Mendime
Lekë Mrijaj: A është me të vërtetë ky ujë i pijshëm që ne qytetarët e Klinës, do ta konsumojmë apo vetëm në letër është i tillë?
E merkure, 15.10.2025, 06:33 PM
A është me të vërtetë ky ujë i pijshëm që ne qytetarët e Klinës, do ta konsumojmë apo vetëm në letër është i tillë?
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Siç
njoftoi sot Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidrodrini në Pejë, uji i pijshëm
në Klinë ka kaluar me sukses të gjitha testet e kontrollet laboratorike dhe,
sipas tyre nga sot edhe është shpallur i pijshëm. Sipas rezultateve mediatike
të publikuara sot nga laboratori i akredituar i KRU Hidrodrini dhe nga
Instituti Rajonal i Shëndetit Publik, ky ujë në qytetin e Klinës është brenda
të gjitha normave të lejuara për konsum njerëzor.
Në
letër, pra, gjithçka duket e rregullt. Por në terren, qytetari i Klinës e
përjeton ndryshe këtë realitet. Shumë ujmatësa qe janë kompetencë e
Hidrodrinit, pra, janë të mbuluar me baltë e papastërti dhe prej vitesh të
palexueshëm, ndërsa rubinetat dhe fontanat shtëpiake nuk japin gjithmonë ujin
me pastërtinë dhe qartësinë që pritet nga një ujë i pijshëm.
Prandaj
pyetja lind vetvetiu: a është me të vërtetë ky ujë i pijshëm që ne qytetarët e
Klinës, do ta konsumojmë apo vetëm në letër është i tillë?
Nëse
analizat e sotme janë të sakta, atëherë është detyrë e Hidrodrinit që kjo
cilësi të përçohet në mënyrë reale deri te çdo shtëpi, madje edhe në çdo
rubinet, aty ku qytetari pret një gotë ujë të pastër dhe të sigurt për familjen
e tij. Sepse laboratori mund t'i masë parametrat kimikë e bakteriologjikë, por
matësi më i saktë është përvoja e përditshme e qytetarit.
Dhe
në këtë përvojë, çdo baltë që mbulon ujmatësin, çdo rrjedhë e dyshimtë uji nga
rubineti, është një sinjal që kërkon vëmendje, transparencë dhe përgjegjësi...