Kulturë
Lekë Mrijaj: Studimi im mbi dokumentin e rrallë të Luigj Gurakuqit dhe letrën e tij të datës 21 qershor 1917
E marte, 25.11.2025, 06:58 PM

Studimi im mbi dokumentin e rrallë të Alois/Luigj Gurakuqit dhe letrën e tij të datës 21 qershor 1917
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
kuadër të 100-vjetorit të martirizimit të firmëtarit të Aktit të Pavarësisë,
atdhetarit, poetit dhe publicistit të shquar Alois (Luigj) Gurakuqi, ndërmora
një kërkim të thelluar shkencor në fondet arkivore të kohës, me synimin për të
nxjerrë në dritë dokumente të pazbuluara më parë, të cilat mund të plotësojnë
mozaikun e portretit të kësaj figure të jashtëzakonshme të historisë sonë
kombëtare.
Gjatë
kësaj pune kërkimore, pata fatin të zbuloj një dokument tejet të rëndësishëm,
pra, një letër origjinale e datës 21 qershor 1917, e firmosur nga vetë
Alois/Luigj Gurakuqi, e ruajtur me përkushtim në arkivat e vjetër, por e
paekspozuar deri më sot për publikun e gjerë dhe studiuesit. Ky zbulim
përfaqëson një dritare të hapur drejt mendimit, ndërgjegjes qytetare dhe
vizionit kulturor të Gurakuqit, duke na mundësuar të depërtojmë më thellë në
universin e tij shpirtëror e intelektual, në një periudhë tepër të ndjeshme për
fatet e Shqipërisë.
Letra
e gjetur (tê cilin mund ta shihni dhe lexoni nê faksimil) e paraqet Gurakuqin
në një dimension që historiografia shpesh e ka anashkaluar në atë të edukatorit
moral dhe vizionarit kulturor. Në këtë dokument të vitit 1917, ai i drejtohet
Drejtorisë së “Zoja e Shkodrës”, një ndër organet më të rëndësishme të shtypit
kulturor të qytetit, i cili luante rol kyç në formimin e ndërgjegjes qytetare,
në forcimin e ndjenjës kombëtare dhe në edukimin shpirtëror të mbarë trevave
shqiptare. Letra është shkruar me një ton të përkushtuar miradije dhe
falënderimi, ku Gurakuqi e përgëzon me sinqeritet themelimin dhe vijimin e
botimit të kësaj përkohshmeje, duke e cilësuar atë si një instrument të
domosdoshëm për përhapjen e dritës kulturore dhe për ndërtimin e një shoqërie
me themele të shëndosha morale e arsimore. Për Gurakuqin, periodikë të tillë
nuk ishin vetëm faqe të shtypit, por qendra ndriçuese të jetës qytetare,
institucione të cilat bartnin përgjegjësi të lartë edukative në një kohë kur
kombi shqiptar po përballej me sfida të mëdha shoqërore, identitare dhe
politike.
Në
përmbajtjen e letrës del qartë shqetësimi i tij i thellë për dukuritë e
shthurjes që po prekin rininë e kohës, fenomen të cilin ai e përshkruan si një
rrezik serioz që cënon themelet morale të shoqërisë shqiptare. Ai i kushton
rëndësi të veçantë ruajtjes së virtyteve, zakoneve të mira dhe vlerave
familjare, duke e parë rininë jo vetëm si bartëse të së ardhmes, por si
pasqyrën më të ndershme të ndërgjegjes së kombit. Në këtë kontekst, Gurakuqi
beson se periodiku “Zoja e Shkodrës” mund të shërbejë si një epiqendër
udhërrëfyese, një busull morale dhe një mbështetje e fortë për ata që kërkojnë
të edukojnë më të rinjtë me frymë të pastër, me disiplinë shpirtërore dhe me
dashuri për atdheun.
Një
aspekt jashtëzakonisht domethënës i dokumentit të gjetur është dhurimi prej 20
koronash që Gurakuqi ia bashkëngjit letrës. Megjithëse modest në vlerë
monetare, ky gjest ka një simbolikë të thellë atdhetare e kulturore, duke
treguar se Gurakuqi nuk ishte vetëm një njeri i fjalës, por edhe i veprës. Ky
akt i thjeshtë, por i madh në kuptim, dëshmon për shpirtin e tij të përkushtuar
dhe për besimin e tij të palëkundur se kultura dhe arsimi kishin nevojë jo
vetëm për përgëzim, por edhe për mbështetje konkrete, për vepra që ushqejnë
idealet kombëtare dhe ndërtojnë ura të forta mes brezave.
Analiza
ime e këtij dokumenti sjell në dritë një dimension të ri të Alois/Luigj
Gurakuqit, pra, atë të mendimtarit të thellë kulturor, të një njeriu që e
kuptonte se një shoqëri e shëndoshë nuk ndërtohet vetëm mbi politikë, por mbi
moral, edukim, kulturë dhe vlera shpirtërore. Në tekstin e letrës, përveç
mesazhit të qartë për përkrahjen e shtypit kulturor, bie në sy një mendësi që
kapërcen kohën: bindja se qytetërimi shqiptar duhet të mbështetet mbi dritën e
dijes, mbi forcën e karakterit dhe mbi përkushtimin ndaj së mirës së
përbashkët. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet që shoqëria shqiptare duhet të
përballojë, por njëkohësisht shpreh edhe besimin e palëkundur se përmes
institucioneve të tilla kulturore, populli shqiptar mund të ecë drejt një të
ardhmeje më të ndritur, më të drejtë dhe më të denjë.
Ky
dokument i zbuluar e ndriçon figurën e Gurakuqit në një këndvështrim të ri. Ai
nuk shfaqet vetëm si firmëtar i Pavarësisë, si politikan apo si publicist, por
si një njeri i brendshëm i kulturës, një prijës shpirtëror, një edukator i
heshtur që punonte për të mirën e kombit me maturi, përkushtim dhe largpamësi.
Kjo letër dëshmon se pas veprave të tij të njohura qëndronte një frymë e thellë
humane dhe një besim i pashkëputur në rolin e kulturës për ndërtimin e
ndërgjegjes kombëtare.
Në
këtë 100-vjetor të vrasjes së tij, ky dokument i zbuluar, studiuar dhe
analizuar merr vlerën e një amaneti kulturor. Ai na thërret që të rilexojmë me
seriozitet të kaluarën tonë, të rivlerësojmë figurat tona kombëtare dhe të
kuptojmë se kultura, morali dhe edukimi janë shtyllat pa të cilat asnjë komb
nuk mund të mbijetojë. Ky dokument rrezaton dritë mbi një epokë, mbi një ideal
dhe mbi një njeri që përfaqëson një prej themeleve më të qëndrueshme të
ndërgjegjes shqiptare. Flijimi, vizioni, maturia dhe dashuria e tij për
Shqipërinë mbeten të pashuara dhe udhërrëfyes për brezat që vijnë.
P.S. Faksimili i dokumentit
origjinal të letrës së 21 qershorit 1917 gjendet i ruajtur në arkivin përkatës
dhe paraqitet këtu si dëshmi e drejtpërdrejtë e studimit shkencor.










