Kulturë
Hasan Hasanramaj: Për poeten Drita Kasumi Syla, lirika është kënga e zemrës dhe e shpirtit të saj
E shtune, 13.12.2025, 06:53 PM

Për poeten Drita Kasumi Syla, lirika është kënga e zemrës dhe e shpirtit të saj
Në
vëllimet e librave të botuara, si këto, të jepet me kuptuar dhe shpresuar për
një poete siç është Drita Kasumi, e cila jo rastësisht, por qëllimisht dhe me
vetëdije të plotë, po bën përpjekje të mëdha dhe të suksesshme për ta begatuar
sa më shumë dhe sa më parë misionin e saj prej një krijueseje të mirëfilltë.
Nga
Hasan Hasanramaj
Në
tekstin e recensionit kushtuar dy librave të botuar këto ditë, njërën me
përmbledhje poezish të botuar në gjuhën frënge, tjetrën në gjuhën shqipe, të
cilat janë finalizuar me përmbledhjen e poezive të poetes Drita Kosumi,
recensionisti Sabit Jaha, me thëniet e tij, na dëshmoi se sensin poetik të
Dritës si krijuese, me poezitë e saj, jo vetëm që e shkruan, por njëkohësisht
edhe e ndien thellësisht dhe e përdor përmbajtësisht. Vëllimi i poezive me
titullin “Shpirti i fjalëve” i poetes Drita K. Syla ngërthen më vete një varg e
vistër temash e motivesh të larmishme që dalin vrullshëm nga shpirti dhe që
shpirtëzohen përmes fjalës poetike. Kjo jep të kuptohet se poezitë e kësaj përmbledhjeje
janë një gërshet frymëzimesh motivesh të ndryshme, ku poetja di t’i harmonizojë
shprehjet e saj, duke i përshkuar një ind koherent i shpirtit, ku fjala
shpërfaq gjithçka çka ndien shpirti. Poetja Drita K. Syla, me këtë vëllim
poezish, para lexuesve dëshmon përkushtimin e saj prej krijueseje të
mirëfilltë, se vargjet që i mbarështon kanë një rrjedhë të natyrshme, ashtu
sikur rrjedhat e pareshtura të lumit malor, që gjatë shtegëtimit ka krijuar
ujëvara mahnitëse, të cilat joshin shpirtin me fjalët më të përzgjedhura të
poetes.
Lirika në poezitë e
poetes Drita janë intime, që u këndojnë emocioneve të dashurisë
Këtë
di ta shprehë më së miri dhe për së mbari vetëm shpirti i poetes, e cila fjalët
i mbarështon me përkushtim, duke i gërshetuar me ndjenjat e saj. E gjithë
përmbledhja prej tetëdhjetë e gjashtë poezive, që ka një kryetitull të
përbashkët “Shpirti i fjalëve”, ka për lajtmotiv fill e mbarim temën e
dashurisë, e cila degëzohet që nga fëmijëria, ku poetja paraqet tablo nga mosha
e saj fëmijërore, duke shprehur ndjenjat më sublime për vendlindjen, lumin,
fushat e Llapit me rrethinë; dashurinë për shkollën shqipe; dashurinë e
sinqertë dhe të çiltër (për bashkëshortin Nezirin); dashurinë për dy djemtë e
vet, Rinonin dhe Ardin; dashurinë për atdheun, posaçërisht për luftën e
lavdishme të UÇK-së, që na solli lirinë e shumëpritur shekuj me radhë. Ky
vëllim poetik ngërthen më vete vargje që vërtet dalin nga vorbulli i shpirtit,
që mbruhen në mendje dhe, si një gurrë e pashtershme, sipërfaqen me fjalët më
të përzgjedhura. Autorja, Drita Kosumi-Syla, këtë gjerdan poetik na e ofron për
ta njohur më për së afërmi, ashtu tërësor, pa e strukturuar në cikle, gjë që
mund ta kishte bërë pa ndonjë vështirësi, por e la krejtësisht ashtu siç i
kishte shkruar e mbarështuar poezitë veç e veç. Fjalët poetike që i mbarështon
Drita K. Syla në këtë vëllim jo vetëm që kanë një rrjedhë tejet të natyrshme,
ku autorja me mjaft mjeshtëri i thadron vargjet me figura të qëlluara
artistike, por bie në sy në plan të parë përmbajtja e secilës poezi, pa iu
përkushtuar shumë formës. Një vëllim si ky jep për të kuptuar dhe për të
shpresuar për një poete e cila, jo rastësisht, por qëllimisht dhe me vetëdije
të plotë, po bën përpjekje për ta begatuar sa më shumë dhe sa më parë misionin
e saj prej një krijueseje të mirëfilltë.
Poetja Drita Kasumi para
lexuesve të saj njihet si autore e shumë veprave me poezi për fëmijë dhe për të
rritur
Në
recensionin me titull “Trojet që flasin” të redaktorit Abdullah Troshupa, ndër
të tjera shkruhet se është i privilegjuar që iu dha rasti të jetë redaktor i
librit me poezi me titullin “Trojet që flasin” të autores Drita Kosumi Syla,
libër i sapobotuar, e cila e ka kuptuar drejt jetesën dhe atdhedashurinë
shqiptare dikur dhe sot. Prandaj, me një angazhim të madh, ajo ia ka arritur
qëllimit që këto poezi t’i mbledhë dhe t’i përfshijë në një përmbledhje me
titull mjaft simbolik “Trojet që flasin”. Para se të flasim për brendinë e
librit dhe të hyjmë në anën e brendshme të shkrimit, le të flasim për çështje të
përgjithshme. Drita Kosumi Syla tashmë nuk është emër i panjohur; ajo ka një
përvojë krijuese të vlefshme. Me shkrime ka filluar të merrej qysh në bankat
shkollore. Poezitë i ka botuar në revistat e kohës. Para lexuesve njihet si
autore me disa vepra letrare me poezi për fëmijë dhe për të rritur, të
përkthyera edhe në gjuhë të huaja, përkatësisht në gjuhën frënge. Libri “Trojet
që flasin” është më shumë se një përmbledhje poetike – është një dëshmi e
dashurisë së thellë për vendin, një thirrje për të mos harruar asnjëherë dhe
një përqafim i ngrohtë për të gjithë ata që i ka marrë malli për trojet e tyre.
Flitet edhe për jetën e vështirë të popullit shqiptar, i cili ka kaluar dekada
të tëra pa u dorëzuar dhe pa u dorëzuar as sot. Për ta dëshmuar sa më në origjinalitet,
autorja, siç shkruan recensionisti Abdullah Troshupa, në veprën e saj na jep
argumente të gjalla se vërtet ne jemi shembull për të mirë, por jep edhe
këshilla dhe herë-herë mesazhe për ta ruajtur dhe dashur atdheun. Pra, mesazhi
i përgjithshëm i librit është i qartë: pa rrënjë nuk ka identitet, pa kujtesë
nuk ka ardhmëri. Motivet që përshkojnë poezitë janë të zakonshme në letërsinë
shqiptare, por këtu vijnë me një ndjeshmëri të veçantë: rrënjët, gjuha, kënga,
natyra dhe dashuria. Poetja Drita i jep rëndësi çdo elementi që lidhet me
atdheun, duke i kthyer ato në simbole të një identiteti të patundshëm. “Trojet
që flasin” na fton të dëgjojmë zërin e heshtur të vendlindjes, të ruajmë
lidhjen me origjinën dhe të mos harrojmë se kush jemi, edhe kur jeta na çon
larg. Përmes aktiviteteve kulturore dhe atdhetare, me një angazhim të pashoq,
ajo ka ruajtur dhe ruan vlerat e kulturës dhe traditave shqiptare në shumë
vende evropiane. Në librin “Trojet që flasin”, autorja i ka mbledhur gjithsej
gjashtëdhjetë e shtatë poezi, të ndara në katër cikle, të botuara në Shtëpinë
Botuese “Lenagraphic” në Prishtinë.
Drita Kasumi në librat e
saj të botuar nuk e ka harruar atdheun, trojet që flasin, të cilat për të janë
rrënjë shpirtërore
Drita
Kasumi Syla, me librat e saj, ka dëshmuar se poezia ende mund të shërojë dhe të
ngrejë shpirtin njerëzor mbi zhurmën e botës. Në vargjet e saj, fjala është
prekje, kujtesa është dritë e trojeve tona stërgjyshore; ato që kanë folé dhe
flasin gjithmonë janë vetë njerëzit që dinë të dashurojnë e të flasin.
Përmbledhja
poetike kushtuar librit “Trojet që flasin” nga redaktori Veli Kajtazi është një
rrugëtim shpirtëror që kalon nëpër kujtesë, ndjenjë dhe dashuri. Këto vargje të
autores janë të ngrohta dhe plot jetë. Ato rrjedhin me qetësi, si një lum i
kthjellët që bart aromën e dheut, zërin e njerëzve dhe frymën e kohës. Këto
poezi flasin me zemër dhe për zemrën, pa maskë, por me ndershmërinë e një zëri
që e di mirë se nga vjen dhe ku synon të shkojë. Në themel të këtyre poezive
qëndron dashuria — për njeriun, për atdheun, për natyrën, për jetën dhe për
Zotin. Dashuria në këtë vepër nuk është thjesht ndjenjë njerëzore, por forca që
i jep kuptim çdo gjëje. Ajo është dritë që shuan errësirën, zë që ngroh
shpirtin dhe urë që bashkon botët e ndara. Në çdo varg ndihet butësia e një
zemre që di të falë, të falënderojë, të kujtojë dhe të besojë.
Në
fund, “Trojet që flasin” është më shumë se një libër poetik — është një dëshmi
dashurie për jetën dhe për vendin. Është një zë që fton për kthim tek vetja,
tek rrënjët, tek drita që buron nga brenda.
Poetja
Drita Kosumi Syla, me këtë vepër, siç dëshmon redaktori Veli Kajtazi, na bind
se poezia ende mund të shërojë, të bashkojë dhe të ngrejë shpirtin njerëzor mbi
zhurmën e botës. Në vargjet e saj, fjala është prekje, kujtesa është dritë,
ndërsa trojet – ato që flasin – janë vetë zemra e njeriut që di të dashurojë e
të falë.










