E premte, 28.11.2025, 10:44 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Dedaj: Ermonela Jaho në Gjakovë, si kthimi i “Doruntinës”

E premte, 28.11.2025, 06:56 PM


ERMONELA JAHO NË GJAKOVË, SI KTHIMI I “DORUNTINËS”

(Meditim rreth koncerit të sopranos së famshme në Gjakovë, më 15 nëntor 2025)

NGA NDUE DEDAJ

Toka shqiptare është ujitur nga vaje të lashta e të vona. Ndoshta askund nuk ka pasur më shumë vajtimore (vajtojca) sa në në këtë anë të Ballkanit. Sopranoja e famshme Ermonela Jaho shkoi në Kosovë këtë nëntor për të qarë me lotët e nënave kosovare që ende nuk janë tharë. Shkoi si një Doruntinë e kohëve moderne, me dhimbjën e gjithë kohërave në kraharor. Vaji i saj në skenë ishte për ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës dhe për ata që ende nuk janë gjetur tash një çerek shekulli nga mbarimi i Luftës së Kosovës dhe cilësohen “të zhdukur”. Shkoi në tokën dardane si një bijë e dashurisë, që e ka mbartur mbi kalë Kostandini për atje, pasi amaneti i të rënëve ende nuk është kryer. Ato lot janë për familjen Jashari dhe gjithë të rënët. Simbolika e djepit në skenë dhe përkulja e përlotur e Ermonelës mbi të i thoshte të gjitha, që nga Ajkuna.

Kumti i Ermonelës ishte veçanërisht për dy nënat heroike, Pashke Krasniqi me dy djem dëshmorë dhe Ferdonije Qerkezi, që nga viti 1999 pret lajme për dy djemtë dhe bashkëshortin të zhdukur. Shtypi e përcolli me fjalë të zgjedhura siç e meritonte shfajen: “Ylli botëror i operës, Ermonela Jaho, solli në Gjakovë një nga performancat më të fuqishme të karrierës së saj, duke ndërthurur kryevepra operistike me rrëfime të dhimbjes dhe historitë e plagëve të luftës në Kosovë. Koncerti “Një zë, një komb”, i mbajtur në pallatin e kulturës “Asim Vokshi”, u shndërrua në një homazh për dy nënat: Pashkë Krasniqin dhe Ferdonije Qerkezin...”

Artistja shoqërohej nga Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës dhe këndoi arie të Puccinit, Bellinit dhe veprave operistike shqiptare, duke i vendosur në kontekstin e historive të dhimbshme të Gjakovës. Në program u përfshinë “O mio babbino caro”, “Un bel di vedremo”, “Senza mamma” dhe “Casta diva”, të interpretuara me një emocion të jashtëzakonshëm nga artistja e shquar.

Sa shumë domethënie kanë ato lot. Drama shqiptare vazhdon dhe shoqëria jonë ka nevojë për lot për t’u kthjelluar herë pas here, teksa po vrapon si e marramendur - një pjesë e saj - drejt pasurimit të paligjshëm, luksit të shfrenuar, delirit, ekzibicionit, kurse poli tjetër i saj drejt varfërimit. Qan në skenë një artiste e madhe edhe si për t’ju dhënë një mësim atyre vajzukeve të ekranit, që në vend të artit të vërtetë, jo rrallë shpalosin pozimin “këmbë mbi këmbë”...

Kemi pasur dhe ne rastin të shkruajmë dy vjet më parë një shkrim nderues për nënat shqiptare të dëshmorëve, nga i cili po sjellim pasazhe, ashtu si dhe për vetë dëshmoret e lirisë Ganimet Tërbeshi dhe Margarita Tutulani, që nuk u bënë dot nëna, pasi u bënë dëshmore të Atdheut, nëpër “alarme të përgjakkura”...

Nënat e dëshmorëve, Pashakoja e Korçës dhe Pashkja e Gjakovës

Dy nëna të lirisë!... Pashakoja u bë e njohur gjërësisht përmes filmit “Yjet e netëve të gjata”, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, ndërsa ende rronte, kurse tjetra vetëm pak kohë më parë, për shkak të një incidenti që ndodhi me “varrin” e saj!... Dy gra me fate të njëjta, nga dy treva të përmendura, Korça dhe Gjakova, tragjeditë e të cilave kishin rreth gjashtëdhjetë vjet në mes, nga lufta në luftë. Tre djemtë e Nënë Pashakos nga Pirgu i Korçës, Tafili, Mehdiu e Dajlani, ranë dëshmorë më 1942 në Luftën e Dytë Botërore, pas luftimeve të ashpra me pushtuesit italianë në Grabovicë etj., kurse dy djemtë e Nënë Pashke Markut, Gjovalini dhe Milani, u vranë në masakrën serbe të Mejës, Gjakovë, më 27 prill 1999, nga më të pashembullat në historinë e shqiptarëve, me 374 martirë.

Nënë Pashakoja u “mbart” nga Korça për në mediumin kombëtar nga shkrimtari Dritëro Agolli e regjisori Viktor Gjika, mishëruar në figurën artistike që krijoi aktorja e shquar Tinka Kurti, pasi kishte qendruar disa kohë në shtëpinë e saj. Aq e pazëvendësueshme ishte Nënë Pashakoja, sa dhe në film si personazh ajo del me emrin e saj të vërtetë. Kurse Nënë Pashke Marku e Gjakovës, mbase nuk do të dilte nga heshtja biblike, nëse kohë më parë guri obelisk i saj nuk do të hiqej nga toka private e dikujt dhe të hidhej në rrugë, një veprim që shkaktoi reagim të fortë publik, sidomos në Kosovë ku historia e saj është ende e freskët. Siç shkruante Gazeta Express, ndonëse dihej se dy djemtë e saj ishin vrarë në atë masakër të zezë, trupat e tyre u cilësuan të zhdukur deri në vitin 2003, kur u kthyen dhe u varrosen. Nënë Pashkja priti katër vite se mos dy bijtë e saj ishin gjallë, po kur kjo nuk ndodhi, fill mbas varrimit të tyre, ajo dogji veten në fshatin Korenicë afër Gjakovës, bash aty ku në kujtim të saj do të vihej guri përkujtyimor. Ishte një vetëflijim i pazakontë, tronditës, përtej të imagjinueshmes, prandaj Guri i Nënë Pashkës është simbol i një tragjedie kombëtare, do të shpreheshin qytetarët, si dhe intelektualë të njohur nga Prishtina e Tirana etj., duke kërkuar që të kthehej përsëri aty ku kishte qenë.

Plojat shqiptare kanë qenë me plot gojën net të Shën Bartolemeut, si masakra e 4 Shkurtit më 1944 në Tiranë, genocidi i kryer nga bandat shfarosëse greke të gjeneralit famëkeq Zerva mbi popollsinë myslimane autoktone të Çamërisë më 1944-1945, masakra e Tivarit më 1945 - vrasja e mijëra civilëve kosovarë nga ushtria partizane jugosllave, masakra e Ambasadës Sovjetike më 1951 në Tiranë, masakra e Qafë-Valmirit mbi nacionalistët antikomunistë më 1949 në Mirditë etj., masakra e Reçakut e janarit 1999, për të kulmuar me masakrën e Mejës, vetëm tre muaj më vonë, në prill, më e madhja e Luftës së Kosovës, ku në mënyrën më çnjerëzore, nga policia dhe ushtria serbe, vriteshin masivisht burrat, teksa po dëboheshin me gjithë familjet nga vendi i tyre. Një genocid ndaj shqiptarëve me përmasa zhbimëse. Prandaj dhe Guri i Nënë Pashkes është një himn i llojit të vet...

Ne shqiptarët nuk kemi një Zhan D’Arkë, kurse gra të shquara të historisë sonë kombëtare kemi pasur herët e vonë, por mjerisht është zbehur kujtesa ndaj tyre; nuk themi të mbushën si dikur hartimet e shkollës me heroinat e Pavarësisë etj., por dhe t’iu mbulohet varri nga ferrat, si lapidari i Shotë Galicës në Fushë-Krujë, kjo është e palejueshme. Përben një odise shumëvjeçare ajo e rivarrimit të kësaj heroine pranë të shoqit në Drenicë. Thuhet madje nga shtypi, se Shota është me tre varre, që i bie të jetë pa asnjë!? Ai që i lexon këto radhë me të drejtë do të thotë, çfarë presim për të tjerët, kur nuk është bërë me “varr” një heroinë si Shotë Galica, në afro njëqind vjet, që nga viti 1927 kur ajo vdiq në vetmi; as nga mbretëria, as nga qeveria komuniste, as nga ato të demokracisë pas 90, sidomos çerekshekullin e fundit, kur në të dy anët e Morinit qeverisin shqiptarët. Por nuk është vetëm ky rast që nuk i është dhënë zgjidhje. Në qytete varrezat e dëshmorëve janë aspak të mirëmbajtura, kurse në fshatra shenjat e historisë kanë degraduar krejtësisht, si shtëpia e Nënë Pashakos, çka tregon se shoqëria jonë nuk e ka seriozisht nderimin e vlerave historike etj.

Veton Surroi, duke bërë fjalë për Kosovën, shkruan se 1600 familjarë nuk kanë informacion për të afërmit e tyre të zhdukur në luftë, shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë, çka do të thotë se institucionet nuk kanë kryer detyrimin ndaj të vdekurve e as ndaj të gjallëve. Në këtë kuptim, Nënë Pashkja është vetë Kosova, sa e martirizuar e masakruar, aq dhe e pashëruar nga plagët e luftës që ende therin.

Dhe ariet e Ermonela Jahos në Gjakovën e këtij nëntori kumbojnë jo si nga legjendat...

Heroinat Ganimet Tërbeshi dhe Margarita Tutulani

Ishte një mbrëmje dhjetori e vitit 2023 në Tiranë. Albina Kelmendi, këngëtarja e re kosovare nga Peja, në programin televiziv “Këngë moj”, këndoi këngën “Lulkuqja e Gjakovës”, kënduar nga breza këngëtarësh për afro gjysmë shekulli. Kishte aq shpirt në interpretimin e saj, sa të dukej se historia e Ganimete Tërbeshit ka ndodhur dje. Dhe në të vërtetë, në Kosovë, ajo histori ka qenë dje, vetëm njëzet e gjashtë vite më parë, kur do të lindte këngëtarja më e re e “Lulkuqes”. Por në njëfarë mënyre është dhe sot, përderisa veriu i Kosovës sërish nxjerr heronj. Sa të ketë luftë do të ketë dhe heronj dhe mund të zbehet gjithçka me vitet, por jo qendresa për liri, brenda dhe jashtë mureve të kështjellave, brenda dhe jashtë kufijve ndëretnikë, brenda dhe jashtë telave me gjemba të burgjeve politike….

Po cila ishte Ganimete Tërbeshi? “Albanian Post” shkruan se vajza vinte nga një familje atdhetare nga Gjakova, që iu bashkua Lëvizjes Antifashiste, si korriere e postës ilegale, mbasi i vranë të vëllanë, Abedinin, në vitin 1941. Përveç tij, në luftë ishte e përfshirë thuajse e gjithë familja: motra Hidajete, hallat Muradije e Shefkije e shumë gra të tjera. Ganimeten e burgosin dhe, në mëngjesin e 30 gushtit të vitit 1944, e sjellin të lidhur në qytetin e Gjakovës, ku pasi i vranë para sysh nëntë shokët e saj antifashistë, të fundit varën atë. Ishte vetëm 17 vjeçare kur u ekzekutua. U shkruan vargje e u kënduan rapsodi për të. Për heroizmin e saj në vitet ’70 u shkrua edhe nga mediat serbe. Emrin e Ganimetes e mbajnë disa shkolla në Kosovë…

“Ganimet, moj krenaria jonë”… është refereni që këndohet tash 81 vjet në Kosovë dhe do të këndohet gjithmonë. Ganimetja ishte e vogël, por lufta çlirimtare e bëri të madhe. Tjetër që pas Luftës diktatura e fitimtarëve, që u shndërruan në sundues, shkaktoi tragjedi njerëzore dhe politike, si dhe të tjerë martirë e të salvuar, nacionalistë dhe intelektualë nga elita e kombit!…

E këto pak radhë janë vetëm një “telegram” në bashkëkohësi i një jetë të këputur pa filluar ende të çelte, që iu duhet përcjellë breznive të reja.

Motër e vëlla, Margarita dhe Kristaq Tutulani në Berat, ashtu si Ganimeti dhe Abedini në Gjakovë, e meritojnë kurdoherë një kurorë dafinash. Por atë që nuk e bën gjithnjë politika, e bën poezia. Poeti i shquar Fatos Arapi e ka përjetësuar idealin e Margaritës 18 vjeçe në mënyrën më njerëzore e fisnike:

Margaritë, moj / Motra ime, moj…

Flisje për ëndërra / Ti që vetë ishe ëndërr.

Margarita së bashku me Kristaqin, u pushkatuan në një natë “alarmesh të përgjakura” në afërsi të Kavajës nga pushtuesit fashistë. Nuk ka një metaforë më të qëlluar se ajo e “alarmeve të përgjakura”, që i rri aq denjësisht dhe poema e Llazar Siliqit “Prishtina”: “Me ditë, me javë me muaj e pritëm na vdekjen…”

A nuk kanë shkruar kështu poetët europianë kundër Aushvicit?… Por, më thoni, a kemi këso poezish më në tekstet tona shkollore? Druaj se jo.

E, pra, si Ganimeti si Margarita ishin aq të reja në moshë, sa gjimnazistet e sotme, paçka se në sytë tanë vijnë më të rritura, për shkak të veprimtarisë së tyre atdhetare.

Kujtesa ndaj tyre shkon më përtej se ato vetë dhe si thirrje për mirëmbajtjen e shenjave të Luftës dhe objekteve muzeale të dëshmorëve. Rinia e sotme, vajzat e shkollave, pasarelave, ekraneve duhet t’i njohin Ganimetet dhe Margaritat e historisë sonë, krahas gjithë grave të tjera martire shqiptare. Nuk janë vetëm veteranët dhe pasardhësit e tyre që kanë “ekskluzivitetin” e përkujtimit të Luftës, dëshmorëve, por në radhë të parë lipset të jetë nderimi shtetëror, kombëtar, pa drojen se po shkruam për “ata”, do të na kundërvihen “këta”, duke na etiketuar kështu e ashtu. Historia nuk është shilarës…

Koncerti i Ermonala Jahos në Gjakovë më 15 nëntor është një himn për atdhetarinë, kujtesën e historisë, që është në radhë të parë ajo e nënave. Kështu u shpreh artistja: Desha që të nderoj nënat e dëshmorëve, Pashkën dhe Ferdonijen…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Valentina Dafa: Refleksion mbi romanin “Lotët e një gruaje” të autores Blerina Pëllumbi Albert Habazaj: Pavarësia na flamurëron zemrat vlorërisht Jahja Drançolli: Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, simbolin më të çmuar të historisë sonë mijëravjeçare Visar Zhiti: Flamuri ynë, zjarr prometean dhe flatër engjëlli Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Zholi: Veprimtari mbresëlënëse në promovimin e dy librave të Meri Mezinit Milazim Zeqiraj: Flamuri që u zgju në Vlorë Mihal Gjergji: “Poetja” Vilhelme Vrana Haxhiraj: “Kush jam unë” Nexhmije Mehmetaj: Gjenevë - Festë madhështore për Ditën e Flamurit Gjekë Gjonaj: Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në Miçigen ,vlerë kombëtare për fëmijët shqiptarë në mërgim Kadri Tarelli: Jaho Margjeka në magjinë e ngjyrave të vargut poetik Ndërron jetë këngëtari i mirënjohur Shpat Kasapi Bashkim Saliasi: Një thesar me vlerë iu shtua bibliotekës time Lekë Mrijaj: Studimi im mbi dokumentin e rrallë të Luigj Gurakuqit dhe letrën e tij të datës 21 qershor 1917 Neki Lulaj: Amina Nuraj - 'Unë bija e Atdheut' Feti Tunuzliu: Pesë monografi dinjitoze të prof. Fazli Hajrizit kushtuar pesë shkollave të mesme të Mitrovicës Vlash Prendi: Kronikë e dhimbjes njerëzore Resmi Osmani: Kafe me Xhulin Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx