Kulturë
Neki Lulaj: Amina Nuraj - 'Unë bija e Atdheut'
E marte, 25.11.2025, 06:58 PM
“Unë bija e Atdheut” e autores Amina Nuraj
Nga
Neki Lulaj
Nën
patronatin e Lidhjes Demokratike të Malit të Zi dhe Këshillit Kombëtar të
Shqiptarëve, në Galerinë e Qendrës Kulturore në Ulqin, me moderimin e shkëlqyer
të znj. Ardita Rama, drejtoreshë e bibliotekës, u përurua libri i shkrimtares
nga Pazari i Ri, znj. Amina Nuraj, “Unë bija e Atdheut”.
Moderatorja,
në fillim të këtij manifestimi kulturor, përshëndeti të gjithë të pranishmit në
këtë event kulturor, e në veçanti Kryetarin e Lidhjes Demokratike për Malin e
Zi, z. Saubih Mehmeti; Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e
Zi, z. Faik Nika; Konsullin e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, si dhe
mysafirët tjerë të ardhur nga Kosova dhe Shqipëria.
Në
vazhdim, fjalën ia kaloi pishtarit të arsimit, shkrimtarit dhe poetit z. Ali
Gjeçbritaj, i cili kishte bërë një analizë të thuktë për këtë mbrëmje letrare,
duke theksuar se znj. Nuraj, me tërë forcën e shpirtit dhe britmat e zërit të
saj, vjen nga hapësira si një zë i vetmuar, por me një këmbëngulësi të paparë
titanike. Kjo klithmë zëri vjen në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke bërë
një rezistencë stoike, e cila vë në rrezik veten e saj, rrethin e ngushtë
familjar dhe shumë shqiptarë në Sanxhak që mendojnë si ajo.
Në
Sanxhak, tash një shekull, zhvillohet një gjenocid dhe një aparteid i
paprecedentë nga regjimi fashizoid i Serbisë, të cilin nuk e di askush, përveç
atyre shqiptarëve që nuk guxojnë të deklarohen shqiptarë e që jetojnë në
Pazarin e Ri e në Sanxhak me rrethinë. Gjeçbritaj, në vazhdim të rezymesë mbi
librin, tha se ky libër nuk është i dobishëm vetëm për t’u lexuar, por edhe për
t’u studiuar me përpikëri, për t’u mësuar mbi fatin e shqiptarëve atje, të
cilët, sipas autores, bëjnë një rezistencë të heshtur ankthi e frike.
Libri
“Unë bija e Atdheut” përmban 191 faqe; është edhe libër autobiografik, por ka
edhe një histori të dhimbshme familjare, të ilustruar me shumë fotografi
personazhesh.
Autorja
e librit është lindur më 25 prill 1997 në Pazarin e Ri dhe rrjedh nga një
familje me tradita të forta shqiptare. Nga libri, siç pohon referuesi Ali
Gjeçbritaj, ai mësoi se si ruhet me fanatizëm identiteti kombëtar, për çka e
përgëzoi autoren për bujarinë dhe trimërinë e saj. Në fund të fjalës së tij, ai
tha: “Lus lexuesin e mirëfilltë që ta lexojë me përkushtim, në mënyrë që të
vjelë nga ky libër shumë gjëra interesante që nuk i përmenda unë”.
Në
vazhdim, drejtoresha e bibliotekës së Ulqinit, znj. Ardita Rama, lexoi një
tregim nga shumë tregimet që përmban libri, me titull “Mësuesi me sy të
shtrembër”, i cili ishte shumë interesant dhe ngërthente në vete një ngjarje
rrënqethëse të vet autores, e cila tregon identitetin e vet dhe të Flamurit
shqiptar. Gjatë këtij leximi rrënqethës pati shumë emocione, aq sa nuk munguan
as lotët nëpër faqe.
Që
të zbuthej pak kjo atmosferë e rëndë e rrënqethëse, u ftua poeti dhe shkrimtari
nga Kosova–Gjermania, Neki Lulaj, me një poezi. Në fillim të fjalës së tij tha:
“Përgëzoj autoren e librit, znj. Amina Nuraj, njëherit Kryetare e Këshillit
Kombëtar në Sanxhak, duke u shprehur se ky libër po përurohet në muajin nëntor,
në Nëntorin e 117-të të Kongresit të Manastirit, në 113-vjetorin e Shpalljes së
Pavarësisë së Shqipërisë dhe pak muaj më vonë në 18-vjetorin e Pavarësisë së
Kosovës. Andaj qëndro krenare dhe e pathyeshme”. Pastaj lexoi poezinë “Më shumë
se një lutje”, e cila u mirëprit me duartrokitje frenetike.
Në
vazhdim të përurimit u shfaq një dokumentar i autorit Marin Mema, xhiruar në
pjesët e banuara me shqiptarë në Pazarin e Ri dhe në Sanxhak, me fjalime dhe
intervista të ndryshme. Ndër të tjera, një shqiptar thoshte: “Mos na harroni,
dhe çdo iniciativë që merret nga Kosova ose Shqipëria duhet përshëndetur;
Prishtina dhe Tirana duhet të bëjnë më shumë për ne. Nëse na ka harruar Zoti,
këto dy qendra nuk është dashur të na harrojnë”.
Një
qytetar tjetër shqiptar shprehej kështu:
“Mos
na harroni,
se
ne jemi djegur
për
Shqipëri...”
Pas
këtij dokumentari, fjala iu dha autores së librit “Unë bija e Atdheut”, Amina
Nuraj, e cila me shumë emocione evokoi kujtimet dhe përjetimet e saj të
ndryshme. Ndër të tjera ajo tha:
“Në
moshën 11-vjeçare, për herë të parë kur kam vizituar Mitrovicën, jam befasuar
me mikpritjen që kam përjetuar atje, sepse në rrethin ku jetoja për shqiptarët
më kishin thënë krejt diçka tjetër. Që nga ai moment, në botën time shpirtërore
çdo gjë ka ndryshuar; që nga ai çast kam menduar dhe gjykuar vetëm shqip.
Kur
jam shprehur në shkollë se flamuri me shqiponjë është i imi, kam pasur shumë
probleme, si me mësuesin në klasë ashtu edhe me bashkëmoshataret. Isha e
përbuzur. Mësuesi më tha: ‘Ne e kemi flamurin e Serbisë’, kurse unë i thashë:
‘Unë jam shqiptare, kam flamurin me shqiponjë!’. Punët u thelluan dhe kështu
drejtoria e shkollës u bëri vërejtje prindërve të mi. Familja fillimisht nuk më
ka përkrahur.
Në
moshën 16-vjeçare jam arrestuar nga milicia serbe për një poezi që ia kisha
kushtuar Adem Jasharit, të cilët më kërcënonin duke më thënë: ‘Kush të paguan
ty?’ Angazhimin tim nuk e kam ndalur kurrë dhe nuk do ta ndal asnjëherë. Nëpër
breza dhe faqet e historisë kemi qenë familje e përndjekur dhe e persekutuar.
Rinia
e Sanxhakut është e ndrydhur si ‘misri nën mokrën e mullirit’, por tani është
duke u vetëdijesuar se duhet dalë me çdo çmim nga kjo gjendje e rëndë e këtij
gjenocidi shpirtëror. Ne vuajmë më shumë se çamët e Çamërisë. Ju lutem, mësoni
për historinë e Sanxhakut – do të tmerroheni nga ato që kalon populli shqiptar.
Ta dini se në Sanxhak janë asimiluar 380 mijë shqiptarë. Dhimbja është e madhe
dhe ne nuk do të ndalemi kurrë në kërkim të të drejtave tona, që të vendosen
aty ku e kanë vendin.
Pas
100 vitesh e kam hapur Këshillin Kombëtar Shqiptar në Sanxhak”, përfundoi në
fjalën e saj përmbyllëse znj. Amina Nuraj.









