Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (2)
E hene, 02.02.2026, 07:00 PM

Shkrime për Ismail Kadarenë nga libri ''Pena të Arta Franceze për Shqiptarët'' i autorit Fotaq Andrea
(2)
ISMAIL KADARE : NJË
SFINKS NË DIMËR
Një
mjet për të matur magnitudën e një enigme qëndron konkretisht në
përllogaritjen e galerive që një mendje duhet të përshkojë para se të dallojë
daljen nga labirinti. Për shumë vetë, ata që, për lojë intelektuale apo për
arsye të tjera, jepen pas « yçklave kineze », Ismail Kadarea ka qenë
dhe mbetet sinonim enigme. Fytyra e tij të kujton shpesh atë « maskë
përpikmërie », rezultante e viteve të plumbit, që shkrimtari ua vesh
tipareve të funksionarëve të lartë kinezë në faqet më dramatike të romanit të
tij Koncerti. Nëse njeriu nuk lind misterioz, është shoqëria që i fut
shijen e sekretit, dhe ajo ku Kadarea ka kaluar dyzet e pesë vjet stalinizëm
kishte një prirje të fortë komploti. Ashtu si tregimtari i Strofullës së
Kafkës, shkrimtari shqiptar ka çelur galeri të shumta për të mbjellë brenda
tyre udhëpërshkuesit e tij, dhe vetë duke ndenjur me vështrimin e sfinksit
prapa « maskës së përpikmërisë» në brendësi të kështjellës së pamposhtur
të Daulleve të shiut. Profesioni : i rrethuar : ky
ishte statuti shoqëror i çdo mendjeje të pavarur në vendin totalitar. Me vite,
ligji i heshtjes imponuar shkrimtarëve që mund të udhëtonin, detyra e
vetçensurimit shndërruar në kusht mbijetese sikur e kishin trashur misterin,
duke shkaktuar lindjen e hipotezave. Kush ishte ai, ç’rol luante para se
kufijtë të hapeshin ? A luan të njëjtin rol që nga ajo kohë ? Ku dhe
deri në çfarë shkalle debatet që troshitin shoqërinë shqiptare kanë kaluar në
filtrin e mendimit të tij, çfarë ka vënë në peshë në këtë apo atë fushë ?
Të skicohen përgjigje, ky do të jetë synimi i këtyre radhëve, të skicohen
sepse është e pamundur të çmontohen deri tek e fundit kukullat zhigonje* të një mendimi.
Gjithmonë mbetet një e tillë në brendësi të më së voglës, në pafundësi, pjesë e
paepur e misterit që përbën hijeshinë e një mendjeje dhe markën e saj të
fabrikimit.
Historianët
manikeas** duhet t’i ketë zënë
deti duke vëzhguar historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë : vija
pluskuese e këtij kombi nuk ka rreshtur së lëkunduri. Sipas yrysheve të
kapitenit të saj, anija ka ndërruar shumë herë drejtim. Rreziku i të qenit
shkrimtar vinte nga ajo që rreshtat e shtypur në libra mbeteshin, kur,
në të njëjtën kohë, vija e Partisë lëkundej ; nga ky çast, i takonte
njeriut të zhdërvjelltësohej mjaftueshmërisht për të zbutur palëvizshmërinë e
veprës së tij, prej ku mund të shfaqej rreziku nga çasti në çast. Kështu është dhe me Kadarenë, vepra e të
cilit përshkoi, megjithë « duhanin e shumtë të djegur » tërë ato vite
stalinizmi, dyzet e pesë, kreshnikëri me sa duket e pashoqe në historinë e
Letrave. Perëndimi e mendonte Shqipërinë të shkrirë në klishetë e pjesës së
mbetur të bllokut komunist. Vala tronditëse në Lindje e preku Shqipërinë lehtë,
me vonesë. Nga 1945 deri më 1990, Shqipëria tregoi, politikisht, një qëndresë
të habitshme ndaj valëve përplasëse. Stalinizmi nuk do çrrënjosej veçse nga
vitet 1990-1991. Kush ishte Kadarea, humbur në këtë biotop* të çuditshëm ? Një
produkt prejardhur nga Haveli apo nga Pasternaku ?
Ndoshta
kombet e vegjël kanë privilegjin të prodhojnë shkrimtarë që, sikurse Kadarea,
janë trupëzuar më së miri me historinë e tyre. Odisetë e pasluftës shqiptare
janë aty, të ritranskriptuara në veprën e tij, në mënyrë realiste apo nëpërmjet
marifetit të fabulës. Qëkurse është botuar për herë të parë më 1953, Kadarea
parapëlqen të jap llogari për botën sipas tij, sesa të zbatojë
vetëvëzhgimin e dëshiruar nga shumë autorë. Nga poemat e para lirike e
romatike, kalohet me shpejtësi në poemat e mësimit të botës, përzier me
angazhime; pastaj me ngadalë, nëpërmjet një rrëshqitjeje drejt prozës, merr
formë vështrimi që do ketë Kadarea për botën fokale tiranike, që shkakton një Weltanschauung,
i cili, nga romani në tregim, do të kompozojë me penelata të njëpasnjëshme një
portret të Shqipërisë e të botës. Shkrimtari kalon në revistë etapat e mëdha të
historisë shqiptare, por pa vepruar si historian : përçarja
katolike/ortodokse, dyndja osmane, qëndresa e Skënderbeut, largimi i
arbëreshëve drejt Italisë, rënia e Ali Pashës, hapat e para pas pavarësisë,
periudha zogiste, lufta, çlirimi i Tiranës prishjet me disa, pastaj me të
tjerë, masakrat e Kosovës, rënia e stalinizmit shqiptar… Megjithatë, nuk bëhet
fjalë për tekste « shqiptaro-qendërzuese ». Vendi i tij, dhe që
këndej Perandoria otomane nuk janë veçse pretekste për të lartësuar debatin,
për t’u dhënë librave cilësorin misterioz të gjithanshmërisë. Nëse
Kadarea është para së gjithash shqiptar, është në mënyrën e emrave të mëdhenj
të Rilindjes** të kthyer drejt
Perëndimit, të armiqësuar ndaj një arkaizmi dhe një tradicionalizmi, përgjegjës
i të cilëve bëhet Perandoria otomane.
Të shkruarit në « Shqipërinë e re »
Pavarësisht
nga cilësia letrare e veprës së tij, Shqipëria, herët a vonë, do duhet t’i
rinjohë shkrimtarit të saj më « ndërkombëtar » meritën se në orët më
të zeza të vendit ka dashur të hartojë një proçesverbal për atë që, para tij,
po rrënohej : për vetë Shqipërinë. Menjëherë pas luftës, brezi në ngjitje
që jetonte vitet e veta më të ndritshme,
i kishte kënduar ndërtimit të një Shqipërie të re, bazuar mbi çlirimin e vendit
nga partizanët komunistë pa ndihmë të jashtme. Shkrimtarë e artistë kërkoheshin
(me të madhe) të bashkonin zërin e tyre në atë kor. Shumë prej tyre tregoheshin
të çiltër, sepse më shumë nga aksiomat socialiste, kemalizmi i
udhëheqësve të rinj, dëshira e tyre për ta ngritur Shqipërinë në radhën e
kombeve evropiane duke i dhënë fund Azisë, dhe lustroja demokratike me të cilën
ishin zbukuruar më 1945 dhe 1946, nuk kishin si të mos shkaktonin joshje. Herë
pas here, regjimi e lironte disi darën dhe bashkësia e vdekatarëve sikur merrte
atëherë frymë më lirshëm ; shtëpitë botuese kalonin në shtypshkronjë
dorëshkrime të rikthyera në gjendje të tolerueshme. Frika sikur sprapsej
njëfarësoj. Qetësia e përkohëshme e fundit e këtij lloji u shfaq në fillim të
viteve 70. Pastaj, u rikthye frika, më 1973, nxitur nga filipiket* e hierarkëve kundër
dekadencës borgjeze : duhet vrarë krimbi i Perëndimit futur në frutin e
Shqipërisë së re ! Dekada 1973-1983, ishte me sa duket më e ashpra që ka
njohur vendi : i sëmurë, me shqetësime kardiake dhe me diabet, tirani
korri « miqtë » e tij një pas një, e dërrmoi krejt vendin me
ndërtimin e bunkerëve, shpalli më 1976 një Kushtetutë që e izolonte edhe më
shumë vendin, ndërpreu marrëdhëniet me aleaten e fundit të Shqipërisë, Kinën.
1973-1983 : pikërisht, gjatë kalimit të këtij tuneli, Kadarea nxori
kryeveprat e tij, që buronin nga dashuria që kishte për Shqipërinë në rrezik,
sepse kishte një mision : « të
restauronte ikonën », atë ikonë që, nën petkun e progresit, regjimi kishte
dashur ta shfytyronte paturpësisht, si arkeologët e Sadam Huseinit, të cilët,
pa u merakosur fort për vërtetësinë, u
orvatën të rishfaqin Babiloninë.
Sfida
e kujtesës
T’i
transmetosh krejt një vendi sëmundjen e Alzeimerit, të shkatërrosh qelizat ku
ishin gdhendur kujtimet e tij për ta zëvendësuar jetën e Njeriut me atë të një
qenieje të re… për këtë, regjimi nuk i kursente mjetet. Përballë tij, lufta e
një shkrimtari për të restauruar ikonën synonte të shpëtonte jetën njerëzore në
themelet e saj më kryesore dhe t’i bënte ballë iluzioneve orwelline të
pushtetit. Është kjo një nga arsyet për të cilat Dimri i Madh, shfaqur
në një çast kritik (në pranverë 1973), pësoi goditjet e regjimit :
funksionarët, ish-ët, të dashuruarit e zhgënjyer, një pjesë e tërë aktorësh të
« komedisë së vogël njerëzore » luajtur në këtë roman ishin një
fyerje përballë njeriut të ri.
Në
vitet që pasuan, Kadarea vijoi punën e tij për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Në klimën mjedisore të paranoiës, ishte jetësore të mos e harroje. Andaj,
nëpërmjet Prillit të thyer, shkrimtari shpluhuron Kanunin, të
drejtën e lashtë zakonore që, në fillim të shekullit, e shihje ende të vepronte
në Veri të vendit. Që këtej, ai nxjerr një nga konceptet e tij madhore besën** (fjalën e dhënë), e
cila, nëse s’është me zanafillë krejt shqiptare, përbën një nga degët e fundit
të një qytetërimi mesjetar që vishte një pjesë të mirë të krishtërimit. Ashtu
sikurse nuk do rreshti më duke iu referuar Kanunit, ai do ta bëjë besën
ide kryesore të shumë romaneve1. Në periudhë të plotë izolimi,
në një shtet ku çdo kontakt me një të huaj ishte i dyshimtë, Kadarea përmend
një kohë kur ishe i lirë të përshkoje Evropën, kur martoheshe përtej
kufijëve !
Pak nga pak, në rrjedhë të viteve e të librave, ikona rigjen ngjyrat e veta : Kadarea nuk e shpjegon një pemë nga gjethishtja e saj, por nga rrënjët, nga kripërat minerare që e ushqejnë : ai e ndërmerr analizën në çastin kur, në laboratorët e ideologjisë staliniane, shegertët magjistarë kërkojnë të ndryshojnë përbërjen e kriprave minerare. Duke parodizuar me titullin e një vepre të Enver Hoxhës, mund të përmblidhet një pjesë e mirë e veprës së Kadaresë nën emërimin : « Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së përjetshme ». Duke dashur ta izolojë elementin e përjetshëm, Kadare e thjeshtonte periudhën socialiste në një epifenomen, të përkohshëm por të frikshëm, nëpërmjet pushtetit të vet venitës. Pa dashur të mahnisë kritikët letrarë të një çasti të dhënë, ai regjistrohej në kohë dhe kandidonte për të mëtejshmen. Ikona e restauruar do të ishte garanci për të, ndërsa vetë historia mund të gjykonte mbi pjesët. Por çfarë ikone do merrte për garanci ? A është e sigurt se ajo është restauruar me besnikëri të plotë ? Sepse paradoksi është i tillë që Kadarea nuk pranon në tekstet e tij etiketën e romaneve historikë. Jemi njëqind lega larg natyralizmit.
Para
se të jetë estet apo roje i muzeut Shqipëri, Kadarea është një krijues,
dhe ngasja duhet të jetë e madhe për të ndërhyrë, për të dhënë shpjegimin e
vet të ikonës, madje edhe për ta përdorur mitin në shërbim të përfytyrimit
të tij të botës ; dhe Kadarea bën pjesë ndër ata shkrimtarë që kanë
krijuar një grilë leximi, nëpërmjet së cilës ata filtrojnë historinë,
dukuritë e saj, zbulojnë lëvizjet bazë ku mbështetet evolucioni i gjërave. Ai
duhet gjithashtu të joshë, duke u shtuar miteve, herë pas here, një të dhënë,
një trup të huaj për të krijuar një mit hibrid, të ripërpunuar. Ka qëlluar që
lexuesit shqiptarë të përshëndesin faktin që Kadarea u rijep jetë legjendave,
« hambari i lashtë mitik » i Shqipërisë dhe që po këta lexues e
kritikojnë në të njëjtën kohë për një trajtim tepër subjektiv të legjendave,
për një penelatë tendencioze në përpjekjen për restaurim. Tek rizgjon
legjendat, shkrimtari ka ndërmarrë hapin e zvetënimit, të çmistifikimit, të
çeljes së tyre para botës, duke përfshirë në debat të dhëna të reja, madje tek Kush
e solli Dorintinën ? duke thyer një tabu, inçestin (edhe pse nuk
përshkohet veçse si telish), gjë që thjesht do shkaktonte skandal në Shqipërinë
e viteve 70. « Variante të tjera sipas Kadaresë » të këtyre miteve
pothuaj nuk kanë shkaktuar dallgë. Kadare nuk mund të kënaqet me interpretimet
zanafillëse dhe sipas tij, miti, edhe pse mund të vishet me maskën e një
tabuje, priret të shpjegojë të tashmen. Debatet, indinjata që shkakton tek disa
tregimi i tij Dritë hëne, më 1985, janë një dëshmi e tillë : me t’u
botuar, teksti u ndalua, kopjet u tërhoqën nga shitja. Në atë Shqipëri që
do varroste Hoxhën dhe ende nuk i kish larë tërë hesapet me njëfarë
« turpi shtetëror », Kadarea kishte shkuar tepër larg.
Marrëdhënie
të dykuptimta me Partinë
Vija
e angazhimit kadarean ka mundur të shfaqet po aq e spërdredhur sa një rrugë
shqiptare, për të njëjtat arsye madje, sepse duhej doemos t’u bihej qark disa
pengesave të pakapërcyeshme. Megjithatë, ashtu sikurse vetë rruga në njëfarë
distance, angazhimi i tij merr më së miri të njëjtin drejtim me vitet, ndjek
një fill, pavarësisht nga shmangiet : shkrimtari nuk endet në një
labirint ; çka është, à posteriori, me interes për t’u studjuar,
është pikërisht rruga që ka përshkuar. Kadarea, që nga mosha dhjetë vjeç, nuk
ka njohur veçse komunizmin dhe në atë botë u rrit e mori edukim. Në mbarim të
studimeve, ende nuk e ka teserën e anëtarit të Partisë së punës, por shkruan
poema lëvduese për Shqipërinë e re, atë që ngre lart propaganda. Si çdo poet
filiz, njeh dhe duron rregullin sipas të cilit për të botuar një përmbledhje,
duhet t’i kushtosh të paktën një poemë lavdisë së Partisë. Në atë kohë, lirizmi
i rinisë së tij shpreh një dashuri për idealet progresiste, por poeti nuk
ndihet rehat në kornizat e ngushta të realizmit socialist. Ai parapëlqen t’i
këndojë kohës së qëndrimit të tij në BRSS, në Jalta, në Moskë apo mbi bregun
balltik ; në vitet 60, shpreh daljet e tij të para në Perëndim nëpërmjet
përshtypjeve poetike, ka guximin të flasë për vendin ku një shqiptar nuk shkon
dot ; gjetiu, kampet borgjeze e revizioniste që ekzistojnë veç « të
diabolizuara », nxirë nga shtypi zyrtar. Ikja ! Kjo ide kthehet në
mendim të ngulët për çdo shqiptar, që për nga funksioni mund të marrë pjesë në
ndonjë delegacion. Ç’duhet bërë atëherë për të qenë në listën e « të
deleguarve ? » Prania e Ismail Kadaresë në disa lista nisësish jashtë
shtetit u acaronte nervat disave, ngacmonte smirat, dhe në atmosferën e « rretheve
të gjera » si ajo e intelektualëve të Tiranës, një hiç merrte përmasa
gjigande. Çuçuritej midis fisnikrucësh të Iluzioneve të humbura të
Balzakut : « Kadarea ka një veturë »… apo « një vend në
avionin për Zyrih », apo « për në Paris »… E megjithatë, çdo
nisje për jashtë shtetit ishte thikë me dy presa dhe kish rrezik të kthehej në
drejtim të përfituesit. Një intervistë me ton tepër të lirshëm, apo një
artikull tepër mburrës në shtypin perëndimor, do të mjaftonin që në Shqipëri
menjëherë të lehnin qentë besnikë dhe të shembeshin marrëdhëniet e ndërtuara.
Atëherë, gjaku i shkrimtarit gati sa nuk ngrinte ; një « maskë
ashpërsie » zinte vend në fytyrën e tij.
Fati
i tij të kujton atë të Shostakoviçit. Rrethuar nga brenda prej pronarit, nga
jashtë prej kureshtarëve, vitrinë e bukur, fliste në mënyrë të dykuptimtë për
të qenë brenda pa e mbajtur veten kurrë për të parë, detyrohej të tregohej i
matur sa herë që i dilte rasti për të marrë një ditë avionin… « Vendi im
nuk më duket dhe aq i izoluar sa ç’thonë », do t’i shpjegonte kësisoj
gazetës le Monde, më 1986, kur regjimi ende e detyronte të mos merrte
pjesë në Apostrophes, për shkak të pranisë të një autori anglo-sakson.
Kontakti me shtypin e huaj mund të kthehej në mundim, aq shumë i duhej
zhonglonte pa e shitur shpirtin, të vetçensurohej para se të mendonte nga
vetvetja, të tregohej më finoku që të mund të dekodohej prej disave, por pa i
thartuar të tjerët… Më pas, kthimi në vend ishte si një ushtrim tjetër
akrobacie… Megjithatë, në Perëndim, sikurse në Shqipëri, ai që dilte
periodikisht nga Vendi i Shqipeve mbahej për i privilegjuar. Më 1972, Kadarea
ishte bërë anëtar i Partisë së punës, në moshën tridhjetë e katër vjeçare.
Thotë se nuk kish nga t’ia mbante, në fund të viteve 60 – duke shkruar romanin Dasma
që tani e hedh poshtë, – përballë
sulmeve të dogmatizmit rrethues. Asnjë entuziazëm nuk e shtyu të marrë teserën
e Partisë, por ndoshta thjesht presionet e jashtme dhe një instikt mbijetese,
që e shtynin të mendonte se me t’u bërë « anëtar », do kishte më
hapësirë, siguri në jetë, në zhvendosje apo për botimin e librave. E ku ka
gabuar atëherë, nëse vërtet kjo ishte përllogaritja që bënte ! Sepse,
pikërisht, duke filluar nga kjo periudhë, retë e zeza nisin të grumbullohen…
Më
1970, kur ende nuk është anëtar partie, Kadare është zgjedhur deputet i
Tiranës. Në Lindje, le ta rikujtojmë, parlamentet nuk ishin veçse dhoma
regjistrimi dhe funksioni i deputetit që Kadarea « ka pasur » deri më
1982 nuk i dha mundësi veprimi për kurrfarë gjëje dhe as mundësinë më të vogël
pushtetore. Me veprën e tij dhe vetëm me të, ai ka qenë dhe mund të jetë ende
dobiprurës për kombin shqiptar. I zgjedhur deputet : pa një ditë të
bukur emrin e tij në një listë të të « zgjedhurve » pa e kërkuar
ndonjëherë këtë post ; sipas një metode të errët përqindjeje të
paracaktuar, regjimi ja që kish nevojë për një shkrimtar, meqë vendet e tjera
në Kuvend ishin zënë nga ingjinierë, punëtorë, etj. Ç’duhej bërë ? Të
kundërshtonte ? Do ishte gabim i rëndë me pasoja, veprim subversiv !
Kush nuk ish hapur pro, dyshohej thjesht për kundër. Mendimi i
Robespierit, futur nga vetë Hoxha, sundonte në vend. Në parathënien e tij për
përkthimin frëngjisht të Proçesit të Kafkës, Bernard Groethuysen e
përmblidhte tërthorazi, duke folur për Joseph K., atë çka do të ishte rregulli
bazë te Kadarea : « Që nuk jeni i lirë, gjithçka e provon këtë.
Përpiquni atëherë të thoni jo për çfarë të mundni. Gjithçka të detyrohet, gjithçka
është atje. »
Atëherë,
pranimi ? Apriori, kjo nuk të zotonte për asgjë, e megjithatë, – po kush
mund ta merrte me mend ? – ishte si të fusje një këmbë në grackën që
regjimi ngrinte për të kompormentuar të gjithë ata që guxonin të pretendonin
për një famë « ekstra-revolucionare ». « Populli dhe Partia ju
ngrejnë në majë të Olimpit, por nëse nuk i qëndroni besnikë, ju hedhin në
greminë », do t’i ketë thënë një ditë Kadaresë Ramiz Alia. Gremina !
Fare mirë do e kish njohur nga afër pasi i dorëzoi pa kujdes botuesit një poemë
titulluar Pashallarët e kuq, më 1975, ata « pashallarë të kuq…që
çojnë në varr arkivolin e Revolucionit ». Do qe flakur në të edhe gjatë
verës e vjeshtës së vitit 1973, gjatë fushatës së shtypit që shpërtheu kundër Dimrit
të Madh, orkestruar nga Enver Hoxha. Lëvizja nisi nga provinca për të
mbërritur më pas në Tiranë. Vetë Hoxha u shpreh për romanin në vjeshtë, gjatë
një fjalimi në Elbasan. Por kush e ndërpreu befas fushatën ? Një mirësi e
papritur e tiranit, që deshi të shmangte në Perëndim dhuratën e një Pastërnaku
të ri duke « e hidhëruar » kështu Shqipërinë me një çmim Nobel
disident ? Ose të qe vallë, më prozaikisht, infarkti i ri me të cilin u
godit diktatori në tetor 1973, që ia largoi Kadarenë nga mendimi ? Nga
viti në vit, Kadarea kaloi me sukses një pistë të gjatë me pengesa. Është e
vështirë të japësh, në Perëndim, shpirtin « fshataresk » në të cilin
ishte zhytur Tirana, ku sundonte një baraspeshë pushteti midis klaneve, ku
thashethemnaja kishte shtruar postiqet, përhapur nga vox populi, shërbimet
e fshehta apo smirashët e tërë kategorive ; qytet ku inteligjenca, tepër e
mbikëqyrur, ishte katandisur të takohej në tre a katër kafene mbushur me
mikrofona ; qytet-Janus, po aq sa stalinian edhe mesdhetar, ku mbretëronte
kallzimi e dyshimi, qytet ku miqësitë e vërteta ishin nga pasuritë më të çmuara
dhe merrnin një vlerë të pazakontë për Perëndimin ; qytet i banuar nga
nocionet e besës dhe mikëpritjes, të cilave regjimi donte t’i
zëvendësonte vetëm me ksenofobinë ; qytet, ku intelektualët ishin
tërësisht të magjepsur pas Perëndimit, Parisit… E pamundur të shprehësh në disa
rreshta frymën e këtij kryeqyteti baritor, që nuk munëronte më shumë se
200 000 frymë, përfshirë që atëherë në faqet e Dimrit të Madh dhe të
Koncertit.
Drejt prishjes
Asnjëherë
Kadarea nuk ra në greminën që i kurdisnin ndoca. Në sytë e disa funksionarëve
të lartë mediokër, ai përbënte një rrezik, por mediokër të tillë, nuk bënin gjë
tjetër veçse nënvlerësonin forcën e shkrimeve të tij ; për mendjet e mbara
që çanin një shteg drejt sferave të larta, ai mishëronte një vitrinë
dobiprurëse për Shqipërinë në sytë e botës së jashtme, por një vitrinë që
lypsej të mbikëqyrej nga afër.
Në
këtë mjedis të ngushtë, ku të gjithë « haheshin me shoshoq » apo
mbështesnin heshturazi njëri-tjetrin, urrejtjet, smirat dhe simpatitë u desh të
baraspeshoheshin për të bërë të mundur që Kadarea t’i shpëtonte greminës, edhe
pse mjaft herë, e shpunë në buzë të saj për ta kërcënuar me rrezikun që e
priste. Megjithëse i qortuar nga kritika, madje dhe nga pushteti (më 1982), i
detyruar nga viti 1975 gjer më 1978 të mos botonte romane, shkrimtarit iu
propozuan (imponuan) gjithashtu funksione nderi. Ai ishte anëtarësuar në
Partinë e punës më 1972. I nderuar jashtë, nuk kish si të jetonte në hije në
Shqipëri, por duke qenë gjithnjë « një i dyshimtë » për ministrinë e
Brendshme, iu besuan poste nderi. U bë kryeredaktori i Lettres albanaises,
botuar në shqip, por edhe në frëngjisht, u emërua gjithashtu nënkryetar i
Frontit demokratik, funksion tërësisht përfaqësues në gjirin e kësaj organizate
mase që numëronte katërmbëdhjetë nënkryetarë për një presidencë të
gjithfuqishme : Nexhmije Hoxha, Lady Makbeth shqiptare, e veja e tiranit.
Si të kundërshtonte ? Kur aq shumë do e kish dëshiruar ? Kadarea tashmë
e dinte se me kalimin e viteve, rrezikonte veç burgun ; e dinte se një
« aksident » ndodh shpejt, se autoritetet mund ta organizonin në
fshehtësi… Ah ! sikur edhe ai të kish pasur të drejtën e disa muajve për
errësirën e një qelie ! Ndërgjegja e mirë e vetë Perëndimit, kapur pas
situatash thjeshtësuese, antikomuniste gjer në palcë, do kish ulëritur në këtë
rast kundër poshtërimit që po i bëhej këtij Solzhenicini ballkanik, dhe ndoshta
do krijoheshin komitete, do qarkullonin peticione ! Një burgosje e tejzgjatë
veç do ngjallte detyrimisht respektin e intelektualëve parizianë… Por burg nuk
pati. Atëherë, me artin e skematizmit që karakterizon disa prej tyre, këta
intelektualë nuk panë te Kadarea veçse një « të afërm të së vesë [të Enver
Hoxhës], deputet nga 1970 gjer më 19821 » dhe konkluduan
drejtpërdrejt se në bazë të këtyre fakteve, « Kadarea është pjesë e
sarajeve2 ». Çfarë do kish
ndodhur nëse shkrimtari do kish hedhur vickla, do kish shpallur hapur
armiqësinë ndaj regjimit ? Me siguri vetvrasja e ngadaltë, nëpërmjet
mbytjes. Meqë do mbahej përherë e më shumë në një heshtje shterpë, Perëndimi do
e kish harruar, duke i qëmtuar gjetiu Havelët dhe Pliuçët e vet. Heshtje
shterpë, ndërkohë që me botimin aty-këtu të Gjeneralit të ushtrisë së
vdekur, kish filluar të flitej me terma pozitive për Shqipërinë dhe
kulturën e saj. Po riflitej për Shqipërinë e përjetshme. Pikërisht ky rezultat
e nxiti shkimtarin për « të restauruar ikonën » gjer më 1990.
Një
ikje në mërgim, a do t’i kish shërbyer diçkaje më 1983, kur ky mendim i erdhi
Kadaresë gjatë një vizite në Paris ? Në gjendjen e atëhershme, mund të
mendohet se regjimi shqiptar do e kish « tretur » këtë dezertim
nëpërmjet shpifjes. Më 1983, tirani kishte hyrë praktikisht në fazën e vet të
agonisë, dhe me të drejtë shpresohej se Ramiz Alia, princi trashëgimtar i
nomenklaturës, do të bëhej një despot më i ndritur. Nuk ndodhi kështu, sepse
klanet në pushtet përgjonin shoshoqin, neutralizoheshin, dhe në çdo rast
mund të tregonin se deri në ç’pikë tjetri qenkësh i korruptuar dhe
« social-tradhtar » : llogari në Zvicër, përvetësime të fondeve
publike… Kadarea duroi deri në tetor 1990 për të ikur në mërgim (ose më mirë,
sipas shembullit të Tomas Manit, nuk u kthye nga një udhëtim jashtë shtetit).
Priti për t’u larguar gjersa regjimi të paraqitej mjaft i dobësuar. Gjatë verës
1990, pas disa hapjeve, pushteti u ashpërsua. Për Kadarenë, kjo ishte një
disfatë e re e inteligjencies. Kupa ishte plot me atë çka deri atëherë ai
kishte kritikuar ashpërsisht më shumë : me mediokritet dhe zell të
shërbenjësve. Mediokritet i aparatçikëve, i përgjegjësve të sigurimit, i
intelektualëve rrogtarë, i smirashëve. Sipas këtij shkrimtari të pamëshirshëm
ndaj rëndomtësisë, vendi po vdiste nga mediokriteti i udhëheqësve të tij. Ajo
çka ai përllogariste me mendje të kthjellët ishte që të shkaktonte një
tronditje të domosdoshëm për « rigjallërimin » e vendit. Fare mirë ai
mund të qëndronte, përderisa gjendja po fermentonte. Por nuk mund të mohohet
megjithatë se largimi i tij luajti një rol katalizatori. Nga njëra ditë
në tjetrën, mendjet e zamkosura në pritshmëri, veç kur u gjendën përballë
problemeve, dhe të gjithë, nga ishin e s’ishin, u ndodhën përpara urgjencës për
t’i bërë ballë. Mërgimi i Kadaresë shpejtoi reformat dhe lëvizja studentore e
dhjetorit 1990 ishte zanafilla e rënies së stalinizmit. Disa e qortuan se u
largua në një çast vendimtar : do kish luajtur një rol më të rëndësishëm
në vend, thonin ata. Por gjatë lëvizjes studentore të vitit 1990, emri i tij
ishte në gojën e tërë kundërshtuesve të regjimit, dhe në euforinë e atyre
ditëve të ethshme, disa shihnin tek ai presidentin e një Shqipërie demokratike.
Duke u larguar, duke e bërë mbarë botën të flasë për Shqipërinë, Kadarea ruante
sërish figurën e vendit të tij. Të restaurohej ikona ! Ngrinte lart
krenarinë e atij kombi duke përcaktuar kufijtë e së durueshmes. Por tek disa
shkaktonte një shqetësim. Përse po ikën ? Ç’do të bëjë atje? Regjimi
kërkonte të jepte për të pamjen e një tradhtari.
Një
ambasador jashtë të zakonshmes
I dobishëm në vend vërtet, por nuk është se s’u përpoq. Qëkurse dara kish nisur të lirohej, Kadare kish përdorur ndikimin e tij shumë herë me radhë për ta shtyrë regjimin drejt demokracisë. Duke ndjerë se çka ishte e pamundur dikur, po bëhej pak nga pak e mundur, jepte intervista kritike, takonte politikanë, gjer edhe te presidenti Ramiz Alia, për ta bindur për drejtësinë e reformave. I duhej dhënë fund atij kulti të asketës kombëtare. Në pranverë 1990, takon Ramiz Alinë. Takim tjetër me Alinë, mes intelektualësh, gjatë verës, këtë herë për të kërkuar pluralizmin. Por periudha e hapjes kish përfunduar ; pushteti mblidhet në guaskë, nis të kërcënojë : mos shkoni larg ! Gjatë këtyre muajve të gjatë pritjeje, romanet e Kadaresë, a veprojnë vallë në ndërgjegje, apo mos kemi të bëjmë thjesht me një hamendësim? Dhe duhet të jetë sidoqoftë një pohim pafuqishmërie që e shtyn në tetor 1990 të kërkojë strehim në Francë : e pranon se u largua « duke mos pasur asnjë mjet tjetër për të bërë të njohur qartë dhe plotësisht pikëpamjen [e tij], meqë nuk ekziston në Shqipëri mundësia për opozitë legale […]1 ». Nëse librat do kishin ndikuar mjaft fuqishëm, ai as që do kish nevojë të largohej. Kush mund të masë, dhe me çfarë saktësie, përshtypjen e vërtetë të ikjes së tij në mërgim ? Shpifja ishte zëri i parë që u dëgjua. Kështu, një drejtues i Ministrisë së jashtme shqiptare thoshte : « Kadarea kishte folur për refugjatët si jashtëqitja e shoqërisë shqiptare ; tani, ai vepron si ta. » Pas tre muajve të ikjes të tij në mërgim, dëshirat që ai kish shprehur për vendin u plotësuan : u rivendos liria e kultit, pluralizmi politik, liria e shtypit, fundi i monopolit të Partisë mbi Shtetin… Jashtë shtetit, Kadarea nuk mbetet inaktiv, po kthehet në një lloj ambasadori lëvizës i « Shqipërisë së përjetshme ».
Nëse
ky ambasador jashtë të zakonshmes i referohet aq shpesh fondit mitik grek apo
ballkanik, nëse i drejtohet aedëve, Eskilit apo Kanunit, këtë e bën jo
për mungesë argumentesh, por për njëfarë sprapsjeje që ia dikton mendimi i tij.
Për të pasur një grilë leximi të botës lypsen zhalone të tillë që e tejkalojnë
kohën. E tashmja nuk është veçse një kursor zhvendosës mbi një ekran të madh.
Nëse në ndonjë rast, konkretisht që pas rënies së stalinizmit shqiptar, mund të
jetë dukur sikur Kadarea s’ka qenë në sinkron me pragmatizmin e gjithfarshëm të
popullsisë shqiptare, kjo vjen ngaqë ai gjykon nga larg, për koherencë, për të
mos humbur kohë me epifenomenet. Duke i dhënë fund mërgimit të tij në pranverë
1992, ai vijon ta kalojë shumicën e kohës në Paris, për të përfunduar e lëmuar
një vepër përtej-kohës, për të mos qenë i mbërthyer nga luftrat
ndikuese, për të mbetur disi mënjanë shpërthimit të etheve. Me vite, ai luan
rolin e një balize* që nxjerr rregullisht
sinjale, të dukshme për të gjithë. Duke dalë nga forsepsi* i një Evrope për të
hyrë në tjetrën, që nuk e do veçanërisht atë, Shqipëria nuk po i jep dot fund
mundimeve të veta, dhe megjithë evolucionet politike të kohëve të fundit, disa
nyje të lidhura ende nuk janë zhbërë, si ai i Kosovës, së cilës Kadarea i ka
kushtuar tregimin Vargu i dasmorëve ngriu në akull, që i bën jehonë
ngjarjeve të përgjakshme të Prishtinës në pranverë 1981. Kadare i rikthehet
shpesh fatit të këtij rajoni populluar në pjesën më të madhe nga shqiptarë,
duke vënë në dukje faktin se në Evropë, nuk ekzistojnë më kombe të tjerë, që të
kenë gati gjysmën e popullsisë nën sundimin e një shteti, Serbisë, e cila ia
mohon krejt të drejtat. Shkrimtari kërkon të trondisë opinionet, të shmangë
harresën dhe nuk ngurron të flasë për « tragjedinë » e Kosovës, për
« ferrin që rëndon mbi shpatullat e dy milionë shqiptarëve ».
Mbrojtës i flaktë i të drejtave të shqiptarëve, ai e qorton Perëndimin për
heshtjen e tij ndaj Kosovës, së cilës serbët i hoqën autonominë më
1989. Ndaj qarqeve pushtetore të Beogradit, ndaj Titos dhe veprimeve të
tij mashtruese, ai nuk i kursen fjalët më të ashpra.
Besnik
ndaj vetvetes
Qëndrimi
i tij, që ka të bëjë me prapsjen, për të analizuar të tashmen nëpërmjet filtrit
të së shkuarës, është në fund të fundit shumë koherent me konceptin e kohës që
ai zhvillon në veprën e tij, bazuar, për ta përmbledhur, mbi nocionin e
rikthimit të përjetshëm. E ardhmja është një formë e së shkuarës, e tashmja nuk
është veçse një pllakë e ndjeshme, sikurse çdo tjetër, për të kapur e
fiksuar mitin.
Rënia
e stalinizmit nuk pati vetëm pasoja pozitive për shkrimtarët shqiptarë. Pasi
qenë kërkuar me ngulm – të paktën ata që në shpirt nuk ishin shërbëtorë – pasi
qenë përkëdhelur kur shpresa kalonte nëpërmjet tyre, ja tek i shohim të ribien
në hije. Statuti i shkrimtarit zhvleftësohet. Të tjera vlera marrin stafetën,
më pragmatike, për t’i rënë grepit të peshkimit : paraja dhe pushteti,
ëndrrat me çmim të lirë importuar nga Perëndimi. Me zhvillimin e një shtypi
« të lirë », secili mund të shajë tjetrin nëpërmjet rrugës së
shtypit. Në një botë në hapje të plotë, letrësia nuk është ajo që sjell
ëndërrat : ajo sillte atë pjesë të botës që u ishte ndaluar shqiptarëve.
Përplasjet e ashpra midis politikanëve e zhgënjejnë shpejt Kadarenë, e bindin
në qëndrimin e tij për të mbetur përmbi trazirën. Ashtu sikurse kishte
deklaruar në fund të vitit 1990, se mërgimi i tij nuk do të ndikonte pothuaj
apo aspak në mënyrën e tij të të shkruarit dhe në « lirinë e tij të
brendshme », ai gati s’e ka ndryshuar mënyrën e tij të të menduarit të
botës. Disa shpresa janë zhgënjyer, ndër ato që ai shihte tek njeriu. Por fati
i tij nuk është i vetëm. Krejt vendet e ish bllokut socialist i zhvleftësuan intelektualët
e tyre. Rikthimi i Solzhenicinit u bë në kuadrin e një indiference relative.
Shqipëria
nuk u hodh në gjueti shtrigash ndër ata që i llogariste si shkrimtarë apo
artistë. Dritëro Agolli, që kryesoi Lidhjen e shkrimtarëve gjatë pesëmbëdhjetë
vjetëve dhe ishte anëtar i Komitetit qendror të Partisë, ruajti një figurë
shkrimtari të vlerësuar, si dhe Kadarea. Veçse në këto kohëra, kur ekonomikja
dhe politikja janë primare, a lexohet vallë shumë ? Mes katrahurës,
Kadarea ndjek me ritëm të barabartë një refleksion për baraspeshat e reja që po
vendosen, për atë të shkuar që rizgjohet parreshtur dhe për historinë që
përsëritet ; makineria e rikthimit të përjetshëm rrotullohet e
rrotullohet. Tregimet Muri i Madh (1993) dhe Kisha e Shën-Sofisë (1994)
bëjnë pjesë në atë grilë leximi që e bëjnë Ismail Kadarenë një
« ndërgjegje », moskokëçarëse ndaj mënyrave të gatshme-të-mendimit.
Cilatdo qofshin dredhat e fatit të tij përmes viteve të plumbta, duhet t’i
njihet merita se ka kundërshtuar pushtetin (e vërtetë) kur është shfaqur tek
ai, dhe se nuk e ka braktisur rrugës kryqin që ka zgjedhur për ta mbajtur që në
rininë e vet.
Shqipëria
utopi – Me dyer të mbyllura në Ballkan,
Paris,
1996.
Maurice
DRUON*
ISMAIL KADAREA ËSHTË NJË
NDËRGJEGJE
Fjala e Z. Moris Dryon,
Sekretar i përhershëm i Akademisë Franceze dhe Kryetar i Jurisë për Çmimin
Botëror Cino del Duca, gjatë ceremonisë për dhënien e këtij Çmimi Z. Ismail
Kadare, më 28 tetor 1992.
Në
çastin e parashtrimit të arsyeve që na çuan për dhënien e Çmimit botëror Del
Duca Ismail Kadaresë, mendova se s’kish pse të zija e t’i numëroja ato kur
gjithçka ishte e qartë. Dhe kjo qartësi e ka një emër : Ismail Kadarea
është një ndërgjegje.
Ai
mishëron dhe ilustron funksionin më të lartë të shkrimtarit kur ky, me penë për
të vetmen armë, ndërhyn në historinë e vendit të tij, pra të njerëzimit, që të
bëj të dëgjohet, nën kapën e zezë të shtypjes, fillimisht murmurima, më pas
zëri i qartë dhe më në fund klithja e lirisë.
Gjirokastra
është një qytet i vogël në Jug të Shqipërisë. Aty lindi Kadarea më 1936, në një
shtëpi gjysmë të rrënuar që i ati dhe një fqinj përpiqeshin ta mbanin më këmbë.
Ky qytet i vogël mbeti i shtrenjtë në zemrën e Kadaresë, dhe shfaqet shpesh në
veprën e tij, si një simbol.
Është
tetë vjeç kur diktatura, e vetmja gjatë një historie mijëvjeçare, mbërthen
vendin e tij. Ndjek detyrimisht një arsimim dozuar sipas metodës marksiste,
makinë konformuese e mendjeve. Por shpejt sheh se ka një botë tjetër, një atdhe
tjetër që i duket « më i fuqishëm, i ngjyruar e magjepës ». Kjo
hapësirë e lirë, kjo tokë strehuese është letërsia.
Ndjek
studimet në Fakultetin e Letrave të Tiranës dhe i përfundon ato në Moskë, në
Institutin Gorki, ku formohen shkrimtarët dhe kritikët. Përherë i njëjti kallëp
zyrtar e totalitar. Po ku gjetkë do mund të shkonte ? Megjithatë, i hyn
letërsisë. Kjo, sipas tij, nuk ka veç një qëllim : të ruajë
tempullin. « Për atë tempull, ka thënë ai, shkrimtari duhet të jetë gati
për t’i bërë ballë kujdo. Madje edhe kohës së gjithfuqishme. Madje edhe
popullit mosmirënjohës. Madje edhe historisë ». Tempulli, të merremi vesh, është njeriu,
individi.
Në
moshën shtatëmbëdhjetë vjeçe, Kadare, talent çuditërisht i hershëm, boton
vëllimin e tij të parë me poezi, dhe romanin e parë : Kronikë e një
qyteti të gurtë**, ku shfaqen tashmë temat
dhe procedimet që do formojnë unitetin e veprës së tij.
Pas
prishjes midis Shqipërisë dhe Bashkimit sovjetik, Kadare kthehet në tokën e tij
të lindjes, ku bëhet gazetar për të jetuar. Shqipëria është atëherë krejt e
shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Asnjë këmbim, thuajse, madje as me Lindjen.
Ky shtet i vogël kthehet kështu në një botë mbyllur në vetvete dhe nënshtruar
ndaj tërë recetave të tiranisë. Megjithatë, revista letrare Les lettres
albanaises, që drejton Kadarea, do të shfaqet në frëngjisht, gjë që tregon
më së miri se nga Parisi pritet rrezja e dritës që depërton në këtë qilar.
Ismail
Kadarea ka shumë të drejtë të besojë në fuqinë e letërsisë. Talenti çan
kufijtë.
Gjenerali
i ushtrisë së vdekur,
roman përkthimi i të cilit botohet në Francë më 1970, i njofton botës letrare
të vëmendshme se atje, në Shqipërinë e shtrënguar, është shfaqur një shkrimtar i madh. Dhe kjo, para njëzet e
dy vjetëve.
Që
atëherë, rëndësia e Kadaresë dhe fama e tij nuk kanë rreshtur së shtuari, në të
njëjtën kohë që zhvillohej vepra e tij, e konsiderueshme dhe e larmishme.
Trembëdhjetë
romane, nga Prilli i thyer te Piramida që u botua këtë vit,
përmbledhje tregimesh, vëllime me poema, një antologji e prozës shqiptare, një
ese e gjatë mbi Eskilin, apo këtë humbës të madh, mjaft tekste të tjerë,
të gjitha këto të botuara në dymbëdhjetë vende a më shumë.
Ismail
Kadarea është një shkrimtar kontrabande. Dua të them me këtë se fabulën,
mitologjinë, legjendat e vjetra turke a shqiptare, apo legjendat e trillëta që
i sajonte vetë, ai i ka përdorur si ambalazhe të padëmshëm a të sigurt për të
kaluar rrëshqanthi mjetet mendore të lirisë nën hundën e doganës intelektuale.
E
dimë nga përvoja, duke qenë se kemi jetuar edhe vetë nën pushtimin, se sa
situatat e historisë së largët apo personifikimet e lashta të revoltës mund të
jenë, përballë çensurës, mjete ndihmëse për të denoncuar shtypjen dhe për të
zgjuar ndërgjegjet.
Nën
këto strehëza, dhe falë një përfytyrimi pjellor, Kadarea ka ditur të zbërthejë
pamëshirshmërisht mekanizmat me anë të të cilave një pushtet arbitrar mund të
rëndojë mbi shpirtrat e të vendosë terrorin.
Kam
parasysh librin e tij Pallati i ëndrrave, ku një tiran fabrikon një
polici të tërë për të zbuluar deri edhe në gjumin dhe ëndrrat e qytetarëve, të
shtetasve, më mirë të themi, çdo shenjë që do mund të kundërshtonte apo
kërcënonte pushtetin e tij.
Kam
parasysh gjithashtu atë tregim të shkurtër, ku me një urdhëresë shpallej
kërkimi dhe eliminimi i të gjithë njerëzve që kanë « syrin e keq ».
Dhe gjithkush heton fqinjët, familjen, kalimtarët që kryqëzon në udhë ;
dhe kallëzimet lulëzojnë ; dhe arrestimet vijojnë ; dhe ankthi
depërton në shpirtra, e gjithsecili veç kur shihet në pasqyrë duke pyetur vetveten
nëse edhe vetë ka « syrin e keq ». Përkryerje e tiranisë :
ta bësh popullsinë të jetojë nën kërcënimin e përhershëm e hutues të një
fajësie të beftë për një krim të papërcaktuar. Mezi mund të flitet për simbol a
alegori. E dimë fare mirë se si Stalini dhe tërë konkurruesit e tij në botë
kanë shpënë drejt gulakut apo ekzekutimeve kapitale anëtarë të rrethit të tyre
thjesht për një këmbim vështrimi.
Kadarea
përgënjeshtron – siç e thotë edhe vetë – « klishenë sipas së cilës nuk
mund të krijohej letërsi e vërtetë nën një diktaturë komuniste ». Duke e
marrë rrezikun në sy, ai krijoi një letërsi klandestine, jo për nga
shpërndarja, por për nga vetë përmbajtja ; ai krijoi një mbretëri letrare,
duke e ditur fare mirë se « shkrimtari është ndër sovranët më i godituri
lehtësisht ». I izoluar, e ka ndjerë veten « si një pemë shënuar me
kryq për t’u prerë ».
Nuk
i ndodhi kështu.
Historia
ktheu.
Dëshmitar
i Shqipërisë, dëshmitar për Shqipërinë, Kadarea u bë universal. Këtë çast,
jeton në Paris, ku mori strehim politik. Por, tashmë shkon edhe në vendin e
tij, ku admirohet dhe, le ta theksojmë, që është një nga vendete Evropës ku
frëngjishtja praktikohet më shumë. Dhe Kadarea vijon veprën e tij.
Kjo
vepër i përgjigjet më së miri vetë frymës së çmimit Cino del Duca : të
nderojë një kontribut që shquhet për humanizmin e kohës.
Andaj,
në këtë vit 1992, juria që kam nderin të kryesoj parapëlqeu, i talentuari
Ismail Kadare, që ju kam lexuar shumë, por që ju shoh për herë të parë, t’ju
zgjedhë për këtë Çmim që do t’ju jepet nga vetë themeluesja e tij bujare.
Alain PLANTEY
Alan
Plante (1924), Kryetar i Akademisë Franceze dhe i Institutit të Francës që nga
viti 1996, me karierë të ndritur shkencore, juridike, diplomatike dhe autor i
mbi njëzet veprave e punimeve akademike.
ROMANCIER I MADH E I
HERSHËM
Ceremonia
solemne për anëtarësimin e Z. Ismail Kadare në Akademinë franceze të Shkencave
Morale e Politike. Seanca e ditës së hënë, 28 tetor 1996, Paris, Pallati i
Institutit të Francës.
Fjala
e Z. Alain PLANTEY, President i Institutit, Kryetar i Akademisë,
Zoti
Ministër,
Shkëlqesia
e Tij Z. President i Republikës së Shqipërisë ju ka deleguar për ta përfaqësuar
në ceremoninë gjatë së cilës Z. Ismail Kadare do të zërë vendin në cilësinë e
anëtarit shok të Akademisë sonë.
Akademia
është e ndjeshme ndaj nderit që po i bën Shkëlqesia e Tij Presidenti Sali
Berisha dhe nderit që po i bëni ju vetë. Ajo ju përshëndet në mënyrë të
veçantë, si dhe Shkëlqesinë e Tij Z. Ambasador të Shqipërisë në Paris dhe
kryetarët e tjerë të misioneve diplomatike që nderojnë me praninë e tyre këtë
seancë solemne.
Mesazhi
që Shkëlqesia e Tij Z. President i Republikës së Shqipërisë na ka dërguar është
si më poshtë :
« Zoti
President Berisha e konsideron futjen e shkrimtarit të madh Kadare në Akademinë
e Shkencave morale e politike si një ngjarje me rëndësi të veçantë për të
gjithë kulturën shqiptare dhe si një dëshmi e përpjekjeve fisnike që bën Franca
për të bërë të njohur kulturën dhe historinë shqiptare. Shqipëria do t’i jetë
gjithmonë mirënjohëse ».
Akademia
është e ndjeshme ndaj kësaj dëshmie dhe falënderon autorin e saj të shquar.
Sipas
zakonit, po i drejtohem tani kolegut tonë të ri.
Zotëri,
Akademia
e Shkencave Morale e Politike ju ka thirrur kohët e fundit për të pasuar
filozofin dhe moralistin e madh Karl Popper, në cilësinë e anëtarit shok. Ju
bashkoheni kështu me personalitete të tjera të larta të huaja, sigurisht në
numër tepër të kufizuar, duke pasur parasysh internacionalitetin e kulturës dhe
shkencës. Sigurisht, Akademia ju njihte tashmë sepse, duke pasur parasysh
meritat tuaja të shkëlqyera, ju kishte zgjedhur, më 1989, korrespondent në
seksionin e saj të Historië e Gjeografisë. Pas pak, kolegu ynë Henri Amouroux
do ketë misionin e madhërishëm të kujtojë karakteristikat kryesore të
personalitetit dhe veprës suaj, ku kudo vihen në dukje cilësitë tuaja.
Unë,
nga ana ime, do dëshiroja ta shihja këtë anëtarësim tuajin, unanim, në
kontekstin e vet ideologjik e historik. Sepse, ndërsa jeni, pamëdyshje,
shkrimtar, veprat tuaja në mbarë botën kanë një kuptim të fuqishëm, therrës nga
disa aspekte të tmerrshme, që i bën ato të jenë akte politike. Autoritetet
tuaja kombëtare nuk kanë gabuar. As edhe turma e lexuesve tuaj, të vëmendshëm
për shprehjen e anktheve shekullore të një pjese të Evropës sonë të vjetër dhe
të tronditur nga ngjarjet dramatike që po zhvillohen sot atje. Sepse, duke ju
zgjedhur ju, ne zgjedhim sigurisht një evropian, por një evropian të një lloji
të veçantë, një ballkanik, një shqiptar për më tepër, përfaqësuesin e shquar të
një prej kombeve dhe një prej kulturave më saktësisht ballkanike. Nga
« Ballkani », domethënë nga malet, nga gadishulli, morfologjia e të
cilit është me origjinalitet hutues, tokë kalimi për klima të pamata dhe erëra
të egra, kryqëzim rrugësh midis stepës së ashpër dhe butësisë së brigjeve,
kryqëzim qytetërimesh. Parë nga avioni, për një aziatik, Ballkani është tashmë
Evropë, me horizontet e veta të kufizuara, Evropë me gardhinë, por asnjëherë e
padepërtueshme ; për një perëndimor, Ballkani prapë është Evropë, por sa i
vështirë për t’u njohur, me fusha të fragmentuara, lugina të ngushta, rrafshina
të rrepta, maja honesh, fise të shpërndara. Në Shqipëri, më mirë se kushdo e
dini ju vetë, Zotëri. Copëzimit të tokave i përgjigjet copëzimi i popujve.
Gjithë vëzhguesit janë në një mendje : duke shkuar madje edhe në neolitik,
nuk ekziston njeriu ballkanik, i racës ballkanike. Migrime e invadime
mbivendosën shtresa etnike, përzien tipet fizikë, ndërlikuan karakteret
njerëzorë dhe marrëdhëniet shoqërore. Pellazgë, dorë, galë, ilirë, skitë,
romakë, gotë, bizantinë, hunë, bullgarë, serbë, turq u ndeshën e luftuan. Të
gjithë lanë gjurmë, askush nuk unifikoi gadishullin. Feja, si element
identiteti popullor, vetëm për këtë fakt ishte një faktor armiqësie, fillimisht
midis të krishterësh me bindje të kundërt, më pas e sidomos midis të
krishterësh e myslimanësh kur sovraniteti otoman përfitoi nga këto ndarje për
t’u ngulur qëndrueshëm nëpërmjet forcës ushtarake, madje dhe në Shqipëri, ku në
shekullin XV lufta për pavarësi ngadhnjeu për një çast me Gjergj Kastriotin e
ndritur, nën emrin Skënderbe. Që përpara këtij shpërthimi, tërë fuqitë
evropiane u joshën nga aventura ballkanike, secila për hesap të vet, natyrisht.
Italia romake, sigurisht, pastaj veneciane, dhe më në fund fashiste. Duke ardhur
nga Danubi, gjermaniteti austriak e aleman, katolik, por herë-herë aleat me
myslimanët, shoqëruar nga dinamizmi hungarez ; thalasokracia angleze që
dominonte ishujt dhe portet mesdhetare ; pansllavizmi rus e ortodoks duke
u përpjekur të vasalizojë kombet e shfaqura për t’iu afruar porteve ;
kultura e lirisë gjithashtu, simbolizuar nga Franca, nga letërsia, drejtësia,
filozofia e saj dhe përfaqësuar po ashtu nga sakrifica e ushtarëve të saj,
varret e të cilëve janë piketat e përparimit të trupave çlirimtare të Franchet
d’Esperey.
Kështu,
zënkat që përçajnë popujt ballkanikë i kanë bërë vendet e tyre fusha betejash,
ku të huajt kanë ardhur për t’u ndeshur gjatë shekujve. Rivalitetet u shtuan
menjëherë pas shpërbërjes dhe shuarjes së mbisundimit otoman. Një çast,
sunduesit u quajtën « fuqi me interesa të përgjithshme » dhe u
shfaqën si anëtarë të përhershëm të një koncerti evropian, por që shpejt u
thye. Problemet strategjike të kësaj pjese të botës janë aq ngulmuese, saqë
përballë Ballkanit, nuk ka Evropë të bashkuar. Ballkanikët e dinë, dhe e vënë
këtë kartë në veprim.
Përmenda
rolin politik, diplomatik e kulturor të Francës në këtë Evropë ende duke u
bërë. Me ju, Zotëri, bëhet fjalë pikërisht për një gjë të tillë. Në fakt,
popujt ballkanikë, secili në gjuhën e vet ringjallur nga murgjit, poetët,
oratorët, në periudhën dhe shembullin e zgjimeve hungareze, polake, çeke,
gjetën forcën për të hedhur poshtë sundimin osman. Pas veprës së Sirilit e
Metodit, gjuha liturgjike u vendos tek sllavët, dhe më pas gjetiu. Megjithatë,
ishin gjuhët e folura Iaike të lashta që, falë letërsisë së shkruar a gojore, u
lartuan në godina kulturore gjatë shekullit të kaluar : konkretisht,
rumanishtja, serbo-kroatishtja, bullgarishtja, shqipja. Por këto gjuhë të
folura jetojnë në mënyrë autonome, aq sa në këtë hapësirë të vogël
bashkëjetojnë katër alfabete të ndryshëm, secili në shkrimin e vet. Kështu
gjuha, dukuri e natyrshme, erdhi në mbështetje të prirjeve kombëtare në një
gëlim të ri, ku Shqipëria dha shembullin. Dukuria kombëtare gjeti shprehjen e
vet me shfaqjen e shteteve, të brishtë për aq kohë sa përzjerja e popullsive
pengoi pranimin e kufijëve të vërtetë. Fe e gjuhë u bashkuan për të krijuar
zënka të pafunda. E vetme, trashëgimtare e popullit ilir të Lashtësisë, por në
një hapësirë më të kufizuar nga ajo që zinte, Shqipëria diti, që para Luftës së
Parë botërore, të afirmojë në tërësi, identitetin e vet territorial,
institucional e gjuhësor mbi themelin e formave organizative dhe shprehëse
patriarkale, me origjinë indo-evropiane, dhe ndikuar gjerësisht nga trashëgimia
latine.
Megjithatë,
kujtesa kolektive e popujve të Ballkanit, dhe konkretisht e popullit shqiptar,
mbart gjurmët e shekujve të sundimit otoman, duke qenë se Turqia ushtroi aty
një qeverisje politike të ngushtë, tek përzgjidhte drejtues që i vinte në krye
të punëve në krejt perandorinë dhe në krye të ushtrive, por edhe tek bënte
vjelje taksash, të lashtash si dhe djemsh rekrutë. Me t’u shmangur një shtypje
e tillë, pasoi, për fat të mirë jo për një kohë të gjatë, shtypja e
konformizmit komunist, stalnian ose jo,
një nga viktimat e së cilës ishte edhe Shqipëria. E krishterë para se të bëhej
myslimane në pjesën më të madhe, më pas gjerësisht laike, ky komb kishte
ruajtur në gjirin e perandorisë osmane origjinalitetin e vet falë forcës së
traditave dhe karakterit të popullit të tij. Romanet tuaja dëshmojnë për këtë.
Por atdheu juaj nuk mundi t’i shpëtojë diktaturës së një oligarkie që tregohej
maoiste dhe që, më 1967, shkoi gjer aty sa ndaloi praktikat fetare.
Tek
ju, Zotëri, shtypja karakterizon njeriun dhe veprën. Ajo ju shtyu përpara, ju
dhe talentin tuaj. Ajo ju drejtoi drejt vërtetësisë dhe fuqishmërisë. Romancier
i madh e i hershëm, ju lëshuat një mesazh me përmbajtje mobilizuese, duke
sjellë në botë, dhe konkretisht këtu, provën e forcës dhe të efektshmërisë së
thirrjes drejt lirisë kur është e çiltër dhe gjithë talent. « Vendi i
Shqipeve » ishte vendi i diktaturës së fundit marksiste regresive. Këtë
diktaturë, ju e luftuat. Vepra juaj e luftoi, vepër tërësisht e drejtuar kundër
totalitarizmit, formave të tij të shumta e të ndryshme. Nëse sot, si shumë në
Evropën qendrore e ballkanike, Shqipëria sheh drejt Perëndimit liberal, ky
Perëndim, prej të cilit në fakt komunizmi kishte frikë, është sidomos falë
jush. Këtë thirrje Franca e dëgjoi. Jehona e saj oshëtin në një periudhë
turbullire të madhe, kur të gjithë, dhe konkretisht popujt e Ballkanit kërkojnë
të dinë se ç’fat mbijetese do njohin pavarësia dhe qytetërimi i këtyre kombeve.
Më shumë se gjetiu, në Ballkan përplasjet kulturore kanë qenë nga më mizoret. A
nuk na ka trashëguar vetë Greqia e lashtë llahtarën e tragjedive më të
këqija ? Por, nga këto drama mizore, a nuk bëri të lindë bukuria më e
kulluar ?
Tani,
në vend të kultivohen kundërshtitë dhe rivalitetet, le të kërkojmë
ngjashmëritë. Të përbërë ose jo në kombe, madje në shtete përreth kryeqytetesh
të bukur, popujt ballkanikë nuk kanë bashkëjetuar gjatë shekujsh, madje
mijëvjeçarësh, mbi të njëjtën tokë, pa përngjasuar doket dhe zakonet e tyre.
Kudo, dashuria për një tokë të vështirë, forca e traditave familjare,
kundërvënia midis fshatarëve e qytetarëve, kulti i nderit çuar gjer në krim,
shija e lirisë, zelli romantik, lindur pjesërisht nga ilirizmi napoleonian,
tërësi karakteresh, ku konstatojmë, mjerisht, fuqinë eksplozive e anarkike,
ndërkohë që mund të themelojnë aty paqen, sidomos kur shoqëria moderne e ka
zvogëluar forcën e aristokracive dhe të feudaliteteve, ka futur shijen e
informacionit të mediatizuar dhe të të mirave të konsumit, ka stimuluar laicitetin
në marrëdhëniet midis bashkësive.
E
vërteta është se që prej një shekulli, Ballkani ka dhënë e vazhdon të japë
shembullin e veçantë të një rizgjimi politik mbështetur mbi ringjalljet
kulturore, energjike e spontane. Urrejtja nuk është aty një traditë, ajo është
ndërtuar nisur nga një larmi e ligjshme, e respektueshme, për më tepër mbrojtur
nga kozmopolitizmi turk. Këtyre popujve të lënduar, elitat e të cilëve ndihen
të braktisura, është koha t’u lëshohet një mesazh shprese. Kush më mirë se
Franca mund t’u shprehë vlerësimin që meriton secili prej qytetërimeve të tyre,
nxitjen në rrugën e lirisë demokratike dhe dashurinë për një Perëndim evropian
sot të bashkuar, paqësor e paqësues, po qe se ky vetë nuk bie, nga ana e tij,
në njëfarë tribalizmi ngjallur në mënyrë inkoherente ?
Në
këtë kuptim gjithashtu, zgjedhja juaj në gjirin e Shoqërisë sonë ka vlerë
morale, atë të respektit që secili i detyrohet identitetit dhe origjinalitetit
të tjetrit. Qoftë për persona, qoftë për fise apo shtete, parimi është i njëjtë :
paqja nuk vendoset as në tokë, as në zemra pa një rikthim në themelet e
shoqërive. Në Ballkan, është fjala për atë lidhje pas një qoshku tokeje, për
atë zell të solidariteteve tradicionale, por edhe për atë tolerancë të fetarëve
e feve, për hapje të rrugëve komunikuese, aq të domosdoshme për mirëkuptimin e
ndërsjelltë të njerëzve, për rikthimin e elitave, shumë prej të cilëve janë
formuar në Francë, për këmbimin e vlerave dhe ideve.
Cilido
qoftë ndërmjetësimi i këtij apo atij institucioni ndërkombëtar, cilado qoftë
diplomacia e kësaj apo asaj fuqie të jashtme, vepra nuk mund të jetë veçse
sipërfaqësore dhe e përkohëshme nëse përpjekja për disiplinë dhe tejkalim të
antagonizmave nuk vjen nga popujt e interesuar dhe veçanërisht nga elitat e
tyre. Perandoritë janë zhdukur, por kush nuk e sheh se sa kanë mbetur të
ndërvarur popujt e Ballkanit ? Në të ardhmen, fati i tyre do të jetë po aq
i lidhur sa në të shkuarën. Fati i tyre i vërtetë është pra të qëndrojnë e
jetojnë në harmoni. Ka ardhur pra çasti të sinjalizohet kundërshtia ndaj
thjeshtimeve fanatike e të dhunshme, të rikthehet mikëpritja shekullore dhe e
shenjtë për të huajin, të bashkohen fiset e kombet brenda respektit të
ndërsjelltë të interesave, kulturave dhe feve. Atëherë, origjinaliteti i gjithkujt mund të përbëjë forcën e aleancës
së tyre.
Ju
keni treguar, Zotëri, fuqinë etike e politike të mesazhit letrar, kur ky mesazh
mbështetet mbi kurajon dhe talentin. Vendi juaj është më së miri mes nesh.
* Nënë Zhigonja apo Zonja Zhigonjë, personazh teatri krijuar më 1602 që përfaqëson një grua gjigande nga palat e fundeve të së cilës dalin një mori fëmijësh. Në formë mbiemërore, thuhet gjithashtu për objekte të ngjashëm, madhësia e të cilave vjen duke u zvogëluar, dhe që mund të futen brenda njëri-tjetrit.
** Që ka të bëjë me manikeizmin, botëkuptimin dualist të së mirës e së keqes.
* Në ekologji, mjedisi biologjik i përcaktuar, që i jep një biosenoze kushte banimi relativisht të qendrueshme.
** Shqip në tekst.
* Fjalim i ashpër.
** Shqip në tekst.
1 Kush e solli Doruntinën?, Muzgu i perëndive të stepës, Hija.
1 Sipas Valeurs actuelles, 12 mars 1990.
2 Po aty.
1 Deklaratë e botuar nga Ismail Kadarea më 25 tetor 1990.
* Shenjë në det për t’u treguar udhën anijeve.
* Instrument obstetrikal në formë pince, që shërben për të kapur kokën e fetusit me qëllim që të lehtësojë daljen e tij në disa raste lindjesh të vështira.
* Shih f. 630 të këtij vëllimi.










