tradite, së cilës i
mungonte sjellja burrnore e babajt, një mungesë e madhe për vajzën që do të
shkonte në derë të “huaj”, dhe ku do t’i duhej të merrte me vete pikërisht atë
gjë që i jep forcë, pjesën burrërore të babajt! Diellorja tingëllon në libër si
një emër i lindur në ag, aty ku hija zhduket dhe drita merr frymë. Është si një
orë e madhe që nuk mat minutat, por një orë qiellore që mat kohën e ardhjes së
dritës, që do të shndërroheshin në rrahje të zemrës për bijtë e saj, të cilët
do t’ia zëvendësonin kujtimin e babait dhe vëllait të munguar! Diellorja sipas
autorit, bir i saj, është ajo vasha e ndrojtur, e mallëngjyer, por e zjarrtë,
tek e cila bashkohen dy fuqi: Dielli, që ndez botën, dhe Ora, që e bën të çmuar
çdo çast të saj. Diellorja paraqitet si një emër, emër nëne, e cila sikur
kishte lindur prej dritës, si rrezja që u shpëton reve dhe prek tokën e
Munellës, aty ku barinjt dikur mblidhnin bagëtitë, dhe zëri i zileve humbiste
në pyje të thella. Autori bir, tregon se si rritet Diellorja hallemadhe, pa
baba, me duar të vogla por me kurajo të madhe, duke pyetur çdo natë qiellin e
njëjtë: “Si do të jetë e nesërmja ime?”. Si në dimër të ashpër apo në verë me
thatësirë, ajo mbeti Diellore, sepse edhe kur terri përpiqej t’ia shuante
shpresën, shpirti i saj ndizte një diell të vogël brenda mendjes dhe gjoksit të
saj! Autori na tregon se si Diellorja, qysh tek vatra atërore, aq edhe tek
shpatet e Munellës, mësoi se çdo të thotë të edukohet me durimin që të presë,
të zgjohet herët, të mbledhë ushqimin e bagëtive, të qetësojë trupin e lodhur
me aromën e livadheve, të mbajë mbi supe jo vetëm thesin e punës, por edhe
barrën e kujtimeve të ndaluara. Aty ku gurët mbajnë emrat e të parëve, ku era
flet me lahutën e kohëve të shkuara, ajo ruajti jo vetëm tufën e saj, por një lis
të tërë traditash, që tani e quajnë me krenari: Diellorja - Ora e Artë e
Shtëpisë. Libri sjell në vemendje, një mësim të madh, një mësim për motrat,
bijat dhe nuset e shtëpisë së secilit prej nesh, mesazhin se çdo nënë që duron,
është orë që numëron jetën; çdo nënë që nuk dorëzohet, është diell që nuk
perëndon. E kur brezat do pyesin për të, le t’u thuhet thjesht: Atje në
Munellë, aty ku lindnin agimet e artë, jetoi një grua që nuk e zuri kurrë nata.
Ajo ishte Diellorja. Jam i bindur që kjo nënë, nëna që lindi bij të tillë, Diellorja,
ka mbetur në mendjen e zemrat e tyre një emër që shtrihet si një shteg drite
mbi ujë, si një fjalë që të ngroh, siç ngrohin në verë gurët e nxehur të bregut
të Munellës e Domgjonit, i cili mban në vetvete kohën e ditës, një orë të madhe
e të artë, që rrotullohet ngadalë midis qiellit dhe syrit të njeriut. Pra që
kujtohet si Diellorja - ajo që e ruan kohën e dritës, si mbretëreshë e rrezeve
dhe rojtare e mëngjeseve të pafundme, ajo Diellore, nënë e orëve të mira, që
mbante ditët në pëllëmbë si ngrohtësi, dhe që tregon se dhe koha nuk matet më
me akrepa, por me rrahjet e zemrës mëmësore - nënës Diellore - për bijtë e saj!
“Miranda”
– drita që mbin mbi hirin e dhimbjes.
Kjo Sagë, na vjen sa e dhimbshme aq edhe
shpresëdhenëse. Historinë Drandes, Frrokut, Hilës, Hanës dhe Mirandës e
Drandes, autori Llesh Ndoj, i sjellë si një
rrëfim që nuk ecën, por rënkon; që nuk flet, por psherëtin. Është një sagë e
mishëruar në shpirtin e grave shqiptare, që bartin mbi supe gjithë barrën e
botës, edhe atëherë kur bota ua kthen shpinën.
Dandja - zemra e shuar por jo e djegur.
Pas vdekjes së Frrokut, Drandja mbeti si një
trung i vetmuar në mes të fushës, i goditur nga erërat e të gjitha stinëve.
Por, siç ndodh me gratë e forta, që jeta i ka mësuar të mos dorëzohen, ajo nuk
e humbi shpresën. Në mendjen e saj, martesa e Hilës ishte si një dritë e vogël
shprese në fund të një tuneli të gjatë e të zymtë. “Do përtërihet kjo shtëpi” -
i thoshte vetes. “Do të më rijetojë Frroku tek fëmijët e Hilës. Do kthehet
gëzimi që humbi” Por gëzimet që vijnë pas shumë dhimbjeve shpesh kanë këmbë të
brishta. Libri na shtjellon rrjesht pas rrjeshti se Hana – është zemra që dhemb
nga dyer të mbyllura. Hana hyri në shtëpinë e Hilës si një lule që zgjohet nën
shi, me brishtësinë e një vajze që kishte shumë dashuri për të dhënë, por pak
për t’u kthyer mbrapsht. Plaga më e madhe e saj nuk ishte varfëria, as mundimi i
jetës së re – por mallkimi i prindërve të vet. Fjalët e tyre i ranë në shpirt
si gurë: “Të të vrasim nuk mundemi, por në shtëpinë tonë nuk shkel kurr.”
Këto fjalë nuk vrasin trupin e Hanës, por vrasin shpirtin e saj. Madje vrasin
edhe shpirtin e Drandes -vjehrrës së Hanës, krushkës, që i mërzitej faktit, se
nuk do mund të priste kurrë miqtë e shtëpisë në konak, siç e do zakoni e siç i
priste përherë miq e dashamir të Frrokut, të cilit i qe betue se do ja mbante
lart emrin e tij dhe të të parëve, aty në konakun e vet! Ajo, Hana, mbeti në
mes: pa vatrën e vjetër dhe ende e panjohur mirë me vatrën e re. Dhimbja, malli, turpi i pamerituar, bënë
të mundur që të rritet brenda saj një tronditje, që nuk e mbante dot. Edhe Hana
në një marrdhënie ideale me vjehrrën, Dranden, si një nënë e dytë, por tashmë për
hir të rrethanave, krejt nënë e parë, mendonte ta ripërtrinte sa më parë këtë
shtëpi, që ajo të mbetej shtatëzënë dhe të sillte në jetë femijë që gumëzhijnë
në votër!
Dy shtatzënitë – dy kryqe mbi një trup të
brishtë.
Hana solli nga shtati i sja i brishtë dy herë
shpresë - dhe të dy herët, shpresa iu kthye dhimbje. Së pari, fëmija i humbur,
djali që ia rrjep shpirtin deri në eshtra. Së dyti, shtatzënia që e gjeti të
dobësuar, por të vendosur ta lindte jetën, edhe kur e dinte se ajo vetë mund të
mos shpëtonte. Pa asnjë dilemë ajo merr një vendim të fundit, vendim me të
cilin, Hana e bëri veten flijim: “Duhet të përtërihet kjo shtëpi” - pëshpëriti
mes dhimbjes, sikur t’i lutej jetës të mos ikte pa i lënë një copë dritë pas.
Por jeta ndonjëherë është mizore edhe me ata që i luten më përulshëm. Lindi
vajzë – një lule e vogël, Miranda – dhe në po atë frymë e la botën, e
paralizuar, e thyer, e lodhur nga gjithë dhimbjet që nuk duhet t’i kishte
bartur kurrë. Miranda – foshnja që sjell të qeshura në një shtëpi me vaje e të
qara. Drandja, kur pa vajzën, murmuriti: “Miranda!” Sikur emri i saj të ishte
një fjongo drite mbi të gjithë qiellin e turbullt që kishte kaluar ajo shtëpi.
Në moshën kur nënat rrinë në prag e lëkunden nga lodhja e jetës, Drandja u bë
“nënë”për herë të dytë. Nuk lejoi ta çonin në befatrof; nuk lejoi që jeta e
vogël të bëhej një numër në ndonjë listë të ftohtë. E mori në duar – duar që
dridheshin, por nuk e lëshonin. E rriti me frymën e saj, me lotët e saj, me mbështetjen
dhe vuajtjet e Hilës, me hijen e Hanës, me mungesën e Frrokut. Miranda u bë jo
vetëm një foshnjë – por shpëtimi i fundit i shpirtit të Drandes. Fëmija i
mbajtur në gjoksin e një gruaje që nuk donte të dorëzohej.
Përfundimi i kësaj sage:
Një histori që ngrihet mbi të gjitha humbjet.
Kjo ngjarje është një testament për fuqinë e grave që i bëjnë ballë fatit kur
fati i ka harruar. Është tragjike si baladë, e butë si lutje, e dhimbshme si
amanet, dhe e bukur si mëngjesi pas një nate të gjatë me stuhi. Drandja, Hana
dhe Miranda, nuk janë vetëm personazhe – janë tre breza dhimbjeje dhe shprese
që rrjedhin njëra në tjetrën, ashtu si krojet që ushqejnë të njëjtin lumë,
lumin Fan i Vogël! Këto përsonazhe sjellin disa mesazhe: Hana, rritet jetime,
por krahas dhimbjes, ruan dritën e Meres, nënës së saj ndarë nga jeta kur ajo
ishte krejt fëmijë; nga hiri i dhimbjes së Hanës lind Miranda; nga mundimi i
jetës së Drandes e vuajtjeve të Hilës rritet Miranda. Dhe nga Miranda, një
ditë, mund të rritet ajo dritë që i mungoi gjatë kësaj shtëpie. Autori, besoj
se me kast nuk ka zgjedhur ta shtjellojë më tej jetën e Mirandës, megjithëse ai
thotë se ajo u rrit si bukuri e u bë edhe këngëtare e njohur. Njohja e saj me
domgjonasin, ushtar në repartin ushtarak pranë shtëpisë ku jetonte, simpatia
reciproke që gradualisht po kthehej në dashuri, nisur në estradën e ushtrisë ku
të dy, njëri amator e tjetri profesionist, performonin në role të ndryshme,
sjell nga autori me mjeshtri, zgjon shqetësimin e mosnjohjes mes njerzve të një
gjaku, e ridimensionon përgjegjësitë e prindërve për t’i njohur fëmijët me
gjakun e tyre. Atë që për rrethana të caktuara nuk e bën prindi, e bën Zoti!
Mjeshtërisht autori e paraqet momentin kur dy të rinjtë ishin gati të
putheshin, por kënga në sfond që vinte nga reparti sillte sagën e djalit që pa
e njohur merr për nuse motrën e vet dhe, në krevatin bashkëshortor u futet në
mes një pllumb. “Ç’është more pllumb gjithë ky kiamet/ S’është kiamet si duhet
me kanë/ qysh me fjet motra me vllanë”, thotë kënga e Miranda mes buzëve që
afroheshin me sytë e mbyllur, vendos dorën e saj të butë, por të ftohtë!
Hana-Bukuria
si mallkim dhe kënga si profeci.
Në sagën e Hanës, personazh i librit “Shtjellë
fatesh” me autor Llesh Ndojin, duket sikur rrjedha e ngjarjeve nuk buron nga
realiteti, por nga një vend i padukshëm, aty ku bota e të gjallëve prek lehtë
botën e miteve, aty ku një vajzë e
rritur pa nënë nuk rritet thjeshtë dhe zakonshëm, por rritet prej fatit, prej
heshtjes, prej maleve, prej ëndrrës që e sheh para se të ëndërrojë vetë. Hana -
simbol i bukurisë së pambaruar, nuk është vetëm një vashë jetime. Ajo është
metafora e bukurisë së brishtë, e cila në kulturën malësore është gjithnjë një
lloj pasurie që nuk i përket vetes. Përderisa bukuria në sytë e botës është: “Këngë
që ekziston vetëm kur e këndon dikush tjetër”, “Dritë që ekziston vetëm kur e
sheh dikush tjetër”, “Zotërim që ekziston vetëm kur e kërkon dikush tjetër”, prandaj
dhe për këto arësye, Hana s’mund të jetë e qetë, ajo është e shenjuar. Shfaqja
e nënës në ëndërr është profeci e hidhur: Nëna nuk vjen në ëndërr për mall. As
për mëshirë. Ajo vjen si tezgë e së vërtetës, si gur i lashtë orakulli që i
thotë së bijës: Bukuria është dhuratë e rrezikshme bija ime. Të parët të
bekojnë për të… Të fundit të mallkojnë për të… Në ëndrrën e Hanës, ledhatimi i
flokëve nuk është ngushëllim - është vulë e fatit që po i afrohet. Njerka Rozë
është hija e mirësisë së pamjaftueshme. Roza nuk është antagoniste. Ajo nuk
mund të jetë as zëvendësim. Ajo është figura që përpiqet të mbushë një mungesë
që edhe vetë e di se nuk mbushet kurrë. Edhe kjo është simbolikë: asgjë nuk e
zë vendin e nënës tek një vajzë që rritet për t’u bërë legjendë. Kënga e Hanës
është profecia e përsëritur. Kënga e Hanës për plakun, nusen dhe dy vëllezërit
nuk është thjesht këngë popullore. Ajo është matrica simbolike e fatit të saj:
…Një plak që merr nuse është shenja e lakmisë
për diçka që s’të takon; Djemtë që vrasin plakun për t’i marrë nusen janë
shenja se dëshira e tepruar lind tragjedinë; Vëllai që vret vëllain është
shenjë e errësimit të arsyes për hir të bukurisë; Vetëvrasja e fundit është
shenjë e çmendurisë që bukuria ndez tek njerëzit e gabuar.
Dhe pastaj vjen vargu epilog: “Unë
s’qesh nuse për me u martu, po qesh zanë për me u zanu.” Kjo këngë
është edhe thelbi i sagës: Hana nuk është njeri për t’u martuar si gjithë të
tjerat. Ajo është figurë e mitizuar, “zanë”, që nuk të përket - vetëm t’ë
ndodh. Zanat nuk martohen, nuk zotërohen, nuk mbahen. Ato vetëm kapen, pra
rrëmbehen, humbin, mallkohen. Kënga nuk është paralajmërim. Kënga është
pasqyrë. Dy duart që ia mbulojnë sytë shprehin një simbol të grykësisë
njerëzore. Kur dy duar ia mbyllin sytë, kjo nuk është vetëm skenë. Është hyrja
e realitetit në mit, momenti kur legjenda fillon të shkruhet me mish e kockë së
bashku. Ato duar janë simbol i “Fshehtësisë që ndjek bukurinë”, “Lakmisë që
fsheh fytyrën”, “Tragjedisë që vjen nga pas, jo përballë”, “Fatit që të kap, jo
që të afrohet”. Këtu fillon tragjedia e Hanës, por edhe provokimi i rrëfimit:
lexuesi nuk e di kush janë ato duar, as çfarë kërkojnë, as çfarë përfaqësojnë.
Dhe pikërisht për këtë arësye tregimi është enigmatik. Enigma pra është vlera e
sagës. Sipas parimit të letërsisë moderne, një kapitull është i vlefshëm kur
nuk jep përgjigje, por lë boshllëqe që i mbush imagjinata e lexuesit.
Saga e Hanës i plotëson të gjitha këto: Ka
metaforë qendrore që tregon se bukuria paraqitet si fat i keq; Ka paralajmërim
mitik: nëna si profeci; Ka ritual narrativ: kënga si vizion i së ardhmes; Ka
dramatikë të heshtur: dy duar që s’e lënë të shohë; Ka enigmë: fundin e lënë
pezull; Ka provokim: pyetjen nëse bukuria është cilësi apo mallkim; Ka
simbolikë të përgjakur: vëllezërit që shkatërrojnë njëri – tjetrin; Ka ton
tragjikomik: fati i njeriut shpesh i ngjan një teatri që askush s’e ka kërkuar.
Kjo e kthen kapitullin e Hanës në një prelud të fuqishëm romanor, ku lexuesi e
kupton se çdo ngjarje e mëvonshme do të lidhet me këtë këngë, këtë ëndërr, këtë
paralajmërim.
Përsëri
për Dielloren!
Në këtë sagë, na vjen një Diellore që ndrin, që shkëlqen, një hero
pozitiv, madje kësaj radhe na vijnë shumë heronj pozitiv në një sagë krijuese!
Diellorja na paraqitet si një zonjë fshati e cila zgjohej para dritës së natyrës, zgjohej në momente të hershme, kur
bari mbante ende psherëtimën e natës, dhe nisej drejt kooperativës me hapin e
gruas që s’lodhet, por vetëm shtyhet përpara. Leksi, vogëlushi i saj, mbetej
pas derës së mbyllur, me sytë e lagur në lot nga frika se mos bota mbetej pa
të. Ai kërkonte që e ëma të mos ikte! Të mos e linte vetem! Fundja a nuk kanë
kriju trauma raste te tilla? Por Diellorja s’kish nga ja mbante, duhet të
shkonte, ndaj përpara ikjes ia fërkonte flokët dhe me një buzëqeshje të thyer i
thoshte: -Duhet bir, s’na lë kryetari… një mënyrë si ti kërkonte atij falje për
një faj që nuk e kishte. Fjalët binin në zemrën e fëmijës si gurë të vegjël,
dhe aty rritej pakëz nga pakëz një hije e zezë. Leksi për këtë fakt e urrente
kooperativën pa e njohur. Urrente edhe kryetarin pa e parë kurrë. Ai emër iu bë
fajtor për çdo mëngjes që nana i largohej si re në qiellin e fshatit. Por
fshati ka gjithmonë një ditë që e shkund fatin nga dheu. Dhe ajo ditë erdhi kur
Martini, kryetari, trokiti në portën e Diellores. - Dilë, nesër duhet me dalë në bjeshkë, me hap
tokë të re… Fjala e tij ishte e zakonshme, por frika e fëmijës s’ishte e tillë.
Leksi shpërtheu nga vendi ku fshihej, i vogël sa një pëllëmbë, i madh sa një
dashuri. - Jo! Nana ime s’vjen! Unë s’rri vetëm! Martini e ndoqi zërin e tij të
lartë, e mori në duar si një zog të trembur dhe qeshi me atë të qeshur që çel
dyert e jetës. - Ke të drejtë bir, ti je kryetari! Asgjë s’ka me u ba pa ty.
Dhe zemra e Leksit, ajo lule e mpakur nga vetmia, u hap në një dritë të re. - Qenka
burrë i mirë, nanë - i tha më vonë. Po, i përgjigjet Diellorja - e ka zemrën të
mirë, është trim. Trimëria e kryetarit u dëgjua si pëllumb që lëshon krahë mbi
fshat. Një ditë, fjala mori rrugët: shitësja e bukës kish dalë defiçit. Turp i
padijes. Frikë e vogël e një gruaje. Inat i heshtur i burrave. Dhe mbi të
gjitha, padrejtësia që i rëndon zemrës së të drejtit. Martini e mori vesh siç
merr vesh mali një stuhi që po afrohet. E ktheu gruan në punë, ndaloi pagesën,
dhe priti te dera e dyqanit njeriun që për vite kish marrë bukë pa dhënë asnjë
qindarkë. Paguaj, i tha qetë. S’kam……ishte përgjigjja e dallkaukut të fshatit. Atëherë
kryetari ja tregoi tytën e pistoletës, jo si kërcënim, por si vijë që ndanë
errësirën nga drita. - Po s’pate, t’i jap unë borxh. Por bukë pa pague nuk merr
askush këtu. Dhe fajtori uli sytë. Paratë ranë mbi tavolinë si pika shiu mbi
tokë të thatë. Drejtësia gjeti sërish vendin e vet. Autori na tregon se vitet
ecën si gurra e Domgjonit, si lumi i Fanit, duke bartur gurë, emra, njerëz,
kryetarë. Tregohet se Martini u largua nga karrigia, por kujtimi i tij mbeti në
të si mbresa e ngrohtë në jastëk. Dhe një ditë, aty u ul Leksi - ai djalë që
dikur qante pas nënës, ai që kish urryer kryetarët e kooperativës. Tani duhej
të bënte vetë atë që dikur s’e kishte kuptuar. Duhej të dëgjonte hallet, të
shihte padrejtësitë, të gjente trimin,
të qetësonte të dobëtin, të ishte baba i një shtëpie më të madhe se shtëpia e
tij. Dhe sa herë përballte ndonjë hije të re, e ndiente zërin e Martinit brenda
vetes: -Ti je kryetari… Kështu trimëria u bë rreth që s’mbaron. Nëpër duart e
kryetarëve që vijnë e ikin, ajo lëviz si një dritë e butë që ndriçon fytyrën e
fshatit. Kooperativa kthehet në një familje të madhe, ku buka s’merret me
dhunë, ku ndera s’vritet me heshtje, ku kryetari nuk është komandë, por zemër
që rreh për të gjithë. Dhe në atë dritë, fshati e kupton se ka qenë gjithnjë
një trup i vetëm: me nënat që punojnë, me fëmijët që rriten, me burrat që
drejtojnë, me trimërinë që përsëritet si kënga e pandalshme e një jete që s’don
të shuhet.
Dy fjalë për autorin:
Të lumtë Llesh Ndoj! Bravo! Ja bëre fora! Je një pus i pafund në
krijimtari! Guximi juaj për të tentue kësaj here në zhanëra të rinj, për mua të
bën fitues! Për të shkruar një libër të tillë duhet të
njohësh gjeografinë e zonës, historinë e fiseve, traditën, doket e zakonet, duhet
të njohësh mitologjinë.
Emri juaj është emër i një intelektuali të mirëformuar, i një
drejtuesi kompetent qysh në moshë të re, është emëri i një mendtari, një
krijuesi me vlera, jeni mjeshtër i fjalës dhe i vargut cilësor, njeriu
kompetent.
Llesh Ndoj është emëri
i një titullari që u mungon institucioneve shqiptare, që edhe pse nuk ua ka
nevojën, ato patjetër i’a kanë nevojën atij, mungesën e një emri si ju, e
ndjejnë në platformë, në strukturë dhe në performancë!
Të uroj suksese të mëtejshme në krijimtarinë tuaj cilësore!
Faleminderit.
Lezhë, më 17.1.2026
)1 Fjala e
mbajtur ne promovimin e librit, Lezhe, me 17 janar 2026









