Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viktor Gjikolaj: Shkrimtari e dallueshme e konkuruese në prozën bashkëkohore

| E diele, 14.12.2025, 06:52 PM |


SHKRIMTARI E DALLUESHME E KONKURUESE NË PROZËN BASHKËKOHORE

- Vjen romani “Klasiku V” i shkrimtarit Ndue Dedaj -

NGA VIKTOR GJIKOLAJ

Shtëpia botuese ''Gjergj Fishta'' nxori në qarkullim romanin e ri të shkrimtarit, poetit e publicistit të njohur, Ndue Dedaj. Ashtu si e kam patur rasën me thanë, e gjithë shkrimtaria e tij shquhet per poetikën e kumtit. Edhe te një kronikë e zakontë e tij, lexuesi takon poetin. Është tipar dallues i autorit, që e veçon nga bashkëkohësit e tij.

“Klasiku V” vjen pas një pervoje të mirë në lëvrimin e prozës së gjatë. Dhe këtë e dëshmon botimi i tij më i ri. Ngjarjet e romanit zhvillohen në krahinën e Dyfandorës (nënkupto Ndërfana e dikurshme, territor ku rrjedhin dy Fanat), me qendër qytetin e Pirustit (?). Ngrehina narratore ka si prolog luftën kundër mbeturinave fetare dhe vetë besimit, në një reliev ku shkëlqen fryma e besimit dhe e identitetit. Kështu nis kronika e zhvillimeve të ngjarjeve tronditëse, të pashembullta edhe në Perandorinë, ku ishim keqbashkuar. Ndalohet besimi, fjala e lirë, ka përgjime, burgime, dhunë. E të gjitha këto nën hijen e një Diktatori, që servilët rreth tij duan ta shpallin Kasikun V (janë disa intelektualë të rinj tiranas që e refuzojnë dhe stigmatizojnë këtë klimë socialpolitike të asaj kohe).

Autori nëpërmet mjaft episodeve historike e kreative na shpalon parodinë e një strukture antihumane, ku liria mungon për të gjithë. Të gjithë flisnin për lirinë, po kush ishte i lirë? Cila familje, cili luftar i “fitimitarëve”? Cili intelektual? Arseni, Justina, ing. Prela, mesuese Holta, Preng Bib'orosi? Dhunë, përdhosje depersonalizim... Kurse Tirana mbushur me parulla për Klasikun V, për qeverinë e tij, për “lumturinë”, për vigjilencën dhe luftën e klasave. Ngjarje tronditëse në kupolë, familje, qytet, fshat, burgje... Dhe në këtë kontrast të madh ka vetëm një shkëlqim, Klasiku, konstruktori i dehumanizmit e lirisë së individit...

Epilogu i romanit na i sjell personazhet në ditët e zhvillimeve të viteve '90-të nëpërmjet një reflektimi realist, ku nuk mungon edhe prognoza e dilema: A thua prap dikush nga prijësit tanë e don statusin e Klasikut, a ndoshta mbretit?...

Një roman me prurje mjaft të veçanta, me një gjuhë shumë të pasur, me fjalëformime e emërvende, që tregojnë shumë e na çojnë tek të vërteta të mëdha, që autori i ka sjellë me gjuhën e mjetet e një shkrimtarie krejt të dallueshme e konkuruese në prozën bashkëkohore.