Kulturë
Kadri Tarelli: Jaho Margjeka në magjinë e ngjyrave të vargut poetik
E merkure, 26.11.2025, 06:56 PM
Kadri
Tarelli shkruan:
M’u shterrshin sytë nëse pushoj,
Lirinë tënde me ëndërrue.
Mallkue
qoftë gjaku im,
Nëse m’vrasin pa luftue
....!
Agim Ramadani. Deshmor i UÇK. 1999.
JAHO
MARGJEKA NË MAGJINË E NGJYRAVE TË VARGUT POETIK
Libri
me poezi: “Lutje në kohën e Sizifit”.
Libër ku parathënien e shkruan i shumënjohuri Skëndrer
Buçpapaj. Mbase një analizë të tillë e kaq të hollë, do ta pëlqente gjithkush
nga ne që përpiqemi të shkruajmë poezi, sepse hap udhën e njohjes njëkohësisht
edhe drejton këndonjësin për të shijuar jo vetën artin e fjalës, por të përtypë
edhe kumtin që përcjellin vargjet e poetit Jaho Margjeka.
Të them të drejtën nuk jam dashnor i vargjeve të
“Bardha”, ose e thënë më shqip, vargje larg poezisë klasike, vargjeve pa rimë
dhe muzikë, që buron nga fjala dhe shkrihet si vala. Madje dikur kam shkruar
“Mos e thyej vargun Poet”. K. T “Koha në vargje”.
Sot kam një mendim disi ndryshe për stilin e
kohëve që po jetojmë: Jam më pak i ashpër, pasi më duket sikur jam
familjarizuar, pasi kam kaluar disa libra nëpër duar. Them kështu, pasi vargu i
lirë apo forma e thyer ngjet edhe te portretet në artet pamor. Formë arti që jetoi
për një kohë të gjatë edhe në pikturën moderne të mjeshtërve Pikaso dhe Ibrahim
Kodra. Mbase nuk gaboj ta quaj këtë pamje arti, “Pasqyrë e thyer”, ku piktori sikur
i “ngjit” copat në një mozaik.
Nuk e di sa mund të shkojë ky krahasim, por
mendimi i përgjithshëm përqëndërrohet te liria dhe forca e mendimit që përcjell
poezia, pa pyetur për formën, metrikën, muzikën dhe rimën klasike. Madje
shkojnë më tej: A mund ta bëjnë lexuesin të vrasë mendje dhe të mendojë si
poeti.....!?
Gjithsesi është lexuesi ai që vendos, pasi të
shijojë kërcitjet e karrocës që shkon në kalldrëm dhe muzikën e vargut, që mund
të luhet në çdo vegël muzikore. Mbase e teproj me copëza bisedash. Para do
kohësh më caktuan si anëtar jurie në një festival poezie në Dardani. Një
kolege, me mirësi thotë: “Ende ka poetë që shkruajnë poezi klasike........!?”.
Komenti është i tepërt, madje i panevojshëm. Kjo më shty të mendoj: Po këta
poetë nuk dinë apo nuk duan të shkruajnë si dikur. Jam i mendimit se gjysma
është e vërtetë. - Nuk duan.
Në faqet e para të librit, më mbiu në buzë pyetja: - Vallë Poeti Margjeka nuk di të shkruajë poezi.....!? Dhe përgjigja erdhi shpejt: - A pyetet piktori në di të vizatojë.....!? Këtu po i drejtohem librit dhe poetit tonë, i cili në disa poezi shprehet si qëmoti: me vargje të shtruara, ku ndjehet ritmi dhe muzika si nota melodie: - Poezia “Dimri i gjatë”: - Nuk di ajo fjalë, /nuk di ç’dreqin qe, /po kaq i gjatë dimri,/ kaq i gjatë, pse.....? “Mendim dashurie”. Shiu po i t’hollon tjegullat e kësaj çatie, /të kësaj çatie, poshtë së cilës/ bleron një mendim dashurie. Poezia “Vargjet: Sytë mbyll një çast e shoh,/ po vjen ajo......../ po vjen ajo. Më tej “Miqësi drurësh”. - Në pamundësi për t’u përqafuar,/ drejt njëri-tjetrit zgjasin degët-duar. Poezia “Ky dimër”: - I ftohtë ky dimër, edhe pse pa borë.../ minutat çalojnë, ditnata s’ka orë. Po kështu edhe në poezinë: “Hesht hapësira blu” dhe “Qaj pa zë”, ......... Etj etj.
Së dyti: Poeti si pa dashje kalon në mendim
filozofik. Nuk është gjë e re, por forma e gjetur është mjaft e bukur dhe e
thjeshtë për t’u dalluar dhe shprehur: Poezia “Pak qiell dhome”..... - Pak
qiell dhome/ ku në vend të resë së bardhë, të shoh grafinë e vetvetes. - Poezia
“Prej dashurisë dhe urrejtjes”: - Prej dashurisë dhe urrejtjes/
fjalën, fjalë e kam./ Prej dashurisë dhe urrejtjes /jam ky që jam.... Më
tej poezia “Rekuiem”: - Ato që kam dashur edhe i kam humbur/ I kam gjetur
prap’ e dot si kam dashur......
Së treti: Në dallim nga forma më
e përdorur nga poetët në përgjithësi, në vargun, 8-10-12-16 rrokjesh, këtu ndesh
një formë shumë interesante si askund tjetër: Varg 3 – 4 dhe 5 rrokje. Poezia
“Oh”, - Në gjumë/ edhe zgjuar. I ftuar / edhe i zbuar. ......
Së katërti: Poezi me pak vargje, ku
fjala merr forcë duke u lakuar. Është mjewshtëri e autorit të përmbledhë
mendimin në katër vargje. Poezia “Dhimbja”. – Më dhemb dhimbja/ se më
nuk do më dhembin/ dhimbjet e mia/ për dhimbjen që shkoi. Poezia “Kaprollja”
etj, etj. Të gjitha në një kapitull më vete. Fjala kërkohet e lakohet, veç
dashuria, Jo, - thotë autori.
Së pesti: Tema e dashurisë është
ngulur, në të gjithë librin. Ajo lind, ngrihet, krihet, shtrihet dhe shkrihet
pa zhurmë e bujë, ashtu qetësisht dhe dashurisht, si vala dhe kripa në ujë.
Vë re dhe besoj kam të drejtë, ndaj e vlen për
t’u përmendur, lidhja me natyrën që duket shumë e fortë. Nuk është rasti rrallë,
poetët nuk gjejnë dot frymëzim pa natyrën, nga e cila marrin dritë dhe frymë. Mbase
janë nga përjetimet e vegjëlisë, që nuk e lenë të shkëputet, madje e mbajnë
fort si degët e shelgut, që lehtë përkulen, por nuk këputen.
Në fund kam një pyetje për poetin i cili shpesh
thotë se shtatin, shtratin dhe shtëpinë e ka mbi re, pra në hapësira pa kufi,
veç qiellit ku perëndia rri.
Më thuaj e na thuaj,
Sa lehtë ngjitesh aty mbi re...!?
Mos je i huaj/ që thua po vuaj,
Kur zbret këtu mbi dhe,
Mbi dhe e me ne....!?
Urime dhe suksese në libra të tjerë me po
kaq vlerë.
Miqësisht......!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 19, vjeshta e tretë, 2025.










