Kulturë
Vlash Prendi: Kronikë e dhimbjes njerëzore
E hene, 24.11.2025, 06:56 PM
KRONIKË E DHIMBJES NJERZORE
-
Mendime rreth librit të shkrimtarit Llesh Ndoj “Shtjellë fatesh”, “Marianistët”
Lezhë 2025 -
NGA
VLASH PRENDI
Dalja
e një libri të ri, shënon një sukses për autorin, por është gëzim edhe për
lexuesin e etur për tema interesante që trajtohen prej tyre në letërsinë tonë.
Kështu ndodhi edhe me librin më të fundit të poetit dhe studiuesit Llesh Ndoj,
i cili kësaj radhe ka vendosur t’i thyej kornizat e zakonshme të krijimtarisë së
tij dhe të dalë para lexuesit me një vepër interesante në prozë, ku evokohet
koha dhe vendi ku zhvillohen ngjarjet. Jo pa qëllim, autori i vendos ngjarjet në
të kaluarën, kur veprimtaria njerëzore rregullohej
në bazë të ligjeve të së drejtës zakonore, ndërsa në hapësirë, jemi në fshatrat
e thella të Mirditës, kryesisht në fshatin Domgjon. Personazhi kryesorë që e
tundon autorin është Diellorja, nëna e dashur, e zonja, punëtore, e mençur,
bujare dhe trimëreshë, e cila përfaqëson bukur të gjitha nënat shqiptare, të
cilat kanë luftuar me shpirt për të siguruar dhe ndërtuar jetën edhe në kushtet
më të vështira.
Subjekti
i veprës është ndërtuar mbi fate jetimësh, për të cilët autori i ka njohur përsonalisht,
ose ka dëgjuar për ta. Jeta e ka përgatitur që t’i njohë njerzit dhe të gjykojë
mbi veprimet, gjykimet e natyrën e tyre. Prandaj subjekti është i thjeshtë dhe
i kuptueshëm për lexuesin, ashtu siç janë edhe personazhet, figura përgjithësuese
me tipare burrërore dhe natyra tërheqëse njerëzore. Ngjarjet zhvillohen duke
pasur në epiqendër Dielloren, nënën heroinë, që është rritur jetime, e më e
keqja është se disa nga njerëzit me të cilët atë e bashkon jeta, i ndjek i njëjti
fat. Autori ka synuar që përmes ngjarjeve të pasqyrojë momentet më të rëndësishme
të historisë dhe jetës së vështirë në të kaluarën, ku mundarët (mundimtarët) e
siguronin bukën e gojës me shumë vështirësi dhe e kalonin jetën të mbushur me
ndodhi dhe ngjarje, herë - herë të pazakonta. Parë në këtë këndvështrim,
subjekti përfshin hapësira të gjëra të realitetit, procese të zhvillimit shoqërorë,
duke i dhënë kështu veprës frymëmarrje të thellë dhe tingull real. Këto detaje
të bukura i gjejmë tek marredhënja e çiftit të sapo martuar Tefë - Roza, të cilët
të pajisur me veti njerzore, në një ambient të zymtë, kërkojnë të ndërtojnë jetën
e tyre mbi varfërinë, megjithëse për Tefën kjo është martesa e dytë, sepse
Merja ishte larguar nga jeta duke lënë pas dy jetimë, Noanin dhe Hanën.
Ja ka arritur më së miri autori të trajtojë me nivel dhe kompetencë temën mbi fatet e personazheve, duke zbuluar thelbin e dukurive, duke paraqitur dhe vënë në qendër të shtjellës mbartës të problematikave të kohës kur kanë ndodhur ngjarjet. Të tërheq galeria e personazheve që përshkruan autori, veprimet dhe gjykimet e tyre, veçantitë dhe psikologjia e tyre në përshtatje me natyrën dhe kohën kur ndodhin ngjarjet. Tipat dhe karakteret e tyre si mishërime ideoartistike, mbartin vlera të veçanta në vepër, sepse personazhet që merr në analizë autori janë tepër aktive, ngjallin interes, dhe dallohen për origjinalitetin e tyre. Figurat që krijon shkrimtari në vepër janë pasurim i traditës, siç ndodh me Dielloren, Tefën, Rozën, Hanën, Hilë Murranin, Martinin, Dranden, Ndue Nufin etj. Këta personazhe, në përputhje me rrethanat historike të trevës ku jetojnë, me veprimet e tyre zgjojnë ndërgjegjen e masës, venë në lëvizje gjykimin popullor, shkaktojnë ndeshje dhe ballafaqime me përmasa zonale. I tillë është rasti i Hilë Murranit, i cilli i nxitur nga bukuria dhe dashuria që i lindi për Hanën, e rrëmben atë. Ishte një gjest i rendë për familjen e Tefës dhe për fisin e tij. Por këtu shkrimtari Llesh Ndoj tregohet i matur dhe ngjarjen e trajton me qetësi duke u treguar mjeshtër në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Këtë dukuri, shkrimtari e ka pasqyruar si një proces në zhvillim luftë dhe përpjekje, nëpër të cilat janë ferkëtuar ndjenjat atdhetare dhe patriotike dhe janë përftuar tiparet karakteristike të personazheve, si qendrueshmëria para situatave të vështira, burrëria, besa, bujaria, fisnikëria, besimi në forcat e veta etj.
Duke
lexuar veprën e shkrimtarit Llesh Ndoj, të krijohet përshtypja se ka më shumë
mbresa dhe përshtypje jetësore, se sa fluturime të lira të fantazisë letrare.
Parë në këtë kontekst, shkrimtari kërkon të paraqesë përmes veprës vështirësitë
që po kalonte fshatari shqiptar në ato vite të errëta, kur po vendosej pushteti
popullorë, por lexuesi do të gjejë në vepër edhe sakrificat sublime që bënte
mirditori për të kaluar vështirësitë e jetës. Në kontekstin njerëzorë, Drande
Murrani mbetet një grua heroinë, pasi përballet me vështirësi të mëdha, sidomos
pas lindjes së Mirandës dhe vdekjes së Hanës, e cila e le vajzën e vogël jetime.
?shtë kjo një ndjenjë e
spikatur njerzore e përshkruar bukur nga shkrimtari, që përfaqëson ndjeshmërinë
njerëzore të nënave tona. E kaluara është një tipar tjetër dominues në veprën e
shkrimtarit Llesh Ndoj, pasi ndeshen karakterizime të shpeshta nga e kaluara
historike e vendit, gërshetuar me një konkretësi gjendjesh shoqërore siç është
përshkrimi i veprimeve të forcave partizane në krahinën e Fanit, rënia dhe
mbrojtja në besë e pilotit anglez, dragoi Dedë që u mori ujin kuçedrave e shumë
ngjarje e gojëdhëna të tjera me vlera, jo vetëm njohëse. Përmes pasqyrimit të
tablove të gjëra artistike, një vend të veçantë zënë në libër edhe ngjarje të
huazuara nga realiteti, pasi shkrimtari merr nga jeta ngjarje të gatëshme, të
cilat i përpunon artistikisht në laboratorin e tij krijues, duke i veshur me
art dhe i bën pjesë organike të rrëfimit të tij. Kështu ndodh me përshkrimin e
renies së Ndoc Mulajt, ose me vdekjen e të burgosurit Petro, të cilin e zbulon
përmes bisedës në takimin e rastësishëm me nënën e tij.
Nga
kapitulli në kapitull, lexuesit i duhet të shtegtojë nëpër skena dhe ngjarje që
shkrimtari ka ditur t’i gërshetojë bukur në vepër. Kështu, të bien në sy mjaft
skena interesante ku autori është mbështetur tek tradita popullore. I
trishtueshëm është momenti i vdekjes së Hanës dhe vajtimi i nanë Drandes, kënga
e jetimit etj, ku evokohet tradita dhe tregon se autori e njeh mirë folklorin
dhe krijimtarinë gojore të trevës së tij, sepse shkrimtari ka shkrirë në veprën
e tij forcën e epikës dhe bukurinë e krijimeve gojore popullore. ?shtë në natyrën e
krijimtarisë së autorit që të synojë zbulimin dhe shprehjen e çdo akti që e
lumturon, apo e hidhëron, për të kaluarën dhe për të ardhmen. Kjo traditë përshkruhet
bukur dhe me nota trishtimi edhe në momentin e vrasjes së Frrokut, pasi Bardhja
shpif për shtatzaninë e të sëmurës mendore. I vëllai vret Frrokun, sepse vajza
pranon para pleqësisë aktin e turpshëm... por sipas kanunit, duhej ekzekutuar
edhe vajza. Janë ngjarje të përshkruara bukur, prandaj po japim një fragment: “... Shfrytëzuan afërsinë e Bardhes me
vajzën fatkeqe të mbetur shtatzanë dhe e bënë që ajo t’ia shpifte aktin e
turpshëm Frrokut. I vllai i vajzës e vrau Frrokun, pa pyetur më shumë dhe
kërkoi pleqninë, ku të deklarohej vetë vajza për ngjarjen e sajuar. Vajza e
gjorë, duke mos e ditur peshën e veprimeve të saj, as pasojat e tmerrshme që do
të rëndonin edhe mbi atë vetë, pranoi dhe deklaroi publikisht në mbledhjen e
pleqve se shtatëzania i përkiste marrëdhënieve, sipas saj me forcë, me të
vrarin. I vllai kërkonte që ai të shkonte gjakhupës për veprimin e turpshëm që
i kishin atribuar, t’i digjeshin pemët e shtëpia e të leçitej nga katundi,
ndërsa gjaja e gjallë pjesërisht t’u bëhej mish katundit, kurse pjesa tjetër,
si edhe toka t’u ndahej pjestarëve të fisit. Pleqnia zgjati me ditë të tëra,
por nuk ishte e lehtë me i dhanë zgjidhje. Kanuni e kërkon që për çeshtje nderi
të vriteshin të dy, duk e trup bashkë, dhe jo vetëm njëri.” Ky akt tregon
qartë se materiali që autori ka përdorur, ndjesitë që na jep libri dhe ngjarjet
e përshkruara, kanë vlera të veçanta, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të
ardhmen.
Një
dukuri tjetër e vlerave të kësaj vepre është edhe trajtimi i konflikteve dhe
kontradiktave që autori ka venë në themel të ngjarjeve, sepse nga fakti se
ç’konflikte parashtron autori në vepër dhe
si i zgjidh ato, është baza që lexuesi gjykon pozicionin shoqërorë të
autorit, shkallën e tij të njohjes së jetës dhe vetë zhvillimin e talentit të
tij. Këtë episod e shohim në fragmentin ku Martini, i shtyrë edhe nga opinion
shoqërorë, duke shfrytëzuar situatën e ngjarjeve që u krijuan nga ana e Ndue
Nufit, vret Hilën brenda në Kafen e Madhe në Shkodër, për të çuar në vend
nderin e familjes. Brendinë e psikologjisë së një veprimi të tillë, atë të
hakmarrjes, autori e paraqet bukur në debatin që zhvillohet brenda kafes e nga
viktima e atij çasti Hila, kur jepeshin lajme rreth veprimtarisë së Ndue Nufit,
të cilat e konsideronin atë kaçak. Këtë çast autori e përshkruan me fjalët e
Hilës, pasqyrë e një opinioni të gjerë shoqëror të kohës: “...ka shtie pushkë për nderin e motrës e tash lufton për njerëzit e
varfër pa asnjë përfitim! Dihet se forcat qeveritare, të mbështetura edhe nga
komanda gjermane, që e njihte atë si atentator komunist, pas përplasjes së
armatosur me Ndue Nufin tek dyqanet e shpërthyera prej tij, e tërhoqën atë
drejt Kafes së Madhe, ku u zhvilluan luftime të ashpra. Në këtë moment, Martini
ngrihet nga tavolina ku ishte ulur në një kënd të mbrojtur, larg këndit ku mund
t’i vinin plumbat prej dritareve apo derës, i afrohet ngadalë Hilës dhe duke i
drejtuar revolverin i thotë: - M’i bëj të fala motrës!” Këtu bie në sy roli parësorë që ka luajtur dhe
luan shkrimtari me veprën e tij, në luftën për progres shoqërorë. Vërtetë
zgjidhja e konfliktit këtu merr përmasa tragjike, por shohim se tiparet e larta
të ndërgjegjes shoqërore të malësorit, përbëjnë nektarin e përmbajtjes së kësaj
vepre. Këtë pamje na përforcojnë mendimin se duke u zhytur thellë në jetën e njerëzve
të thjeshtë, mund të gjejmë motive, ngjarje dhe tipare fisnike që ia vlen të
reagosh dhe të shkruash për to, siç ka vepruar me të drejtë shkrimtari Llesh
Ndoj.
Interesante
paraqitet nga shkrimtari një vizitë imagjinare (si në endërr) në Vienë, duke vënë
në levizje imagjinatën e tij, ku ngjarjet janë vendosur në një muze, ku
pasqyrohej bukur Mirdita e tij dhe ku një mirditorë i ikur bashkë me princin
austriak të Shqipërisë, bëhet edhe ciceroni i tij. Është e njohur përkrahja e
mirditorëve ndaj princit pa fron, siç e quan autori, por bukuria e këtij trajtimi
qëndron në faktin se autori, përmes monologjeve të vizitorit, kërkon t’i “kërkoje
llogari” shtetit austriak edhe për shumë ngjarje, që e kanë shoqëruar jetën e
malsorëve në vendlindjen e tij. Autori, përmes monologjeve në atë muze
imagjinarë, kërkon që të mos mbetet vetëm në notat pesimiste të realitetit,
trajtuar në këndin e rrezikut të mbetjes jetime edhe të vendlindjes, nga
braktisjet masive sidomos të viteve të fundit, por tregon kujdes edhe t’a ruaj
shpresën. Ai vend ka mbijetuar shekujve plot vuajtje dhe në optikën e autorit,
do t’i mbijetoje edhe së ardhmes. Janë kulmore e të bukura ato çaste kur nga
muzeu vienez, figura e nanës, figura e babës, figura e Gjergj Kastriotit dhe
Kanuni, ngrihen fluturimthi nga kafazet ku qëndronin të ruajtura prej austriakëve
(muzetë në vend janë prishur nga ne!) dhe fluturojnë drejt vendlindjes, si
garanci e ruajtjes dhe përparimit të jetës atje. Dhe vendlindja, në trajtesën e
konceptin e autorit, nuk është thjesht Domgjoni, Fani, apo Mirdita e tij, por e
gjithë Shqipëria e përfshirë nga ethet e braktisjes dhe e kërkimit të fatit në
zgjidhjet e imponuara nga jashtë.
Ndërthurjet
e imazheve konkrete dhe tablove tipike që pasqyrohen në vepër me elementët
tradicionalë të zonës ku zhvillohen ngjarjet, i japin bukuri dhe gjallëri veprës
dhe ndodhitë marrin forcë pasqyruese proverbiale, të cilat e përshkojnë
gjithandej veprën dhe i japin asaj përmasat e një romani. Kjo ndodh, sepse
autori i njeh mirë traditat, normat zakonore, marrdhëniet shoqërore, njeh
psikologjinë e personazhëve, besën, bujarinë, mikpritjen dhe vuajtjet e malsorëve.
Mbi këtë bazë shkrimtari Llesh Ndoj ka ndërtuar një vepër që do të mbetet gjatë
në memorjen e lexuesit, pa harruar kontributin e çmuar që ka dhënë edhe
redaktori i librit prof. Anton Nikë Berisha. Prandaj kjo vepër e Llesh Ndojit
duhet lexuar për mesazhet që përcjell, për gjuhën e thjeshtë e të kandshme të
personazheve të saj. Prandaj mendoj se do të kujtohet si një vepër që fikson
bukur artistikisht aspektet e jetës së fshatit, në ato vite të largëta, me
shikimin nga e ardhmja dhe duke hedhur dritë edhe mbi shumë çështje dhe
problematika të aktualitetit, që e shqetësojnë edhe sot shoqërinë tonë.
Në
një mënyrë a në një tjetër, shtjella e fateve të personazheve të librit
“Shtjellë fatesh” e autorit Llesh Ndoj, nuk është vetëm shtjella e tyre, por
përfaqëson shtjellën e fateve jetësore të shumëkujt, as vendi ku zhvillohen
ngjarjet nuk i përket veç Domgjonit, Fanit e Mirditës, vendlindja e autorit,
por përfaqëson tipikisht një zonë me shtrirje të gjerë ku banojnë shqiptarët,
edhe jashtë Shqipërisë zyrtare, prandaj ky libër ia vlen të lexohet e të analizohet.









