Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ndërron jetë Adem Brahim Ahmeti, nipi i fundit i Ahmet Delisë
E marte, 09.12.2025, 08:00 PM
Prof. Blerim Latifi:
Dje
u nda nga jeta dhe sot u varros në Prekaz Adem Brahim Ahmeti, nipi i fundit i
prijësit legjendar të Drenicës, Ahmet Delisë.
Ademi
ishte një plak i urtë që në gjithë jetën e tij mishëroi virtytet morale të një
familjeje të madhe, e cila që nga vitet e Lidhjes së Prizrenit e deri në vitet
e rezistencës antijugosllave pas Luftës së Dytë Botërore kishte qenë e
pranishme me burrat e saj në ngjarjet më të mëdha historike.
Burrat
e kësaj familjeje i prinë revoltës antiosmane për të ruajtur autonominë e
Drenicës në vitin 1891. Kjo revoltë çoi në shkatërrimin e sarajeve Hamidie, të
cilat ishin ndërtuar në vendin ku sot ndodhet Skënderaj.
Në
vitin 1899, gjyshi i Ademit, Ahmet Delia, përfaqësoi Drenicën në Lidhjen e
Pejës. Në vitin 1903, në krye të katër mijë burrave, Ahmet Delia rrethoi
Mitrovicën për të dëbuar konsullin rus nga Kosova; gjatë atij rrethimi konsulli
rus u vra nga një nizam shqiptar.
Katër
vite më vonë, Ahmet Delia sërish doli në krye kundër Shemsi Pashës, i cili, në
shenjë hakmarrjeje për humbjet që pësoi, e dogji kullën e Ahmet Delisë dhe tërë
Prekazin. Në vitin 1910 Ahmet Delia mori pjesë në Betejën e Carralevës, ku edhe
u plagos, ndërsa në pranverën e vitit 1912 e priti në kullën e tij Hasan
Prishtinën, i cili i besoi fillimin e kryengritjes së përgjithshme kundër
Perandorisë Osmane.
Në
vjeshtën e atij viti ai refuzoi të largohej me Isa Boletinin drejt Shqipërisë
dhe vendosi të qëndronte në Prekaz për të mbrojtur njerëzit e tij nga bandat
paramilitare serbe që po ushtronin terror mbi popullatën e pambrojtur. Më 25
dhjetor 1912 ai ra në një betejë epike kundër një bande të tillë, e cila kishte
sulmuar Prekazin. Serbët ia zhdukën trupin dhe ia dogjën kullën.
Por
djemtë e tij nuk pranuan të ulin kokën e të nënshtroheshin. Murseli, djali i
madh i Ahmet Delisë, u bë pjesë e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me
qendër në Shkodër, dhe kështu një figurë kyçe në rezistencën e armatosur kundër
sundimit serb gjatë viteve 1918–1928.
Në
vitet e Luftës së Dytë Botërore, kjo familje përsëri doli në ballë të
ngjarjeve. Babai i Ademit, Brahim Ahmeti, udhëhoqi një batalion luftëtarësh që
marshuan drejt Novi Pazarit për të mbrojtur popullatën civile nga sulmet e
njësive çetnike dhe për të siguruar kufijtë veriorë të Shqipërisë Etnike.
Një
ngjarje nga ajo kohë e dëshmon kodin e lartë moral që kjo familje ruajti brez
pas brezi. Një ditë, batalioni i Brahim Ahmetit hyn në një fshat serb. E gjithë
popullata ishte larguar, përveç një gruaje me dy fëmijët e saj, sepse njëri
prej tyre ishte i palëvizshëm. E tmerruar se mos luftëtarët shqiptarë do ta
dhunonin ose vrisnin atë dhe fëmijët, gruaja i ra në gjunjë komandantit. Duke u
dridhur, i tha: “Me mua bëni çfarë të doni, vetëm fëmijët mos m’i vrisni!”
Brahim
Ahmeti iu përgjigj: “Çohu në kambë! Askush nuk guxon me të prekë as ty, as
fmitë. Shko në shtëpi e na gatuaj diçka, se jemi të kputun nga uja.” Gruaja
serbe, e habitur nga fjalët e tij, vrapoi në shtëpi për të gatuar për
luftëtarët shqiptarë.
Të
nesërmen, batalioni merr urdhër të zhvendoset. Teksa po bëheshin gati, gruaja i
afrohet Brahim Ahmetit: “Çka të bëj unë e zeza nëse vijnë luftëtarë të tjerë e
nuk sillen si ju?”
Brahimi
i thotë: “Pasi kemi ngranë bukën e shpisë tande, merre kët' shami. Nëse ata që
do të vijnë janë shqiptarë, u thuaj se këtë shami ma ka dhanë Brahim Ahmeti nga
Prekazi, si shej' se jeni n' besën teme.”
Pas
dy muajsh në frontet e Kolashinit e Novi Pazarit, batalioni i Prekazit kthehet
në Kosovë. Në hyrje të fshatit, Brahim Ahmeti shtie pesë herë me pushkë. Kur e
pyetën pse shtiu, ai tha: “Ishim në luftë, e po gjuaj se u kthyem prej luftës
pa lanë mbrapa asnjë marre e faqe të zezë!”
Një
tjetër burrë i kësaj familjeje, Isa Zymer Ahmeti, drejtoi batalionin e parë të
Brigadës së Shaban Polluzhës. Në vitin 1951 ai kreu arratisjen më të famshme në
krejt historinë Jugosllavisë komuniste nga burgu i Mitrovicës së Sremit.
Pas
një viti nëpër malet e Kosovës, ai kaloi në Shqipëri, dhe regjimi i atjeshëm,
duke vlerësuar shkathtësitë e tij luftarake, e ngarkoi me disa misione
diversante në Kosovë deri në fillim të viteve ’60.
Një
tjetër burrë i kësaj familjeje, Vesel Hajzer Ahmeti, vuajti 15 vite burg
politik në burgjet më të rënda të Jugosllavisë komuniste.
Kjo
është vetëm një pjesë e historisë së kësaj familjeje të madhe, e cila la gjurmë
të ndritura në përpjekjet e këtij vendi për liri e pavarësi.
Ademi
ishte memoria e gjallë e gjithë kësaj historie, ura që lidhte brez pas brezi
rrëfimet e sakrificës, besës dhe qëndresës. Me ndarjen e tij nga jeta, Prekazi
jo vetëm që humbi një njeri të urtë, por edhe dëshmitarin e fundit të një epoke
që sot jeton vetëm përmes kujtimeve. Me ikjen e Ademit, në pragun kullës së
lashtë të Ahmet Delisë shuhet zëri i fundit i çmuar që dinte t’i rrëfente
ngjarjet si t’i kishte parë me sytë e vet.
Pushoftë
në paqen e pasosun!
Blerim Latifi, 03/12/2025










