E marte, 27.01.2026, 09:13 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Dedaj: Mehmet Elezi, shkrimtari i gjuhës

E marte, 27.01.2026, 06:54 PM


MEHMET ELEZI, SHKRIMTARI I GJUHËS

NGA NDUE DEDAJ

Është shqiptuar shumë herë togfjalëshi “gjuha e shkrimtarit”, për të vënë në dukje stilin, veçanësitë e të shkruarit të këtij apo atij autori, thënë ndryshe: shkrimësinë, mirëpo nuk e kemi hasur askund të ndërsjelltën, dmth, metaforën “shkrimtari i gjuhës”, që në rastin e Mehmet Elezit mendojmë se është e gjetur. Dhe kjo jo vetëm për faktin se kemi të bëjmë me një shkrimtar që është njëherësh dhe gjuhëtar, autor i disa monografive e trajtesave që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, por kryekrejet për shkak të mbrujtjes gjuhësore të veprës së tij letrare në poezi, prozë dhe ese. Sa dimë është i vetmi shkrimtar shqiptar, vepra letrare e të cilit është e mbarsur me lëndë gjuhësore autentike të pabjerrur, të qëmtuar prej tij si gjuhëtar në terren dhe në letrat e vjetra shqipe.

Mehmet Elezi (1949) është një zë bashkëkohor i kumbueshëm, shkrimtar, gjuhëtar, mendimtar; poet që njëzet vjeç, nga lirikat e para rinore të ujëvarave alpine deri te hajku i sotëm, tregimtar dhe romancier, eseist e studiues. Gazetar i njohur dhe kryeredaktor, drejtues i forumit qendror të rinisë shqiptare - pjesa më vitale e kreative e shoqërisë së kohës, ambasador etj. Krijues që nuk iu bën reklamë librave të vet, nuk i çon në konkurse, siç shprehet në një intervistë të kohëve të fundit, dhënë kryeredaktorit të revistë letrare “Illz”, Rexhep Shahu, pa e komentuar pse-në e kësaj gjëje, por merret me mend, ngaqë mendon se letërsia nuk bëhet me reklamë si veprimtaritë prodhuese, konkurset letrare nuk përzgjedhin letërsinë më të mirë, por sipas klaneve e koniukturave etj. Shkurt, nuk përshtatet me “korin” e zhurmshëm, kinse promovues, i beson sprovës së vetvetes. A duhet ta dëgjojmë këtë zë dhe të tjerët si ai, që shoqëria, institucionet, mediat, elitat akademike i kanë, në mos përjashtuar, mbuluar me heshtje? Nuk ka një “denim” më të pafisëm se sa ky.

Për të mos e personalizuar shkrimin vetëm me një personalitet krijues si Mehmet Elezi, po themi se ka dhe të tjerë të heshtur të zëshëm, si shkrimtari i mirënjohur Koço Kosta, që nuk i drejtohet asnjë mikrofon, nuk thirret në asnjë panair libri, nuk bëhet objekt i asnjë dekorimi, çmimi karriere, a thua se nuk është ai autori i romanit të famshëm mbetur përgjysmë nga censura “Ata të dy dhe të tjerë” (1986) e deri te romani tjetër i vëllimshëm “Nata e Sofia Kondilit”, botuar 19 vite më parë.

Sa shkrimtarë, artistë dhe shkencëtarë kemi lënë kështu në harresë në të gjallë, për t’iu “kakarisur” politika sapo të mos jenë më. Mirëpo ata nuk kanë nevojë për aureola pushtetesh, ndaj sot flasim aq shumë dhe me nderim të madh, jo vetëm për Fishtën e Konicën, por dhe për Selman Rizën, Skënder Luarasin, Ramadan Sokolin etj.

Akademik pa Akademi

Mehmet Elezi hyri në letërsi si poet, kur ishte njëzet vjeç, me librin poetik “Zhurmojnë ujëvarat” (1970), pastaj iu “dorëzua” për shumë vite gazetarisë dhe publicistikës, ku lëvroi kryesisht reportazhin artistik, ashtu si shkrimtarët e tjerë: Petro Marko, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Spiro Dede etj., kushtuar digave të Drinit si një ardhje e re në peizazhin e moçëm shqiptar etj.

Ky autor do të shfaqej me vepra të natyrave të ndryshme pas 90-s, çka dëshmon se talenti dhe pasioni i të shkruarit ishte po aq i fortë sa në fillimet. Por kësaj here nuk do të ishte vetëm dimensioni letrar, si poet e prozator, si eseist e publicist, por dhe ai studimor si gjuhëtar e leksikolog, autor i një fjalori të mëvetësishëm të gjuhës shqipe, me 41 mijë fjalë, që nuk gjendën në fjalorin “zyrtar” të shqipes, me shtjellime etimologjike etj.

Elezi është si ai punishtari që përdor disa zeje arti, ose si ai muzikanti që zotëron disa instrumente. Ai punon si ata murgjit e vjetër, duke mbjellë, prashit e vjelë fruta në kopshtin e dijes, pa dashur t’ia dije për zallmahinë përreth, që nuk vlerëson produktin krijues e studimor, por vetëm paragjykon sipas stilit zhdanovist.

Po përgatitet Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe dhe në dijeninë tonë, M. Elezit nuk i është bërë asnjë ftesë që të jetë bashkëpunues, reçensent, oponent apo “supërvizor” i tij, për më tepër që vepra në proces përflitet që tani për mangësi, nga gjuhëtarë, shkrimtarë, deputetë etj., apo nuk është bërë një hap mbrapa - siç vërejnë kritikuesit e Fjalorit: duke mos u ftuar gjuhëtarët e Kosovës, të cilët ishin firmëtarë në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972.

Mehmet Elezi punët e gjuhës i sheh jo si tapet “mundjeje” me askënd nga akademikët e gjuhësisë, por si shërbesë ndaj gjuhës, letërsisë dhe vetë kombit. Por ai nuk e sheh Akademinë si mësuese dhe veten si nxënësi që shkon me përulësi para saj. Përulësia e tij është vetëm para fjalës shqipe! Ky tip dijetari nuk do t’i kishte tepruar asnjë akademie albanologjike, që nuk niset nga “etërit”, por nga kontributet shkencore. Pa dashur aspak të hyjmë në tagrin e institucioneve, e as të bëjmë kritizerin, zoti Elezi me veprën e tij studimore ka dëshmuar se është një akademik... pa Akademi! Siç mund të ketë dhe në fusha të tjera të tillë, që udhëhiqen vetëm nga parimet shkencore në veprimtarinë e tyre. Pse u dashka që të rrinë të gjithë nën një “çati”?!...

Romani “Dikush mungon në ballon e fundit” etj.

Si shkrimtar Mehmet Elezi është autor i 12 romaneve, ku sidomos dy të fundit: “Dikush mungon në ballon e fundit” (2016), “Gruaja me dy zile” (2019) dhe një varg tregimesh në shtypin letrar, shprehin veçoritë autoriale, stilin e ligjërimit, sintaksës, stilemave origjinale, leksikut të pasur, si dhe modernitetin, ku autori ka braktisur formën klasike të prozës me subjekt linear, ngjarje kulmore etj.

“Dikush mungon në ballon e fundit” nis me atmosferën e ballos së diplomimit universitar që përgatitet të fillojë në një qytet vëzullues, kozmopolit dhe ku pritet të vijë shqiptari Nor Lekurti, i shpallur paraprakisht si “mbreti” i ballos, për shkak se ai është student specifik, jo vetëm se është sa dyfishi i moshës së studentëve të tjerë. Tre - katër radhë që përshkruajnë sallën e asaj “biblioteke të çuditshme” mjaftojnë për ta kuptuar atmosferën e atyshme: “Nën këmbë e përreth lëkundej gjithçka. Moketi ngjyrë deti në të përhimët, mbrëmja me sy të çelët të qershorit, zgafellat pa dalje të dijes, ndoshta vetë bota”. Por a do të vijë njeriu që sapo i vënë te dera e sallës fotografinë me mbishkrimin Vanted? Mos kjo do të jetë një shaka e hidhur e fatit?... Për të kuptuar nëse “Godoja” vjen apo jo në ballon e fundit, lexuesit i duhet ta ndjekë deri në fund fatin e këtij personazhi atipik, që kthehet në atdhe për pak ditë, ku ka pasur një jetë studentore të ndërprerë e plot travlajë të tjera, si dhe një dashuri që e ka marrë me vete, Pulën. Autori na bën me dije qysh në krye të herës së “bashkë” me Norin rend në aeroporte, stacione dhe dikush i padukshëm (gjysmëhija e burrit me republikë, në ballinë të librit, që po lexon një grua në tren përballë tij, apo dytësi i atij burri enigmatik?), që kthehet në vendin e krimit, ku, siç thotë autori, individë të tillë kthehen gjithnjë për të kryer një krim të dytë, po ku, po si, po pse?...

Është kjo arsyeja që Nori paralajmërohet mbase nga nënvetëdija “Mos shko” për atje ku je nisur. (Ç’qe ai zë hije që nuk m’u nda mos-shko-oO?). Autori jo rastësisht e kthen në një lajtmotiv të romanit shprehjen: “Krimineli kthehet në vendin e krimit”, por për të na thënë se e shkuara ende nuk i ka mbyllur hesapet me lirinë e individit dhe individin e lirë. E krimineli që kthehet në vendin e krimit nuk është një individ, një killër, por janë “prapë ata, të djeshmit, të rehabilituar” me dekorata. Kjo është e trishtueshme, shoqëria ka bërë prapakthehu. Rreziku është i pashmangshëm.

Po cili ka qenë “faji” i Norit dje? Ai lidhet pikërisht me dy njerëz të pafajshëm që atij i kishin ndryshuar jetën, “njëri, një i vdekur i ngjallur në bjeshkë (Sim Cubeli) dhe tjetri, njeriu më i njohur i Qytetit të Drenit”, që nuk ishte sekretari i parë i partisë e as ai burri i dacit (Sigurimit), por Rud Llapa, një shakaxhi i pazakontë me regjimin, që e kishte karikaturizuar Frontin, përmes dorës prej piktori të… Norit. Lexuesi njihet me natyrën, ndjeshmërinë dhe psikologjinë e personazhit, që regjimi i djeshëm e kishte burgosur politikisht, pasi i plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme: “Me pikëpyetje në biografi, po. I përjashtuar nga fakulteti, po. I larguar me vendim zyrtar nga Tirana, po. E quan veten intelektual dhe dhe tërë ditën punon me hekura nëpër duar, për të nxjerrë bukën, po. Së fundi i paralajmëruar per prirje kundër ekonomisë së përbashkët. A nuk janë arsye të mjaftueshme për një të deklasuar, që të hidhet plotësisht te armiku?...” Por nuk është qëllimi ynë në këto radhë të shpjegojmë romanin, i cili në kuptimin shkollaresk është i pashpjegueshëm. Ama, kur ti besoje se Nor Lekurtit dikush do të duhej t’i kërkonte falje, si duket krimineli që kthehet në vendin e krimit nuk kishte mbaruar punë me të atëherë, pasi papritur ai bie viktimë e një aksidenti në Qytetin e Drenit, në mesnatë, kur lëviz vetën një makinë e “dehur”, që e përplas për vdekje. Një jetë tragjike. Atje, në dhe të huaj, e pret balloja, këtu e pret vdekja! Romani nuk klith, por vetëm rrëfen dhe lexuesi gjykon.

Letërsia e Elezit është e mendimit të ngjeshur, përsiatjes, gjendjeve njerëzore groteske, e kujtesës, ndonjëherë dhe përmes ditarit etj., që e bën njeriun të mendojë për botën rreth tij, që ai nuk e njeh dhe recepton, siç ajo është në të vërtetë, krejt larg një balloje gëzimi. Po ashtu, kemi të bëjmë me një prozë me strukturë kompozicionale origjinale, që meriton të analizohet dhe në këtë plan. Proza e tij është e pasur gjuhësisht dhe estetikisht. Ajo nuk mund të lexohet në “vrap”, por ngadalë, pasi duhet shijuar gjuha plot risi, paskajorja e gërshetuar natyrshëm brenda një shqipje të rrjedhshme, me larmi trajtash leksikore të vjetra – sjellë me funksione të reja stilistike etj. Lënda gjuhësore nga gegnishtja e këtij autori vjen e materializuar në tekst, e shkrirë organikisht në togfjalësha, si “zgafellat e shpirtit”, “fisi ujkor” etj. Nori, ndërkohë që kthehej, “habitet me veten si po i zgjoheshin në kujtesë gjithëfarë imtësish të harruara” (f. 50).

Tirana nuk e njeh më. “Për herë të parë ndjeva në lëkurë sa i parëndësishëm është njeriu i vetmuar. O gjind, lumi juaj i përdallgur bart me vete trupin e një studenti të vdekur, nuk e shihni? Ky student quhet Nor Lekurti. Ky student jam unë. Unë jam hija ime, duke ecur mbi dy këmbë druri, të gjata, të mpita. Mbi dy gingala.... Njeriu nuk di me siguri ku a si do të jetë nesër këso kohe, për shembull. Nesër? As pas një ore! Nën kripin e Pjer Kyrisë vetonin zbulime që dridhën rruzullin, por kryet e tij përfundoi sa hap e mbyll sytë nën rrotën e një karroce gërdallë, shtypur si kungull...” (f.23.) Vetmi si ajo e Kafkës kur “kthehet” pas dyzet e një vjetësh në Pragë (Musa Ramadani, romani “Profeti nga Praga”), filozofi për jeten dhe vdekjen, parandjenjë për fundin e vet tragjik etj.

Te “Dikush mungon në ballon e fundit” ai vizaton mjedise dhe karaktere sikur ka në dorë një penel, që herë pas here e merr dhe ti e vizaton bashkë me të, portretin e gajdexhiut, apo atë të profesorit të trishtuar që e kanë nxjerrë në pension dhe nuk do t’i lërë librat e vjetër të vdesin, ndaj i dhuron në njerëz të ditur etj. Është po aq fin dhe grotesku, si te babai që mendon se bën tregti duke shitur këpucë të vjetra të riparuara, po që ia blen i biri biznesmen, grepacimi i dy të moshuarve pas perdes, për shkak të xhelozisë së burrit etj. Narrativa bigëzohet mes vallëzimit të Momë Hatijes në Tiranë dhe ballos së diplomimit nën valset e Shtrausit atje larg. Nori shëtit sa tregun e lirë kryeqtetas me tezga, kioska, hile tregtarësh të vegjël etj., sa në kujtesën e tij të djeshme me Pulën dhe pa të, në mjedise, që thuajse kanë mbetur të pandryshuara.

Mehmet Elezi e lëvron e pasuron gjuhën si shkrimtar dhe gjuhëtar, në romanin “Dikush mungon në ballon e fundit”, me fjalë të tilla, si: fundshtroja (e sallës), stërhell (i gjatë), i përmiellur, e lëbardhme, ftohtimë, cingërroi (zilja), qëllimzi, pahiri, dytësi (sozia), dorasi, kacabun, piciferra (e zeshkët), buthtoi, gërdhajë (molle), zdrit, mahi, gacëllon (sytë), barnatore, dimnak, demelisht, nënkambca, agshol, tharbet, bëzan, çapërpik (flet pa lidhje), shalakatur, çuçllonte, bjerraditës, fjalëkryqës, imtë, mejnë (fjalët), kapërthurjet, qiellzana, shkartisej, cipricullak, mbrijohen, kërleshan, shalakatej  etj.

“Eposei i Kreshnikëve”, si grishje artistike e kulturologjike

Mehmet Elezi është një shqyrtues, komentues dhe analizues bindës i “Eposit të Kreshnikëve”, që i rikthehet herë pas here në një mënyrë a në një tjetër kësaj vlere unike të kulturës shqiptare. Në intervistën e sipërcituar, ai thotë: “Në Curraj të Epër, katund i ngujuar ndërmjet bjeshkëve, shumë larg kufirit me sllavët - por jo vetëm në Curraj të Epër - janë ruajtur vlera të moçme identitare: besimi katolik, veshje ilire si xhubleta, kënga majëkrahu e dëshmuar te ilirët, gjama e burrave me ritet e varrimit e të tjera. Poemat e Eposit, mbledhur aty, janë po aq të virgjëra, po aq identitare”. Vini oroe, në tre-katër radhë, kaq shumë informacion kulturor dhe shkemcor, sa mendon për një çast se para turistëve për atje duhet të “vrapojë” Akademia e Shkencave, për ta rrokur dhe njëherë para se të shuhet visarin autentik identitar që ende preket, ndonëse një lëndë e lëvruar nga dijetarët e shquar si Bernardin Palaj etj. Guidat e sotme promovojnë shijën e kuzhinës tradicionale të trevave si Malësia e Gjakovës, Hasi, Luma, Mirdita etj., çka në vetëvete është me interes, por ku janë guidat që promovojnë ne mënyrë dinjitoze etnokulturën shqiptare të trevave?...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx