E diele, 25.01.2026, 10:21 PM (GMT)

Kulturë

Rudolf Marku: Mbreti? Ku është ai?

E diele, 25.01.2026, 06:55 PM


MBRETI? KU  ËSHTË AI?

Ese

Nga Rudolf Marku

Interesi im për pikturat e Velazquesit ka qënë interesi i natyrshëm i një njeriut që ka patur adhurimin  për njërin nga piktorët më të mëdhenj të njerëzimit.E megjithatë,është vizita ime e parë në Madrid,në vitin 1997, që më dha dhe rastin që të vizitojë Prado Museum,dhe të shoh nga afër gjashtë Piktura origjinale  të Velazquezit. Mes tyre dhe Las Meninas. Këto ditë, kur shtypi anglez flet i entuziamuar për ekpozimin për herë të parë të Las Meninas në National Gallery of Art të Londres, në pjesen veriore të Trafalgar Square, kujtimi i vizites time  të parë në Madrid më vjen vetvetiu. Për mua, Madridi është Las Meninas i Velazquezit.

Las Meninas është njëra nga pikturat më enigmatike, por dhe më të thella, më të fuqishme  e më intigruese të Artit Botëror. Është një vepër që, për ca arsye jo shumë të qarta,më krijon një asosacion të mistershëm me   ‘Melankolia, të Albert Dürer dhe pikturat e Boschit. Edhe pse të tre këta piktorë janë aq të pangjashëm me njëri-tjetrin. Las Meninas mbetet dhe  piktura më e interpretuar deri më sot nga të gjithë veprat e Artit, jo vetëm se është dhe përfaqësia  më e madhe e Artit piktoral në kulturen Perendimore, por njëkohësisht se është vepra më shumëplanëshe dhe më enigmatikja. Las Meninas, në mënyren më paradoksale, duke qënë më e interpretura,mbetet më pak e njohur nga të gjitha veprat e tjera të Artit . Michel Foucault i ka kushtuar njërin ndër studimet e veta më serioze  filozofike dhe strukturale  vepres së Velazquez,duke aplikuar në studimin e Las Meninas atë që ai e quan Arkeologji  të Dijes. E prapë as studimi i Foucault- dhe mijëra studime të tjera nuk kanë qënë as shteruese dhe as të kënaqshme. Piktura e Diego Velazquez mbetet shembulli i vepres së hapur,që pranon me mijëra interpretime, interpretime të cilat sa më tepër i afrohen kuptimit të vertetë të Piktures,aq më shumë i largohen asaj.

Le t’i afrohemi vizualisht vepres Las Meninas. Nga pikpamja kompozicionale, Piktura ka tre vatra përqendrimi (fokale) brenda kompozimit- Figura e Infantes Margarita e rrethuar nga La Meninas, figura e Vezaquezit në Studion e tij (në sfond duken të ekspzouar dy piktura të Rubensit), dhe figurat e Mbretit dhe Mbretëreshes. Piktura, e cila duhej të ishte një portret i Mbretit dhe i Mbretereshes, në fakt  është një pikturë paradoksale-Mbreti dhe Mbrteresha shfaqen vetëm të reflektuar në një pasqyrë në cakun e errët fundor të një dhome me tavane të lartë. Ne,shikuesit e tabllosë,shohim atë që shohin Mbreti dhe Mbretëresha: alarmin e las Meninas dhe të Infantes Margarita që vënë re praninë e Monarkëve. Mbreti dhe Mbreteresha supozohen të jenë jashtë tabllosë, por reflektimi i tyre në pasqyrë i vendos ato brenda tabllosë. Vështrimi i Infantes dhe i shërbysve të saj janë drejtuar nga vendi ku janë Monarkët. Realisht vetë Mbreti është duke pozuar para Velazquez-it,piktorit Mbretëror, i cili shfaqet i zymtë, dhe dinjitar tek na vështron që pas telajos. Velazquez duket sikur na thotë se ai është duke parë atë që shohin Monarkët: një botë të voglë dhe të ankthshme. Infanta ndjehet nervoze dhe e shqetësuar nën vështrimin e Las Meninas (Damave të Veshjes). Dy xhuxhët dhe qeni janë atje që të krijojnë skena gazmore. Por prapë skena nuk është gazmore, edhe kur njëri nga xhuxhët shkelmon qenin. Është bota e vogël dhe  e pasigurtë e Oborrit dhe e Oborrtarëve. Është një botë që reflektohet në pasqyrë dhe po nga pasqyra ne e kuptojmë se është bota e vëzhguar nga Monarkët. Skena është thellësisht teatrale, e shtirë,të gjithë duken sikur nxitojnë të aktojnë sa më mirë rolet e veta: të gjithë,veç  Velazquez. Në deren e largët të sfondit fundor duket një burrë që sapo hynë duke sjellë lajmet më të fundit të Perandorisë së pafundme.Por edhe ky është jashtë fokusit të Piktorit, dhe ekziston në Tabllo vetëm e vetëm nga reflektimi në pasqyrë. Vetë Tablloja kthehet në një lojë pasqyrash. Piktura është kështu një meditim për natyren e përfqaësimit dhe realitetit ,artit dhe natyres. Teoria e Artit në Renesans e  vendos Intelektin në qender të krjimtarisë artistike. Në las Meninas iluzioni i realitetit të përditshëm ka prioritet. Është piktura e piktures iluzionistike. Velazquez shfrytëzon mjeshtërisht kontrastin e ngjyrave, duke ndriçuar pamjen ballore,njerëzit në figura solide në poza nga më të ndryshme,dhe hapësiren e gjërë, të hijshme që i rrethon këto figura. Gjashtë figurat ballore reagojnë nga hyrja e mbretit në mënyra të ndryshme. Luka Giordano, jo shumë kohë pas vdekjes së Velazquez, e ka quajtur las Meninan Një Teologji të Artit të Pikturës...Realiteti,ajo që ekziston,vihet në rrezik nga iluzioni i identiteteve. Piktura kthehet kështu në një pasqyrë magjike...I vetmi realitet duket se është portreti i Velazquez-it, i cili, me praninë  e vet të fuqishme,duket sikur thotë- Monarku i vetëm jam unë, Mbreti i vetëm është Artisti, është Shpirti njerëzor, është Intelekti, është Dija,dhe vetëm këto mund  të krijojnë realitete mbi realitetet ekzistuese dhe iluzive, Mbretëri mbi Mbretëritë...

Por,ndryshe nga ç’mund të mendojnë mendjet sekmatike, e gjitha kjo nuk ka të bëj me ndonjë pakënaqësi të Velazquez-it ndaj Monarkut të vet, Filipit të Katërt, i cili ishte një njohës i shkëlqyer i Artit dhe i cili qe mbrojtësi,përkrahësi dhe dashamirësi më i madh i Velazquez-it dhe i shumë piktorëve të tjerë gjenialë. Çështja është se vetë Monarku,po aq sa dhe Piktori gjenial, e kishte pranuar rolin suprem të Artit, avantazhin e mbrëtërimit të përjetshëm  të Artit në raport me Mbretërimin e përkoshëm politik. Është vetëdija se Krijuesi i Madh,edhe kur jeton në Oborrin e një Mbreti,është ai Monarku i vertetë, se në të  vertetë janë të tjerët,duke përfshirë dhe vetë Mbretin ,ata që janë oborrtarët,ata që jetojnë në të vertetë në Oborrin e Piktorit a Poetit të Madh...Velazquez i qe bashkuar Oborrit Mbretëror që në moshen 24 vjeçare,dhe vetë Mbreti,sipas një bashkëkohësi, ishte ftuar nga Piktori i madh gjatë seancave kur krijonte Las Meninas, duke ja zgajtur atij  furçen, që të shtonte në Tabllo dhe ai  diçka nga vetja e vet. Pa harruar dhe atë britmen e Mbretit  pasi dëgjoi për vdekjen e Velazquezit : ‘Vdekja e tij është rrënimi im,,. Është koha kur Monarkët dhe udhëheqësit e pranojnë Artin,Dijen,Intelektin si vlerat sublime të Njeriut. Është Koha e Artë  kur Arti pranohet si e kundërta e banalitetit,vulgaritetit,dhunës,idiotësisë,baltës,vagabontazhit,kobures në pushtet dhe në politikë!

Vendosja e Vetë- Portretit të Velazquezit në Las Meninas i ngjan rastit të Fidiasit,skulptorit dhe piktorit të famshëm të Greqisë i cili e pat vendosur portretin e vet në mburojen e Perendeshes Minerva, në atë mënyrë, që, po qe se portreti i Fidiasit do të hiqej, do prishej e gjithë skulptura e Minerves.Perendesha Minerva nuk do të mund të qëndronte pa portretin e Krijuesit,po ashtu si dhe piktura e Velazquez pa portretin e vet. Edhe Velazques dhe vetë Monarku tashmë e kishin shpallur dhe pranuar të verteten se Minerva, Zotat tokësor, Perandorët dhe Mbretërit nuk mund ta shkattërronin Artin , Intelektin,Dijen, sepse, në çastin kur do të pranonin ta hiqnin figuren e krijuesit, ato do të mohonin vetveten.

Miqt e mi që jetojnë, në Tiranë, do më kuptojnë më mire për këtë shkrim modest për Velazquez-in.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx