Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Papa Gjon Pali II do t’kujtohet n’shekuj tek na!
E merkure, 01.10.2025, 06:55 PM
Pergatiti Fritz
RADOVANI:
PAPA GJON PALI II
DO T’ KUJTOHET
N’ SHEKUJ TEK NA!
“NON
ABBIATE PAURA !”,
“MOS KENI FRIKË !”
PAPA GJON PALI II njeh parimin
filozofik të Historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA
!” dhe, menjëherë mbas takimit me R.Regan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon
komunizmin me Kristjanizëm… Pra, pa gjakderdhje dhe me paqë, por jo me paqë nën
kamxhik dhe kallashnikov!
Ky ishte Ai Burrë “që lutej çdo ditë për Popullin Shqiptar dhe për të gjithë
Shqiptarët e të gjitha Besimeve…” Ky ishte Ai Burrë që do të thente akujt
shekullor të Adriatikut dhe do të shpartallonte Perdën e Hekurt gjysëmshekullore
të komunizmit, acari siberian i së cilës na kishte izolue nga krejt Bota
Përparimtare!”…Shqiptarët asht mirë me dijtë ma perpara se kush ishte Ky Burrë,
mandej kush ishte Ai që vizitoi Shqipninë?
25 Prill 1993… Shkodra Ringjallet! Një varg
i pafund njerëzish lidhë aeroportin e Rinasit të Tiranës me Kishën Kathedrale
të qytetit të Shkodrës së rindërtueme. Janë rreshtue katunde e qytete, asht
rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve,
Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të
Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat
e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore
dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek
xhubletat e ruajtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e
burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni
prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina,
Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë,
sot janë të gjithe sëbashku lidhë njëbese nën një Flamur, në Kryeqytetin e
vjetër të Ilirisë… Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan
rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun
me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi
vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore
të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve
lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët
e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së
Cukalit e Maranajt …., këtu mblidhuni,…bre Burra…Kushtrim!
Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se
kurrë asht shpalosë Veli Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza,
prej Lindjes së largët që me duert’ e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët
për né: “O Zot, hiqi mallkimin Tand Shqipnisë!”…
Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun e vet
shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të
kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të
Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:
Asht Papa Gjon Pali II..!
Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij,
tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për
Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në
vitin 1464…
Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té tërhiqen me forcë për mos me e lëshue
ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia..!
U realizue andrra e shekujve të shkuem!…
Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.
Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e
qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës…
Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun…tue i Bekue!
***
Vjen muzgu i asaj dite të lume… Yjët kanë fillue me shndritë….
Në sheshin ma të madh të Shqipnisë, mu në qendrën e Sajë mes brohoritjeve e
duertrokitjeve të Fitorës, sande, si t’ishim një shkamb që s’thërmohet ma
thërrasin mbi 150.000 Katolikë, Myslimanë, Ortodoksë, të gjithë vëllazën të një
truelli Arbënor:
Rrnoftë Papa Gjon Pali II-të!..
E, qé, pra,…. Erdhi Ajo Ditë e shumëpritun e Historisë!
Takohën Dy Burra!
Njeni me shpatë të futun në kllef e, Tjetri me Kryq në krahnor!
Asht Skenderbeu përballë Karol
Vojtilës!
Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë!
Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!
Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë!
Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut! Mirëse
erdhe, o Burr’ i Bekuem! E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë me 12
Dhetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë! E dora e rame mbi gjoks tash 500 e
sa vjet, ngrihët naltë!…
“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli i em Shqiptar! E, Ti jé bash Ai Burrë
Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë të Ré edhe për
Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka
thotë!…Edhe unë dikur…
Këta… ndigjova,.. e, Fitova!..”
Bjen një
heshtje në nderim të pritjes së fjalës së Mikut Shekullor! “Shqiptarët, dikur,
kur përmendej Emni i Tij u çonin në kambë dhe hiqnin kësulen”….Po, sot? – Sot,
Ata kanë në Shtëpinë e moçme Ilire Atë Trim që me fjalën e Tij trandi Botën
mbarë….E, prap, sot në kambë!…Shqiptarët e të gjitha trojeve Arbënore me sy tek
Ai. E në darkë asht
po, Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut,
në sofren bujare e mikpritëse Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:“Shqipni qëndro në naltësinë e kësaj Beteje
të Madhe!”…I përlotun e me shpresë të sigurt, prap sot ndigjojnë
porosinë e këshillen Tande, Atë i Bekuem:
“Zotni President!
Të nderuem Zotnijë
Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!
Vëllazën e Motra
Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!
Mbas njëdite me një
program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë
me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po edhe
ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe
i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se
pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuej pashë kurajon
e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt
lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një
ateizmi mbytës. Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një
kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju
falëmnderës!
Erdha mes jush për
me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të
Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të
munduem, solidaritetin e të gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të
cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës. Kam ardhë këtu për me ju shpreh
nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu
prej shekujsh:
Komunitetit
Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje
të përzemërt.
Kam ardhë për me i
shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit
historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
Të dashtun Vllazën
e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin
tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque
Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga
Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë.
Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen
komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet
totalitare si ai që ju keni njohtë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma
thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e
ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A
ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me
vdekje priftërinjtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u
përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të
vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me
gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e
Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër
kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i
mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me
realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e
lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme
për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka
shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë
me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin
kolektiv.
Ajo
që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në
historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të
ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të
një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse
këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi
radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo
ndodhte në njëkohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e
njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”,
liria e tyne.
Drama e Juej
Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e
domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë!
Dhe në fakt ky
duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka
ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht
e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në
kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen.
Në të vërtetë ky
asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të
përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Ju sot
keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun. Jeni ngritë
nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej
gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U
ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri drita e shpresës. Por, kjo liri
besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e
çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të
gjithë, sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë.
Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të
padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe
fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtueme
ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor.
Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me
gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të
perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë
mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim
human.
Liria e vërtetë
fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra
dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
Populli Shqiptar, –
dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull
në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti
rreciprok të një bashpunimi të njerëzishëm.
Qëndroni në këte
pikëpamje Vllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin
dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit.
Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të
qendrueshëm.Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër
këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që
sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në
vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju. Përkundrazi,
u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashjetesë tek Ju! Duhët mësue arti
i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm. Ky asht
çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.
Shqipni,
qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash
nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna.
E kaluemja lé të
shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti
asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës!
E madhe asht detyra
që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm.
Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u
garantohët puna dhe, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët
edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa
çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës
njerëzore.
“Një demokraci pa
vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet
lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon
historia”.
Krijimi i një
shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun. Ajo kërkon një kujdes
të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. Askujt nuk i falët
të rrijë mënjëanë e të sodisë. Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua
kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Sajë asht
kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes për mos me hy në çeshtje
thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit
nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me
pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me
mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin,
i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër
të çdo projekti ekonomik, social dhe politik. Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në
një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një
dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të
Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë
ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyve të aftësive dhe të spikatjes së
solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë
përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit
ndaj etikës dhe moralit.
Popull Shqiptar, ec
përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit! Asht një rrugë e vështirë kjo,
por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës. Lé të shoqnojë forca e Martirëve
të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët e pafund të shtypjes së
rregjimit totalitar. Lé t’i ndrisë hapat e Tua dashunia për familjën, shpirti i
vëllaznimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej,
veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare. Lé
të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm, të cilët
sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë
dhe paqës.
E si mos të
kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të
Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë. Me zjarrin e Fesë në
krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës
hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
Në emnin tand
Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë
vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm.
Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga
konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…Erdhi çasti i ndamjës.
Ju përshëndes i
prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.
Përshëndes
veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I
jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi!
Përshëndes
autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe
veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot.
Kam dëshirë ti
drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit
Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e
Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes
ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një
dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.
Përshëndes të
gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës. Lus Zotin, që mbi
secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e
Këshillit të Mirë.
Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!
Zoti e ruajtë Atdheun Tuaj! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!
Në Emën të Zotit Ju
përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!
Mirupafshim! Ju
uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”
***
Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171, viti 1993.
University of San Francisco, USA.
Shenim nga
Fritz Radovani: Materiali i plotë asht marrë nga dorshkrimi i pabotuem F.R.:
“GURËT E THËMELIT” Melbourne 2004.
Melbourne
2014, 25 Prill.
Një Kujtesë SOT.., ma e nevojshme se kurr per Shqiptarët në të gjithë
Boten!!
E në darkë asht po
Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut,
në sofren bujare e mikpritëse Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:
“Shqipni qëndro në naltësinë e
kësaj Beteje të Madhe!”
Melbourne, 30 Shtator 2025.