Kulturë
Gjekë Gjonaj: Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në Miçigen ,vlerë kombëtare për fëmijët shqiptarë në mërgim
E merkure, 26.11.2025, 06:57 PM
Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në Miçigen ,vlerë kombëtare për fëmijët shqiptarë në mërgim
Nga
Gjekë Gjonaj
Dikur
në Malësi ka ekzistuar një fjalë që
thoshte: “Fëmija merr gjuhën e nënës.” Kjo ndoshta sepse nëna ishte ajo që i
këndonte që në djep; ndoshta ngaqë nëna e ushqente dhe nëna i qëndronte më
pranë gjatë fazave të rritjes. Besoj se janë nënat që duhet të kuptojnë se nëse
fëmijët humbasin gjuhën, atëherë humbasin vetveten, identitetin dhe kështu do
të kthehen në qenie pa drejtim. Nëse dikush nuk e di nga
vjen, as nuk e di ku do të shkojë. Nëse dikush harron gjuhën e nënës, çfarëdo
drejtimi të marrë në jetë, do të jetë i pasigurt, gjithmonë do të jetë i çalë,
sepse do të shkëputet nga rrënjët. Fëmijët e vegjël nuk e dinë këtë. Ndaj është
detyra e prindërve, të jenë më të kujdesshëm dhe më të fuqishëm në ruajtjen e
gjuhës, si elementi më kryesor që përçon krenarinë dhe përkatësinë kombëtare.
Ruajtja
e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë e sidomos tek ata fëmijë që kanë lindur dhe po rriten larg atdheut është
një amanet që e gjejmë në vargjet e
Homerit shqiptar Atë Gjergj
Fishtës:
…Pra mallkue njai bir
Shqyptari,
Qi këtë gjuhë të
Perëndis’,
Trashëgim na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai
fmis’,…
Mësimi i
gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Shtetet e Bashikuara të Amerikës dhe diasporë është një përmbushje e amanetit
që të parët tanë kanë lënë për ruajtjen dhe zhvillimin e saj ndër breza, e ndër
vise të huaja.
Një e veçantë e shqiptarëve që jetojnë në Detroit është fillimi i mësimit të gjuhës shqipe para pak ditësh në Miçigen dhe qytetet përreth, organizuar nga
Shoqata “Jehona e Malësisë”. Ky është
lajm mbi të gjitha lajmet , për shkak të rëndësisë dhe peshës që ka mësimi i gjuhës amtare të fëmijëve shqiptarë në mërgim. Dita e hapjes së mësimit të gjuhës
shqipe për fëmijët e komunitetit
shqiptar që kanë lindur dhe jetojnë atje
, i gëzoi disa prej tyre, bashkë me
prindërit dhe mësuesit, por edhe të
gjithë ata shqiptarë të cilët janë
krenarë për origjinën që kanë dhe
janë të vetëdijshëm se ruajtja e gjuhës është obligim moral dhe kombëtar i të gjithëve.
Fëmijët kur
për herë të parë hynë në klasë, në zyrën e Shoqatës “ Jehona e Malësisë” u
njoftuan me mësuesen ( mësimdhënësit) e tyre, e cila i priti me buzëqeshje dhe
me fjalë të ëmbla, iu gëzuan ditës së re
, e cila kishte hapur një faqe të re për
të mirën e tyre, që ta mësojnë edhe gjuhën e nënës. Prindërit të cilët i shoqëruan deri te dera e klasës mësimore, ndiheshin ndryshe nga ditët
tjera. Dhe ky fakt duhet t’i motivojë jo vetëm këta prindër që t’i dërgojnë
fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe , por edhe shumë prindër të tjerë , fëmijët e të cilëve lindin dhe rriten larg atdheut. Me të drejtë
shkrimtari i njohur shqiptar Sami Frashëri ka thënë:
“ Shenja e kombit është gjuha.
Kur një komb e humb gjuhën,
ai humb edhe veten”.
Kryetari i
Shoqtës “Jehona e Malësisë” Agron
Dedivanaj ka pohuar se me
shtimin e brezave të rinj të komunitetit shqiptar jashtë atdheut një
grup vullnetarësh, dashamirës të gjuhës shqipe të shoqatës sonë, pas disa
përpjekjeve dhe takimeve me prindërit shqiptarë, e pamë të domosdoshme që dashuria ndaj gjuhës të institucionalizohet dhe të ketë një
formë të organizuar mësimore të
rregulltë me plan dhe program didaktik. Programi mësimor, shton ai, është hartuar
me metoda bashkëkohore , praktike dhe argëtuese, ndërkaq në kuadër
të mësimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe tregime, poezi patriotike, dialogje, lojëra
gjuhësore, e video eduklative, të cilat e pasurojnë procesin e mësimit.
“ Qëllimi është
që çdo fëmijë shqiptarë të ketë mundësi
të mësojë vetë të flasë dhe të
shkruajë gjuhën shqipe, sipas normave drejtshkrimore. Ky është një akt dashurie ndaj gjuhës
dhe kombit, por edhe brezave të
ardhshëm”, ka thënë Dedivanaj. Sipas
tij interesimi i prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre në orët e mësimit të gjuhës shqipe është i lakmueshëm që në ditët e para. Interesimi i fëmijëve ka qenë shumë i lartë,
duke treguar motivim, dëshirë dhe kureshtje të madhe për të mësuar gjuhën tonë
kombëtare. Entuziazmi i tyre reflektohet edhe në komentet e sinqerta që marrim
nga nxënësit. Një vajzë e vogël, pas përfundimit të orës, tha: “Ora ishte shumë
e shkurtër, doja të ishte shumë më e gjatë.”
Ky reagim tregon qartë vlerën e madhe që ky proces
arsimor ka për fëmijët dhe na kujton se, ashtu si një thesar me vlerë, rezultatet
e tij do të shihen edhe më plotësisht në të ardhmen. Deri më tani kemi 107 nxënës të shpërndarë në 5 klasa të
ndryshme. Profesorët janë duke bërë sistemimin përfundimtar të nxënësve, me
qëllim hapjen e një klase të gjashtë, e cila do të jetë e dedikuar për nxënës
me njohuri më të avancuara të gjuhës shqipe”, shprehet Dedivanaj.
Ai veçmas falënderon profesorët, Elvira Shkëmbi, Kanto
Dushaj, Shaqe Berishaj dhe Kolë Dedivanaj, kontributi, profesionalizmi dhe
përkushtimi i të cilëve, në zhvillimin e orëve të mësimit, përbëjnë një vlerë të rëndësishme për ruajtjen
dhe avancimin e gjuhës shqipe. Mirënjohje u
shpreh edhe prindërve, të cilët
me angazhim dhe mbështetje i motivojnë fëmijët e tyre të vazhdojnë mësimin e
gjuhës shqipe .
Hapja e mësimit
të gjuhës amtare të fëmijëve që jetojnë në mërgim dhe rriten
në një mjedis shumëgjuhësor, siç është Amerika,ku në shtëpi flasin
shqip, ndërsa në shkollë në gjuhë
joamtare , është një pasuri e pamohueshme dhe vlerë kombëtare për brezin e ri . Një
fëmijë në moshën shkollore, që di shqip, kur është në mërgim e ruan edhe
identitetin. Nëse nuk e njeh gjuhën shqipe, si mund të quhet shqiptar?
Mbetet të shpresojmë se bashkëkombasit tanë kudo që ndodhen në
mëgrim do të kontribuojnë në ruajtjen
e e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe do të bashkohen për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që edhe ata ta vijojnë mësimin plotësues në
gjuhën shqipe , duke hapur edhe klasa të reja.Të gjithë për shkollën shqipe në
disasporë , sepse kjo na nderon dhe ndërgjegjëson si komb!









