E hene, 06.10.2025, 12:17 AM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: Frika dhe përkulja ndaj të keqes, prag diktature

E diele, 05.10.2025, 06:56 PM


KUSH ËSHTË SHEFI?

- Frika dhe përkulja ndaj të keqes, prag diktature -

Nga Llesh NDOJ

- Mirëmëngjes shefi! - dëgjova të shqiptonte një burrë mbi të dhtatëdhjetat (respekt për thinjat e tij!), ndërkohë që po bëja xhiron e zakonshme ditore në një nga shetitoret e qytetit tonë. Në vend që t’i përgjigjesha, hapa sytë dhe pashë rreth nesh për të kuptuar “kush ishte shefi” dhe ç’kërkonte ai kaq herët aty, pasi “shefat e sotëm” zakonisht zgjohen rreth mesditës. E kuptova se “shefi” s’ishte askund, përveçse në mendjen e tij, por edhe burri i nderuar, siç duket e kuptoi “hutimin” tim dhe më ripërshëndeti, por kësaj radhe ne emër. E përshëndeta edhe unë dhe e pyeta pak më gjatë, ndoshta si një gjysëm pendese për mospërgjigjen në kohë. U ndava me të, por vetëm fizikisht se mendja aty po më rrinte: A gabova që s’iu përgjigja dhe “ngushëlloja” veten pastaj:

- Jo! Asnjë gabim nuk ke bërë! “Mirëmëngjes shefi!” është përshëndetje e personalizuar, e ti s’je shefi…, - i them vetes. Të ishte thjesht një “Mirëmëngjesi!”, apo “Mirëmëngjesi Llesh!”, sigurisht që duhej të isha përgjigjur. Ky moment më hodhi larg, e më vuri në një persiatje mendimesh, të cilat po i ndaj edhe me Ju.

Pa i mbushur akoma të njëzet e shtatat, koha më pati thirrur të drejtoja njërën nga ekonomitë bujqësore në Mirditën time. As s’munda t’a kundërshtoja, as me shpirt s’doja t’a pranoja. Ta kundërshtoja do të thoshte se nuk po i përgjigjem thirrjes së partisë “që më kishte rrit e shkollue” dhe fjalët më tej kuptohen lehtë për ata që e kanë jetuar atë kohë, ta pranoja binte në kundërshtim me vullnetin e prirjen time drejt shkencës e auditoreve. Kisha mbaruar me dhjeta dhe fakulteti me kishte emëruar pedagog po aty, vetë e dashuroja mbi shumëçka tjetër mësimdhënien dhe shkencën! Por “interesi i përgjithshëm” ( nënkupto: fjala e partisë!) vinte mbi atë personal. Nejse. Ashtu u bë dhe fillova punën, e desha apo s’e desha atë. Unë e hapja zyrën i pari dhe e mbyllja i fundit në të gjithë administratën e koperativës dhe në atë partiake e shtetërore të kohës atje. Administrata, shumicën e të cilëve as që i njihja akoma as si emra, vinin në punë në orarin e caktuar e mua më gjenin e linin po aty. Më bënte përshtypje njëri sish, më i vjetri prej tyre, i cili çdo mëngjes me grushtin lart e me një përkulje të lehtë, më përshëndeste:

- Mirëmëngjes, shoku kryetar!

Për pak kohë nuk i ndërhyra, përveçse i përgjigjesha me konsideratë, kryesisht për moshën që kishte më shumë se dyfishi i moshës time atëhere. Nuk më pëlqente ajo mënyrë të përshëndeturi që “harronte” se unë isha “Lleshi” dhe jo “shoku kryetar”, se atë emër ma kishin zgjedhur prindërit e ma kishte bekuar edhe prifti në kishë, por s’doja t’ia prishja shpejt terezinë e t’ia thyeja rregullin atij burri shumë të nderuar. Një ditë, ndoshta se isha edhe më I qetë nga punët e ditës, vendosa t’ia them, por jo pa keqardhje dhenjëfarë ndrojtjeje se si do ta merrte ai.

- Mirëmëngjes! - i them, por a ma di emrin?

- Sigurisht po, - më tha ai.

- Atëhere prej sot do të më thuash mirëmëngjesi Llesh, ose po e ke zor, mirëmëngjesi kryetar Lleshi. - Lleshin, - i them, e kam përpara kryetarit se kështu ma kanë venë emrin ditën e t’lemit.

Burri i nderuar që kisha përballë u skuq lehtë dhe më shpjegoi se nuk e bënte për ndonjë gjë, se ishte në moshë e s’kishte më kohë të bëhej servil i askujt, por se ashtu ishte edukuar ai: me respektin maksimal ndaj eprorit. Dhe mua kjo më interesonte e po më intereson edhe në këtë opinion rreth çeshtjes, jo rasti konkret…

Dëgjoj edhe sot pas tridhjetë e pesë viteve pluralizëm (akoma hezitoj t’i them demokraci!) njerëz që përshëndesin njejtë si rasti i sipër treguar, me “mirëmëngjes shefi” dhe jo vetëm në raportet i punësuar – punëdhënës, por edhe pa asnjë raport të tillë mes tyre. Shpesh mundohesha që vetëm për këtë shkak të depërtoja më shumë në historikun e marrëdhënieve mes këtyre njerëzve dhe çuditesha kur mësoja se një marrëdhënie e tillë vartës - epror jo vetëm që nuk ishte aktual, por as që kishte ekzistuar ndonjëherë në raportet mes tyre. Më ndodh edhe mua jo rrallë edhe sot e kësaj dite që njerëz të cilët vetëm sa i njoh, dhe i njoh në kohërat e shekullit të ri për herë të parë e pa asnjë lidhje me kohën kur unë isha “shef”, me të cilët nuk kisha patur kurrë jo marrëdhënie vartësie, por as nuk kishim qenë të punësuar në një ndërmarrje apo institucion duke patur mbi krye të njejtin epror. E dëgjoj jo vetëm ndaj meje, por me një frekuencë të shpeshtë edhe në shumë komunikime mes njerëzve të tjerë dhe e vras mendjen shumë për këtë, jo për t’i fajësuar ata, por thjesht për të mudur të kuptoj diçka rreth burimit të këtij qëndrimi, prandaj dhe e shtroj oyetjen: - A mos jemi të deformuar në “shtyllë kurrizore”, apo “në gen” ne shqiptarët?

Pak analizë rreth kësaj. Fatkeqësisht shtetin, administratorët e punëve publike, kurrë nuk kemi arritur ta kemi e t’i shohim si shërbëtor të publikut, as dje në sistemin e “shefave” dhe as sot, teorikisht në sistemin e vlerave, arësye kjo sipas meje që edhe jemi deformuar duke iu përkulur çdo soj mbetjeje pa vlerë që ka vendos prapanicën në karrike dhe “drejton” punët tona, se kokë nuk kanë për këtë punë, as aq sa kanë nuk mund ta kenë në dispozicion të punëve publike, pasi bizneset, korrupsioni e paraja pa burim punën, janë për shumë prej tyre primare. Gjithçka kemi bërë në jetën tonë si popull, me pak përjashtime që datojnë ndoshta që nga koha e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, ka qenë përkulja. Përkulja ndaj të huajve, përkulja ndaj administratës së shtetit, përkulja ndaj pronarëve punëdhënës ose jo, përkulja ndaj gangsterëve në rrugë e deri në familje para “pronarit” të saj që e kemi vesh me petkun e “të zotit të shpisë! Po ndonëse shtëpia ka një të parë, edhe ndërmarrja ka një të parë, edhe shteti ka një të parë, asnjëri prej tyre nuk kanë “fuqi hyjnore”. Ata, edhe pse janë (duhet të jenë!) njerëzit më të zgjedhur, duhet të trajtohen si të barabartë mes të barabartëve. Vetëm kështu kanë përparuar popujt e kulturuar e të zhvilluar në të gjithë botën, ndërsa ata popuj që kanë adhuruar shefat, historia tregon se kanë rrëshqit ne diktatura të llojllojshme. Edhe shprehja e tashme, “Zoti kryetar” apo “Zoti drejtor”, në thelb mbetet e njejta me “shoku kryetar” dhe… Kjo përkulje historike ka mbërrit në palcë e në asht dhe na ka deformuar seriozisht si popull. Kjo mënyrë të trajtuari i kthen administratorët e punëve publike në zota, i bën ata të pashkulshëm nga karrika, dhe ne sundohemi me diktatorë e nuk udhëhiqeni drejt botës së përparuar ku duam të integrohemi. Bota e qytetëruar nuk e ka kështu! Edhe Tramp - it nuk i përkulen si ne një drejtori a kryetari lokal, ndoshta edhe pa integritet. Vetëm ndaj Xiping - ut, Kim Jong - ut e Putin - it njerëzit përkulen si tek ne! Po ndërsa ato njihen si vende diktatoriale, ne a jemi të tillë? Sigurisht jo, por mungesa e rrotacionit politik, përkulja e mungesa e kundërshtimit në çdo qelizë të jetës tonë, njejtë si në kohën e Enverit, të Saliut edhe të Ramës, është simptomë që brumi që po gatuajmë do të “pjellë” neodiktatura.

Lexova këto ditë me kureshtje një libër të bukur të intelektualit e studjuesit mirditorë, ekonomistit të njohur, tashmë prej vitesh në pension, dhe që e ndanë jetën mes Shqipërisë e Italisë, dhe aty më bënë përshtypje pozitive disa nga temat e analizuara prej tij, ndoshta të gjitha, por sidomos ato ekonomike dhe sociale. Libri titullohet “Udha e mendimit Shqipëri - Itali” dhe prek një shumësi temash, por duke mos patur fokus të këtij shkrimi librin në vetvete, zgjedh të potencoj para lexuesve të mundshëm një artikull të titulluar “Është koha ta vrasim frikën”, ku në esencë autori sjell këtë shqetësim të cilin unë e zgjodha ta bëj objekt të këtij shënimi. Duhet ta vrasim frikën, thotë në përmbajtje autori, ose të përkulemi si deri më sot e të durojmë çdo lloj horri mbi kurriz, duke i thirrur atij: “A u lodhe shefi?” Shefat jemi ne, populli që punon e paguan taksa, dhe mbi ne duhet të qëndroje vetëm familja e Zoti. Asnjë tjetër s’është e s’duhet të jetë “shefi” ynë, por shefa të punës apo detyrës që u është ngarkuar e për të cilën edhe paguhen mirë! Nëse bëhen shefa real të punës së tyre, duke e zotëruar atë e duke i çuar përpara arritjet në atë sektor që u është besuar, le t’i respektojmë pak më shumë, por jo t’i ngarkojmë mbi kurriz e t’u qajmë hallin se iu varen këmbët! Këta soj “shefash” model alla shqiptar, duke shfrytëzuar apatinë tonë, përkuljen tonë, gojën e mbyllur e servilizmin tipik, natyrisht që janë fuqizuar shumë dhe nuk ulen lehtë e pa trauma nga kurrizi. Nga i njejti libër që citova pak më lart mësova se të punësuarit në sektorin publik në Shqipëri zënë 26,5% të numrit total të të punësuarve duke e tejkaluaar jo vetëm çdo vend europian, me dy-tri herë (Gjermania e ka këtë tregues vetëm 10%, ndërsa në vendet e tjera evropiane ai lëviz 10-15% të numrit gjithsej të të punësuarëve), por ato shifra janë të papranueshme në çdo raport që t’i krahasosh ato, se administrata ka arritur shifra të frikshme dhe sot ajo numëron rreth 180 mijë të punësuar, nga 120 mijë që ishte para 2013-tës, se raporti i pagave në shtet me ato në privat anon dukshëm nga paga në sektorin shtetëror, se administrata e lartë merr paga marramendëse që jo vetëm përmbysin raportet, por kanë ndikimin më të madh tek paga mesatare, me të cilën u pëlqen të krenohen “udhëheqja” jonë e gjithëditur. Shqipëria rreth 2,5 milion banorëshe numëron ministri më shumë se çdo vend tjetër evropian dhe pothuajse sa Rusia 142 milionëshe, e cila numëron 20 të tilla. Nuk kam të dhëna për momentin mbi raportet popullsi - deputet në vendet evropiane, apo numrin e deputetëve për 100 mijë banorë në ato vende, por edhe ky raport zor se gjenë vende si motra evropiane të krahasueshme.

Po pensionet e pensionistët ku janë, po minimumi jetik ku është, po punësimi e papunësia ku janë? Po t’i krahasosh këto të dhëna edhe me vendet fqinje, jo vetëm ato të zhvilluara evropiane, do të kuptosh pa ekuivoke se këtu në këtë vendin tonë të bekuar nga Zoti e të mallkuar e zhvatur nga klasa sunduese politike, s’ka shefa të punëve tona (po të kishte të tillë punët do të shkonin ka kahja e duhur zhvillimore!), por ka kapo e kapobanda që na rjepin edhe rreckat, na hanë çdo pikë djerse e na pinë edhe pikën e fundit të gjakut, ndërsa ne përkulemi para tyre si të ishin ata të deleguarit e Zotit në tokë. Kjo përkulja jonë historike dhe aktuale ndaj “shefave” do t’i thelloje edhe më tej këto raporte ekonomike të zhdrejta, por mbi të gjitha do t’i përkeqësoje raportet demokratike në shoqëri, duke na kthyer në një regjim miks e garadualisht në neodiktaturë. Maisja e gjerave nga heshtja, durimi e servilizmi jonë, bën që kur të reagojmë, ne reagojmë dhunshëm, si në 1992, në 1997-1998 për të mos shkuar më larg, e në vend që të vemë vetullat nxjerrim edhe sytë. Sytë tanë jo të “shefave” që kurrë s’i panë hallet e punëve për të cilat paguhen. Reagimi duhet të jetë i përditshëm dhe i kudondodhur që rezultati të jetë shërimi i sëmundjes, jo zhdukja e të sëmurit. Që të bëhet kjo duhen edhe disa mekanizma shoqërore, si sindikatat, shoqatat e punëmarrësve e të profesionistëve, e të tjera hallka, por mbi të gjitha familja, shkolla e shoqëria duhet të punojnë pë edukimin e njerëzve me respektin ndaj vetes e me të qënit të pavarur nga të tjerët, pasi vetëm Zoti na ka në dorë shumëka, të tjerët pak ose aspak gjë! Për të mbërritur këtu sidomos brezi i ri duhet edukuar e nxitur drejt dijes e shijes së djersëve të ballit, jo pasurimit përnjëherësh e në kurriz të tjerëve. Atyre u duhet shpjeguar me durim se “shef” je kur zotëron dije mbi nivelin e të tjerëve, kur administron mirë punët tuaja dhe kontribuon edhe për shoqërinë, ndryshe je “shef” për servilët që udhëhiqen nga interesa meskine e të çastit, e sa hap e mbyll sytë mund të gjendesh nën histerinë e mallkimeve të tyre. Sidomos kur “të rrëshqet” këmba!

S’kam parë në vendin tonë njerëz ose ka fare pak të tillë, që t’u përkulen shkencëtarëve të vërtetë, të nderojnë nxënësit e studentët eksekent dhe t’i stimulojnë ata në të gjitha format në mënyrë që ata t’i paraprijnë zhvillimit në kahjen e duhur, jo për “kryetar koperativash”, por për zgjidhje afatgjata e të qëndrueshme zhvillimore. As ndaj atyre që me punë e djersë kanë ngritur biznese që afektojnë një zonë të tërë pozitivisht, e të tilla ka plot edhe në Lezhë, Mirditë e Kurbin. Institucionet e shtetit (drejtuesit e tyre) mundohen t’i zhvatin ndonjë gjë prej tyre dhe s’bëhet fjalë të stimulojnë elemente pozitive të së nesërmes, se nuk u mjaftojnë fondet për vete, fëmijët e tyre e të servilëve të tyre. Kjo situatë nuk është fantazi, as thjesht percepsion, por një realitet i hapur, që tregohet me shifra e statistika, me ritmet e ngadalta të ecjes përpara, me rikthimet pas në mënyrë cilike, me marrdhëniet korruptive e nepotike që janë sheshit në administratën publike të çdo niveli (merrni në një analizë qoftë edhe sipërfaqësore çdo institucion ose bashki: 70% e administratës lidhen me kryetarët, me kryetarin e këshillit e këshilltarët, me deputetët e kryetarin e partisë “mëmë”, me ndonjë biznesmen ku ata “mbjellin” paratë e shtetit dhe i korrin për vete), realitet që shfaqet me vjedhje ditën e natën, me vënien në krye të punëve të njerëzve që s’dinë asgjë tjetër veçse t’u pëkulen e servilosen shefave etj. Kjo situatë nuk është e re dhe vetëm aktuale, ajo është e vjetër sa historia jonë si shoqëri e organizuar në shtet, gjë që më bën mua të besoj se jemi shoqëri e deformuar në thelbin tonë shtebërës e vetqeverisës. Kjo e bën të largët edhe shpresen për një pamje ndryshe. At Zef Pllumi e ka thënë mjaft bukur këtë gjë (perifrazoj): I duhet ndërru truni këtij populli, e truni ndërrohet duke shkollue bijtë e bijat më të mira të tij… Por deri atëherë: “Të na rrojnë shefat!”

Lezhë, më 30 shtator 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Florim Zeqa: Nga zhgënjimi tek kënaqësia shpirtërore! Albert Zholi: Flet avokati Ndue Pjetra: Ambasadorja Yuri Kim do të mbetet një figurë kontradiktore në historinë e drejtësisë shqiptare Florim Zeqa: Pa largimin e drejtorëve politik nuk ka rritje cilësisë në arsim! Fritz Radovani: Papa Gjon Pali II do t’kujtohet n’shekuj tek na! Klajd Kapinova: I love New York - Historia, shifra dhe fakte ndër vite për New York City Ben Blushi: Pse nuk duhet njohur Palestina Nikoleta Kovaçi: Krimi në Bruksel e gjama në Tiranë Klajd Kapinova: Harris e quan Trump diktator, por përqafon marksistin islamik Mamdani Florim Zeqa: Roli i emrit tek personaliteti i njeriut! Kalosh Çeliku: Lufta me armik e për armik Idriz Zeqiraj: Donikë Gërvalla veprimtare unike për Kosovën dhe rugoviste e përjetshme Presidenti i Edi Ramës kërkon punëtorë nga Bangladeshi, reagon Marin Mema Florim Zeqa: Referendumi pa shtet dhe shteti pa Referendum! Idriz Zeqiraj: Pan-i bllokon Kosovën, shkak Vetting dhe Byroja Milazim Zeqiraj: Roli i SHBA në raport më Kosovën që nga 24.3.1999 deri të vendimi për pezullimin e dialogut strategjik me 12.9.2025 Llesh Ndoj: Bo(sh)llëku (dez)informativ dhe konsumatori Klajd Kapinova: Kash Patel deklasifikon raportin: FBI futi qindra agjentë civilë në turmat e 6 janarit 2021 Kalosh Çeliku: Kamaleoni Asllan Dibrani–Luani: Hebrenjtë mbi 200 Nobelistë, shqiptarët vetëm një: Ç’na mungon neve? Florim Zeqa: Votoni asambleistët më të mirë!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx