Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Diktim e diktat dite

| E shtune, 24.01.2026, 03:54 PM |


Diktim e diktat dite

Nga Blerim Rrecaj

Vërtitej brenda dhomave të  banesës në ndërtesën ku banonte. Sapo ishte ardhur nga një ndejë që kishte pasur me një të njohur, me të cilin kishte punuar tash së fundmi dhe me të cilin i kishte mbetur njëfarë shoqërie. Ndërsa vet e kishte lënë punën, e shok-e-ish-kolegu i tij vazhdonte ta shtyente atë disi, sipas asaj që thonte. Gjatë ndejës e takimit me të, në kafenenë që me fillimin e punës kishin zënë vend aq shpesh, e më rrallë pak më vonë gjatë vazhdimit të punës dhe tash herë pas herë pas bërjes së ndonjë telefonate, a dërgimit të ndonjë porosie në viber a në biber( siç thuhet në njërën nga reklamat që shfaqet në televizion, mos ja huq me biber të kuq) a cilidoqoftë rrjeti a rrjeta (a)sociale me anë të së cilës komunikonin. Sidoqoftë në ndejat e tyre flisnin për ambientin në të cilin ndodheshin, përbërë nga dromcat, çastet, ndodhitë, vështërsitë e sfidat, hamendjet e ngarendjet, dhe nëpër gjithë atë periudhë kohe nëpër të cilën kishin kaluar. Edhe nëpër këtë që po kalohej.  I tregonte se asgjë s'kishte ndryshuar dhe dikush ishte larguar, dikush thonte se do largohej, dikush kishte ardhur si punëtor i ri, e gjëra të tilla që ndodhin si në një skuadër sporti, të cilën e kishin kapluar probleme të natyrave të ndryshme, ku kërkoheshin shtigje e rrugë e bëheshin ndërrime, transferime, ngarkime e shkarkime, e të tilla gjëra shoqëruar me fjalë a pakënaqësi, akuza e kundërakuza, ku fjalët stërzgjateshin, dhe shumëçka pëshpëritej për atë që ka të bëjë me organizimin në përgjithësi, i cli lënte për të dëshiruar, këtu, andej, për të mos thënë kudo.

Në kafenenë e preferuar, me një emër, që njëherë, njëri nga ta ia pat ndryshuar,

(edhe tash po përpiqej të gjente një emër tjetër, jo për tjetër, por pikë qejfi)për t'i dhënë jo një kuptim negativ e keqdashës, por pakëz ironik e më shumë humoristik, ku do të qeshnin në mjegullnajën e avujve të kafeve a çajrave që ngjiteshin përpjetë, por edhe të tymit të duhanit që endej e përplasej çdokund e gjithkah.

Vazhdonin aty ku e kishin lënë, e flisnin për përpjekjet dhe për mundësitë jo të mëdha për vende tjera pune ku mund të arratiseshin, të merrnim azil të përkohshëm a të përhershëm e të ndiheshin sadopak më rehat. E dinin, e ndjenin se së shpejti do të hynin në vorbullën e fjalëve të pareshtura, përsëritëse e bezdisëse që vështirë të dërgonin në ndonjë alternativë, dhe se po bëheshin çdoherë më të çuditshëm, e jo pak qesharak, nën ethet e ca ndjenja të hidhura, duke i bërë paksa idhnakë e të thartë, të ftohtë e të akullt, të acartë...

Druanin se nëse do vazhdojë kjo gjendje kështu pezull, do vazhdonin të rrëshqisnin kah kjo ftohtësi jete, kah përshkallëzimi i saj, e cila shkaktonte shtresa shqetësimesh.  Nuk u pëlqente të jepeshin, as të ndillnin të keqe, por edhe kishin frikë se do keqkuptoheshin kur flisnin për një realitet mjaft të vrazhdë përreth. Derisa jape je mbyllej dera e kafenesë, vetura e njëri t, qëndronte e parkuar në trotuarin matanë lokalit, nuk i linte të rrinin rehat, ekzistonte mundësia e ndonjë gjobe trafiku nga ana e policisë, por derisa i pinin kafetë, erdhi edhe një i tretë, një i njohur, u bë bashkë me ta dhe vazhduan të flisnin për shumëllojshmëri hallesh duke filluar që nga më të voglat e më të afërtat e duke shkuar deri te ato më të mëdhatë e më të largëtat, për t'u zhytur kështu në një ndërlikueshmëri që kushedi se çfarë pamjesh u jepte qenieve të tyre, e cila përbëhej nga fjalët që thonin nga gjuha e gojës dhe nga gjuha e gjymtyrëve, pra ajo e trupit siç njihet zakonisht. Ndejtën sa ndejtën në kafenenë, sot, në këtë mesditë që çuditërisht ishte kaq e mbushur me njerëz, të cilët flisnin, secili në mënyrën e vet. Dhe u çuan. Shkuan te kamarieri me dy gati ray për të paguar. Dolën si një treshpërshesh për në rrugën kryesore të qytezës. Ecnin të tre trotuarit, herë-herë shkelnin dhe në hapësirën vijëkuqe, shtegut për biçiklistë. Dy nga shokët do i drejtoheshin një pike karburanti pasi që vetura e parkuar priste një shishe a një bidoni, për t'ia lagur fytin a mbushur  paksa barkun për të ecur pastaj, duke përmendur një këngëtar të njohur që sikurse ta e kishte nxjerrë vetura shkelm përjashtë pasi e kishte marrë etja, e s'mund të vazhdonte më tej.

Pas pak kur të ndahej me ta, do ta priste një të afërm, për të hipur me veturën e tij, për t'ia mësyer kah një vend ku do të merrte një aplikacion për punë, pas një njoftimi në fejsbuk që e kishte shpërndarë dikush. Edhe në këtë pjesë të shkurtër rruge që do ta bënin sëbashku biseda do vazhdonte, se në cilën pikë karburanti do të ndaleshin, në atë matanë semaforave që mund të ishte në një largësi prej 100, 110, a 127  metrave, a të vazhdonin rrugës drejt që kishte po këtë largësi, ose te ajo tjetra pothuajse përballë saj, mund të vazhdonin edhe të ca të tjera që vazhdonin rrugës kah kryeqyteti, që ishin në mes të gjithë këtyre objekte të ndryshme biznesesh e reklamash të mëdha vendosur në mënyrë mjaft të përçudmë e kaq kaotike. Derisa ecnin trotuarit, njëri nga bijtë e njërit prej ortakëve të firmës përbërë nga një kompleks veprimtarish biznesore, i përshëndeti me sirenë nga vetura ku ndodhej, e iu kthye përshëndetja me ngritje duarsh duke lëvizur duart gishtërinjhapura si putra Ari kah sa këndej e sa andej. Kushedi tha njëri prej tyre, ai që shkoi me veturë mund të mendoj se kemi dalë të shikojmë e të kërkojmë diku ndonjë vend pune. Kushedi...e kushsedi...e kushçkadi...

Sidoqoftë, u përshëndetën duke thënë dëgjohemi e shihemi, mbase shpejt ose rrallë e për mall, duke ndarë rrugët . Dy nga ta vazhduan bashkë, e ky që mbeti vetë kaloi rrugën te semaforët e radhës, nëpër vija bardhekuqe, si mbi shpinën e një zebre të paparë, e të çuditshme, që nga vetë i treti për t'u bërë vetë i dyti. Priti pakëz në stacion ku shumë udhëtarë prisnin mjetet transportuese, autobusë e taksi.Nuk u vonua dhe erdhi shoferi me veturë të cilën ia ndali para këmbëve dhe hyri e zuri vend në karrigën e përparme. Në fillim përshëndetjet pastaj fjalët kushedi se në çfarë "tripash"  do  t'i shpinin. Mbërrijnë mjaft të kënaqur, pasi nuk kishte kolonë të gjatë e veturën e lanë përpara (e pa para) objektit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve "Shota", kaluan përballë Stadiumit e shtatores së Fadil Vokrrit, e u lidhën me pjesët tjera më qendrore të qytetit. Pasi kryen një pjesë pune, e press tjetër priste të kryhej të nesërmen, seç i shkrepi në kokë, i telefonoi një shoku, duke e nxjerrë nga puna, nga zyra ku qëndronte dhe zunë vend duke u rehatuar në një kafene me pamje kah sheshi i kryeqendrës, i njohur tashmë si sheshi i përplasjeve e i punimeve të stërzgjatura, të luluar me tela, me pëlhurë gjelbëroshe e rethojë të llamarinë, ku brenda tij, si të  burgosur rrinin dy-tre ekskavatorë, e ndonjë mjet tjetër që nuk shihej qartë se çfarë ishte. Ndërkohë që trumcakët endeshin përreth, herë pas here duke u kthyer te shtëpitë e tyre njëkatëshe ndërtuar nëpër degë të mëdha të drunjëve të sheshit. Ndonjë vështrim përjashta e përreth, hidhnin herë-herë. E më pas edhe këtu, këta tre veta që kapërcejnë nga biseda në bisedë. S'e dinte pse iu kujtua titulli i filmit "Tre vetë kapërcejnë malin", por edhe filmi tjetër që i pëlqente "Cirku fluturues",  dhe me vete tha se mirë do të ishte t'ia mësyenin të kapërcejnë një mal, një pyll, një bjeshkë, një det, një oqean , a të mos i shpiente mendtë aq larg por të fluturonin në një a dy-rri parqe sado të afërt e që do kaloheshin fare lehtë, pa farë mundimi.

Sidoqoftë më e lëverdisshme, (por edhe nuk ishin renet e senet) ishte të rrinin këtu, jo të heshtur por të kërcenin nëpër biseda, të përhumbeshin nëpër to, të flisnin mbarë e mprapshtë (pa e ndërprerë shoshoqin, ose duke e ndërprerë si të ishin në ndonjë debat)sa për urbanizmin, ku do bëhej ndonjë krahasim mes vendit tonë e ndonjë vendi tjetër, për t'u hedhur te diçka e bujshme e e shumëpërfolur, e pritur a e papritur, e ditur a e paditur e dëgjuar a e padëgjuar, e parë a e paparë më parë, për ndonjë ndodhi e ngjarje të vogël a të madhe e për të mbërritur deri te aktualiteti me kalaveshë ngjarjesh që e mbulonin njëri tjetrin, duke e bërë kështu punën e ndejën lëmsh.

Derisa dikur do shihej ora që sinjalizonte braktisjen e kësaj ndeje, siç do braktiste uji i ndenjur diku një  gropë mali a një gropë asfalti. Do linin mjedisin e kësaj kafeneje në tavolinat e së cilës, pas një rinovimi që i ishte bërë, në të cilat shënohej fjala në mënyrën urdhërore:

"Vetëshërbehu". Lanë filxhanët e gotën e zbrazur e dolën.

Dikush do drejtohej punës së vet, për ta përfunduar orarin zyrtar pas një ore, e dy të tjerët për një ndejë dhe një shëti hapshpejtë a hapngadaltë me vërejtjen shoqëruar me pyetjen "ç'ke që po ngutesh", ose "pse kaq ngadalë" e  ç'janë këta hapa që na e kujtojnë fëmijërijnë e largët, që kur donim dinim se cili do ia fillonte lojës i pari, ecnim në drejtim të njëri-tjetrit pëllëmbë pas pëllëmbe derisa njëri do shkilte mbi këpucën e tjetrin, njëri duke thënë "kafe" e tjetri "sheqer"... Dhe herë fatlum ishte "sheqeri" e herë "kafeja" për të parë pastaj se çfarë do të sillte avantura e beteja.

E pjesë e avanturës së sotme, bëhej edhe aterimi në dy-tre dyqane të mëdha tregtare, rrugës duke u kthyer në shtëpi, duke u mbetur ndonjë gjë në duar,(ose asgjë) qoftë kjo gjë që hahet a pihet, vishet a mbathet, ndonjë mjet a pajisje që mund të jetë edhe teknologjike, ndihmëse a në shërbim, të kryerjes së një funksioni.

Kur mbërrijtën para strehës, petku i natës kishte mbuluar dritën e ditës. Ndonëse ftohtë ca yje në qiell rrinin si xixa të një shkrepësje që tentonte të ndizej. E nëse shkrepësja ndizej, drita e saj mund të krahasohej me një hënë paksa të shpërfytyruar prej resh...