Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Anekdota për Ahmet Zogun, malësorin nga Drenica dhe mençurinë e shtetarit
E marte, 03.02.2026, 06:56 PM

Anekdota për Ahmet Zogun, malësorin nga Drenica dhe mençurinë e shtetarit
Nga
Blerim Latifi
Në
kohën kur ende nuk ishin armiqësuar, Ahmet Zogu i kishte lënë një takim në
zyrën e tij në Tiranë Azem Bejtës. Ky i fundit shoqërohej nga Mursel Ahmeti i
Prekazit. Me të hyrë në korridorin e zyrës së Zogut, roja që ishte aty u tha se
brenda mund të hynte vetëm Azemi, ndërsa burri tjetër duhej të mbetej jashtë.
Burri dy metra i gjatë, shpatullgjerë dhe i pamësuar me protokollin shtetëror,
nisi të fjalosej me rojën. Në një moment nervozizmi të papërmbajtur, ai e kapi
rojën si leckë dhe e hodhi poshtë shkallëve.
U
krijua një shamatë e madhe dhe burra të armatosur vrapuan drejt vendit të
ngjarjes. Papritur, Zogu, krejt i qetë, doli nga zyra dhe, pasi mësoi shkakun e
sherrit, iu drejtua rojes së tij:
“Po
qysh i thuhet tanë ktij burri nuk ban me hy në konakun tem?”
Kjo
anekdotë, e ruajtur veç në memorien popullore, është në të vërtetë shumë
domethënëse për Shqipërinë e viteve ’20. Ajo nuk flet thjesht për temperamentin
e një burri të fortë nga Prekazi, por për përplasjen mes dy rendesh: rendit të
zakonit fisnor dhe rendit të shtetit modern.
Azem
Bejta dhe shoqëruesi i tij, Mursel Ahmeti, vinin në Tiranë jo si qytetarë që
kërkojnë audiencë tek një zyrtar i lartë i shtetit, por si burra nderi që hyjnë
në konak. Për ta, zyrat e shtetit janë ende variante të zgjeruara të odës. Ato
ende kuptohen si hapësira ku burri hyn me mikun e vet, sepse nderi nuk ndahet
dhe shoqërimi është pjesë e identitetit. Refuzimi i rojes nuk përjetohet si
zbatim protokolli, por si fyerje personale.
Reagimi
brutal, i menjëhershëm dhe instinktiv i Murselit nuk është thjesht dhunë. Ai
është shprehje e një etike ku autoriteti nuk buron nga uniforma apo
rregullorja, por nga forca morale dhe fizike e burrit. Roja nuk shihet si
përfaqësues i shtetit, por si një individ që po shkel rregullin e pashkruar të
mikpritjes.
Ahmet
Zogu, nga ana tjetër, shfaqet si figurë ndërmjetëse mes këtyre dy botëve.
Qetësia e tij nuk është rastësore. Ai e kupton menjëherë se konflikti nuk është
politik, por kulturor. Prandaj edhe fjalia e tij “Po qysh i thuhet tanë ktij
burri nuk ban me hy në konakun tem?”, nuk është qortim ndaj Murselit, por
kritikë ndaj rojes.
Me
këtë fjali, Zogu bën dy gjëra njëherësh: e ruan autoritetin e vet si mikpritës
dhe shmang dhunën e panevojshme për të. Ai flet gjuhën e malësorit për ta
mbajtur nën kontroll shtetin modern që po përpiqet ta ndërtojë. Në këtë kuptim,
Zogu nuk sillet ende si shtetar modern, por si kryeplak që e di se në
Shqipërinë ende arkaike pushteti shtetëror pa njohje të zakoneve të moçme është
pushtet i brishtë dhe mund të zhduket nga një kapriço e momentit.
Ai
e di se si shtetar modern mund të ketë sukses jo duke përdorur dhunën e
zhveshur e të drejtpërdrejtë kundër arkaikës që ia ka zënë rrugën, por duke
negociuar me të me shumë kujdes. Ai është modernizues përmes reformimit të kujdesshëm,
e jo revolucionar që beson se mund ta fshijë të kaluarën me një të goditur.
Noli e humbi betejën me të pikërisht se përfaqësonte mënyrën e kundër të të
bërit politikë. Me fjalë të tjera: kush ka aftësinë të negociojë me realitetin
gjithëherë kompleks, mund t’ia dalë edhe ta ndryshojë atë në njëfarë mënyre;
kush nuk do t’ia dijë për realitetin dhe do t’i imponojnë atij nga jashtë
dogmat e veta idealiste, shpejt do të bjerë viktimë e hakmarrjes së realitetit.
Kështu,
kjo anekdotë është një fragment i vogël i një drame më të madhe historike të
shtetit shqiptar: drama e tranzicionit
të dhimbshëm nga një shoqëri e nderit fisnor dhe e besës drejt një shoqërie të
ligjit dhe institucioneve moderne. Dhe si çdo tranzicion i ngjashëm, ai ka
kaluar përmes keqkuptimeve, shamatave dhe frazave që sot duken anekdotike, por
atëherë ishin shumë serioze. Aq serioze sa mund të përmbysnin fate e shtete.









