| E premte, 28.11.2025, 06:56 PM |
ERMONELA JAHO NË GJAKOVË, SI KTHIMI I “DORUNTINËS”
(Meditim
rreth koncerit të sopranos së famshme në Gjakovë, më 15 nëntor 2025)
NGA
NDUE DEDAJ
Toka
shqiptare është ujitur nga vaje të lashta e të vona. Ndoshta askund nuk ka
pasur më shumë vajtimore (vajtojca) sa në në këtë anë të Ballkanit. Sopranoja e
famshme Ermonela Jaho shkoi në Kosovë këtë nëntor për të qarë me lotët e nënave
kosovare që ende nuk janë tharë. Shkoi si një Doruntinë e kohëve moderne, me
dhimbjën e gjithë kohërave në kraharor. Vaji i saj në skenë ishte për ata që
kanë rënë për lirinë e Kosovës dhe për ata që ende nuk janë gjetur tash një
çerek shekulli nga mbarimi i Luftës së Kosovës dhe cilësohen “të zhdukur”.
Shkoi në tokën dardane si një bijë e dashurisë, që e ka mbartur mbi kalë
Kostandini për atje, pasi amaneti i të rënëve ende nuk është kryer. Ato lot
janë për familjen Jashari dhe gjithë të rënët. Simbolika e djepit në skenë dhe
përkulja e përlotur e Ermonelës mbi të i thoshte të gjitha, që nga Ajkuna.
Kumti
i Ermonelës ishte veçanërisht për dy nënat heroike, Pashke Krasniqi me dy djem
dëshmorë dhe Ferdonije Qerkezi, që nga viti 1999 pret lajme për dy djemtë dhe
bashkëshortin të zhdukur. Shtypi e përcolli me fjalë të zgjedhura siç e
meritonte shfajen: “Ylli botëror i operës, Ermonela Jaho, solli në Gjakovë një
nga performancat më të fuqishme të karrierës së saj, duke ndërthurur kryevepra
operistike me rrëfime të dhimbjes dhe historitë e plagëve të luftës në Kosovë.
Koncerti “Një zë, një komb”, i mbajtur në pallatin e kulturës “Asim Vokshi”, u
shndërrua në një homazh për dy nënat: Pashkë Krasniqin dhe Ferdonije
Qerkezin...”
Artistja
shoqërohej nga Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës dhe këndoi
arie të Puccinit, Bellinit dhe veprave operistike shqiptare, duke i vendosur në
kontekstin e historive të dhimbshme të Gjakovës. Në program u përfshinë “O mio
babbino caro”, “Un bel di vedremo”, “Senza mamma” dhe “Casta diva”, të
interpretuara me një emocion të jashtëzakonshëm nga artistja e shquar.
Sa
shumë domethënie kanë ato lot. Drama shqiptare vazhdon dhe shoqëria jonë ka
nevojë për lot për t’u kthjelluar herë pas here, teksa po vrapon si e
marramendur - një pjesë e saj - drejt pasurimit të paligjshëm, luksit të
shfrenuar, delirit, ekzibicionit, kurse poli tjetër i saj drejt varfërimit. Qan
në skenë një artiste e madhe edhe si për t’ju dhënë një mësim atyre vajzukeve
të ekranit, që në vend të artit të vërtetë, jo rrallë shpalosin pozimin “këmbë
mbi këmbë”...
Kemi
pasur dhe ne rastin të shkruajmë dy vjet më parë një shkrim nderues për nënat
shqiptare të dëshmorëve, nga i cili po sjellim pasazhe, ashtu si dhe për vetë
dëshmoret e lirisë Ganimet Tërbeshi dhe Margarita Tutulani, që nuk u bënë dot
nëna, pasi u bënë dëshmore të Atdheut, nëpër “alarme të përgjakkura”...
Nënat e dëshmorëve,
Pashakoja e Korçës dhe Pashkja e Gjakovës
Dy
nëna të lirisë!... Pashakoja u bë e njohur gjërësisht përmes filmit “Yjet e
netëve të gjata”, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, ndërsa ende
rronte, kurse tjetra vetëm pak kohë më parë, për shkak të një incidenti që
ndodhi me “varrin” e saj!... Dy gra me fate të njëjta, nga dy treva të
përmendura, Korça dhe Gjakova, tragjeditë e të cilave kishin rreth
gjashtëdhjetë vjet në mes, nga lufta në luftë. Tre djemtë e Nënë Pashakos nga Pirgu
i Korçës, Tafili, Mehdiu e Dajlani, ranë dëshmorë më 1942 në Luftën e Dytë
Botërore, pas luftimeve të ashpra me pushtuesit italianë në Grabovicë etj.,
kurse dy djemtë e Nënë Pashke Markut, Gjovalini dhe Milani, u vranë në masakrën
serbe të Mejës, Gjakovë, më 27 prill 1999, nga më të pashembullat në historinë
e shqiptarëve, me 374 martirë.
Nënë
Pashakoja u “mbart” nga Korça për në mediumin kombëtar nga shkrimtari Dritëro
Agolli e regjisori Viktor Gjika, mishëruar në figurën artistike që krijoi
aktorja e shquar Tinka Kurti, pasi kishte qendruar disa kohë në shtëpinë e saj.
Aq e pazëvendësueshme ishte Nënë Pashakoja, sa dhe në film si personazh ajo del
me emrin e saj të vërtetë. Kurse Nënë Pashke Marku e Gjakovës, mbase nuk do të
dilte nga heshtja biblike, nëse kohë më parë guri obelisk i saj nuk do të hiqej
nga toka private e dikujt dhe të hidhej në rrugë, një veprim që shkaktoi reagim
të fortë publik, sidomos në Kosovë ku historia e saj është ende e freskët. Siç
shkruante Gazeta Express, ndonëse dihej se dy djemtë e saj ishin vrarë në atë
masakër të zezë, trupat e tyre u cilësuan të zhdukur deri në vitin 2003, kur u
kthyen dhe u varrosen. Nënë Pashkja priti katër vite se mos dy bijtë e saj
ishin gjallë, po kur kjo nuk ndodhi, fill mbas varrimit të tyre, ajo dogji
veten në fshatin Korenicë afër Gjakovës, bash aty ku në kujtim të saj do të
vihej guri përkujtyimor. Ishte një vetëflijim i pazakontë, tronditës, përtej të
imagjinueshmes, prandaj Guri i Nënë Pashkës është simbol i një tragjedie
kombëtare, do të shpreheshin qytetarët, si dhe intelektualë të njohur nga
Prishtina e Tirana etj., duke kërkuar që të kthehej përsëri aty ku kishte qenë.
Plojat
shqiptare kanë qenë me plot gojën net të Shën Bartolemeut, si masakra e 4
Shkurtit më 1944 në Tiranë, genocidi i kryer nga bandat shfarosëse greke të
gjeneralit famëkeq Zerva mbi popollsinë myslimane autoktone të Çamërisë më
1944-1945, masakra e Tivarit më 1945 - vrasja e mijëra civilëve kosovarë nga
ushtria partizane jugosllave, masakra e Ambasadës Sovjetike më 1951 në Tiranë,
masakra e Qafë-Valmirit mbi nacionalistët antikomunistë më 1949 në Mirditë
etj., masakra e Reçakut e janarit 1999, për të kulmuar me masakrën e Mejës,
vetëm tre muaj më vonë, në prill, më e madhja e Luftës së Kosovës, ku në
mënyrën më çnjerëzore, nga policia dhe ushtria serbe, vriteshin masivisht
burrat, teksa po dëboheshin me gjithë familjet nga vendi i tyre. Një genocid
ndaj shqiptarëve me përmasa zhbimëse. Prandaj dhe Guri i Nënë Pashkes është një
himn i llojit të vet...
Ne
shqiptarët nuk kemi një Zhan D’Arkë, kurse gra të shquara të historisë sonë
kombëtare kemi pasur herët e vonë, por mjerisht është zbehur kujtesa ndaj tyre;
nuk themi të mbushën si dikur hartimet e shkollës me heroinat e Pavarësisë
etj., por dhe t’iu mbulohet varri nga ferrat, si lapidari i Shotë Galicës në
Fushë-Krujë, kjo është e palejueshme. Përben një odise shumëvjeçare ajo e
rivarrimit të kësaj heroine pranë të shoqit në Drenicë. Thuhet madje nga
shtypi, se Shota është me tre varre, që i bie të jetë pa asnjë!? Ai që i lexon
këto radhë me të drejtë do të thotë, çfarë presim për të tjerët, kur nuk është
bërë me “varr” një heroinë si Shotë Galica, në afro njëqind vjet, që nga viti
1927 kur ajo vdiq në vetmi; as nga mbretëria, as nga qeveria komuniste, as nga
ato të demokracisë pas 90, sidomos çerekshekullin e fundit, kur në të dy anët e
Morinit qeverisin shqiptarët. Por nuk është vetëm ky rast që nuk i është dhënë
zgjidhje. Në qytete varrezat e dëshmorëve janë aspak të mirëmbajtura, kurse në
fshatra shenjat e historisë kanë degraduar krejtësisht, si shtëpia e Nënë
Pashakos, çka tregon se shoqëria jonë nuk e ka seriozisht nderimin e vlerave
historike etj.
Veton
Surroi, duke bërë fjalë për Kosovën, shkruan se 1600 familjarë nuk kanë
informacion për të afërmit e tyre të zhdukur në luftë, shqiptarë, serbë, romë,
boshnjakë, çka do të thotë se institucionet nuk kanë kryer detyrimin ndaj të
vdekurve e as ndaj të gjallëve. Në këtë kuptim, Nënë Pashkja është vetë Kosova,
sa e martirizuar e masakruar, aq dhe e pashëruar nga plagët e luftës që ende
therin.
Dhe
ariet e Ermonela Jahos në Gjakovën e këtij nëntori kumbojnë jo si nga
legjendat...
Heroinat Ganimet
Tërbeshi dhe Margarita Tutulani
Ishte
një mbrëmje dhjetori e vitit 2023 në Tiranë. Albina Kelmendi, këngëtarja e re
kosovare nga Peja, në programin televiziv “Këngë moj”, këndoi këngën “Lulkuqja
e Gjakovës”, kënduar nga breza këngëtarësh për afro gjysmë shekulli. Kishte aq
shpirt në interpretimin e saj, sa të dukej se historia e Ganimete Tërbeshit ka
ndodhur dje. Dhe në të vërtetë, në Kosovë, ajo histori ka qenë dje, vetëm
njëzet e gjashtë vite më parë, kur do të lindte këngëtarja më e re e
“Lulkuqes”. Por në njëfarë mënyre është dhe sot, përderisa veriu i Kosovës
sërish nxjerr heronj. Sa të ketë luftë do të ketë dhe heronj dhe mund të zbehet
gjithçka me vitet, por jo qendresa për liri, brenda dhe jashtë mureve të
kështjellave, brenda dhe jashtë kufijve ndëretnikë, brenda dhe jashtë telave me
gjemba të burgjeve politike….
Po
cila ishte Ganimete Tërbeshi? “Albanian Post” shkruan se vajza vinte nga një
familje atdhetare nga Gjakova, që iu bashkua Lëvizjes Antifashiste, si korriere
e postës ilegale, mbasi i vranë të vëllanë, Abedinin, në vitin 1941. Përveç
tij, në luftë ishte e përfshirë thuajse e gjithë familja: motra Hidajete,
hallat Muradije e Shefkije e shumë gra të tjera. Ganimeten e burgosin dhe, në
mëngjesin e 30 gushtit të vitit 1944, e sjellin të lidhur në qytetin e
Gjakovës, ku pasi i vranë para sysh nëntë shokët e saj antifashistë, të fundit
varën atë. Ishte vetëm 17 vjeçare kur u ekzekutua. U shkruan vargje e u kënduan
rapsodi për të. Për heroizmin e saj në vitet ’70 u shkrua edhe nga mediat
serbe. Emrin e Ganimetes e mbajnë disa shkolla në Kosovë…
“Ganimet,
moj krenaria jonë”… është refereni që këndohet tash 81 vjet në Kosovë dhe do të
këndohet gjithmonë. Ganimetja ishte e vogël, por lufta çlirimtare e bëri të
madhe. Tjetër që pas Luftës diktatura e fitimtarëve, që u shndërruan në
sundues, shkaktoi tragjedi njerëzore dhe politike, si dhe të tjerë martirë e të
salvuar, nacionalistë dhe intelektualë nga elita e kombit!…
E
këto pak radhë janë vetëm një “telegram” në bashkëkohësi i një jetë të këputur
pa filluar ende të çelte, që iu duhet përcjellë breznive të reja.
Motër
e vëlla, Margarita dhe Kristaq Tutulani në Berat, ashtu si Ganimeti dhe Abedini
në Gjakovë, e meritojnë kurdoherë një kurorë dafinash. Por atë që nuk e bën
gjithnjë politika, e bën poezia. Poeti i shquar Fatos Arapi e ka përjetësuar
idealin e Margaritës 18 vjeçe në mënyrën më njerëzore e fisnike:
Margaritë,
moj / Motra ime, moj…
Flisje
për ëndërra / Ti që vetë ishe ëndërr.
Margarita
së bashku me Kristaqin, u pushkatuan në një natë “alarmesh të përgjakura” në
afërsi të Kavajës nga pushtuesit fashistë. Nuk ka një metaforë më të qëlluar se
ajo e “alarmeve të përgjakura”, që i rri aq denjësisht dhe poema e Llazar
Siliqit “Prishtina”: “Me ditë, me javë me muaj e pritëm na vdekjen…”
A
nuk kanë shkruar kështu poetët europianë kundër Aushvicit?… Por, më thoni, a
kemi këso poezish më në tekstet tona shkollore? Druaj se jo.
E,
pra, si Ganimeti si Margarita ishin aq të reja në moshë, sa gjimnazistet e
sotme, paçka se në sytë tanë vijnë më të rritura, për shkak të veprimtarisë së
tyre atdhetare.
Kujtesa
ndaj tyre shkon më përtej se ato vetë dhe si thirrje për mirëmbajtjen e
shenjave të Luftës dhe objekteve muzeale të dëshmorëve. Rinia e sotme, vajzat e
shkollave, pasarelave, ekraneve duhet t’i njohin Ganimetet dhe Margaritat e
historisë sonë, krahas gjithë grave të tjera martire shqiptare. Nuk janë vetëm
veteranët dhe pasardhësit e tyre që kanë “ekskluzivitetin” e përkujtimit të
Luftës, dëshmorëve, por në radhë të parë lipset të jetë nderimi shtetëror,
kombëtar, pa drojen se po shkruam për “ata”, do të na kundërvihen “këta”, duke
na etiketuar kështu e ashtu. Historia nuk është shilarës…
Koncerti
i Ermonala Jahos në Gjakovë më 15 nëntor është një himn për atdhetarinë,
kujtesën e historisë, që është në radhë të parë ajo e nënave. Kështu u shpreh
artistja: Desha që të nderoj nënat e dëshmorëve, Pashkën dhe Ferdonijen…