Mendime
Lekë Mrijaj: “Më mirë me e meritue e mos me e fitu, se sa me e fitu pa e meritu”
E diele, 12.10.2025, 06:52 PM
MESAZH: “Më mirë me e meritue e mos me e fitu, se sa me e fitu pa e meritu”
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
këtë të diel të 12 tetorit, ditë zgjedhjesh lokale në Republikën e Kosovës, kur
qytetarët e komunave tona po dalin për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të rinj
të institucioneve vendore, le të na udhëheqë urtësia e pavdekshme e poetit tonë
të madh, Azem Shkreli. Me mençurinë e tij të rrallë, ai la pas një thënie
monumentale që tingëllon si një dritë morali për secilin brez “Më mirë me e
meritue e mos me e fitu, se sa me e fitu pa e meritu”. Kjo thënie e tij
përmbledh një filozofi të tërë jete, një mësim të përjetshëm për ndershmërinë,
drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor. Në çdo garë, qoftë ajo politike, shoqërore
apo profesionale, merita e merituar është gurthemeli mbi të cilin ngrihet
besimi, ndërsa fitorja pa meritë është si një gardh në ujë, nuk qëndron fare,
nuk e mbështet askënd dhe zhduket për një çast...
Sot,
më shumë se kurrë, Klinës dhe mbarë Republikës së Kosovës i duhet ky zë i
arsyes. Sepse fitorja e vërtetë nuk matet me numrin e votave, por me veprat e
mira, me karakterin, me dashurinë për vendin dhe me ndershmërinë e pastër. Nëse
një njeri fiton duke e merituar, ai e nderon veten, fëmijët, familjen dhe
popullin që i besoi, por nëse fiton pa e
merituar, ai humb shpirtin e fitores, moralin njerëzor dhe dinjitetin e
përfaqësimit. Të gjithë ata që garojnë për kryetarë komunash dhe asambleistë
komunash duhet ta kenë të qartë se pushteti nuk është privilegj, por shërbim,
nuk është çmim, por përgjegjësi. Të jesh i zgjedhur do të thotë të jesh në
shërbim të qytetarvë, të qytetit dhe të së mirës së përbashkët. Mos të harrojmë
se çdo votë është një fjalë hynore, dhe një besë shqiptare që populli ia jep
dikujt për ta mbajtur me nder dhe dinjitet... Prandaj, në këtë ditë të
zgjedhjeve lokale, le të votojmë me urtësi dhe me ndërgjegje të pastër, duke
ngritur mendimin mbi emocionin dhe interesin e ngushtë. Pra, le të votojmë për
ata që kanë dëshmuar me vepra, me integritet, me përkushtim dhe vizion, jo për
ata që premtojnë shumë, por bëjnë fare pak apo aspak. Le të zgjedhim punën e
ndershme mbi fjalën e zbrazët, të mirën e përbashkët mbi përfitimin personal,
dhe të vërtetën mbi mashtrimin. Nëse çdo qytetar i Klinës dhe i Kosovës e
ushtron të drejtën e tij me ndërgjegje të pastër, atëherë çdo votë do të jetë
një hap drejt një të ardhmeje më të drejtë, më të ndershme dhe më qytetëruar.
Sepse
demokracia dhe integrimet euroatlantike të Republikës së Kosovës nuk janë vetëm
e drejtë për të zgjedhur, por edhe përgjegjësi për të gjykuar drejt. Vetëm
kështu, Klinës dhe Kosovës do t’u rikthehet kuptimi i vërtetë i fjalës fitore,
një fitore që lind nga puna dhe karakteri, që mbart në vetvete dinjitet, meritë
dhe dashuri për vendin.
Dhe
krejt në fund të k?tij mesazhi e them se, le ta kujtojmë përherë urtësinë e
poetit të madh shqiptar Azem Shkreli, që e ktheu fjalën në dritë: “Më mirë me e
meritue e mos me e fitu, se sa me e fitu pa e meritu”.