Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Anekdota për Ahmet Zogun, malësorin nga Drenica dhe mençurinë e shtetarit

| E marte, 03.02.2026, 06:56 PM |


Anekdota për Ahmet Zogun, malësorin nga Drenica dhe mençurinë e shtetarit

Nga Blerim Latifi

Në kohën kur ende nuk ishin armiqësuar, Ahmet Zogu i kishte lënë një takim në zyrën e tij në Tiranë Azem Bejtës. Ky i fundit shoqërohej nga Mursel Ahmeti i Prekazit. Me të hyrë në korridorin e zyrës së Zogut, roja që ishte aty u tha se brenda mund të hynte vetëm Azemi, ndërsa burri tjetër duhej të mbetej jashtë. Burri dy metra i gjatë, shpatullgjerë dhe i pamësuar me protokollin shtetëror, nisi të fjalosej me rojën. Në një moment nervozizmi të papërmbajtur, ai e kapi rojën si leckë dhe e hodhi poshtë shkallëve.

U krijua një shamatë e madhe dhe burra të armatosur vrapuan drejt vendit të ngjarjes. Papritur, Zogu, krejt i qetë, doli nga zyra dhe, pasi mësoi shkakun e sherrit, iu drejtua rojes së tij:

“Po qysh i thuhet tanë ktij burri nuk ban me hy në konakun tem?”

Kjo anekdotë, e ruajtur veç në memorien popullore, është në të vërtetë shumë domethënëse për Shqipërinë e viteve ’20. Ajo nuk flet thjesht për temperamentin e një burri të fortë nga Prekazi, por për përplasjen mes dy rendesh: rendit të zakonit fisnor dhe rendit të shtetit modern.

Azem Bejta dhe shoqëruesi i tij, Mursel Ahmeti, vinin në Tiranë jo si qytetarë që kërkojnë audiencë tek një zyrtar i lartë i shtetit, por si burra nderi që hyjnë në konak. Për ta, zyrat e shtetit janë ende variante të zgjeruara të odës. Ato ende kuptohen si hapësira ku burri hyn me mikun e vet, sepse nderi nuk ndahet dhe shoqërimi është pjesë e identitetit. Refuzimi i rojes nuk përjetohet si zbatim protokolli, por si fyerje personale.

Reagimi brutal, i menjëhershëm dhe instinktiv i Murselit nuk është thjesht dhunë. Ai është shprehje e një etike ku autoriteti nuk buron nga uniforma apo rregullorja, por nga forca morale dhe fizike e burrit. Roja nuk shihet si përfaqësues i shtetit, por si një individ që po shkel rregullin e pashkruar të mikpritjes.

Ahmet Zogu, nga ana tjetër, shfaqet si figurë ndërmjetëse mes këtyre dy botëve. Qetësia e tij nuk është rastësore. Ai e kupton menjëherë se konflikti nuk është politik, por kulturor. Prandaj edhe fjalia e tij “Po qysh i thuhet tanë ktij burri nuk ban me hy në konakun tem?”, nuk është qortim ndaj Murselit, por kritikë ndaj rojes.

Me këtë fjali, Zogu bën dy gjëra njëherësh: e ruan autoritetin e vet si mikpritës dhe shmang dhunën e panevojshme për të. Ai flet gjuhën e malësorit për ta mbajtur nën kontroll shtetin modern që po përpiqet ta ndërtojë. Në këtë kuptim, Zogu nuk sillet ende si shtetar modern, por si kryeplak që e di se në Shqipërinë ende arkaike pushteti shtetëror pa njohje të zakoneve të moçme është pushtet i brishtë dhe mund të zhduket nga një kapriço e momentit.

Ai e di se si shtetar modern mund të ketë sukses jo duke përdorur dhunën e zhveshur e të drejtpërdrejtë kundër arkaikës që ia ka zënë rrugën, por duke negociuar me të me shumë kujdes. Ai është modernizues përmes reformimit të kujdesshëm, e jo revolucionar që beson se mund ta fshijë të kaluarën me një të goditur. Noli e humbi betejën me të pikërisht se përfaqësonte mënyrën e kundër të të bërit politikë. Me fjalë të tjera: kush ka aftësinë të negociojë me realitetin gjithëherë kompleks, mund t’ia dalë edhe ta ndryshojë atë në njëfarë mënyre; kush nuk do t’ia dijë për realitetin dhe do t’i imponojnë atij nga jashtë dogmat e veta idealiste, shpejt do të bjerë viktimë e hakmarrjes së realitetit.

Kështu, kjo anekdotë është një fragment i vogël i një drame më të madhe historike të shtetit shqiptar:  drama e tranzicionit të dhimbshëm nga një shoqëri e nderit fisnor dhe e besës drejt një shoqërie të ligjit dhe institucioneve moderne. Dhe si çdo tranzicion i ngjashëm, ai ka kaluar përmes keqkuptimeve, shamatave dhe frazave që sot duken anekdotike, por atëherë ishin shumë serioze. Aq serioze sa mund të përmbysnin fate e shtete.