Kulturë
Ilir Muharremi: 28 Nëntori, fuqia e idesë dhe e ngjyrave
E shtune, 13.12.2025, 06:55 PM

28 Nëntori, fuqia e idesë dhe e ngjyrave
Analizë
e ekspozitës kolektive të profesorëve të Fakultetit të Arteve, Universiteti i
Prishtinës
Nga
Ilir Muharremi, kritik i artit
Një
ngjarje tradicionale, plot jetë dhe shpirt, e mbështjellë në organikën e
ngjyrave, tensionin e formave, fuqinë e simbolikës dhe metaforës, si dhe në
unitetin stilistik, është hapur si ekspozitë kolektive e profesorëve të
Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, me rastin e 28
Nëntorit Ditës së Flamurit. Ekspozita
është çelur në Galerinë e Fakultetit të Arteve, e cila drejtohet nga profesori
dhe artisti Xhevdet Pantina. Ta shprehësh brendësinë, magmën e shpirtit përmes
nuancave të fuqishme e të ndërthurura,
me optikën filozofike, nën një dialog të brendshëm dhe me mesazhe të
perceptuara në mënyrë objektive, është sfida që kjo ekspozitë e përmbush me
natyrshmëri dhe intensitet. Arti është shprehja estetike me rrugëtimin shqisor,
të ndjenjës, natyrshmërisë momentale e cila valë-valë nis rrugëtimin e ngjyrës
me lëvizjen e penelit. Pasqyra organike më ballafaqimin e tensionit të jashtëm
dhe klasifikimin e brendshëm aty te sekreti i shpirtit, krijon konkluzionin
përmbajtësor, artistik me mesazhe që shpeshë herë vetëm zëri i brendshëm mund
t’i kuptoj, e kjo është pastërtia dhe simfonia e jetë gjatësisë së përherhsme
të artit nën thirrje të shpirtit. Rrugëtimi shpirtëror i vepravave fillon nga arti abstrakt, ekspresionizmi abstrakt,
surrealizmi, realizmi, impresionizmi, konceptualizmi. Artistët pjesmarrës:
Agron Blakçori, Agron Bytyçi, Arton Behrami, Bardhyl Bejtullahu, Basri Mekolli,
Eshref Qahili, Fjoruntina Sulejmani, Gëzim Brestovci, Guri Çavdarbasha, Ismet Jonuzi,
Luljeta Muçaj, Mehmet Behluli, Mirsad Lushtaku, Mjellma Goranci, Rrezeart
Galica, Suad Rama, Valbona Rexhepi, Valdeta Veliu Vuçtërrna, Vlora Ismaili,
Xhevdet Pantina, Yll Xhaferi, Yllka Fetahaj, Zake Prelvukaj, Zeni Ballazhi, u
prezantuan me piktura, grafika, fotografi, skulptura, intalacion. Kuratorët e
ekspozitës janë: Ismet Jonuzi, Mehmet
Behluli, Guri Çavdarbasha.
Në
planin kromatik, ekspozita lë përshtypjen e një skeme të qëllimshme simbolike
dhe atmosferike. Paletat dialogojnë midis ngjyrave të ngrohta nuancave të kuqes të shtypura në fusha të
mëdha si shenja identitare dhe pasioni kolektiv dhe gamës neutrale të grisë,
zezës dhe të bardhës, që funksionojnë si hapësirë reflektimi dhe reminishence.
Një përdorim i shpeshtë i toneve tokësore (okër, kafe të errëta) rringjallin
subjektet në një kontekst material, duke i lidhur figurat me tokën dhe
historinë. Në shumë vepra ngjyrat nuk janë thjesht simbol estetik, ato sillen
si dokument si gërmim memorieje dhe hapin hapësira emotive ku nostalgjitë përzihen me kritikën. Formatet dhe raportet e
përmasave flasin me gjuhën e monumentalitetit dhe të artistikës në të njëjtën
kohë. Kompozicionet e mëdha, horizontalisht të orientuara, kërkojnë shikim të
përbashkët dhe vendosen si tabele kolektive, ato riprodhojnë skena ose
kompozime ku figura dhe peizazhi bashkohen në një plan. Kundrejt tyre, punimet
me dimensione më të vogla dhe grafikat preferojnë format vertikale ose katrore
të punuara në nivel të lartë artistik, simbolik, përmbajtësor, drejt imazhit
realist. Në disa instalacione, artistët
shfrytëzojnë hapësirën arkitektonike të galerisë, elementët vihen në dialog me
muret, dritën natyrore dhe rrugëtimin e vizitorit, duke krijuar një skenografi
që kërkon lëvizje dhe pjesëmarrje.
Përsa
i përket figurës dhe ikonografisë, shfaqen dy linja të qarta, njëra që rikthen
figurimin historik dhe portretistik,
silueta njerëzore, portrete kolektive, motive nga ritualet kombëtare dhe
tjetra që e shndërron figurën në arketip abstrakt, shenja, vizatime të
thjeshtuara, gjurmë që nënkuptojnë përpjekje, lëvizje, dhe mungesë. Tek
grafikët, linja si element primar bart intensitetin narrativ, shtresa të
stampuara dhe kontraste të forta krijojnë ritëm dhe përsëritje, si kujtesë e
procedurës dhe e ripërsëritjes historike. Fotografia, nga ana e saj, funksionon
si dëshmi dhe rekontekstualizim, imazhe që ftojnë për lexime dokumentare, por
edhe për interpretim poetik , luajtur me fokusin, raportin e zi e bardhë, dhe
kompozicionin për të ngritur pyetje mbi identitetin kolektiv.
Skulpturat
dhe punimet tridimensionale sjellin materiali si domosdoshmëri filozofike,
metali i patinuar, druri i vjetër, betonit i lëmuar dhe fragmentet e kombinuara
krijojnë një ekuilibër mes masës dhe boshllëkut. Këto objekte nuk kërkojnë
vetëm të shikohen, ato kërkojnë ta
ndiejmë peshën dhe kohën që bartin,
pamja e jashtme shpesh mbart shenja përdorimi, riparimi ose copëtimi,
duke theksuar idenë e zhvleftësimit dhe rindërtimit si procese historike.
Instalacionet hapin më tej këtë fushë,
ato ndërtojnë situata ku marrëdhënia mes objektit, hapsirës dhe
spektatorit bëhet pjesë e veprës , dritë, tingull i largët, ose elemente që
vizitori i kalon pranë, duke përcaktuar ritmin dhe marrëdhënien e përvojës.
Kompozicioni
i përgjithshëm i ekspozitës tregon një sens pedagogjik, profesorët, si krijues dhe mësimdhënës, nuk i
lenë publikut vetëm estetikën e bukurisë, por e ushtrojnë atë në formë
reflektimi kolektiv. Veprat shpesh përdorin kontrastin midis ngjyrave, masave, teksturave për të krijuar tension interpretativ. Në një
nivel filozofik, punimet kapin
marrëdhënien e individit, midis kohës së shkuar dhe horizonteve të së ardhmes.
Simbolika kombëtare shërben si pikënisje, jo si mbyllje, ajo shndërrohet në
material për shqyrtim si një testament
që duhet lexuar jo vetëm me emocione, por edhe me racion dhe kritikë estetike.
Kjo dinamike shënohet qartë tek pjesa më e madhe e veprave, elementët figurativë nuk i imponohen
shikuesit, ata e sfidojnë atë të
reflektojë mbi marrëdhënien e vet me figurat kombëtare historike , me hapësirën
përkujtimore dhe me historinë.
Si
përfundim , ekspozita e Profesorëve të Fakultetit të Arteve paraqet një peizazh
të larmishëm të gjuhëve vizuale që bashkohen rreth temës së përbashkët të
përkujtimit dhe identitetit. Duke punuar në mediume të ndryshme, artistët
ofrojnë jo vetëm një panoramë teknikash, por një vepër kolektive mendimi një
ftesë për dialog, për rikonsiderim dhe për një reflektim të shtuar mbi mënyrën
se si historia përceptohet dhe përcillet në formën artistike.

























