Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Një vepër që i duhet publikut shqiptar
E premte, 02.01.2026, 06:58 PM
NJË VEPËR QË I DUHET PUBLIKUT SHQIPTAR
“Ndërgjegjja vlen sa njëmijë dëshmitarë” -
Kuintilian
“S’ka e s’mund të ketë komb kosovar” -Xhevat Hasani
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Libri dhe konteksti shoqëror
Publicisti dhe veprimtari
i njohur Xhevat Hasani, doli me i librin e tij të ri, “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”. Kjo
vepër shfaqet në një periudhë të ndjeshme të pasluftës, kur ndërtimi i shoqërisë
së lirë dhe i strukturave shtetërore është shoqëruar me kundërthënie të mëdha
konceptesh.
Këto kundërthënie
kanë bërë që strukturat shoqërore të mbeten të brishta dhe shpesh pa një bosht të qëndrueshëm në forcimin e
logjikës shtetërore mbi interesat kombëtare shqiptare.
Në këtë situatë u
shfaqen ide të ndryshme dogmatike, të cilat pretendonin se ofronin rrugëzgjidhje
për përparimin e vendit dhe integrimin në institucione ndërkombëtare.
Shumë prej këtyre
ideve u promovuan përmes mediave me kredibilitet të dyshimtë dhe nga individ me
prapavijë po aq të paqartë. Në një
shoqëri ku nuk funksionon si duhet ligji, mungon drejtimi i rrjedhave shoqërore
për arritje të progresit në liri, kjo hapësirë shpesh keqpërdorët nga individ e
grupe klanore për ta zhbërë orientimin fisnik kombëtar.
Libri, përgjigje argumentuese
Libri “S’ka e
s’mund të ketë komb kosovar” përmban një përgjigje të argumentuar ndaj disa
prej këture ideve shthurëse dhe shkatërruese. Ai është një protestë e shkruar
mbi baza argumentesh të shumta. Ai është një protestë e shkruar mbi baza të
shumta faktike dhe teorike, ku autori paraqet para publikut fakte konkrete mbi
tendencat përçarëse ndaj identitetit kombëtar në Kosovën e pasluftës.
Në rrugën e vështirë
të ndërtimit vendit pas lufte, dolën në publik individ me ide të dëmshme
pikërisht atëherë kur kërkohej bashkimi
i qëndrimeve drejt jetësimit të shtetit të Kosovës së re në rrethana tepër të
vështira ekonomike, shoqërore dhe mbi të gjitha në rrethanat e turbullta në
politikën globale rreth Kosovës, pavarësisë së saj dhe agresivitetit të
vazhdueshëm serb ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj.
Duke mos u pajtuar
me këto ide antikombëtare dhe përçarëse, autori thekson qartë në hyrje të
librit:
“Shkak i drejtpërdrejtë për ta shkruar këtë libër ka qenë propagandimi i
ideve komb-vjetërsuese dhe komb-ndarëse të Nexhmedin Spahiut dhe të Halil
Matoshit, dhe në njëfarë mase edhe të Migjen Kelmendit e të Bardhyl Metës. Këto
ide i kam perceptuar si komb-vjetërsuese, sepse përmes tyre është tentuar dhe
tentohet që kombi shqiptar në Kosovë të tjetërsohet në ‘komb kosovar’. I kam
perceptuar edhe si ide komb-ndarëse, sepse synojnë ndarjen e kombit shqiptar në
dy kombe: një shqiptar dhe një ‘kosovar’. Madje edhe si ide komb-vrasëse, sepse
pasojat e tyre, nëse do të zbatoheshin, do të çonin drejt shthurjes totale të
kombit shqiptar.”
Rreziku i ndarjes kombëtare
Autori argumenton
se ideja e krijimit të një “kombi kosovar” është thellësisht e rrezikshme për
kombin shqiptar dhe për aspiratat e tij shekullore për bashkimin e trojeve
shqiptare, të copëtuara në pesë shtete, si asnjë etni tjetër në kontinent.
Siç shprehet vetë
autori:
“Hapi i parë i shkatërrimit të një kombi të ndarë në gjashtë pjesë, shumë i
rrezikuar nga fqinjët dhe relativisht i vogël si kombi shqiptar, është ndarja e
tij në dy ose më shumë kombe.”
Libri nuk kufizohet vetëm në polemikë direkte, por shërben edhe si burim
njohurish shtesë me karakter etnik, historik, politik, teorik dhe
etnopsikologjik, të gjitha në funksion të vërtetimit të tezës qendrore:
Në Kosovë as nuk ka pasur dhe as nuk mund të ketë “komb kosovar”, sepse në
Kosovë ka pasur, ka dhe do të ketë komb shqiptar.
Referenca juridike dhe teorike
Për t’iu
kundërvënë ideve komb-ndarëse, autori i referohet Planit të Ahtisarit,
Kushtetutës së Kosovës, si dhe dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara që
lidhen me anëtarësimin e shteteve në OKB. Po ashtu, ai analizon teoritë
gjermane dhe franceze mbi kombin, duke sqaruar përkufizimet dhe karakteristikat
e tyre.
Autori thekson se
konsolidimi i shtetit të Kosovës nuk varet nga shpikja e një identiteti të ri kombëtar,
por nga reformat demokratike, ekonomike e politike, nga lufta kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe nga respektimi i të drejtave dhe
lirive të njeriut.
Mesazhi i veprës
Libri është
shkruar me rrjedhshmëri, i mbështetur në fakte dhe burime të shumta nga gjuhë
të huaja. Ai ka një mesazh dhe vizion të qartë: ngritjen e vetëdijes kombëtare
dhe orientimin drejt bashkimit kombëtar.
Kosova si shtet u
krijua falë luftës shekullore të kombit shqiptar dhe nuk mund të ndahet nga
interesi kombëtar. Vetëm armiqtë e shqiptarëve synojnë shthurjen dhe ndarjen
shpirtërore e fizike të tyre. Kundër këtyre teorive përçarëse duhet të ngrihet
fuqishëm zëri i intelektualëve dhe i institucioneve të tyre, në atdhe dhe në
mërgatë.
Urime autorit dhe
rrugë të mbarë librit!
Autori
Dr. Xhevat Hasani
ka lindur në fshatin Buzës të Opojës në Kosovë. Shkollën fillore e kreu në
vendlindje, të mesmen në Prizren, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Studimet pasuniversitare dhe specializimin i përfundoi në Zagreb, ndërsa
doktoraturën e mbrojti në vitin 1989 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Në dhjetor të
vitit 1992, për shkak të përndjekjes nga regjimi serb, u detyrua të largohej
nga Kosova. Gjatë viteve 1993–1995 në Austri u angazhua në organizimin e mësimit
plotësues në gjuhën shqipe, duke shënuar rezultate të jashtëzakonshme. Atje
botoi librin dygjuhësh “Shkolla dhe arsimi shqip përballë shovinizmit
serbo-maqedono-malazez”, nga i cili historiani Noel Malcolm ka marrë referenca
në librin e tij “Kosovo: A Short History”.
Që nga viti 1996
jeton në Zvicër. Veprimtaria e tij është e njohur dhe e respektuar në Kosovë,
Shqipëri, Maqedoni dhe në mërgatën shqiptare.
Libra të botuar:
1.“Shkolla dhe
arsimi shqip ndër viset shqiptare në Kosovë,
Maqedoni dhe Mal
të Zi përballë shovinizmit serb, maqedon e malazez”,
Vjenë 1995. I
njëjti libër është botuar edhe në gjuhën gjermane: “Die
Albanische Schulen
und das Schulw esen in den Albanischen Gebieten
in Kosova,
Makedonien und Montenegro angesichts des Serbischen,
Makedonischen und
Montenegrinischen Chauvinismus”, Wien 1995.
2. “Sistemi shëndetësor i Kosovës: Mjekësia
popullore dhe ritualet”,
Zyrih 2000. I
njëjti libër është botuar edhe në gjuhën gjermane: “Das
Gesundheitsystem
Kosovas: Volks heilkunde und Rituale”, Zürich 2003.
3. “Një jetë në shërbim të lirisë”, libër
monografik kushtuar dëshmorit Naser Hani nga Struga, Prishtinë 2013.
4. “Me Selman Lajçin nëpër Sanxhak”,
libër monografik
kushtuar dëshmorit Selman Lajçi, Prishtinë 2015.
5. “Dymbëdhjetë legjenda shqiptare”,
Prishtinë 2025.
Ky libër është
botuar edhe në gjuhën gjermane me titull:
“Zwölf Albanishe
Legenden”, Prishtinë 2025.









