E hene, 24.11.2025, 10:41 PM (GMT)

Kulturë

Feti Tunuzliu: Pesë monografi dinjitoze të prof. Fazli Hajrizit kushtuar pesë shkollave të mesme të Mitrovicës

E hene, 24.11.2025, 06:58 PM


PESË MONOGRAFI DINJITOZE TË PROF. FAZLI HAJRIZIT KUSHTUAR PESË SHKOLLAVE TË MESME TË MITROVICËS

Nga Feti TUNUZLIU

I Vështrim i përgjithshëm

“Pas përfundimit të luftës në Kosovë, i pata vënë vetes për detyrë që deri në vitin 2020 të bëj historikun  e pesë shkollave  të mesme  në Mitrovicë”, shkroi prof. Fazli H. Hajrizi  në parathënien e librit të tij monografik kushtuar shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë (2017). Kësisoj, bëri publike për herë të parë detyrën parashtruar vedi të cilën e përmbushi “brenda afatit”, pra gjatë dy dekadave të para (2000-2020) të shekullit tonë.

Pos si krijues prodhimtar në publicistikën e fushës së arsimit, Fazli H. Hajrizi është njëkohësisht edhe aktor i drejtpërdejt ngjarjesh në arsimin e mesëm mitrovicas në gjuhën shqipe deri në vitin 2010, pra, role të cilat u gërshetuan dhe shkrinë në një. Pesë vëllimet monografike, njëherit rrezatojnë edhe një gamë atributesh autoriale të tij: disiplinën e punës, shembullin e durimit, dashurinë për punë dhe ndershmërinë e punës. E këto reflektojnë edhe më shumë se kaq: seriozitetin e paraqitjes së çështjeve nga jeta shkollore, origjinalitetin dhe përkushtimin e plotë në shtjellimin artistik tregimtar, punën vetmohuese, punën kërkimore dhe punën krijuese e të palodhshme.

Ndonëse përgatitja dhe botimi i pesë monografive “mjaft të vëllimshme” qe ndërmarrje sfiduese - letrare, studimore e dokumentare dhe rrugëtim i gjatë e me “vështirësi mjaft të mëdha” për t’i sjellë ato në skenën publicistike, Hajrizi nuk u step as gjatë mbledhjes së fakteve, as gjatë sistemimit e as gjatë argumentimit, pothuajse të shterueshëm të tyre. Ideja parësore e tij - analiza në hollësi e historikut të arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në Mitrovicë dhe sinteteza përbrenda kopertinave të këtyre pesë prurjeve tani më veç ishte mbërthyer në mendjen e tij. Hulumtimi sistematik ishte kusht për prodhimtari të begatë studimore që gjeneroi përtej 20 vepra, shto këtu edhe dhjetra artikuj në disa revista dhe media elektronike që botohen brenda dhe jashtë Kosovës si dhe kumtesat nëpër konferenca e simpoziume. Përmes kreativitetit intensiv kurrë të munguar, Hajrizi në këto libra monografik sendërtoi edhe idetë rreth zhvillimeve tjera si dhe portretizoi figura të spikatura kombëtare, historike, letrare, etj. Këtej, ky dhe magjia e krijimit ku ai e gjeti veten, përbëjnë një simbiozë letrare, historike e publicistike.

Një profil i tillë i filloi gjurmimet ndër vite me gjimnazin për të vijuar me shkollat e mesme profesionale në gjuhën shqipe duke promovuar fuqishëm kulturën dhe integritetin e tij kërkimor.  Në tekstet e tilla monografike gdhendi me pedantëri konceptin, metodologjinë dhe përdorimin e burimeve të vjela veçanërisht nga Arkivi Ndërkomunal  Historik  i  Qytetit  të Mitrovicës, nga gazetat (“Rilindja”, “Zëri”,etj.) botimet periodike, si dhe nga një larushi librash e bashkëbisedimesh me personazhe (drejtorë, mësimdhënës, nxënës), etj. Morinë e burimeve autentike – bibliografike e arkivore në pesë projekte monografike Hajrizi e ka përimtuar në mënyrë të drejtë, të plotë, me seriozitet si rrallëkush. Kështu, me mjeshtri të theksuar dhe ndërgjegje intelektuale ka rrëfyer të vërtetën lakuriqe të dritëhijeve të arsimit mitrovicas që janë lajtmotivi i porosisë të cilën e përcjell tek lexuesi.

Është e vërtet se janë botuar dhjetra publikime  të kësaj natyre, mirëpo në to është shkruar vetëm për disa shkolla të mesme të Mitrovicës dhe ate fare pak. Madje, Hajrizi iu qas me kurajë një praktike të mirë duke gjurmuar edhe mozaikun e provave në të gjitha shkollat e mesme me mësim në gjuhën shqipe në Mitrovicë. Përsëri u zhyt thellë në to dhe preku kuintesencën e historikut të tyre posi zhytësit e guximshëm që zhyten n’thellësira  sa më të mëdha ujrash.

E punët e ideuara dhe të finalizuara në trajtë monografish u sollën tek lexuesi nga Shtëpia Botuese “Libri Shkollor” në Prishtinë, për të cilën u shtypën në shtypshkronjat: “Progres” – Mitrovicë dhe “Timegate” e “Lena Graphik” në Prishtinë, me këtë radhë:

“Gjimnazi i Mitrovicës”, botuar më 2000, ribotuar më 2016;

“Shkolla Normale “Hasan Prishtina” e Mitrovicës, botuar më 2007;

”Shkolla  e Mesme Teknike në Mitrovicë”, botuar më 2014;

”Shkolla  e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” e Mitrovicës”, botuar më 2017;

“Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” – Mitrovicë”, botuar më 2019;

Kështu, i kredhur në ekspedita hulumtuese përtej dydekadëshe të cilat i menaxhoi me kujdes, Fazli H. Hajrizi ia servoi opinionit lexues kohëpaskohe (2000, 2007, 2014, 2017 dhe 2019) pesë monografitë që numronin veç e veç prej 456 (Gjimnazi i Mitrovicës) deri 842 faqe (Shkolla e mesme teknike). Në këto vepra të mbushura dhe të dendura me përmbajtje, për çudinë time, nuk hasa ndonjë shpjegim autorial nëse ka ndjek apo jo ndonjë kriter specifik sipas të cilit përzgjodhi renditjen kronologjike të botimit të tyre, vepra që së bashku numrojnë rreth 3000 faqe.

Përndryshe, sipas Hajrizit, që kur ishte mësimdhënës kishte mbledhur e renditur çdo gjë që lidhej me pesë shkollat në fjalë që një ditë, mbi bazën e tyre, t’i qaset hartimit të pesë monografive. Madje, atëbotë u poq tek ai edhe mendimi tjetër: “që nesër, besoj, do të arrij t’i përfshij a sublimoj në një libër monografik të përbashkët.” Ç’është e vërteta, kjo, do ishte barazi me një komplet madhor monografish tematike dedikuar nergut këtyre shkollave, akt të cilin personalisht e cilësoj kontribut të mirëseardhur, prandaj e përshëndes me ngazëllim.

Tani kur lexuesi ka në duarë ciklin monografik prej pesë vëllimesh ndonjë lexuesi mbase mund t’ia ngacmojnë vëmendjen togfjalëshat terminologjik që përbëjnë titujtë e tyre. Në aspektin  semantik nuk lëndojnë dot kuptimin e tyre. Por, e quaj të nevojshme që lidhur me këtë, t’I them disa fjalë. Derisa në dy monografi: “Gjimnazi i Mitrovicës” dhe “Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë”, siç po shihet,  mungon fare emërtimi apo titulli i këtyre institucioneve mësimore edukative, në tre monografi të tjera: ”Shkolla Normale “Hasan Prishtina” e Mitrovicës”, “Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” - Mitrovicë” dhe “Shkolla e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” e Mitrovicës”, siç po shihet kjartë, figuron emërtimi (titulli) i saktë dhe i plotë i secilës prej tyre.

Pesë librat e sipërcituar monografik, janë shqyrtuar dhe u janë nënshtruar procedurave të recensionimit nga shkencëtarët krijues, intelektualët me përvojë në veprimtari botuese dhe arsimore. Ndonëse emri i redaktorit dhe emrat e recensentëve figurojnë në këto monografi, megjithatë, tekstet e fjalës së redaktorit mungon në to, ndërsa tekstet e recensionimit gjenden në tre sosh: në ate kushtuar gjimnazit, normales dhe mjekësisë. Për pasojë, tekstet e recensioneve të këtyre tre monografive ua kumtojnë audiencës daljen e këtyre monografive në dritë dhe ua shpalosin vlerat artistike dhe rëndësinë e tyre duke mëtuar të shuajnë kureshtjen e lexuesve. Ndërkaq, tekstet e recensionimeve nuk gjenden në dy sosh: në ate kushtuar shkollës teknike dhe shkollës ekonomike. Për pasojë, mendoj unë, kjo rrethanë s’e lë të qetë kureshtjen e atyre lexuesëve që duan të dijnë për gjykimet “e brendshme” të recensuesëve.

Në këtë kontekst, për tre monografi ku janë dhënë recensionet tekstualisht, në këtë shkrim do dominojnë të dhënat e dala prej tyre, ndërsa, aty-këtu do i “plotësojmë” këto të dhëna fare thukët. Ndërkaq, në dy monografi ku mungojnë fare tekstet e recensioneve, do i paraqesim shtruar opinionet tona.

Në kuptimin struktural, pesë librat hapen me Parathënie. Në to, autori pohon se ua ka kushtuar protogonistëve të cilët bënë shumë për të mbijetuar shkolla shqipe, sidomos pas viteve ’90. Këto Parathënie pasojnë ose me  Hyrje (Gjimnazi i Mitrovicës dhe Shkolla e mesme e mjekësisë) ose me kronologji ngjarjesh (Shkolla e mesme teknike) ose me kapituj (Shkolla e mesme ekonomike), përkatësisht Pjesë (Shkolla Normale).

Vështruar strikt nga prizmi i teorisë së letërsisë, kompozicioni i monografive, pra pjesët përbërëse të tyre janë të ashtuquajturat Pjesë (nënpjesë) për të vijuar me Kapituj (nënkapituj), Tituj (nëntituj) e tjerë. Ndërkaq, nga prizmi i strukturës së këtyre pesë monografive shofim se dy sosh: njera dedikuar Gjimnazit dhe tjetra dedikuar Normales së Mitrovicës ndahen në të ashtuquajtura Pjesë, ndërsa tre të tjerat ndahen në të ashtuquajtura Kapituj. Kundruall këtyre, duket se termin Pjesë, autori Hajrizi e ka përdor si nocion sinonimik, të barazvlershëm me termin Kapitull. Përmes tyre, na i rikujton periudhat  e gjera në të cilat u zhvilluan një varg ngjarjesh me rëndësi dhe kontributin e brezave të tërë mësimdhënësish si dhe shkollimin e brezave të tërë nxënësish që është poenta, ideja dhe qëllimi i këtyre pesë teksteve monografik.

Ndërlidhur me aspektin përmbajtësor, emruesi i përbashkët i pesshit monografik është fakti se Pjesa, përkatësisht Kapitulli I i secilës monografi i kushtohet pozitës gjeografike, strategjike e historike të Mitrovicës dhe  popullësisë së saj - hiq monografinë e Shkollës Normale, Pjesa I e së cilës nuk korrespondon fare me këto aspekte por i kushtohet hapjes së shkollave shqipe dhe përgatitjes së kuadrit të mësuesisë nga ana e rilindasëve.

Ky qerthull veprash publicistike impresionon me shqisat e edukatorit dhe mësimdhënësit të gjuhës dhe letërsisë shqipe që mrekullisht ndërthuren me shqisën e publicistit të hollë e të çmuar.

Autori entuziast i brenda tyre ka edhe këto role: lektor, korrektor, përkatësisht redaktor gjuhësor si dhe radhitës kompjuterik i tyre.

II       Trajtimi i pesë shkollave të mesme mitrovicase sipas monografive të veçanta

Në këtë trajtim kemi bërë ndarjen, të thuash, tradicionale të shkollave të mesme: shkolla  e mesme e arsimit të përgjithshëm, ku veçohet vetëm gjimnazi dhe shkollat profesionale, ku përfshihen katër shkolla: normalja, teknika, ekonomiku dhe mjekësia.

1) Shkolla e mesme e arsimit të përgjithshëm në gjuhën shqipe

“Gjimnazi i Mitrovicës”

Libri monografik “Gjmnazi i Mitrovicës” tani mbush një qerek shekull jetëgjatësie (2000-2025). Për te kanë dhënë gjykimet e veta bashkërecensuesit: Prof. Dr. Ejup Hamiti (tani i ndjer, 2008) dhe Prof. Dr. Skender H. Skenderi. Me teza dhe fjalë të hedhura në parathënien e saj, autori Fazli Hajrizi nuk le jashtë vëmendjes të dhënën se “Gjimnazi i Mitrovicës u hap më 10 tetor 1946, atëbotë si Gjimnazi i ulët” me një paralele prej 40 nxënësish dhe 3 deri 4 mësimdhënës. Shton se, më 1951 themelohet Gjimnazit Real Shtetëror Shqiptar. Ndonëse me shumë vështirësi, për gjysëm shekulli nga këta gjimnazistë dolën: mjekë, inxhinierë, ekonomistë, etj. dhe u shenuan arritje të dukshme në shkencë, letërsi, arsim, etj.

“Duke parë  se në pesëdhjetëvjetorin  e themelimit të tij mungon një monografi a studim i plotë i hyra kësaj pune, por jo me pretendimin se  do t’i përfshij të gjitha”, shpalos kështu motivin vetjak autori për këtë monografi të filluar së shkruari shtatë vite para botimit të saj në vitin 2000. Kjo monografi, sipas nesh, shenon dy momente domethënëse: momenti i parë – ky është libri i parë i Fazli H. Hajrizit që doli në qarkullim në vitin 2000 në vazhdën e mbi 20 librave që do pasojnë dhe momenti i dytë – ky libër renditet e para edhe në serinë prej pesë monografive të cilat Hajrizi ia kushtoi enkas historikut të  shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Mitrovicë.

Këtë ditar prej 456 faqesh, autori e ka nda në gjashtë pjesë: çështjet gjeografike e historike të Mitrovicës (I); arsimin, kulturën dhe edukimin në aspektin kombëtar, posaçërisht në rajonin e Mitrovicës deri në Luftën e II Botërore (II); gjimnazin prej 1946/47, e tutje, procesin edukativ arsimor, mësimdhënësit, nxënësit deri në vitin 2000 (III); procesin mësimor  nëpër shtëpi shkolla dhe aktivitetet mësimore e jashtëmësimore gjatë dekadës 1990-2000 (IV); biografitë e personelit shkollor të gjimnazit: drejtorëve, mësimdhënësve, nxënësve (V) dhe Listat emrore të maturantëve, disa shenime më karakteristike rreth gjimnazit të Mitrovicës, rezymeja dhe përmbajtja  (VI).

vijim do shpalosim recensionin nga perspektiva e dy punonjësve shkencorë dhe pedagogëve universitar të mësipërmë: Hamiti dhe Skenderi.

Në një faqe libri, bashkërecensuesit vlerësojnë “punën e palodhshme të autorit” Fazli Hajrizi kushtuar historikut të gjimnazit, “këtij institucioni tejet të rëndësishëm jo vetëm për Mitrovicën”. Projekti botues në fjalë, sipas tyre, është “hartuar  në mënyrë origjinale ashtu si e ka ndie vet autori në shpirtin e tij”. Këta thonë se “gjeneratat për të cilat shkruhet, duke e lexuar këtë monografi do të kënaqen, do t’i kap një nostalgji e thellë kur i rikujtojnë shumicën e rasteve, jo vetëm peripecitë e vuajtjet e tyre në kohën e pakthyer, por edhe kënaqësit që i kanë përjetuar nga ditët e gjimnazit”. Ndërsa, “gjeneratat e ardhshme do të kenë rastin që të njihen me historiatin   me gjeneratat e para të gjimnazit me përpjekjet e tyre sado modeste për të kontribuar në zhvillimin e  vendit që ishte më i prapambeturi”, pohojnë ata. Sipas tyre, autori ndonëse“ka lënë anash edhe shumë materiale të cilat nuk kanë mundur të gjenden në këtë monografi”, megjithatë, habiten “se si autori Fazli Hajrizi ka arritur që të grumbullojë gjithë atë material”. Në përmbyllje shprehen se “do të bëhej mëkat po që se nuk botohen edhe ato shkrime në ndonjë botim tjetër të veçantë …”.

Përkundër përpjekjeve tona, s’kemi arritur dot të sigurojmë informata nëse shkrimet e tilla janë përfshirë apo jo në botimin e dytë (2016) të kësaj monografie.

Shkollat e mesme profesionale në gjuhën shqipe në Mitrovicë

Tani do t’i trajtojmë katër monografitë e Fazli Hajrizit kushtuar veç e veç katër shkollave të mesme profesionale: shkollës normale, teknike, ekonomike dhe mjekësisë.

”Shkolla Normale “Hasan Prishtina” e Mitrovicës”

“Shkolla normale “Hasan Prishtina” e Mitrovicës” titullohet monografia e dytë nga cikli prej pesë monografish dedikuar shkollave të mesme mitrovicase në autorësi të Fazli Hajrizit. E botuar më 2007, kjo pason të parën monografi të këtij autori kushtuar gjimnazit të Mitrovicës (2000).

Recensuesi i parë, Skender Skenderi, ka shfaq gjykimin kritik përkitazi me vlerën artistike të këtij hartimi të gjërë  të prozës shkencore, thënë me terma të teorisë së letërsisë. Fillimisht ai shprehet: “Libri i shkruar në mëse  500 faqe të formatit B4 i autorit Fazli Hajrizi përmban gjashtë kapituj në të cilët  është dhënë një pamje e dokumentuar e jetës dhe veprimit të Shkollës Normale nga fillimi i saj  si pjesë pranë gjimnazit deri te pavarësimi, emërtimi si Shkolla Normale “Hasan Prishtina” e deri me shuarjen  e saj”. Tutje, këtë libër monografik e quan “dokument  i respektuar për shfrytëzuesin dhe shumë i mundimshëm për  përpiluesin e tij”. Sipas recensuesit, autori Hajrizi veprën e ka bërë “sa dokumentar aq edhe  interesant për lexuesin”, ku ka pasqyruar biografitë e mësimdhënësve që më vonë bëhen themelues të fakulteteve kosovare dhe Universitetit të Prishtinës. Ka prezentuar edhe biografitë e nxënësve dhe ka shpjeguar përbërjen e tyre të ardhur nga viset e ndryshme të Kosovës si dhe ka shpjeguar vlerat edukative e shkencore të saj. Recensuesi vëren se: “Dalja nganjëherë jashtë suazave të titullit të librit është sa simpatike aq edhe e nevojshme, pasi vihen në pah edhe vlera më të gjera kombëtare të arsimit, përpjekjeve dhe vështirësive shumë të hershme për bërjen e  arsimit shtyllë të zhvillimit të shoqërisë  sonë”. Në përmbyllje, shpreh bindjen e fortë rreth veprimtarisë krijuese të Hajrizit duke theksuar: “Besoj se do të lexojmë edhe shumë herë shkrime kaq të mira e të qëlluara”.

Ndërkaq, duke folur  për vlerën dhe rëndësinë e të njejtës vepër monografike, recensuesi i dytë, Adem Zejnullahu, shprehet: “Fryt i një pune të gjerë studimore është edhe monografia në dorëshkrim “Shkolla Normale “Hasan Prishtina” e Mitrovicës në të cilën autori përfshin një material të pasur, të saktë dhe me vlera të mëdha”. Autori Hajrizi  aty “ka pasqyruar  rrugën e ndritshme edukative-arsimore dhe personalitetet në zë që kanë vepruar gjatë një periudhe  të caktuar” duke dhënë “botën shpirtërore, kujtimet  e meditimet  e mësimdhënësve e nxënësve,”. Kësisoj, shton më tej recensuesi, autori “ka arritur të ravijëzojë bukur, të jap vizione të gjera të portreteve të disa mësimdhënësve  pastaj edhe të normalistëve të brezit të parë”. Monografinë e cilëson si “një vepër voluminoze shkencore e shkruar me përkushtim e dashuri”. Duke transmetuar vlerësimin e autorit, recensuesi Zejnullahu nënvizon se: “Sipas autorit, deri në kohën kur u hap Normalja e Mitrovicës, të cilën, për rolin që ka kryer, pa dyshim, mund ta quajmë universitet, një perlë të vërtet”. Tutje, recensuesi pohon se gjashtë kapitujtë e monografisë  trajtojnë  tematika “arsimore dhe edukuative, pedagogjike e metodike”, mbështetur në materialin e Arkivit Ndërkomunal në Mitrovicë. Mbi këto burime, shton recensuesi, autori saktëson data dhe arritje të kësaj shkolle: fillimin e punës, pavarësimin e saj, arsimimin, emancipimin e femrës  shqiptare, prezentimin e normalistëve të brezit të parë pesëvjeçar. Rëndësia e veçantë e monografisë në fjalë, sipas recensuesit, konsiston në ate se “na ofron  mundësinë për  të njohur më mirë trashëgimin pedagogjike historinë e arsimit e të kulturës së popullit tonë”. Ky libër do t’i shërbej “veçanërisht intelektualëve tanë për të njohur edhe më mirë rrugën nëpër të cilën ka kaluar arsimi ynë si pjesë e çështjes  së madhe kombëtare”, vëren recensuesi. Kah fundi flet për pritjet nga ky libër  dhe thekson se “në 40-vjetorin  e themelimit të Normales  së Mitrovicës botimi i këtij libri është i mirëseardhur … paraqet një kontribut për kulturën arsimore në përgjithësi”. Ndërkaq, recensionin e përfundon me një konstatim të veçant të natyrës thjeshtë personale: “më ka emocionuar, frymëzuar e gëzuar edhe mua si recensent, për arsyen se jam njeri ndër të diplomuarit e brezit të parë në këtë shkollë.”

Duke mëtuar  t’ua kumtojë lexuesëve daljen në dritë  të librit monografik kushtuar normales së Mitrovicës, recensuesi i tretë, Mehmet Haziri, vëren se autori Hajrizi “ka bërë një punë të mirë e të lavdëruar për ta lapidarizuar një kohë dhe një histori të arsimit shqip në Kosovë”. Kësisoj, thot ai, autori i dha veti “detyrë që të ndriçojë një periudhë sa të  mundimshme  aq edhe  krenare të sakrificës dhe të idealit për arsimin kombëtar të arsimtarëve dhe të nxënësve të Normales së Mitrovicës që u bë fidanishte e kuadrit arsimor” për tërë Kosovën. Së këndejmi, botimi i këtij dorëshkrimi “do të jetë me interes për arsimin kosovar në përgjithësi”, përfundon recensionin e thukët autori i tij.

E ne, tani le të shpalosim strukturën e monografisë. E njejta hapet me Parathënien që mbush gjashtë faqet e saj. Këtu autori sqaron qëllimin dhe përmbajtjen e veprës, parimet dhe idetë, rrethanat e hartimit të saj, etj. Në gjashtë pjesët përbërëse të saj autori ka strukturuar nënpjesët ku ka zbërthyer të dhëna sa me vlerë aq edhe interesante: Pjesa I, “Përpjekja e rilindasve  për hapjen e shkollave  në gjuhën shqipe dhe përgatitjen e mësuesëve”, trajtohet në kuadër të nëntitullit “Historiku i shkurtër  i shkollave normale shqipe.” Pjesa II, “Mitrovica – Vatër e lëvizjes patriotike arsimore dhe kulturore” shtjellohet përmes nënpjesës:”Dega Normale e Gjimnazit të Mitrovicës (1954-1966)” e cila shqyrton dy tema: “Hapja e paraleleve të Normales në kuadër të Gjimnazit të Mitrovicës” dhe “Kuadri arsimor dhe përfshirja e nxënësve në shkollë gjatë periudhës  (1954-1966)”. Pjesa III “Zhvillimi i shkollës normale  të Mitrovicës gjatë viteve 1967-1977” pasqyron një gamë temash: pavarësimin e normales, emërtimin e saj, biografinë e patriotit Hasan Prishtina; strukturën organizative të shkollës, pozitën materiale të mësimdhënësve, përfshirjen e nxënësve në këtë shkollë, planin mësimor, tekstet, ekskursionet, grupet (letrare, dramatike dhe sportive, etj.; Pjesa IV “Organet udhëheqëse dhe qeverisëse të  shkollës” (Drejtorët dhe Pleqësia) e pastaj organet profesionale (Këshilli i arsimtarëve, Këshilli i klasës, aktivet profesionale, kujdestari i klasës) dhe Shuarja e Normales; Pjesa V “Thërrmija kujtimesh të ish-mësimdhënësve dhe nxënësve të normales” jep kujtimet dhe përjetimet vetjake të profesorëve e nxënësve (Prof. dr. Murat Bejta, Afërdita Skenderi, Adem Zejnullahu, Mehmet haziri, Remzije Bunjaku, Skënder Kamberaj, Ali Topalli,  Fetah Bahtiri); Pjesa VI “Dokumente të zgjedhura për shkollën normale “Hasan Prishtina”, ku përpunon nëntemat: Shenime karakteristike për Normalen, Përfundimin, Burimet dhe literaturën, Fjalën e recensentëve dhe Përmbajtjen me çka edhe përmbyllet vëllimi monografik në fjalë.

Shkolla  e Mesme Teknike në Mitrovicë

Ndonëse në hapje të kësaj vepre, figurojnë emrat e tre recensuesve: Prof. Dr. Sc Skender Skenderi, Prof. Dr. Adem Zajnullahu dhe Mcs Kadri Sejdiu, megjithatë, të njejtës i mungon recensioni tekstual. Për rrjedhojë, lexuesit kureshtar i mbetet vetëm të sypozoi për gjykimin kritik të tyre rreth vlerave artistike të veprës. Pavarësisht këtij fakti, mendoj se kjo vepër me karakter dokumentar, është kontribut i çmueshëm dhe objektiv sa i përket  hulumtimeve lidhur me  çështjen e shkollës së mesme teknike në Mitrovicë që nga themelimi e funksionimi deri në vitin 2014.

Autori i librit më voluminoz nga cikli prej pesë librash dedikuar shkollave të mesme të ambientuara në qytetin e minatorëve, në Parathënie shprehet se, që “nga mesi i prillit 2013  kam filluar edhe shfletimin  e dokumentacionit të Shkollës së Mesme Teknike (SHMT), përkatësisht  Qendrës Shkollore Teknike në Mitrovicë”, dokumentacionin e tipit të librave, regjistrave, procesverbaleve, etj.

Pas Parathënies, mungesën e pjesës hyrëse, autori e ka mbuluar me sukses përmes temës: “Kronologjia e ngjarjeve në shkollën e mesme teknike në Mitrovicë”. Këtu ofron fare shkurtimit një kronikë ngjarjesh jetike me data që nga themelimi i saj, më 31 korrik 1946 deri me përfundimin e objektit të ri në shkurt 2010 emërtuar “Arkitekt Sinani”.

Në aspektin strukturor, autori Fazli H. Hajrizi bën të ditur se ky produkt i veprimtarisë së tij “është konceptuar në gjashtë kapituj”.

Kapitulli I merret me çështje të përgjithshme, themelore të pozitës gjeografike, strategjike, historikun dhe popullsisë së Mitrovicës. Kapitulli II analizon  proceset e zhvillimit të arsimit në Mitrovicë duke e ndarë në periudha kohore: prej Rilindjes Kombëtare deri në prag të Luft?s së I Botërore; arsimi gjatë viteve 1916-1941; arsimi gjatë Luftë së II Botërore; arsimi pas Luftës së II Botërore; hapja e  shkollave për arsimin e të rriturve dhe e shkollave profesionale. Në kapitulli III shqyrton themelimin e shkollës së mesme teknike dhe funksionimin nëpër gjashtë faza: 1) 1946-1958; 2) 1959-1969; 3) 1970-1980; 4) 1981-1991; 5) 1992-1999 dhe 2000-2014. Thekson se kjo shkollë është themeluar më 1946, ndërsa u emërtua “Boris Kidriç” më 1953. Përmend edhe shkollat tjera: Shkollën e Nxënësve në Ekonomi (1957), Shkollën Industriale Xehëtare në Stanterg, Teknikumin në Zveqan, Qendrën për Arsimin Profesional të Punëtorëve. Shkruan për drejtimet fillestare: ndërtimtari, makineri, arkitekturë dhe gjeodezi dhe drejtimet e mëvonshme: metalurgji, xehëtari, kimi-teknologji, gjeologji, elektroteknikë, etj. Rikujton emrat e përvetshëm të drejtorëve, mësimdhënësve, punëtorëve administrative, të nxënësve, vitet shkollor prej kl. I-III apo IV, paralelet, numrin e nxënësve, gjininë, lëndët mësimore, të diplomuarit, etj. Në kapitulliin e IV “Personeli mësimor” i cili është më i madhi në vëllim, shpalos Listën emrore me renditje alfabetike të mësimdhënësve me mësim në gjuhën shqipe vetëm periudhën kohore kur ata kanë qenë pjesë të stafit mësimor (1. Abaz Aliu prej 30.8.1978 deri më 31.8.1979; Abaz H.Omeragiq prej 16.9.1970 deri më 31.8.1974; Abaz  Z. Ukiqi prej  15.9.1983 deri më 13.11.1983, etj.). Pastaj, ofron biografi drejtorësh: Milan Perkaj, Hasan Hasbati, Agim Deva, Kemajl Kamberi, etj. Vazhdon me Listën e gjatë të mësimdhënësve: Xhemil Zajmi, Bardhyl Zajmi, Naim Polloshka, Xhevdet Pula, etj. në paralele shqipe. Këtu nuk përfshinë mësimdhënësit serb ngase i cilëson “bashkëfajtorë” me pushtetin serb për dëbimin e dhunshëm të shkollarëve dhe mësimdhënësve  shqiptarë  nga objektet e kësaj shkolle. Këtë kapitull e begaton me fotografi. Në kapitullin V “Zhvillimi i shkollës  së mesme teknike  të Mitrovicës”, autori trajton shkollën për kualifikimin e lartë të punëtorëve, emërtimin e shkollës  së mesme teknike, të shoqëruara me të dhëna për  figurën e arkitekt Mimar Sinanit. Kah fundi zbërthen strukturën organizative të shkollës në fjalë (Pleqësia, Këshilli administrativ, etj.), organet profesionale (Këshilli i arsimtarëve, Këshilli i seksioneve, etj). Kapitulli i fundi, VI, emërtuar “Dokumente, Rezime, Burime, Literatura dhe Përmbajtja” ilustron një mori faksimilie: Listën emrore të nxënësve (viti shk. 1946/47), Vendimin për hapjen e shkollës se mesme profesionale, aktvendimet për marrëdhënie pune, etj. Vijon me temën “Rezyme” ku bën një përmbledhje të historikut të Shkollës së Mesme Teknike në Mitrovicë. Pasi rikujton hapjen e saj dhe drejtimet, shton se, më vonë hapet edhe drejtimi i ri kimi-teknologji me mësim vetëm në gjuhën serbe, ndërsa paralelet me mësim në gjuhën shqipe hapen gjatë vitit shkollor 1959/60. Më 1963 paralelja e ndërtimtarisë me mësim në gjuhën shqipe, thot autori, kishte zënë vendin e parë për Kosovë dhe Jugosllavi. E veçanta e kësaj shkolle më 1968, sipas autorit, është se e njejta njihej ndër shkollat më  moderne në ish-Jugosllavi. Gjatë dekadës 1970-1980 u hapen drejtimet tjera: xehtari, komunikacion, elektroteknikë, etj. Drejtori Milan Perkaj u pasua me Agim Devën viteve 1975-1981 kur shpërthyen demonstratat në Kosovë që u mbështetën nga nxënësit e kësaj shkolle. Gjatë viteve 1992-1999 shkolla e mesme teknike u pagëzua “Arkitekt Sinani” dhe funksionoi  në shtëpi private sipas planeve mësimore të Republikës së Kosovës. Ndërsa, gjatë luftës ky objekt zyrtar shkollor i shërbente policisë serbe. Viteve 2007-2009 nxënësit e kësaj shkolle i vijonin  mësimet në lokalet e adaptuara të ish-kazermës së ushtrisë jugosllave dhe nëpër disa objekte shkollash fillore.  Prej vitit 2010 shkollarët i vijojnë mësimet në objektin e ri në lagjen Iliridë (Tavnik), shkruan autori. Në këtë kapitull pasqyron edhe burimet arkivore: Kutitë; Fletoret e Procesverbaleve të Pleqësisë së Shkollës, etj. Temën e fundit ia dedikon  Literaturës: monografive, fjalorëve, etj. Me temën Përmbajtja, ky kapitull (VI), specifikon: numrat, titujt e kapitujve e nënkapitujve, faqet e tyre dhe përmbyll librin monografik  “Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë të autorit Fazli H. Hajrizi.

”Shkolla  e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” e Mitrovicës

Në krijimtarinë publicistike të Fazli H. Hajrizit, ky libër shenon katër momente domethënëse: momenti I - shpreh librin e 16 me radhë në serinë e botimeve librare të këtij autori; momenti II – është libri i dytë i tij që është botuar brenda vitit 2017; momenti III – ky është libri i katërt me radhë në vargun e monografive të autorit Hajrizi dedikuar enkas mbarështimit të shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Mitrovicë dhe momenti IV – ky libër pason trilogjinë  e monografive të autorit Hajrizi (“Gjimnazi i Mitrovicës” (2000); “Shkolla  Normale “Hasan Prishtina” e Mitrovicës” (2007) dhe “Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë” (2014).

Edhepse monografia “Shkolla e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” e Mitrovicës”, ka dy emra: Prof. Ass. Dr. Qazim Tmava dhe Prof. Dr. Adem Zejnullahu, megjithatë, as kjo monografi nuk përmban gjykimin vështrimin kritik tekstual të tyre, që së paku, të kënaq kërshërinë bile të ndonjërit prej lexuesëve.

Përndryshe, në këtë libër, autori Hajrizi, në një moment sikur vë në pikëpyetje  pohimet e të tjerëve rreth një çështjeje. P.sh. në fq. 122/123 nën titullin “Shkolla e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina”, thuhet: “Në vitin shkollor 1961/62 është themeluar Shkolla e Mesme Ekonomike në Vushtrri. Duke qenë se në Mitrovicë nuk ka ekzistuar ky lloj  i shkollës, rreth pesëmbëdhjetë të rinj nga Mitrovica qenë regjistruar atje.  Në ndërkohë u mor vendimi që të hapen edhe paralelet në Mitrovicë në kuadër të Gjimnazit. Kështu, nxënësit nga Mitrovica të regjistruar në Vushtrri dhe të tjerë  të interesuar erdhën këtu dhe i vijuan mësimet në shkollën ekonomike të pasathemeluar.” Lidhur me këtë pohim të autorëve të pa identifikuar, në fusnotën 158 autori Hajrizi, shprehet: “Autorët e monografisë “Shkollat e mesme në Vushtrri” pohojnë se  paralelet  e Shkollës së mesme në Vushtrri kanë qenë nën mbikëqyrjen  e shkollës ekonomike  të Mitrovicës?!”. Siç vërehet, Hajrizi përmes  pikëpyetjes dhe pikëçuditëses që i vë në fund të fjalive, reflekton paqartësi dhe çuditje rreth konstatimit të sipërtheksuar të autorëve të paidentifikuar të monografisë “Shkollat e mesme në Vushtrri”.

Përndryshe, autori konstaton se çështja e shkollës së mesme ekonomike në Mitrovicë është përpunuar pak nëpër shkrime deri tani. Këtej, aspiron që “të hedhë pak më shumë dritë  në rrugën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar kjo vatër  edukative-arsimore prej formimit të saj (1961) e deri në përfundimin e luftës në Kosovë (1999).”

Monografia “Shkolla e Mesme Ekonomike : “Hasan Prishtina” e Mitrovicës”, hapet me Parathënie. Këtu, autori përshkruan shkurtimisht fillimin e punës së këtij institucioni  profesional duke dhënë disa sqarime, psh.: shkolla është hapur në vitin shkollor 1961/62 në Zveçan paraprirë nga “Shkolla e Nxënësve në Ekonomi” (1946) dy vjeçare dhe Shkolla industriale (1953-1958), tre vjeçare; aty kanë funksionuar edhe shkollat: “Teknikumi i punëtorëve” (1947-1954), “Shkolla për mjeshtri të ndryshme” (1953-1958), etj.; tek në vitin shkollor 1961/62 hapen paralelet e para katërvjeçare të Shkollës së Mesme Ekonomike në kuadër të gjimnazit mitrovicas (1954/55-1966/67), ndërsa emrin e saj e trashëgon Qendra Ekonomike Shkollore (1973). Tutje, sikur me një dozë shqetësimi konstaton se, as Shkolla  e Mesme Ekonomike në Mitrovicë “nuk ka bërë, të thuash, asgjë në këtë drejtim” dhe se, “përveç një libri pak të njohur të Ibrahim Balës”, nuk ka asgjë tjetër, gjë që përçon nevojën për një ndërgjegjësim dhe veprim.

Hajrizi këtë vepër prej 590 faqesh e ka  ndarë në XVII kapituj që do t’i shpjegojmë në vija të trasha. Fillimisht spikatë disa aspekte gjeografike, historike dhe popullësinë e Mitrovicës (I). Vijon me përpunimin e temës për shkollën, arsimin dhe edukimin (II) brenda gjashtë nënkapitujve sipas periudhave kohore që nga ajo ilire  deri pas Luftës II Botërore. Pason kapitulli III dedikuar zhvillimit të arsimit në nivelin fillor, të mesëm dhe të lartë në Mitrovicë pas Luftës II Botërore. “Themelimi i Shkollës së Mesme Ekonomike në Mitrovicë”,  është kapitulli IV me një hapësirë të madhe ku shjtjellon temat: hapja dhe funksionimi i shkollave të mesme mitrovicase pas Luftë II Botërore; Hapja dhe funksionimi i shkollës së mesme ekonomike; biografitë e brezit të parë të nxënësve që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle dhe nënkapitulli i fundit, kushtuar biografive të disa mësimdhënësve. Kapitulli “Themelimi i Qendrës Ekonomike Shkollore” janë temat që mbulojnë faqet e kapitulli V. Përmes trajtimit në dy nënkapituj të saj përimton veprimtarinë e kësaj Qendre viteve 1973/74-1976/77 dhe biografitë e disa mësimdhënësve të saj. Ndërsa, kapitulli “Themelimi i Arsimit të Mesëm të Orientuar”, i VI, në dy nënkapituj pasqyron punën e Qendrës dhe ofron të dhëna jetëshkrimore të mësimdhënësve. Në vazhdim, kapitulli VII i kushton me të drejtë theks të veçantë kthimit të shkollës ekonomike në Mitrovicë, veprimtarisë së saj dhe biografisë së mësimdhënësve. “Shkolla e Mesme Ekonomike në Mitrovicë gjatë periudhës 1987/88-1990/91”. Kapitulli vijues, i VIII emërtohet: “Mbijetesa e shkollës së Mesme Ekonomike në Mitrovicë gjatë viteve 1991-2000”.  Tani, i rreket aspekteve të dëbimit të nxënësve nga objekti shkollor; mësimet në kushte shtëpishë private dhe mbaron me shenime interesante biografike të Hasan Prishtinës. Tema vijuese mbush faqet e kapitullit IX, titulluar “Reforma, legjislacioni, plan-programet dhe tekstet mësimore”. Kapitulli X “Lokali shkollor” me tre nënkapituj ofron jo pak të dhëna që lidhen me lokalin e shkollës, deri më 1991; pronarët e shtëpive shkolla dhe me emërtimin e shkollës së mesme ekonomike. “Kuadri mësimor i Shkollës Ekonomike të Mitrovicës (1961/62-1969/70 dhe 1973/74-1 999) emërtohet kapitullit XI. Këtu pasqyrohet pozita materiale e mësimdhënësve gjatë viteve shkollore: 1961/62-1969/70 dhe 1973/74-1999. Tema e kapitullit XII “Nxënësit” shtjellon aspekte nga më të ndryshme që ndërlidhen specifikisht me ta. Në kuadër të tetë nënkapitujve, rrahen një varg çështjesh: përfshirja e nxënësve në shkollë; përcjellja dhe vlerësimi i tyre; suksesi, shkollimi i femrës; ekskursionet, standardi i nxënësve, biblioteka dhe aktivitetet edukative-arsimore të tyre. “Organet udhëheqëse dhe profesionale të shkollës” emërtohet kapitulli i XIII. Dy nënkapitujtë evidentojnë organet drejtuese: Drejtori, (në vijim paraqet biografitë e disa drejtorëve: Murat Bejta, Ismajl Gubetini, Rrustem Hasani, Ibrahim Bala); zëvendësdrejtorët, ndihmësdrejtorët dhe me organet profesionale të shkollës: Këshilli i arsimtarëve; Këshilli i klasave; etj. Kapitulli XIV “Dhuna serbe mbi nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme ekonomike” është e vetmja temë që mbush faqet e këtij kapitulli. Listës emrore të maturantëve të shkollës së mesme ekonomike të Mitrovicës” ia kushton tërë kapitullin XV. Këtu specifikon emrat e nxënësve, degët, klasët, paralelet dhe gjinitë që nga viti shkollor 1961/62 - 1989/90. Kapitulli XVI, “Thërrmija kujtimesh të disa mësimdhënësve dhe ish-nxënësve të Shkollës së Mesme Ekonomike të Mitrovicës” përcjell disa emocione të veçanta nga ish-nxënësit:  Ismet Pestova, Adem Mripa, Ismet Kabashi, Nysret Maxhera dhe Enver Hasani të cilët sjellin “histori”nga  ajo kohë. “Dokumente, Shenimet karakteristike për këtë shkollë, Pasthënia, Literatura dhe Përmbajtja” janë titujtë e temave të kapitullit XVII, të fundit, që përmbyllin këtë vepër monografike.

“Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” Mitrovicë

Botimi i pestë i kushtohet “me zemër në rend të parë mësimdhënësve të Shkollës së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, … nxënësve … pronarëve të shtëpive shkolla …”.

Referuar autorit, kjo vepër kapitale ka qenë e ideuar të dilte me rastin e dy zhvillimeve: “Përgatitja dhe botimi i kësaj monografie bëhet në 55-vjetorin e hapjes së paraleleve të para të Shkollës për Infermiere në gjuhën shqipe  (1963-2018) dhe 110 vjetorin e lindjes së Dr. Xheladin Dedës,  emrin e të cilit e mban ky  institucion i rëndësishëm arsimor.”

Ky libër (2019) është reflektim origjinal  në vazhdën e punës letrare e dokumentare të filluar para dy dekadash (2000). Kjo le të kuptohet se kjo monografi është shkruar dhe plasuar në tregun librar pas një përvojë relativishtë të gjatë, mbi 15 vjet të autorit Hajrizi gjatë të cilës kohë paralelisht është marrë edhe me krijime tjera letrare. E kjo përvojë i ka mundësuar që të vijojë me nxjerrje mësimesh teorikisht dhe praktikisht në fushën e të shkruarit të librave për arsimin e mesëm.

Si një kontribut mjaft domethënës intelektual, kjo monografi sjell në pah rrugëtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë  hapur më 1947 me emërtimin “Shkolla  për infermiere”.

Nga dy recensentët e kësaj monografie mungon recensioni vlerësues i prof dr. Mehmet Rukiqit, por jo edhe i recensuesit Prof. Dr. Adem Zejnullahut. Ky i fundit, duke mëtuar të bëj vlerësimin objektiv të cilësisë së këtij lloj hartimi të gjërë prozaik, shprehet: “Për rrugëtimin shtatëdhjetëvjeçar të këtij institucioni edukativo-arsimor autori Fazli Hajrizi ka përgatitur monografinë prej 750 faqesh “Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Mitrovicë (1947-2017), e cila plotëson ciklin prej pesë librash që autori i ka përgatitur për pesë shkollat e mesme në Mitrovicë”. Tutje, recensuesi nënvizon një kuriozitet: ”Ky është shembull i vetëm në Kosovë që një autor deri më tash ka botuar pesë libra monografik për pesë shkolla të mesme të një qyteti, siç është Mitrovica”. Shton  se “Librin për  “Shkollën e Mesme të Mjekësisë” e ka filluar para katër vjetësh”, që i bie gjatë pensionimit të tij. Sipas tij, “autori arrin ta përmbledhë në një libër  gjithë veprimtarinë e këtij institucioni arsimor”, përfshirë këtu  “mësimin (teorik e praktik), suksesin, kuadrin mësimor për çdo vit, aktvitetet e lira, punën nëpër forume, etj.” Duke shpalosur synimin e autorit, recensuesi vëren se “qëllimi i autorit ka qenë që të shkëpus nga harresa dhe t’u tregojë brezave të rinj për rrugën e vështirë nëpër të cilën  ka kaluar arsimi ynë”. Përkitazi me fondin dokumentar identifikon: librat amë, fletore procesverbalesh, lista rrogash, korrespondencën ndërmjet  Arkivit Ndërkomunal të Mitrovicës me  disa autoritete zyrtare t’arsimit të nivelit krahinor, të rrethit e të komunës së Mitrovicës si dhe gazetat: “Rilindja“, “Zëri” e të tjera. Recensuesi nëvizon se “autori ka vënë në pah  kontributin  e disa figurave arsimore të këtij mjedisi, p.sh. Dr. Nexhat Çuni, Dr. Abdurrahman Ramaxhiku, Dr. Vahedin Perjuci, Dr. Sami Beçiri, …”. Shton se “shumicës ua ka bërë  profilin biografik të shoqëruar me fotografi.” Lidhur me këtë, recensuesi thot se “ autori ka bërë mirë që i ka portretizuar  disa  duke ua ofruar lexuesëve, dihet në vija të trasha”. Në vijim, recensuesi Zejnullahu nënvizon biografitë e nxënësve të kësaj shkolle të cilët, sipas autorit, “janë kthyer si mësimdhënës (Abdurrahman Ramaxhiku,  Shaip Mripa,  Ali Mehmeti,  … e të tjerë).”

Duke folur për strukturën e librit monografik shpalos fare thukët përmbajtjen e kapitujve (I-XVIII). Thekson se kapitulli I “trajton probleme  të ndryshme gjeografike dhe historike të Mitrovicës”; Kapitullli II “paraqet çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin e arsimit dhe të kulturës në hapësirën kombëtare sidomos në trevën e Mitrovicës gjatë periudhës së  Rilindjes sonë …  dhe në vitet e  e para pas  Luftës së Dytë Botërore (1945-1950); Kapitulli III “pasqyron veprimtarinë edukative të Shkollës për Infermiere në MItrovicë që nga themelimi i saj (1947) … deri  në vitin 1963, kur hapet paralelja e parë në gjuhën shqipe”. Kapitulli IV “përfshinë veprimtarinë edukativo arsimore të Shkollës së Mesme të Shkollës së Mesme të Mjekësisë gjatë periudhës  1963 e deri në vitin 1967.”Kapitulli V “pasqyron veprimtarinë dhjetëvjeçare të Shkollës së Mesme të Mjekësisë që nga viti shkollor 1967/68 e derisa filloi reforma shkollore e  Stipe Shuvarit pas dhjetë vjetësh (1977/78)”. Në kapitullin VI “është pasqyruar veprimtaria dhjetëvjeçare e kësaj shkolle (1977-1987), pra gjatë gjithë kohës sa u aplikua mësimi i orientuar”. Në kapitullin VII “është pasqyruar gjithashtu veprimtaria pesëvjeçare e këtij institucioni edukativo-arsimor (1987-1992), pra periudha e rikthimit të sistemit të vjetër të shkollimit.” Në kapitullin VIII “është pasqyruar veprimtaria e Shkollës së mesme  të Mjekësisë jashtë objektit shkollor (1992-1999, në shtëpi shkolla dhe në objektet  e shkollave fillore ku ka pasur  shumë ndërprerje, dhunë e terror shtetëror serb.” Në kapitullin IX “është pasqyruar  veprimtaria e Shkollës  së Mesme të Mjekësisë që nga përfundimi i luftës në Kosovë (1999)  e deri në vitin 2017.” Në kapitullin X ofrohen “informacione për organet e shkollës, si organet udhëheqëse … dhe organet profesionale …” Në kapitullin XI autori “trajton çështjen e legjislacionit e dokumentacionit shkollor, planprogramet e tekstet …tjerat që pasuan pas përfundimit të luftës në Kosovë.” Në kapitullin XII autori “trajton çështjen  e lokalit shkollor, sidomos organizimin e mësimit në shtëpi shkolla  (1991/92-1998/99), …”. Në kapitullin XIII pasqyrohet “veprimtaria e personelit arsimor gjatë periudhës 70 vjeçare (1947-2017) …”. Në kapitullin e XIV “trajtohet kryesisht çështja e nxënësve; përfshirja e tyre në shkollë, përcjellja e vlerësimi, …” Kapitulli XV  “bën fjalë për dhunën serbe mbi shkollën shqipe, me theks të veçant mbi nxënësit dhe mësimdhënësit …”. Kapitulli XVI ofron “listën emrore të të diplomuarëve (nxënësve të rregullt) që nga brezi i parë (1967) e tutje. Kapitulli XVII përmbledh “disa kujtime dhe opinione të ish-mësimdhënësve e nxënësve të kësaj vatre …” të një kohe të kaluar. Kapitulli XVIII “ përmban dokumente të ndryshme dhe ndonjë shkrim në gazeta e revista …”.

Recensioni përmbyllet  me gjykimin se “Autori Fazli Hajrizi, përmes monografisë “Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Mitrovicë (1947-2018)” ua përcjell një porosi të qartë të gjithë nxënësve e mësimdhënësve, prindërve, pedagogëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për shkollën dhe arsimin se çdo punë që bëhet për të mirën e vendit dhe të popullit shpërblehet me mirënjohje.”

III  Metodat  e studimit dhe trajtimit të temave monografike

Metoda e argumentimit, tipike për përpilimin e monografive, i ka ndihmuar autorit Fazli H. Hajrizi për të zbatuar parimet dhe kriteret e caktuara nga fusha e publicistikës të llojeve letrare për t’i specifikuar arsyet bindëse jo vetëm gjatë mënyrës së paraqitjes së ideve të veta por edhe gjatë shpalosjes së dëshmive respektive.

Siç u pa kjartë, brenda metodës së argumentimit përdor dy metoda që përplotësojnë njera tjetrën. Përmes metodës së parë, asaj deduktive, autori Hajrizi studion procesin historik të secilës vatër të mesme edukativo-arsimore shqipe në Mitrovicë ku fillimisht shpjegon faktet e përgjithshme e më pas ato të veçanta. Ndësa, me metodën e dytë, induktive, studion proceset historike  të shkollave  të mesme nisur nga faktet e veçanta dhe arrijnë tek ato të përgjithshme.

Përmes metodës së analizës, autori zbërthen rrugëtimin e gjatë historik të sistemit të arsimit të mesëm në gjuhën shqip në Mitrovicë në pjesët e saja përbërëse. Kështu, zbuloi ndërtimin e plotë të këtij sistemi pa lënë anash lidhjet ndërmjet pjesëve integrale të tij në kontekstin e rrethanave të periudhave kohore sipas ndarjeve që i ka bërë.

Metoda e sintezës i mundëson autorit të prezentoi në mënyrë përgjithësuese  dhe përmbledhazi dimensionet kruciale të subjektit të monografisë - historikut të arsimit të mesëm në Mitrovicë.

Rreth metodave të sipërpërmendura  më bëri përshtypje të veçantë një gjest korrekt i autorit Hajrizi që dëshmon për kulturën e tij të lartë publicistike duke u shprehur si pakkush, e në mënyrë krejt transparente: se i “mungon përgatitja dhe metodologjia e punës shkencore”. E pastaj, sakaq shton se në monografinë  kushtuar shkollës ekonomike redaktori dhe recensenti i “ndihmuan që çdo gjë të vë në kontekstin historik të kohës, të zbatoj një raport të drejtë në mes punës grumbulluese, seleksionuese, klasifikuese dhe asaj sistematizuese e përgjithësuese” .

IV Gjuha dhe stili

Në letrat tona, Fazli H. Hajrizi na bën për veti, veç tjerash, edhe për faktin se përmes pesë bëmave monografike i ka kushtuar vëmendje të veçantë gjuhës dhe stilit të të shkruarit të tyre. Andaj, kam bindjen e patundur se pena e këtij krijuesi ia ka dalë mbanë me artin e bukur të të shkruarit duke i kushtuar kujdesin e duhur menaxhimit të tipareve pozitive të gjuhës dhe stilit. Së këndejmi, Fazli H. Hajrizi shquhet me kulturën shkrimore, letraro-historike  dhe publicistike. Atëherë, si t’mos lexohen me ëndje këto monografi të profesorit tone të dashur, Fazli Hajrizi.

Gjuha. Kur flitet për gjuhën në këto pesë monografi, lexuesi nuk e ka vështirë të vërej, t’i përceptoi këto atribute: Pastërtinë e gjuhës - e cila manifestohet me përdorimin fjalëve dhe shprehjeve standarde që dalin nga thesari autokton e i pasur i gjuhës letrare shqipe dhe gjuhës së botimeve; Qartësinë e gjuhës – që shprehet me ate se autori Hajrizi i ka shfaqur mendimet e veta në mënyrë aq të kuptueshme, fare mirë dhe shumë lehtë, sa që nuk ka lënë  dilema  për t’i keqkuptuar ato apo për t’i kuptuar ndryshe nga versioni autentik i autorit; Korrektësinë e gjuhës – që shihet me prirjen dhe shijen e autorit Hajrizi në të përzgjedhurit e leksikut të matur dhe elegant, pa ngarkesa stilistike, shprehëse e emocionale karshi lexuesit; Harmoninë e fjalëve – e cila konfirmohet me konstruktet gjuhësore. Fjalët, fjalitë dhe periudhat autori i radhit drejtë, rrjedhshëm dhe bukur që përkon plotësisht me natyrën e lëndës.

Gabimet e fare t’pakta të  shtypit dhe ato drejtshkrimore që janë përvjedhur aty-këtu kanë nevojë për përmirësime gjatë riardhjes së këtyre librave  në duartë e lexuesëve.

Stili. Marrë parasysh anën objektive dhe ate subjektive të produktivitetit letrar të Fazli H. Hajrizit në përgjithësi dhe pesë monografitë dedikuar shkollave të mesme mitrovicase në veçanti, ajo që del nga këto është se në këto vepra autori ka përdor sikundër stilin përmbledhës ashtu edhe stilin e gjerë ku ka mbartur, të thuash, edhe natyrën e vet, karakterin, kulturën shkrimore dhe aftësitë e veta letrare.

Stili përmbledhës - vërehet lehtësisht në momentet kur autori Hajrizi shpreh idetë e veta me fjali dhe periudha të shkurtëra. Kështu i përdor fjalët e shprehjet e domosdoshme të fondit leksikor e frazeologjik  të gjuhës sonë letrare që ndërlidhen ngushtë me situatën konkrete.  Stili i gjërë - vërehet, poashtu lehtësisht, në periudhat komplekse, atje ku, pas ideve parësore, autori artikulon hapur idetë dytësore fare natyrshëm dhe logjikisht.

V Përfundimi

Kur i lexoja këto monografi më krijohej ndjenja e kënaqësisë sepse janë  shkruar nga njeriu  që zotëron si duhet mjeshtrinë e të shkruarit dhe të shprehurit. Fazli H. Hajrizi me kulturën e avancuar të identitetit dhe integritetit prej krijuesi letrar, sikur më cyt të ndjej veten të lumtur që po i shkruaj këta rreshta për këto pesë monografi të cilat më kanë pushtuar me ndjenja të këndshme dhe kënaqësi. Me të përfunduar leximin e këtyre pesë monografive u inkurajova të merrem me këtë shkrim edhe nga fakti se nuk po bëhen transparent vlerësimet e lexuesëve për to edhepse, pa asnjë mëdyshje pasurojnë fondin e literaturës historike të arsimit shqipe në Republikën e Kosovës përgjithësisht dhe të arsimit shqip në komunën e Mitrovicës, posaçërisht.

Për mua, autori ka ruajtur individualitetin e shprehjes artistike. E përceptoi model të intelektualit të ndershëm dhe krijuesit të shquar. Për shkak se më ka lënë përshtypje të fuqishme kam respektin më të madh për këtë njeri.  E kjo do të thotë se e admiroj për punën aq zelltare që i ka blatuar historikut të arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në Mitrovicë, por jo vetëm. Por, pas shqyrtimit  dhe studimit të këtyre vëllimeve, mendimi im përgjithësues përfundimtar do ishte më  gjithpërfshirës nëse shprehem kësisoj:

1)       Pesë monografitë e mirëdokumentuara dhe mirargumentuara janë pjesë e fondit të historisë që përcjellin trashëgimin e arsimit të mesëm në gjuhën shqipe përgjithësisht në Kosovë e veçanërisht në Mitrovicë. Rezultatet në këtë fushë që kanë gjetur  pasqyrim në këto monografi dhe mbartin vlera të çmuara, përfaqësojnë një ngulmim  intelektual për rolin dhe rëndësinë  e arsimit shqip që nga regjimi komunist deri në çlirimin e vendit nga UÇK, ndihmuar nga NATO prej marsi-qershor 1999;

2)      Pesë monografitë ngrihen pikë referimi për  komunitetin krijues rreth retrospektivës të shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Mitrovicë. Përtej kësaj, kjo rrethanë i bën të ndjehen  krenarë banorët e qytetit jo fortë larg minierës së Trepçës, se në këtë mjedis jeton dhe vepron edhe autori Hajrizi, me rrënjë nga Kotorri i Skenderajit, profesori i respektuar i gjuhës shqipe dhe letërsisë pothuajse në të gjitha shkollat e mesme mitrovicas ku ka lënë gjurmë sikurse edhe në historinë më të re të letërsisë tonë;

3)      Pesë monografitë janë fryt artistik i një pune të gjatë e shumë serioze, me analiza të sakta e të përthelluara që na japin tabllo bindëse e madhështore të jetës së arsimit të mesëm përfshirë sakrificat dhe mbijetesën e protogonistëve (drejtorëve, mësimdhënësve, nxënësve, prindërve, pronarëve të shtëpive shkolla, personelit administrativ e teknik) ndër vite e dekada jo vetëm për t’i mbrojtur por edhe për t’i afirmuar arritjet e mëdha të brezave të kaluara drejt konsolidimi të arsimit të mesëm mitrovicas që janë realizim kuptimplotë i kësaj fryme.

4)        Pesë monografitë kanë mishëruar gjakimin e autorit prej kërkuesi dhe krijuesi në fushën e arsimit të mesëm mitrovicas duke ua ofruar të njejtat opinionit lexues të rrjetit shkollor: mësimdhënësve dhe ish-nxënësve të këtyre shkollave jo vetëm në Mitrovicë.

5)         Pesë monografitë në fjalë, gëzojnë autoritet tek lexuesit gjithandej, veçmas për energjinë e derdhur krijuese e shpirtin fisnik për të dhuruar vepra mbresëlënëse e të arrira përkah standardet e larta. Këto reflektojnë fuqishëm fizionomin individuale, origjinalitetin e veçantë dhe cilësitë e larta të profilit letrar të Fazli H. Hajrizit pse jo edhe reputacionin e tij në shkencë, arsim e kulturë si një penë e aftë që ndër vite e dekada nuk reshti së shkruari monografi, artikuj publicistik, poezi, etj. për zhvillime nga më të ndryshme historike dhe për figura kombëtare, patriotike, etj. Të lumtë dora e bekuar, të punoftë mendja edhe për të tjera vepra shumë i nderuari Fazli H. Hajrizi.

Me që ky shkrim po rastis me 76-vjetorin e ditëlindjes së prof Fazli H. Hajrizit, që i bie më 25 nëntor 2025, le të jetë edhe si një urim për këtë përvjetor të këtij krijuesi letrash shqipe që, sigurisht kapërcejnë kufijtë e shtetit tonë !



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx