Kulturë
Resmi Osmani: Kafe me Xhulin
E hene, 24.11.2025, 06:55 PM
KAFE ME XHULIN
Tregim nga Resmi Osmani
Xhuli
me dy të bijat ngadalësuan hapat, për të
parë postatet e luleve në të dy anët e udhëzës e hyrjes për në hotel”Tirana”. Begonjat dhe
lule salviat e harlisura,me të kuqen e tyre të ndezur e të gjaktë, dukej sikur
kishin marrë zjarr. Midis tyre si gurët e një mozaiku, ishin shpërndarë
vjollcat tringjyrëshe dhe ciklaminet,
gjithëfarë ngjyrëshe. Bordurat qarkoheshin nga gardhi i ulët e i
ngjeshur i shkurrëzave të bushit,të krasitura e formësuara për merak. Ishte një
pamje e bukur midis masiveve të betonit dhe mermereve të përhinjta të Pallatit
të Kulturës dhe Muzeut.
Asaj
iu bë sikur i thirrën emrin. Zëri vinte nga drejtim i papercaktuar, si jehonë,
sikur pluskonte bashkë me zhaurimën e makinave në ajrin e nxehtë të mesditës.
Mos i ishte dukur? Sidoqoftë, u kthye dhe hodhi rrotull një shikim të hapërdarë,rrethor dhe pyetës.
Nuk ishte gabuar. Në këmbësoren, përball muzeut dikush, i zhytur në dritën e
diellit të mesditës dhe kalimtarëve të rastit, ngriti dorën, i buzëqeshi dhe
ngau drejt saj. Ajo hoqi syzet e errëta që t’i dritësohej pamja e të shihte më
qartasi.
E
njohu. Ishte Agimi. Ai u nis drejt saj. Ajo u shtang si t’i ishte shfaqur një
fantazmë dhe ndjeu që zemra i shpeshtoi rrahjet dhe gjaku i vrulloi në deje.
-Agim!
Ti?
Zëri
i saj, habitor e pyetës, ishte i shuar, zanorezgjatur, e në të kishte
një si gulç marrafrymës
Ai
qëndroi një hap para saj, i ndrojtur
me pamje si i zënë në faj, me një
buzëqeshje të vetvetishme.
-Po.-
tha ai zëshuar dhe i zgjati dorën.
Ajo
ja toku me të sajën dhe s’po ja shqiste shikimin nga drita e syrit. Pastaj e
tërhoqi drejt vetes dhe e rroku në qafë. Qëndruan një valë herë ashtu. Pastaj e
largoi paksa, i mbajti të dy duart dhe
s’po ja shqiste shikimin, si të kërkonte aty atë që e kishin shlyer vitet e
s’ishte më.
-Eh!-
Ofshau ajo. Ishte një ofshamë e papërcaktuar, si t’i drejtohej hapësirës.
–Vajza, afrohuni!. Ky është Agimi.
Dhe
pas një stepjeje shtoi: i dashuri im i parë. Këto janë vajzat e mia,Bora dhe Zana.
Agimi
u ndje si t’i kishte rënë mbi krye rrufeja, me shkrepëtimë verbuese, e si nën
vete të ishte hapur toka. Fytyrën ia mbuloi të kuqtë, teksa vajzat,të mësuara me shakatë e së ëmës, mosbesuese e pak si të hutuara, i qepën sytë me kërshëri
burrit të huaj, që e ëma tha se kish qenë i dashuri i saj i parë. Për to,
ishte një e papritur e beftë, që kishte pikuar nga
qielli i Tiranës. Agimi, pas hutimit të parë, e mblodhi veten. Para tij, pas
afro tridhjetë vitesh, kishte Xhulin. Paksa të shëndetshme, por me atë bukurinë
e fisme e rrëzëllitëse, që mosha nuk ia kishte fshirë.
-Dukesh
mirë.
-Së
jashtmi po.
-Pse
me të zeza?
-Po
bëhen dy vjet,që im shoq është ndarë nga jeta.
-Më
vjen keq. Ngushëllime. Vetë shëndoshë! U prehtë në paqe!
-Faleminderit!
Shëndosh shokët e miqtë!
Ai
e dinte se ajo, që nga mesi i viteve
nëntëdhjetë jetonte në Itali.
Vuri re që të bijat e flisnin shqipen me theks të huaj.
-Keni
ditë që keni ardhur?
-Po.
Na ka sjellë, veç mallit për vendin dhe njerëzit, trashëgimi i një prone të tim
shoqi. Një telash më vete ky që më ka sjellë dhimbje koke.
-Do
rrini ditë?
-Sa
të mbarojmë procedurat ligjore, të lodhshme e burokratike.
Bënte
vapë. Dielli nxehte dhe nga asfalti ngrihej shkulmi i avullit të ngrohtë aromë
zifti. Ata qëndronin në këmbë. Agimi i tha:
-Keni
kohë sa për një kafe?
-Për
ty, edhe po të mos kisha, do ta gjeja.
-Faleminderit.
Ngjitemi të katër lart,te “La Pergola”. Është bukur.
-
Ne të dy,po. Vajza, merrni ndonjë pije freskuese në barin e katit të parë dhe më prisni aty. Nuk
vonohemi.
U
ngjitën të heshtur shkallëve, përshkuan sallën e katit të dytë, që i nxori në
ballkon, bënë djathtas dhe u gjendën te ajo që e quanin “La Pergola”.Ishin
krijuar llozha me trina të thurura me ristela dërrase në formë katërkëndore, në
të cilat ishin pleksur e ndërfutur lule
drethkëla, dorëzonje dhe shermashek. Binin në sy këmbanëzat ngjyrë vjollcë të
drethkëlave dhe lulet e vogla e të bardha të dorëezonjave, që çlironin një
aromë të ëmbël. Mjedise të qeta për biseda intime. Përballë ishte ballina e
mermertë, e ftohtë dhe e rëndë e muzeut, me dritaret e ngushta vertikale, si ca
sy të verbër dhe në të djathtë universiteti me emrin e çuditshëm”UFO”. Midis
hotelit dhe muzeut, bulevardi gëlonte nga lëvizjet e paprera të tufës së
makinave që zukasnin si luzma e bletëve. Blirët e rritur, mbjellë në këmbesoret
dhe lulishten e vogël para muzeut, ishin degëvarur nga pesha e luleve të
bardha, që ishin në lulëzim të plotë dhe aromatizonin ajrin. Gjethet e blirëve
kishin reflekse të argjendta.
Ndenjën
në divanët e ulët, ballë njeri –tjetrit. I ndante tryeza e mesit, gjithashtu e
ulët, me një qëndizmë dantellash në mes.Të dy nxorën paketat e cigareve. Paska
filluar duhanin,mendoi Agimi. Atëhere në vitet e largëta, ajo nuk tymoste. I
dha flakë çakmakut,ja ndezi Xhulit, pastaj të vetin. Midis tyre u shtri një
perde e zberdhylët e si në të kaltëreme, luhatëse dhe e tejpashme e tymit, që i
bënte fytyrat të dukeshin si të shformuara. Kur fjollën e tymit e davariti era,
Xhuli i buzëqeshi, me buzëqeshjen e
dikurshme, të çiltër, të pafajshme e të bukur, por disi enigmatike dhe pyetëse.
Erdhi
djali I shërbimit.
-Porosinë
, ju lutem!
-
Kafe.
-Zonja?
-Për
mua një lëng frutash. Sill edhe një konjak “Skënderbej” për zotërinë.
Ai
e kuptoi domethënien e porosisë së saj. Ishte rikujtim i atyre viteve të
hershme, kur ai pas leximit të “Tre shokëve” nisi ta shoqëronte kafen me
konjak. Të dy po mendoheshin. Kishin kaluar aq shumë vite. Nga t’ia nisnin? Si
ta kapërcenin ngërçin e kohës ?Në atë tablo të gjatë jete, ishte një fragment i ndritur, plot ngjyra të
trandafilta, të rimta, me tone të gëzuara, ngazëllyese, në atë atmosferë si
prej ëndrre, si dy re të bardha, të pezullt, vozisnin ata të dy. Pastaj vinte pjesa e përhinjte, e
trishtë, njëngjyrëshe: ndarja , ku secili kishte humbur në mjegullën e kohës,
në jetën e vet, me pak gëzime e me më shumë halle, andralla, por ku si
thëngjijtë fshehur nën hirin e kohës regëtinte kujtesa dhe ai malli molisës për njeri-tjetrin. Ku ishte ajo? Ku ishte ai?
A ishin mirë e të lumtur? Por e përditshmja,familja, fëmijët e fshinte atë
përfytyurim të mjegullt, për të pranuar të tashmen, që sido që të qe, edhe si
një fatalitet, ishte zgjedhje e tyre dhe ankesat nuk vlenin. Dita e sotme,
kishte sjellë këtë të papritur, tronditëse e turbulluese, takim të përmalluar
pas viteve të gjata të ndarjes.
Djali
i shërbimit la porosinë dhe pas urimit “Ju bëftë mirë” , që ja bënte kujtdo, u
largua.
-Për
të mira e në gëzime! , - uroi Agimi.- Xhuli! Kanë rrjedhur kaqë vite nga jeta. Më thuaj dy
gjëra për vete, se edhe unë do të them të miat.
Ajo
nisi të tregojë ngadalë, mendueshëm e si mepadëshirë.I rrëfeu për dashuritë e
saj zhgënjyese, për martesën e pafat, sëmundjen e burrit, përballimin e jetës
dhe mundimet për të rritur e pa ndihmë të të dy vajzat dhe për vitet e emigracionit
dhe punët e rëndomta për mbijetesë. Sidoqoftë, vajzat ishin rritur, arsimuar. E
madhja ishte pianiste e talentuar, dhe e
kishte bërë dhe gjyshe, mdërsa e dyta,
piktore që premtonte.
-Kjo
ka qenë rruga e jetës sime, pas ndarjes sonë. Treni i saj ka mbërritur në
stacionin e fundit. Ditët që jetojmë janë dhuratë që na bën jeta. S’na mbetet
tjetër veç të presim fundin me qetësi, të jetojmë të tashmen, duke lënë mënjanë
pengjet.
Edhe
ai rrëfeu për vete: transferimin në Tiranë, jetën akademike mes studentëve,
ngjitjen në hierarkinë shkencore, përfitimin e titujve dhe gradave, jetën e
qetë familjare, rritjen e tre fëmijëve,të tre djem dhe së fundi daljen në
pension. Kishte trokitur fundi. Ndjehej si i braktisur, jashtë vëmendjes, i
hedhur tej si limon i shtrydhur.
Biseda
kishte mbushur boshllëkun e viteve të panjohura.Të dy e dinin se në atë zinxhir
ngjarjesh, mungonin shumë hallka të errta apo të dritësuara, që njeriu i mban
për vete e si ndan me të tjerët. Në fund Agimit, nuk ju durua pa i bërë
pyetjen, që e mundonte qyshkur u takuan:
-Xhuli,
ç’qe ajo që u the vajzave ? Më bëre të
skuqem e të ndjehem në zor para tyre.
-Që
ta dinin me cilin kishin të bënin dhe për t’i pohuar vetes dhe ty, një të
vërtetë që s’u tha kurrë.
Ajo
heshti, gjerbi një gllënjkë lëng dhe buzëqeshi hidhur.
-Eh,
burrat!Janë ata që na bëjnë të lumtura, hem ata që na bëjnë edhe fatkeqe,-
pohoi e pastaj ndezi edhe një cigare.
-
E njëjta vlen edhe për gratë,- iu përgjegj ai.
-Ashtu
vërtet, por burrat janë gjithmonë një hap para, përveç teje që ishe një hap
prapa!
Ai
u ndje ligsht dhe po e kaplonin djersët,
nga kthesa e beftë e bisedës.
-
Kanë kaluar dyzet vite dhe sot e solli rasti dhe ora që të rrëfehesh në këtë
llozhë të pjergullores: më thuaj të vërtetën, a më ke dashuruar?
Fliste
qetë, por sytë zhbirues ia kishte ngulur në fytyrë dhe pyetja ishte bërë me
ngulm dhe çuditërisht me një hakërrim të brendshëm, që priste një përgjigje.
Agimit iu duk si të ishte një marrje në pyetje, por qetësia dhe ai përmallim i
mezidukshëm i saj, që mundohej ta fshihte, bënë që ta mendonte ndryshe, si një
hapje zemrash
-Po.
Ti ishe dashuria ime e parë, e vetme, e pakrahasueshme me asgjë tjetër.
-Sa
më ke dashur?
-Nuk
e di qe të ketë masë vlerësimi për dashurinë, por nga ajo ndjesi e zemrës sime,
e mbushur plot me emrin tënd, qenien tënde, dritësimin e syve, tingullin e
zërit dhe të qeshurës sate, valëzimin e flokëve që t’i merrte era, ecja e bukur
si një vallëzim, gjithçka jotja kishte bërë folenë në zemrën time. Ti ishe
brenda meje, e shkrirë njësh me jetën time. Jeta ime sillej vetëm rreth teje, e
pjesa pa ty ishte bosh, si një shkretëtire. Të kam dshur shumë, shumë.
Teksa
fliste, mendja iku, mori arratinë, në ato vise të dashura të djalërisë,
U
njohën në shtator,kur ajo u emërua mësuese në shkollën e sektorit të
fermës.Shtatmesatare, me trup të formuar mirë, me gjallëri prej djali, por me hire vajzërore. E freskët si lule.
Kurmi i saj mbante një aromë si qumësht, flokët jasemin,fryma e saj si aroma e
mollës së pjekur.Ishte si një buqetë lulesh. Sytë i qeshnin tërë kohës. Zëri si
këmbanë aegjendi. U miqësuan aq shumë, sa mezi prisnin të takoheshin, të
kuvendonin ,të çuçrisnin, të komentonin filmat, librat që lexonin. Çdo fjalë,
sado e zakontë , fliste për atë që ata e ndjenin, por nuk e thonin. Fliste për
dashurinë. Dukej sikur ishin bërë për njëri-tjetrin. Në fund të orëve të
mësimit, kur ndaheshin, i kaplonte trishtimi. Ai u futej punëve. Por do të
vinte e nesërmja dhe lulet do të çelnin përsëri e blerimi do të mbulonte
fushat. Në mëngjes ai s’e pinte kafen pa ardhur autobusi që sillte atë. E pinin
bashkë, ndërsa ai ai edhe një gotë
konjak. Diku te “Tre shokët” e Remarkut, njëri nga personazhet thonte se
konjaku ishte “Pija e heronjve !” Dhe ditët rridhnin. Muajt iknin dhe ata
ndjenin atë lumturi, atë lëngatë të ëmbël, atë molisje shpirti, atë
regëtim zemre, atë pulsim gjaku, që
është dhuratë e moshës së dashurisë.
Teksa
me sytë e mendjes Agimi shihte pamjet e
dashura të së shkuarës, dëgjoi Xhulin, që vazhdonte të pyeste:
-Ne
duheshim, edhe të tjerët e vërenin dhe e
dinin. Ti pse nuk ma the, pse nuk ma shprehe? Pse? Të mungonte guximi, ishe i
turpshëm dhe i ndrojtur?Apo shkaku ishte biografia ime? Por, pavarësisht nga
përkatësia fisnore, babai ishte mjek që e nderonte tërë qyteti dhe nëna
mësuese.
-Jo
–tha ai mendueshëm e me gjysmë zëri.- Nuk ishte ai shkaku.
I
kujtohej si sot, kur ajo e ftoi në shtëpi për ditëlindjen e saj. Mbeti i
befasuar dhe i topitur nga ajo që pa : vila
me dy kate, thurur me avllinë e lartë, porta e hekurt me monogramet e
familjes, shkalla e shtruar me tapet të kuq, dhoma e pritjes me kolltuqe të
rëndë lëkure ngjyrë mjalti shtruar me qilim të shtrenjtë, tablotë veneciane në
mure, mobiljet e shtrenjta dhe takëmet e argjendta dhe të kristalta, që
shndërinin të serënditura në kristaliere me dru mogani të zi. Ai hyri bashkë me
Xhulinm e në dorë mbante një tufë me trandafila. E ëma e Xhulit, sido që ai
ishte përpjekur të vishej me kujdes, e pa shtrembër. Ishte një zonjë e rëndë,
duart stolisur me unaza të shtrenjta dhe byzylikë të artë. E gostitën me liker
vishnje të mrekullueshëm, të bërë në shtëpi, që fekste si rubin në një
gotëz kristali, e pastaj një gotë me shurup trandafili. I ati i
Xhulit, doktori, u tregua më i afruar e më i njerëzishëm. Sidoqoftë, ai u ndje
si i ulur mbi gjemba. U kërkoj lejë dhe u largua. Xhuli e përcolli deri në
rrugicën me kalldrëm. Atë ditë ndjenjat e tij pësuan një të krisur. Ai vinte
nga kasollet e fshatit. Ku nëna e tij e mirë dhe e dashur e ku ajo zonjë që ishte nëna e saj. Ku
vëllezërit e tij dhe kunata punëtore, që punonin arave, me atë familje
intelektuale?
Jo,
hendeku midis të dyve ishte i thellë. Gjetkë duhet ta kërkonte shortin e tij.
-Ti
nuk ma the që më doje edhe kur unë ta kërkova. Të kujtohet? Ishim nën hijen e
pishës te oborri I zyrave tuaja. Kisha kërkuar të drejtë studimi dhe më kishte
dalë për në Institutin Dyvjeçar në Shkodër. Erdha dhe të pyeta, të shkoj apo të mos shkoj. Prisja të më thoje jo dhe
unë do të qëndroja për ty, por ti pas një hezitimi të gjatë, më the që duhej të
shkoja. Mu duk se mbi kokë mu shemb qielli dhe ika pa të thënë as ditën e mirë.
-Nuk
ta shpreha dashurinë me fjalë , ngaqë të doja vërtet me shpirt. E dija që nuk
mund të siguroja për ty vazhdimin e asaj jete që t’i bëje në familje. Sepse për
të qënë e lumtur, veç dashurisë, duhen
edhe ca gjëra të tjera. Kjo është urtësia e jetës, që tashmë besoj se e ke
mësuar. Pastaj, pse të mos ta them, edhe
dallimin midis familjeve tona.
-Ah,-shfreu
ajo,- Paragjykimet e mallkuara. Për to ne humbëm njëri - tjetrin. Një dashuri
të bukur. Për një fjalë, për një pohim dhe ne do të ishim martuar bashkë. Do të
kishim ndërtuar një familje. Unë do të kisha lindur për ty tre djem. Jo, më
shumë. Katër, pesë, sa të kishe dashur ti.
Ata
i kishin thënë të gjitha.
-Duhet
të ngrihemi, - tha Xhuli,- Vajzat po më presin.
Kur
po ecnin në ballkonin e pjergullores, ajo mbajti këmbët.
-Ti
s’ke ndryshuar fare,- i tha ajo,- Ke mbetur po ai i atyre viteve, për të cilat folëm. Nuk mendon se më ke një
borxh të dyzet viteve më parë, që duhet ta shlyesh?
Ajo
dukej e shkrehur, si në pritje të diçkaje.
Trupi i saj thërriste, sytë luteshin, buzët ishin paksa të hapura, si
një gonxhe luleshege, koka e vaisur paksa pas. Ai e tërhoqi vrulltas, e
mbështeti në gjoksin e tij të gjerë e me dorën tjetër i pushtoi shpatullat dhe
me sytë gjysmë të mbyllur, kërkoi gojën e saj. Buzët ishin të ngrohta, të plota
e të mishta, mbushur me lëng jete dhe ai
thithi nektarin e asaj goje të dashur. Ajo fërgëllonte dhe dridhej e tëra si e
trallisur nga shija e asaj puthje që kishtë dyzet vjet që e priste. Kur u
shkëputën, ishin duke dihatur. U panë në sy dhe ja krisën një të qeshure të
hareshme . Ishte rikthimi I beftë në vitet e rinise së tyre dhe u bindën se
dashuria mbetet përgjithmonë e re……
Shkëputur nga vëllimi me tregime ”Leter mbretit”









