Kulturë
Viktor Gjikolaj: Shkrimtari e dallueshme e konkuruese në prozën bashkëkohore
E diele, 14.12.2025, 06:52 PM
SHKRIMTARI E DALLUESHME E KONKURUESE NË PROZËN BASHKËKOHORE
-
Vjen romani “Klasiku V” i shkrimtarit Ndue Dedaj -
NGA
VIKTOR GJIKOLAJ
Shtëpia
botuese ''Gjergj Fishta'' nxori në qarkullim romanin e ri të shkrimtarit,
poetit e publicistit të njohur, Ndue Dedaj. Ashtu si e kam patur rasën me
thanë, e gjithë shkrimtaria e tij shquhet per poetikën e kumtit. Edhe te një
kronikë e zakontë e tij, lexuesi takon poetin. Është tipar dallues i autorit,
që e veçon nga bashkëkohësit e tij.
“Klasiku
V” vjen pas një pervoje të mirë në lëvrimin e prozës së gjatë. Dhe këtë e
dëshmon botimi i tij më i ri. Ngjarjet e romanit zhvillohen në krahinën e
Dyfandorës (nënkupto Ndërfana e dikurshme, territor ku rrjedhin dy Fanat), me
qendër qytetin e Pirustit (?). Ngrehina narratore ka si prolog luftën kundër
mbeturinave fetare dhe vetë besimit, në një reliev ku shkëlqen fryma e besimit
dhe e identitetit. Kështu nis kronika e zhvillimeve të ngjarjeve tronditëse, të
pashembullta edhe në Perandorinë, ku ishim keqbashkuar. Ndalohet besimi, fjala
e lirë, ka përgjime, burgime, dhunë. E të gjitha këto nën hijen e një
Diktatori, që servilët rreth tij duan ta shpallin Kasikun V (janë disa
intelektualë të rinj tiranas që e refuzojnë dhe stigmatizojnë këtë klimë
socialpolitike të asaj kohe).
Autori
nëpërmet mjaft episodeve historike e kreative na shpalon parodinë e një
strukture antihumane, ku liria mungon për të gjithë. Të gjithë flisnin për
lirinë, po kush ishte i lirë? Cila familje, cili luftar i “fitimitarëve”? Cili
intelektual? Arseni, Justina, ing. Prela, mesuese Holta, Preng Bib'orosi?
Dhunë, përdhosje depersonalizim... Kurse Tirana mbushur me parulla për Klasikun
V, për qeverinë e tij, për “lumturinë”, për vigjilencën dhe luftën e klasave.
Ngjarje tronditëse në kupolë, familje, qytet, fshat, burgje... Dhe në këtë
kontrast të madh ka vetëm një shkëlqim, Klasiku, konstruktori i dehumanizmit e
lirisë së individit...
Epilogu
i romanit na i sjell personazhet në ditët e zhvillimeve të viteve '90-të
nëpërmjet një reflektimi realist, ku nuk mungon edhe prognoza e dilema: A thua
prap dikush nga prijësit tanë e don statusin e Klasikut, a ndoshta mbretit?...
Një
roman me prurje mjaft të veçanta, me një gjuhë shumë të pasur, me fjalëformime
e emërvende, që tregojnë shumë e na çojnë tek të vërteta të mëdha, që autori i
ka sjellë me gjuhën e mjetet e një shkrimtarie krejt të dallueshme e konkuruese
në prozën bashkëkohore.









