E shtune, 10.01.2026, 06:04 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Kur mendimtarët e mëdhenj e bëjnë bërllog

E premte, 09.01.2026, 06:55 PM


Kur mendimtarët e mëdhenj e bëjnë bërllog

Nga Prof. Blerim Latifi

Edhe pse filozofia, në thelbin e saj, është një mendim mbi dhe për lirinë, nuk janë të pakët emrat e saj që, në momente të caktuara historike, kanë devijuar nga ky parim duke u rreshtuar në krah të ideologjive apo sistemeve të ngritura mbi shkatërrimin e lirisë. Madje, shumë prej këtyre emrave janë figura qendrore të kanonit filozofik. Një prej tyre ishte Heidegger-i, i cili në vitin 1934 pranoi të rreshtohej në anën e nazizmit. Jean-Paul Sartre, filozofi i lirisë dhe i ekzistencializmit, për një periudhë jo të shkurtër, ushqeu simpati dhe shkroi justifikime për stalinizmin dhe maoizmin, dy ideologji të mëdha të shekullit XX që lanë pas miliona viktima.

Ky paradoks i dhimbshëm i historisë së filozofisë, mendimi i lirisë i shoqëruar me verbëri politike, mu kujtua sërish ndërsa po lexoja lajmet për revoltat qytetare në Iran kundër teokracisë totalitare të ajatollahëve. Revolucioni Islamik i vitit 1979, i cili solli në pushtet këtë teokraci, pati një apologjet të rëndësishëm edhe në filozofinë perëndimore: Michel Foucault.

Në rastin e Foucault dhe Revolucionit Islamik iranian, problemi është veçanërisht domethënës. Foucault nuk ishte thjesht një simpatizant i rastësishëm. Ai shkroi reportazhe entuziaste për gazetën Corriere della Sera në vitet 1978–1979, ku e paraqiste revolucionin e Khomeinit si një formë “spiritualiteti politik”, si një thyerje radikale me racionalitetin modern perëndimor dhe me format klasike të pushtetit. Për të, Irani dukej si një laborator historik ku subjektet po rizbulonin mënyra të reja rezistence ndaj dominimit teknokratik dhe imperialist.

Por këtu qëndron gabimi fatal i Foucault: ai ngatërroi rezistencën ndaj një regjimi autoritar, si ai i shah Pahlavit, me emancipimin real. Në verbërinë e tij ndaj racionalitetit perëndimor, ai nënvlerësoi faktin se pushteti fetar nuk është më pak disiplinues, më pak totalizues dhe më pak dhunues se pushteti modern që ai vetë e kishte analizuar dhe kritikuar me aq mprehtësi në veprat e tij të shumta mbi gjenealogjinë e pushtetit. Trupi, seksualiteti, gratë dhe disidentët, pikërisht ato fusha ku Foucault kishte ndërtuar analizat e tij më radikale, u shndërruan pas vitit 1979 në targetet kryesore të represionit shtetëror në Iran.

Në këtë kuptim, revoltat e sotme në Iran përbëjnë jo vetëm një akt rezistence politike, por edhe një përgënjeshtrim historik të iluzioneve të budallme të Foucault. Ato tregojnë se ajo që u paraqit dikur si “zë i të shtypurve” rezultoi të ishte thjesht një tjetër regjim normalizimi, ndëshkimi dhe kontrolli total të jetës. Kështu, historia na kujton se filozofia, sado thellë të mendojë lirinë, nuk është imune

ndaj verbërisë ideologjike dhe se dallimi midis kritikës së pushtetit dhe justifikimit të tij mbetet gjithmonë i brishtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx