Kulturë
Donjeta Kryeziu: Letrat, thesare të çmuara të një amaneti
E shtune, 13.12.2025, 06:55 PM
LETRAT, THESARE TË ÇMUARA TË NJË AMANETI
Sabile
Keçmezi-Basha, 45 Letra për Martinën ( Biografi romanore për babain tim), botoi
“Rozafa”, Prishtinë, 2025, 316
Nga
MA. Donjeta Kryeziu
Romani “45 letra për Martinën” (Një biografi
romanore për babain tim), i autores Sabile Keqmezi-Basha, ndahet në 45
letra ku secila mbart në vete një kujtim, një dëshmi që si tërësi marrin
trajtën e një testamenti të gjatë të shkruar nga babai i saj. Një dashuri që
shkon shpesh përtej logjikës, përtej reales, Martina bëhet jo vetëm personazh,
por një ngushëllim, një shpresë dhe mbi të gjitha ajo do të jetë një arsye që
babai i saj do të dokumentojë çdo përjetim në letër.
Letrat janë një formë që njihen edhe si epistolare, që
zakonisht i shkruhen dikujt që e njohim, dikujt me të cilin do të ndajmë
përjetimet tona, por edhe dikujt që zakonisht presim një përgjigje, e babai i
Martinës nisi t’i shkruante letrat në burg, si një “ikje” nga torturat, nga
jeta e zymtë dhe e pashpresë e burgut, më pas ato letra do të bëhen gjëja më e
vlefshme që kishte.
Babai i Martinës në letrën e parë do të shkruante kështu:
“E dashura vogëlushe, ende nuk ke
ardhur në këtë botë, por e ndjej praninë tënde në çdo frymëmarrje të kësaj jete
të mbushur me sfida.”[1]
Babai i Martinës po i drejtohej një qenie të palindur,
një qenie që nuk e kishte njohur këtë botë, e bënte këtë se kishte nevojë t’ia
rrëfente dikujt ato nëpër të cilat po kalonte apo thjesht kishte aq shumë
shpresë se një ditë do të dilte nga ai burg do t’i lindtte me të vërtetë një
vajzë që do ta quante Martinë. Këto dy mendime kishin një lidhje të
pashkëputshme sepse secili njeri në rrethanat e tij të ekstremit kishte nevojë
për një vend, një njeri ose edhe thjesht një mendim që do t’i sillte paqe e do
ta ngushëllonte, e babai kishte zgjedhur ta krijonte në mendjen e tij Martinën,
si një strehë, një vend apo një person të cilit do t’i rrëfehej pa frikë.
Hetuesia dhe burgu i gjatë
Një ideal e kishte mbajtur gjallë çdo shpresë, e kishte
mbajtur të lidhur Lirin, ajo ëndrra se një ditë vendi i tij do të ishte i lirë,
kjo dukej si një utopi e largët, por këtë mendim nuk hezitonte ta shprehte
hapur, t’ia shprehte Martinës së tij. Torturat në burg dhe marrja në pyetje
edhe për arsyet më banale ishin rrëfimet që babai i kishte shkruar me detaje për
Martinën.
“Oh, janë disa që të rrjepin për së
gjalli.”
Kjo frazë që për shumëkë do të ishte një frazë thjesht sa
për të thënë, për babain e Martinës ishte një përjetim, ishin torturat që
fillimisht ia lanë brinjët e thyer e më pas ia morën dy gishta, ia morën vitet
e bukura të rinisë, e si përfundim ia morën edhe jetën në mënyrë tragjike.
Letrat për Martinën ishin një thesar i çmuar që Liri e
mbante me shumë fanatizëm, nuk donte t’i ndante me askënd, por më e mira është
se nuk u dorëzua së shkruari edhe kur i kishte brinjët e thyera, edhe kur jeta
kacafytej me vdekjen nga torturat e shumta, edhe kur ishte thellësisht i
pashpresë, ai nuk ndaloi së shkruari.
Në jetën e Lirit kishte shumë episode tragjike e vuajtje
të panumërta, por episodi më i ndjeshëm dhe më i dhimbshëm do të mbetet vdekja
e Bardhit, mikut të tij të idealit, mikut që ndan shumëçka mandje i ndan edhe
ëndrrat e njejta për Shqipërinë e Madhe.
“Bardhin e morën mbrëmë, e kishin
shkallmuar, si të ishte një bishë. E kishin rrahur aq keq, sa nuk po njihte më
asgjë, as vetveten. Nuk është në qelinë tonë, por është afër. E dëgjoj
frymëmarrjen e tij të rënduar, që vjen si një peshë e padukshme përmes mureve.
....Sa e hollë është ajo fije që na
ndan nga bisha, nga ajo shëmtirë, që rri në errësirën e brendshme të shpirtit
njerëzor.”[2]
Çdo torturë e prekte thellë në shpirt Lirin, babain e
Martinës, por kjo që ia bën mikut të tij më të mirë la gjurmë të pashlyeshme në
kujtesën e tij. Liri ishte një djalë shumë i ri, por idealin, dashurinë për
atdheun e për mikun e kishte shumë të madhe, andaj vuajtjet dhe më pas vdekja e
mikut të tij Bardhit, ishte një nga kujtimet më të hidhura që do të gdhendte në
mendjen e tij.
Miqësia me gjermanin “engjëllin
mbrojtës”
Miqësia si një ndjenjë, një përjetim është një nga gjërat
më të mira, por për Lirin babain e Martinës, kjo ndjenjë shpesh shndërrohet në
vuajtjet më të mëdha në ato ambiente ku edhe një fjalë, një miqësi përdorej
kundër teje. Historia e miqësisë me Hansin, gjermanin, me të cilin Liri ndante
qelinë e njejtë u shndërrua në një lidhje të veçantë sepse ai nuk mbeti vetëm
një mik që fillimisht nuk i kuptonte gjuhën, por u bë një baba i dytë e një
“engjëll mbrojtës” siç e quan babai i Martinës në letrat e tij. Miqësia e Lirit
me Hansin u shndërrua në një simbolikë, në një lidhje të veçantë që veq ata të
dy e kuptonin, gjermani e mbronte, e mësonte të shkruante e të lexonte dhe Liri
ia kthente me shumë përkushtim e respekt.
“Ai xhemper, me ngjyrat e tij të ngrohta,
u bë një simbol i lidhjes sonë, një kujtim i një miqësie që lulëzonte mes
hijeve të vështira të jetës në burg. Ajo mbështetje e thjeshtë më dha forcë, si
një flamur që valëvitet me krenari mes stuhisë.”[3]
Miqësia me Hansin u bë kujtim i përjetshëm në jetën e
Lirit, por si gjithçka që e gëzonte Lirin kishte një përfundim tragjik edhe
Hansin e larguan nga ai burg për ta dërguar diku tjetër e babai i Martinës
mbeti sërish i vetëm mes hienash.
Jeta familjare: lumturia e pakët dhe
vuajtjet e shumta
Babai i Martinës ishte një njeri i çeliktë, të paktën në
të gjitha letrat ku rrëfente përjetimet e tij kishte vuajtje, sprova e shumëçka
tjetër, por asnjëherë nuk flitej për dorëzim apo humbje vullneti e shprese për
jetën. Lumturia ishte një ndjenjë që babai i Martinës e kishte përjetuar, por
asnjëherë për shumë gjatë sepse gjithmonë fati kishtë përgatitur një kalvar
vuajtjesh e përjetimesh të këqia.
Rikthimi në shtëpi Lirin e kishte pritur me çaste
lumturie, deri sa e përjetoi në shpirt varfërinë e familjes, lajmin se babai e
xhaxhai i kishin vdekur, e shumë vuajtje kur u detyrua të gjentepunë për të
mbajtur familjen. Martesa për të ishte një çast lumturie sepse për fat kishte
një grua të mirë, të ndershme Zojën.
Martina nuk kishte lindur ende, burgu për babain kishte
përfunduar, por ai vazhdonte t’i shkruante asaj që ende nuk e kishte njohur,
asaj që ende nuk ishte formuar, por babai i shkruante Martinës, ndante çdo
moment të lumtur e të hidhur me të sepse kjo formë që ai kishte zgjedhur do të
dokumentonte çdo gjë, do t’i linte ato letra si trashëgiminë më të mirë të një
babai për fëmijën e tij. Para Martinës lindi Bardhi, ai ishte jetëshkrurtër e
kur Martina erdhi në jetë, Zoja, gruaja e tij u bë jetëshkurtër, por babai i
Martinës nuk u dorëzua sepse tani kishte më në fund Martinën atë që e kishte
imagjinuar me vite, bijën e tij së cilës i kishte rrëfyer gjithçka, Martina
kishte një histori ekzistence të gjatë ende pa u krijuar, ende pa lindur, ajo
ishte pjesë e imagjinatës, mendimeve, përjetimeve e letrave të babait.
Lidhja e pashkëputshme: baba- vajzë
Çdo baba i do fëmijët e tij, sakrifikon për ta gjithçka
nga jeta e tij, por dashuria që baba Liri kishte për Martinën, është një
ndjenjë e një përjetim shumë ndryshe, ai e donte Martinën edhe pse ajo ishte
thjesht një krijim i imagjinatës dhe ëndrrave të tij, ai i fliste bijës së tij
për gjithçka, i rrëfehej edhe për ndjenjat më të imëta e më personale, e kjo
është një dashuri e veçantë.
“Të dua, Martinë. Fjala ‘të dua’ nuk
mund të përmbledhë gjithë atë që ndjej për ty. Je burimi i forcës sime, drita
që më udhëheq në errësirën e këtij vendi.”[4]
Në përfundim të çdo letre, që shpesh përcillte shumë
vuajtje, babai nuk harronte t’ia shprehte dashurinë Martinës, sepse ajo ishte
vetë forca e shpresa e tij, ajo ishte një shpresë që ai e kishte krijuar, ishte
një ide e një person para se të lindtte, ishte Martina, pushka që babai nuk e
kishte, por që u jetësua më vonë.
Vepra “45 letra pë Martinën (Një biografi romanore për
babain tim)”, ngërthen në vete ndjenjat, vuajtjet e përjetimet dhe një
dritë shprese për jetën. Të gjitha përjetimet e torturat e babait të Martinës
nëpër burgjet serbe janë një dëshmi e një testament i fuqishëm për vuajtjet e popullit shqiptar nëpër
burgjet Jugosllave, për luftën e idealit të bashkimit me Shqipërinë e për
lirinë e munguar. Kjo vepër nuk është vetëm një biografi për një baba të një
vajze, kjo vepër është një dëshmi për të gjitha përjetimet, është një dëshmi
për rrethanat në të cilat kanë jetuar shqiptarët gjatë kohës së okupimit serb.
Siç thotë edhe babai i Martinës: “Duhet të jesh e ditur”, më përsëriste
shpesh, “jo vetëm për veten tënde, por edhe më shumë për të tjerët”.[5]
[1] Sabile Keqmezi-Basha, 45 Letra për Martinën (Një
biografi romanore për babain tim), fq. 30, Rozafa, Prishtinë, 2025
[2] Sabile Keqmezi-Basha, 45 Letra për Martinën (Një biografi romanore për babain tim), fq.57 , Rozafa, Prishtinë, 2025
[3] Po aty, fq.135
[4] Sabile Keqmezi-Basha, 45
Letra për Martinën (Një
biografi romanore për babain tim), fq.115 , Rozafa, Prishtinë, 2025
[5] Sabile Keqmezi-Basha, 45 Letra për Martinën (Një biografi romanore për babain tim), fq.19 , Rozafa, Prishtinë, 2025









