Kulturë
Blerim Rrecaj: Diktim e diktat dite
E shtune, 24.01.2026, 03:54 PM
Diktim e diktat dite
Nga
Blerim Rrecaj
Vërtitej
brenda dhomave të banesës në ndërtesën
ku banonte. Sapo ishte ardhur nga një ndejë që kishte pasur me një të njohur,
me të cilin kishte punuar tash së fundmi dhe me të cilin i kishte mbetur
njëfarë shoqërie. Ndërsa vet e kishte lënë punën, e shok-e-ish-kolegu i tij
vazhdonte ta shtyente atë disi, sipas asaj që thonte. Gjatë ndejës e takimit me
të, në kafenenë që me fillimin e punës kishin zënë vend aq shpesh, e më rrallë
pak më vonë gjatë vazhdimit të punës dhe tash herë pas herë pas bërjes së
ndonjë telefonate, a dërgimit të ndonjë porosie në viber a në biber( siç thuhet
në njërën nga reklamat që shfaqet në televizion, mos ja huq me biber të kuq) a
cilidoqoftë rrjeti a rrjeta (a)sociale me anë të së cilës komunikonin.
Sidoqoftë në ndejat e tyre flisnin për ambientin në të cilin ndodheshin,
përbërë nga dromcat, çastet, ndodhitë, vështërsitë e sfidat, hamendjet e
ngarendjet, dhe nëpër gjithë atë periudhë kohe nëpër të cilën kishin kaluar.
Edhe nëpër këtë që po kalohej. I
tregonte se asgjë s'kishte ndryshuar dhe dikush ishte larguar, dikush thonte se
do largohej, dikush kishte ardhur si punëtor i ri, e gjëra të tilla që ndodhin
si në një skuadër sporti, të cilën e kishin kapluar probleme të natyrave të
ndryshme, ku kërkoheshin shtigje e rrugë e bëheshin ndërrime, transferime,
ngarkime e shkarkime, e të tilla gjëra shoqëruar me fjalë a pakënaqësi, akuza e
kundërakuza, ku fjalët stërzgjateshin, dhe shumëçka pëshpëritej për atë që ka
të bëjë me organizimin në përgjithësi, i cli lënte për të dëshiruar, këtu,
andej, për të mos thënë kudo.
Në
kafenenë e preferuar, me një emër, që njëherë, njëri nga ta ia pat ndryshuar,
(edhe
tash po përpiqej të gjente një emër tjetër, jo për tjetër, por pikë qejfi)për
t'i dhënë jo një kuptim negativ e keqdashës, por pakëz ironik e më shumë
humoristik, ku do të qeshnin në mjegullnajën e avujve të kafeve a çajrave që
ngjiteshin përpjetë, por edhe të tymit të duhanit që endej e përplasej çdokund
e gjithkah.
Vazhdonin
aty ku e kishin lënë, e flisnin për përpjekjet dhe për mundësitë jo të mëdha
për vende tjera pune ku mund të arratiseshin, të merrnim azil të përkohshëm a
të përhershëm e të ndiheshin sadopak më rehat. E dinin, e ndjenin se së shpejti
do të hynin në vorbullën e fjalëve të pareshtura, përsëritëse e bezdisëse që
vështirë të dërgonin në ndonjë alternativë, dhe se po bëheshin çdoherë më të
çuditshëm, e jo pak qesharak, nën ethet e ca ndjenja të hidhura, duke i bërë paksa
idhnakë e të thartë, të ftohtë e të akullt, të acartë...
Druanin
se nëse do vazhdojë kjo gjendje kështu pezull, do vazhdonin të rrëshqisnin kah
kjo ftohtësi jete, kah përshkallëzimi i saj, e cila shkaktonte shtresa
shqetësimesh. Nuk u pëlqente të jepeshin,
as të ndillnin të keqe, por edhe kishin frikë se do keqkuptoheshin kur flisnin
për një realitet mjaft të vrazhdë përreth. Derisa jape je mbyllej dera e
kafenesë, vetura e njëri t, qëndronte e parkuar në trotuarin matanë lokalit,
nuk i linte të rrinin rehat, ekzistonte mundësia e ndonjë gjobe trafiku nga ana
e policisë, por derisa i pinin kafetë, erdhi edhe një i tretë, një i njohur, u
bë bashkë me ta dhe vazhduan të flisnin për shumëllojshmëri hallesh duke
filluar që nga më të voglat e më të afërtat e duke shkuar deri te ato më të
mëdhatë e më të largëtat, për t'u zhytur kështu në një ndërlikueshmëri që
kushedi se çfarë pamjesh u jepte qenieve të tyre, e cila përbëhej nga fjalët që
thonin nga gjuha e gojës dhe nga gjuha e gjymtyrëve, pra ajo e trupit siç
njihet zakonisht. Ndejtën sa ndejtën në kafenenë, sot, në këtë mesditë që
çuditërisht ishte kaq e mbushur me njerëz, të cilët flisnin, secili në mënyrën
e vet. Dhe u çuan. Shkuan te kamarieri me dy gati ray për të paguar. Dolën si
një treshpërshesh për në rrugën kryesore të qytezës. Ecnin të tre trotuarit,
herë-herë shkelnin dhe në hapësirën vijëkuqe, shtegut për biçiklistë. Dy nga
shokët do i drejtoheshin një pike karburanti pasi që vetura e parkuar priste
një shishe a një bidoni, për t'ia lagur fytin a mbushur paksa barkun për të ecur pastaj, duke
përmendur një këngëtar të njohur që sikurse ta e kishte nxjerrë vetura shkelm
përjashtë pasi e kishte marrë etja, e s'mund të vazhdonte më tej.
Pas
pak kur të ndahej me ta, do ta priste një të afërm, për të hipur me veturën e
tij, për t'ia mësyer kah një vend ku do të merrte një aplikacion për punë, pas
një njoftimi në fejsbuk që e kishte shpërndarë dikush. Edhe në këtë pjesë të
shkurtër rruge që do ta bënin sëbashku biseda do vazhdonte, se në cilën pikë karburanti
do të ndaleshin, në atë matanë semaforave që mund të ishte në një largësi prej
100, 110, a 127 metrave, a të vazhdonin
rrugës drejt që kishte po këtë largësi, ose te ajo tjetra pothuajse përballë
saj, mund të vazhdonin edhe të ca të tjera që vazhdonin rrugës kah kryeqyteti,
që ishin në mes të gjithë këtyre objekte të ndryshme biznesesh e reklamash të
mëdha vendosur në mënyrë mjaft të përçudmë e kaq kaotike. Derisa ecnin
trotuarit, njëri nga bijtë e njërit prej ortakëve të firmës përbërë nga një kompleks
veprimtarish biznesore, i përshëndeti me sirenë nga vetura ku ndodhej, e iu
kthye përshëndetja me ngritje duarsh duke lëvizur duart gishtërinjhapura si
putra Ari kah sa këndej e sa andej. Kushedi tha njëri prej tyre, ai që shkoi me
veturë mund të mendoj se kemi dalë të shikojmë e të kërkojmë diku ndonjë vend
pune. Kushedi...e kushsedi...e kushçkadi...
Sidoqoftë,
u përshëndetën duke thënë dëgjohemi e shihemi, mbase shpejt ose rrallë e për
mall, duke ndarë rrugët . Dy nga ta vazhduan bashkë, e ky që mbeti vetë kaloi
rrugën te semaforët e radhës, nëpër vija bardhekuqe, si mbi shpinën e një zebre
të paparë, e të çuditshme, që nga vetë i treti për t'u bërë vetë i dyti. Priti
pakëz në stacion ku shumë udhëtarë prisnin mjetet transportuese, autobusë e
taksi.Nuk u vonua dhe erdhi shoferi me veturë të cilën ia ndali para këmbëve
dhe hyri e zuri vend në karrigën e përparme. Në fillim përshëndetjet pastaj
fjalët kushedi se në çfarë "tripash"
do t'i shpinin. Mbërrijnë mjaft
të kënaqur, pasi nuk kishte kolonë të gjatë e veturën e lanë përpara (e pa
para) objektit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve "Shota", kaluan
përballë Stadiumit e shtatores së Fadil Vokrrit, e u lidhën me pjesët tjera më
qendrore të qytetit. Pasi kryen një pjesë pune, e press tjetër priste të kryhej
të nesërmen, seç i shkrepi në kokë, i telefonoi një shoku, duke e nxjerrë nga
puna, nga zyra ku qëndronte dhe zunë vend duke u rehatuar në një kafene me
pamje kah sheshi i kryeqendrës, i njohur tashmë si sheshi i përplasjeve e i
punimeve të stërzgjatura, të luluar me tela, me pëlhurë gjelbëroshe e rethojë
të llamarinë, ku brenda tij, si të
burgosur rrinin dy-tre ekskavatorë, e ndonjë mjet tjetër që nuk shihej
qartë se çfarë ishte. Ndërkohë që trumcakët endeshin përreth, herë pas here
duke u kthyer te shtëpitë e tyre njëkatëshe ndërtuar nëpër degë të mëdha të
drunjëve të sheshit. Ndonjë vështrim përjashta e përreth, hidhnin herë-herë. E
më pas edhe këtu, këta tre veta që kapërcejnë nga biseda në bisedë. S'e dinte
pse iu kujtua titulli i filmit "Tre vetë kapërcejnë malin", por edhe
filmi tjetër që i pëlqente "Cirku fluturues", dhe me vete tha se mirë do të ishte t'ia
mësyenin të kapërcejnë një mal, një pyll, një bjeshkë, një det, një oqean , a
të mos i shpiente mendtë aq larg por të fluturonin në një a dy-rri parqe sado
të afërt e që do kaloheshin fare lehtë, pa farë mundimi.
Sidoqoftë
më e lëverdisshme, (por edhe nuk ishin renet e senet) ishte të rrinin këtu, jo
të heshtur por të kërcenin nëpër biseda, të përhumbeshin nëpër to, të flisnin
mbarë e mprapshtë (pa e ndërprerë shoshoqin, ose duke e ndërprerë si të ishin
në ndonjë debat)sa për urbanizmin, ku do bëhej ndonjë krahasim mes vendit tonë
e ndonjë vendi tjetër, për t'u hedhur te diçka e bujshme e e shumëpërfolur, e
pritur a e papritur, e ditur a e paditur e dëgjuar a e padëgjuar, e parë a e
paparë më parë, për ndonjë ndodhi e ngjarje të vogël a të madhe e për të
mbërritur deri te aktualiteti me kalaveshë ngjarjesh që e mbulonin njëri
tjetrin, duke e bërë kështu punën e ndejën lëmsh.
Derisa
dikur do shihej ora që sinjalizonte braktisjen e kësaj ndeje, siç do braktiste
uji i ndenjur diku një gropë mali a një
gropë asfalti. Do linin mjedisin e kësaj kafeneje në tavolinat e së cilës, pas
një rinovimi që i ishte bërë, në të cilat shënohej fjala në mënyrën urdhërore:
"Vetëshërbehu".
Lanë filxhanët e gotën e zbrazur e dolën.
Dikush
do drejtohej punës së vet, për ta përfunduar orarin zyrtar pas një ore, e dy të
tjerët për një ndejë dhe një shëti hapshpejtë a hapngadaltë me vërejtjen
shoqëruar me pyetjen "ç'ke që po ngutesh", ose "pse kaq
ngadalë" e ç'janë këta hapa që na e
kujtojnë fëmijërijnë e largët, që kur donim dinim se cili do ia fillonte lojës
i pari, ecnim në drejtim të njëri-tjetrit pëllëmbë pas pëllëmbe derisa njëri do
shkilte mbi këpucën e tjetrin, njëri duke thënë "kafe" e tjetri
"sheqer"... Dhe herë fatlum ishte "sheqeri" e herë
"kafeja" për të parë pastaj se çfarë do të sillte avantura e beteja.
E
pjesë e avanturës së sotme, bëhej edhe aterimi në dy-tre dyqane të mëdha
tregtare, rrugës duke u kthyer në shtëpi, duke u mbetur ndonjë gjë në duar,(ose
asgjë) qoftë kjo gjë që hahet a pihet, vishet a mbathet, ndonjë mjet a pajisje
që mund të jetë edhe teknologjike, ndihmëse a në shërbim, të kryerjes së një
funksioni.
Kur
mbërrijtën para strehës, petku i natës kishte mbuluar dritën e ditës. Ndonëse
ftohtë ca yje në qiell rrinin si xixa të një shkrepësje që tentonte të ndizej.
E nëse shkrepësja ndizej, drita e saj mund të krahasohej me një hënë paksa të
shpërfytyruar prej resh...









