Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Kur mendimtarët e mëdhenj e bëjnë bërllog
E premte, 09.01.2026, 06:55 PM
Kur mendimtarët e mëdhenj e bëjnë bërllog
Nga
Prof. Blerim Latifi
Edhe
pse filozofia, në thelbin e saj, është një mendim mbi dhe për lirinë, nuk janë
të pakët emrat e saj që, në momente të caktuara historike, kanë devijuar nga ky
parim duke u rreshtuar në krah të ideologjive apo sistemeve të ngritura mbi
shkatërrimin e lirisë. Madje, shumë prej këtyre emrave janë figura qendrore të
kanonit filozofik. Një prej tyre ishte Heidegger-i, i cili në vitin 1934 pranoi
të rreshtohej në anën e nazizmit. Jean-Paul Sartre, filozofi i lirisë dhe i
ekzistencializmit, për një periudhë jo të shkurtër, ushqeu simpati dhe shkroi
justifikime për stalinizmin dhe maoizmin, dy ideologji të mëdha të shekullit XX
që lanë pas miliona viktima.
Ky
paradoks i dhimbshëm i historisë së filozofisë, mendimi i lirisë i shoqëruar me
verbëri politike, mu kujtua sërish ndërsa po lexoja lajmet për revoltat
qytetare në Iran kundër teokracisë totalitare të ajatollahëve. Revolucioni
Islamik i vitit 1979, i cili solli në pushtet këtë teokraci, pati një apologjet
të rëndësishëm edhe në filozofinë perëndimore: Michel Foucault.
Në
rastin e Foucault dhe Revolucionit Islamik iranian, problemi është veçanërisht
domethënës. Foucault nuk ishte thjesht një simpatizant i rastësishëm. Ai shkroi
reportazhe entuziaste për gazetën Corriere della Sera në vitet 1978–1979, ku e
paraqiste revolucionin e Khomeinit si një formë “spiritualiteti politik”, si
një thyerje radikale me racionalitetin modern perëndimor dhe me format klasike
të pushtetit. Për të, Irani dukej si një laborator historik ku subjektet po
rizbulonin mënyra të reja rezistence ndaj dominimit teknokratik dhe
imperialist.
Por
këtu qëndron gabimi fatal i Foucault: ai ngatërroi rezistencën ndaj një regjimi
autoritar, si ai i shah Pahlavit, me emancipimin real. Në verbërinë e tij ndaj
racionalitetit perëndimor, ai nënvlerësoi faktin se pushteti fetar nuk është më
pak disiplinues, më pak totalizues dhe më pak dhunues se pushteti modern që ai
vetë e kishte analizuar dhe kritikuar me aq mprehtësi në veprat e tij të shumta
mbi gjenealogjinë e pushtetit. Trupi, seksualiteti, gratë dhe disidentët,
pikërisht ato fusha ku Foucault kishte ndërtuar analizat e tij më radikale, u
shndërruan pas vitit 1979 në targetet kryesore të represionit shtetëror në
Iran.
Në
këtë kuptim, revoltat e sotme në Iran përbëjnë jo vetëm një akt rezistence
politike, por edhe një përgënjeshtrim historik të iluzioneve të budallme të
Foucault. Ato tregojnë se ajo që u paraqit dikur si “zë i të shtypurve”
rezultoi të ishte thjesht një tjetër regjim normalizimi, ndëshkimi dhe
kontrolli total të jetës. Kështu, historia na kujton se filozofia, sado thellë
të mendojë lirinë, nuk është imune
ndaj
verbërisë ideologjike dhe se dallimi midis kritikës së pushtetit dhe
justifikimit të tij mbetet gjithmonë i brishtë.









