E premte, 09.01.2026, 04:52 PM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore

E merkure, 07.01.2026, 08:09 PM


Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore 2003-2005

Nga Dr. Qazim Namani

Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore 2003-2005, që  duhet të hartoheshin dokumente të rëndësishme për monumentet e trashëgimisë kulturore e historike në Kosovë.

Në listën e ekspertëve për hartimin e PTA-ve, ishin angazhuar ekspertët më të njohur në fushën  e trashëgimisë, por, siç u pa më vonë, ata më shumë ishin të interesuar për mëditje sesa për fatin e Kosovës dhe monumentet e kulturës.

Gjatë fazës së përpilimit të këtyre dokumenteve po japim disa nga dokumentet e përgatitura për disa objekte:

1. Hamami i Madh Prishtinë

Në takimin e mbajtur më 8 dhe 9 dhjetor 2008, ku u shqyrtua dokumentacioni për qytetin antik të Ulpianës, Hamamin e qytetit të Prishtinës dhe Atelienë e skulptorit Agim Qavdarbasha, nga pjesëmarrësit u bënë vërejtje për dokumentacionin e përgatitur lidhur me Hamamin e qytetit të Prishtinës.

Dokumentacioni është përgatitur nga Gjejlane Hoxha, arkitekte, atëherë udhëheqëse e Divizionit për Trashëgimi Kulturore në MKRS, dhe Valbona Saliuka, arkitekte në Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës.

Dokumenti mban titullim Hamami i Madh Turk (Prishtinë)! Përveç titullimit ka shumë lëshime tjera në përshkrimin e tij, si: në vend se të shkruhet ish rruga e Danubit shkruhet “Dunavska”, kur bëhet fjalë për objektin, thuhet se pjesa më e madhe e ndërtesës nuk përdoret, hapësirat tjera janë të okupuara nga dyqanet ilegale dhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. (shiko dokumentin!).

Hartimi dokumenteve të tilla për Këshillin e Evropës nga stafi profesional teknik pa u konsultuar me stafin profesional shkencor është me pasoja për të ardhmen, andaj është detyrë me prioritet që në institucionet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të punësohen sa më shumë kuadro të profileve të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me historinë, identitetin, artin dhe kulturën materiale e shpirtërore të popullit të Kosovës.

Përshkrimi i këtyre dokumenteve me gabime të mëdha gjuhësore, profesionale, shkencore dhe përmbajtje logjike, të hartuara kryesisht nga arkitektë që mbanin pozita të rëndësishme në strukturat organizative dhe udhëheqëse në institucione e Kosovës, do të kenë pasoja afatgjate për historinë e Kosovës.

Hartimi i dokumentacionit që kishte filluar që nga viti 2003 ishte dërguar në UNESCO dhe në Këshillin e Evropës pa u verifikuar nga stafi akademik e shkencor.

Në takimin e radhës më 2 dhe 3 prill 2009, është shpërndarë materiali i përgatitur nga z. David Johnson, ekspert i Këshillit të Evropës, për këtë objekt me këtë titull: Draft Studimi i Fizibilitetit për Banjat e Mëdha Turke Prishtinë - Kosovë.

Pas reagimeve të ekspertëve vendor lidhur me historikun dhe emërtimin e këtij objekti, ai u përgjigj se ju vetë e  keni përshkruar historikun e çdo monumenti, andaj të mos humbim kohë për tu ndalur në këtë çështje.

Gjatë historisë janë të njohura dëmtimet dhe falsifikimet e dokumenteve për monumente të kulturës të një popullin ndaj një populli tjetër, por janë raste të rralla kur një “ekspertë” i trashëgimisë kulturore i shkatërron vlerat e veta kulturore, dhe kjo kalon në heshtje para institucioneve shkencore, madje edhe përkrahet nga institucionet shtetërore. Po si mund të shkruhet se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, paska okupuar Hamam turk!

- Dokumentet me titullin Hamami i Madh Turk në Prishtinë, përshkruar në vitin 2005.

- Dokumentet me titullin Hamami i Madh Turk në Prishtinë, përshkruar ne vitin 2009 nga eksperti ndërkombëtar z. David Johnson

Më 2 dhe 3 prill 2009, është mbajtur takimi i radhës për të shqyrtuar projekt planet që dalin si detyrë e programit rajonal për rehabilitimin e integruar për trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore 2003-2006.

Vlerësimi preliminar teknik për Kalanë e Artanës, Xhaminë e Jashar Pashës në Prishtinë dhe Kishën katolike në Stan Tërg.

Grupet punuese vërejtën disa lëshime që kanë dalë gjatë hartimit të këtyre projekteve e që kishin të bënin me përshkrimin e historikut të tyre.

2. Kështjella e Artanës

Dokumentin që ka të bëjë me Kështjellën e Artanës, është përgatitur nga ekspertë të njëjtë që fillon me emërtimin Kështjella e Gumnishtës - Novo Bërdë, që po ashtu ky dokument miratohet nga MKRS më 25 janar 2007.

Dokumenti i përgatitur me këtë titull nuk qëndron, kur dihet se Gumnishta është një kodrinë e vogël rreth 3 km në lindje të kështjellës së Artanës me ulje të mëdha të terrenit. Kështjella e Artanës, në tërë literaturën botërore është i njohur me emra të ndryshëm, si: në latinisht Novus Mons, Nouaabre, në italisht Noua Monte apo Monte Nova, saksonët sipas B. Brokierit e quanin Nyeuberghe, te bizantinët njihet si Nobapurion dhe Nobaprodon, te osmanët Novabri, Yenidag, Novabride dhe Novayerde, sllavët e quajnë Novobrdo. Vendasit këto male i njihnin si malet e argjendit, kurse lokalitetin si Artanë. Në dokumente së pari përmendet në vitin 1326, me emrin Nouvo Monte.

Ky dokument përmban lëshime tjera të shumta për historikun e këtij lokaliteti shumë të rëndësishëm. Mes tjerash, po veçoj fjalinë ku thuhet se për shkak të rëndësisë së kësaj kështjelle, nga ekspertët e Institutit të Monumenteve  dhe Muzeut regjional të Prishtinës është e listuar si një monument i kategorisë së parë e mbrojtur me ligj. Nga kjo fjali kuptojmë shumë rreth çrregullimeve për kompetenca në menaxhimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë për çka përgjegjësinë e mbanë MKRS.

Qyteti i Artanës ka hyrë në mbrojtje të ligjit me vendimin nr. E.K. 266/48 nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Beograd. Ky lokalitet  me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike është marrë në mbrojtje dhe është menaxhuar që nga themelimi i Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Kosovë që fillon punën në vitin 1954, andaj, duke qenë i një rëndësie të veçantë edhe sot, do të duhej të menaxhohet nga Instituti Qendror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Dokumenti është hartuar nga Haxhi Mehmetaj, arkeolog dhe prof. Alkiviades Prepis, arkitekt, ekspert i këshillit të Evropës në Greqi.

Për qytetin thuhet se është zhvilluar nga saksonët dhe tregtarët nga Dubrovniku, pastaj përmenden disa nacionalitete tjera.

Duhet ditur se, kur bëhet fjalë për Artanën, duhet të kemi parasysh se ky vendbanim gjendet ne pjesën qendrore të malësisë së Galabit i rrethuar me  dhjetëra kështjella dhe qytete tjera që kane lënë gjurmë që nga periudha antike. Përveç kësaj, eksploatimi i xeheve në këto anë daton shumë më herët se Mesjeta. Si dëshmi sot është zgjyra e metaleve që gjendet pothuaj në çdo lumë të këtyre fshatrave.

Sa i përket popullatës, është shumë vështirë të mohohet popullata autoktone, por nga burimet mesjetare dihet se në këtë qytet dhe rrethinë jetuan dhe vepruan tregtarë dhe minatorë nga Dubrovniku, Gjeneva dhe vende tjera. Pa dyshim se në atë kohë këtu kanë jetuar me shumicë shqiptarët autoktonë. Si dëshmi sot popullata shqiptare në këto treva ruan në vazhdimësi gjurmët e hershme të qytetërimit për disa qytete dhe kështjella në rrethinën e Artanës. Popullata e këtyre fshatrave në shumicë ishte e besimit katolik të ritit perëndimor dhe kështu Artana si komunë katolike mbijetoi deri në shekullin e XVIII. Si dëshmi është Katedralja e Shën Kollit dhe disa kisha katolike tjera në fshatrat përreth Artanës. Katedralja e Shën Kollit në këtë dokument na paraqitet si katedralja e Sta Paraskevi, çka mendoj se nuk është dashur të figurojë me këtë emër apo për mua është i panjohur, sepse me këtë emër nuk e kam hasur në literaturë më parë.

3. Kisha katolike e Shën Petrit në Stanterg

Në këtë dokument të miratuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më datën 24 nëntor 2005 dhe që është përgatitur nga Haxhi Mehmetaj dhe Valbona Saliuka të udhëhequr nga Bujar Demjaha, koordinator i projektit, dhe 7 ekspertë ndërkombëtarë, shkruan Shën Bazilika Stan Tërg, është ndërtuar në shekullin XIII dhe është e njohur si kisha latine ose kisha saksone, e cila për herë të parë përmendet në shekullin XIV. Pa marrë parasysh vlerat historike dhe artistike të saj, kisha po ashtu ka një pozitë gjeografike të favorshme dhe një mjedis të bukur me pamje piktoreske të pyjeve. Është paraparë që të përfshihet si një Eco-Muze në një kompleks më të gjerë, ku do të hynin Miniera e Trepçës, Lokaliteti arkeologjik “Trepça e vjetër”, Manastiri i Sokolicës dhe Kulla-Muze e Isa Boletinit në Boletin. Mes tjerash, si faktor për shtimin e vlerës së kësaj kishe, përshkruhet përmbajtja e përkohshme dhe historike ku ishin takuar të dy religjionet krishtere ortodoksët lindor dhe perëndimorët katolik, ilustrohet nga manastiri ortodoks mesjetar aty afër Sokolicës në Boletin. Në fund shkruan se PTA për këtë projekt është bërë nga Bektesh Vidishiqi, IMM-Mitrovicë, Haxhi Mehmetaj, IMM-Prishtinë dhe Andreas Heymoski, CoE ekspert, nënshkrimi dhe data me 25.9.2005.

Fig.  75 dhe 76- Përshkrimi i kishës së Shën Pjetërit në Stantërg

Bazuar nga të dhënat që përmban ky dokument i  cekur më lart, vërehet se anashkalimi i profesionistëve dhe ekspertëve vendorë që punojnë në Institute dhe në Katedrën e Historisë, ka çuar deri te hartimi i shumë dokumenteve me të dhëna të falsifikuara historike që shkojnë në dëm të historisë së popullatës shqiptare të Kosovës, duke përdorur të dhëna dhe shkrime propaganduese serbe për të hartuar dokumente dhe publikime, të cilat palosën në arkiva dhe Institucione ndërkombëtare që merren me trashëgimi kulturore.

Po citoj lëshimet në këtë dokument: Nuk shkruhet Shën Bazilika në Stan Tërg por shkruhet Bazilika e Shën Pjetrit në Stanterg, nuk mund të thuhet se është ndërtuar në shekullin e XIII dhe është e njohur si kishë latine ose saksone sepse të dhënat e para të njohura deri më tani për këtë lokalitet i kemi në vitin 1303, pra në shekullin XIV, kurse saksonët si minatorë për herë të parë në burimet e shkruara i hasim në Bërskovë në dekadën e fundit të shekullit XIII,  në Trepçë diku kah mesi i shekullit XIV. Kjo na shtyn të mendojmë se kemi të bëjmë me një kishë katolike shumë më të hershme sepse në vitin 1303, përmenden dy kisha katolike të vjetra në këtë lokalitet. Përveç kësaj, nuk mund të bëhet kurrfarë paralele në mes se kësaj Bazilike dhe Manastirit të sotëm të Sokolicës. Për këto arsye se në këtë dokument shkruan për ekzistimin e kinse të Manastirit ortodoks mesjetar të Sokolicës, kurse ky manastir është themeluar si manastir i grave në vitin 1956.

Në vijim po japim disa të dhëna nga dokumenti për Manastirin e Sokolicës dhe një vështrim të shkurtër për lëshimet profesionale dhe shkencore lidhur me këtë dokument. Ja shikoni nivelin e tyre profesional e intelektual, andaj mos u çuditni pse e kemi në ketë gjendje trashëgimin tonë kulturore e historike!

- Përshkrimi i dokumentit për kishën katolike dhe monumentet e kulturës në Stantërg

Lidhur me këtë dëshmojnë edhe literatura dhe burimet në të cilat bëhet fjalë për një kishë të vogël e të cilën kinse e paska ndërtuar një serb i panjohur ne shekullin e XIV. Realiteti dhe të dhënat për këtë kishë flasin krejt ndryshe, kur dihet se kjo kishë ishte një faltore e vogël pa pronar të saj deri në vitin 1954. Në këtë periudhë konfiskohen pronat e familjes së Boletineve dhe i  dhurohen kësaj faltoreje në vitin 1956, kur edhe shpallet si Manastir Ortodoks i grave, duke ndërhyrë me ndërtime të objekteve tjera. Kontesti gjyqësor në mes familjes Boletini dhe Manastirit për këto prona ende nuk është i mbyllur. Të dhënat nga terreni lënë të kuptojmë se kjo faltore ishte një kishës e vogël e familjes së Buletineve ose një faltore e vogël për komunitetin hebre që e kishte sjellë familja Boletini në fshatin e tyre për të ndihmuar në udhëheqjen e biznesit të njohur që kishte familja Boletini në atë kohë. Si dëshmi mund të merren varrezat e hebrenjve në Zhazhë dhe vetë emri i një hebreu të serbizuar që e mbante emrin Avram dhe e kishte shtëpinë ngjitur me këtë faltore dhe shumë pranë Kullës së Boletineve, më përkatësisht te “Guri i Tupanit”, vend ky prej nga familja Buletini me tupan i sinjalizonte banorët përreth në raste festash apo tubimi tjetër.

Nga autorët që e kanë hartuar këtë dokument, po ashtu shkruhet se në këtë lokacion takohen religjionet krishtere, ai ortodoks dhe ai katolik. Këto të dhëna janë shumë të dëmshme për historinë e popullatës autoktone shqiptare, kur tani më kemi të dhëna të bollshme dhe është dokumentuar me burime të shumta historike prania e komunitetit shqiptar katolik në qytetet më të skajshme lindore të Dardanisë, si: në Nish, në Prokuple, në Vrajë, në Leskoc etj., por dhe prania e kishave dhe e këtij komuniteti shumë të fuqishëm në arealin e Artanës, Trepçës dhe qyteteve tjera mesjetare që atë kohë i kishin të themeluara edhe komunat katolike në këto qytete.

Të dhënat materiale dhe burimet historike për territorin e sotëm të Kosovës dhe më gjerë, ku jetonte popullata autoktone shqiptare, dëshmojnë bindshëm që popullata shqiptare që nga ndarja e kishës më përkatësisht nga viti 1054, i kishte përqafuar të dy konfeksionet, atë ortodokse dhe katolike dhe kishte bashkëjetuar me to deri në shekullin XIX-XX, kur besimtarët e besimit ortodoksë, nën ndikimin e propagandës së Patriarkales së Stambollit, kishës serbe, greke dhe ruse, u asimiluan.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Zhvillimi i arsimit në tokat shqiptare pas pushtimit nga P. Osmane Qazim Namani & Emin Sallahu: Konfliktet ndër kufitare në mes të Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1921 Qazim Namani: Kozmologjia e artit popullor dardan e aplikuar në punimin e gurëve të oxhaqeve Qazim Namani: Kolonizimi i Malësisë së Galabit gjatë viteve 1876 - 1912 me shqiptarë ortodoksë nga Mali i Zi Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Malësinë e Galabit Qazim Namani: Miniera e Leçes në komunën e Medvegjës, miniera më e madhe e arit në Evropë Qazim Namani: Trashëgimia Kulturore dhe Plotësimi i Standardeve për Pavarësinë e Kosovës 1999 - 2006 Qazim Namani: Rrugët më të rëndësishme që kalonin nëpër Malësinë e Galabit Qazim Namani: Galabrët e Dardanisë fisi më aristokrat në antikitetin e vonë Qazim Namani: Lojërat Olimpike në artin popullorë të zbuluar në Dardani Qazim Namani: Biznesi dhe mikpritja në Mbretërinë e Dardanisë Namani, Gjata, Sallahu: Festa pagane te 'Guri i Shënjimit' në fshatin Zatriq komuna e Rahavecit Qazim Namani: Luftimet e zhvilluara gjatë vitit 1944 për mbrojtjen e kufirit në fshatin Prapashticë Namani, Vitaku, Sallahu: Tipologjia e banesës dhe simbolet e kultit në komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë Qazim Namani: Banesa Qytetare shqiptare e shekullit XIX në Shqipërinë veri-lindore Qazim Namani: Gjurmë të trashëgimisë kulturore në fshatrat Lladoc, Balloc e Herticës në komunën e Podujevës Qazim Namani: Kozmologjia Dardane Qazim Namani: Bartja e materialit arkeologjikë në vitin 1995 nga Muzeu i Mitrovicës në Muzeun e Prishtinës Qazim Namani: Bartja e materialit arkeologjikë në vitin 1995 nga Muzeu Arkeologjik i Prizrenit në Muzeun e Prishtinës Qazim Namani: Zanafilla e Kulturës materiale dhe historike në Kosovë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx