E marte, 27.01.2026, 10:48 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Anëtarësimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes, një akt i domosdoshëm

E marte, 27.01.2026, 06:56 PM


Prof. Blerim Latifi:

Tashmë po kuptohet qartë: koha në të cilën po jetojmë karakterizohet nga një çarje rrënjësore e rendit ndërkombëtar liberal që u konsolidua pas Luftës së Ftohtë.

Lufta e tejzgjatur në Ukrainë, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, rivaliteti strategjik SHBA–Kinë dhe dobësimi i institucioneve multilaterale kanë rikthyer në qendër të politikës botërore një parim të vjetër, por kurrë të tejkaluar: interesi kombëtar êshtë ligji më i lartë i shtetit.

Në këtë kontekst, veprimet diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, konkretisht anëtarësimi në Bordin e Paqes të iniciuar nga presidenti Donald Trump dhe vizita domethënëse e kryeministrit Edi Rama në Izrael, përbëjnë akte të qarta të asaj që qysh nga Rishëlje quhet "arsye shtetërore"

Në historinë e filozofisë politike që nga Tukididi e Ciceroni në antikitet, e deri te realizmi modern i Thomas Hobsit e Hans Morgenthaut, siguria dhe mbijetesa e shtetit janë prioritet absolut. Aleancat, vlerat dhe diskurset morale nuk janë qëllime në vetvete, por mjete që burojnë nga ky prioritet. Shtetet e vogla, më shumë se kushdo tjetër, janë të detyruara ta kuptojnë këtë ligj të hekurt të politikës ndërkombëtare.

Pra anëtarësimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk duhet lexuar si një gjest simbolik. Ai duhet kuptuar si një akt i domosdoshëm i lidhjes me qendrën kryesore të fuqisë globale: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një kohë kur Europa është bllokuar nga hezitimi strategjik e ndarjet e brendshe politike, ndërsa Rusia dhe aleatët e saj, si Serbia, kërkojnë revanshizëm historik, lidhja direkte me arkitekturën amerikane të sigurisë mbetet garancia e parë dhe e fundit për sigurinë e hapësirës shqiptare në Ballkan.

Në të njëjtën linjë duhet kuptuar edhe vizita e Edi Ramës në Izrael. Izraeli nuk është thjesht një shtet në një konflikt që duket se nuk merr fund kurrë. Ai është një nyje strategjike ku ndërlidhen interesat e SHBA-së, teknologjia e avancuar ushtarake, inteligjenca globale dhe diplomacia e fortë. Afrimi me Izraelin është, në thelb, një investim në siguri, njohje dhe ndikim ndërkombëtar. Pra për një shtet të vogël, kjo nuk është zgjedhje ideologjike, por domosdoshmëri strategjike.

Kritikat e lluzerave majtistë e injorantëve islamistë se këto veprime “cenojnë ndjeshmërinë morale” ose “rreshtojnë shqiptarët në mënyrë të njëanshme”  kanë një të metë thelbësore: ato e keqkuptojnë natyrën e politikës ndërkombëtare.

Morali, në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk zhduket, por gjithmonë filtrohet përmes interesit. Siç do të thoshte Morgenthau, shteti që sakrifikon interesin kombëtar në emër të një morali abstrakt, përfundon duke i humbur të dyja.

Për shqiptarët, të ndarë në dy shtete të vogla e të brishta, dhe të rrethuar nga një histori e gjatë e pasigurive gjeopolitike, universalizmi moral është luks i papërballueshëm. Pozicionimi dhe besnikëria proamerikane dhe investimi në aleanca reale janë kusht vendimtar për mbijetesën e tyre në anarkinë ndërkombëtare që po troket në dyert e botës. Çdo opcion tjetër êshtë rrugë e sigurtë drejt theqafjes kombëtare, të cilën shpesh e kemi përjetu gjatë historisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx