E marte, 30.09.2025, 01:09 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Donikë Gërvalla veprimtare unike për Kosovën dhe rugoviste e përjetshme

E hene, 29.09.2025, 06:52 PM


DONIKË GËRVALLA VEPRIMTARE UNIKE PËR KOSOVËN DHE RUGOVISTE E PËRJETSHME

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Kam punuar një çerek shekulli me veprimtaren e përkushtuar të çështjes kombëtare, Donikë Gërvalla. Parimore, e guximshme, me karakter të çeliktë, me integritet të plotë, qëndresëtare unike, rugoviste e përjetshme.

E shkolluar, me dy fakultete, në Tiranë dhe Hamburg. Pjesë e grevës studentore të urisë, përkrah tribunit të demokracisë, Azem Hajdari, kundër diktaturës staliniste fashiste të Enver Hoxhës. Si vajzë njomëzake, erdhi në zyrën e LDK-së, në Shtutgart, për ta vazhduar aktivitetin politik dhe patriotik për lirinë e Kosovës.

Si nënë, me beben në krojshe, përshkonte Gjermaninë dhe Evropën, në takime me mërgimtarët shqiptarë dhe zyrtarët evropianë. Në Ofenbach të Franfurtit, në një sallë të madhe, ku ishin shumë qindra mërgimtarë, prisnin ardhjen e paralajmëruar të Kryetarit Rugova. U dëgjua vaji i një fëmije. Kryetari i Degës të LDK-së, Hafiz Gagica, tha: "Po qanë nipi i Jusuf Gërvallës". Të pranishmit shpërthyen në duartrokitje. Janë të njohura debatet e organizuara për Kosovën, Donikë Gërvalla ishte gjithherë fituese, në përballje me ministrat, kryeministrat, deputetët, gjeneralët, politikanët serbë, ballkanas, evropianë.

Kryetare e Degës të LDK-së në Gjermani, një drejtuese e shkathtë dhe profesionale, më gjithë pengesat dhe sabotimet që bënte një klan brenda Kryesisë të LDK-së, në Prishtinë. Më 25 maj 2015, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, në Hotel "Emerald" në Prishtinë. Si delegat, isha dëshmitar okular, kur delegatëve nga Dega e Gjermanisë dhe e Zvicrës, iu mohua pjesëmarrja në Kuvend, me arsyetimin se njëra nga Nëndegët e Degës, "nuk ka bërë zgjedhje të rregullta!" Qesharake! Ndërkohë që ishin, pikërisht, këto dy Degë që kishin bërë zgjedhje super të rregullta, me votë të fshehtë demokratike, si në epokën e Presidentit Rugova.

Ai Kuvend, i 8-ti me radhë, nuk e pranoi votimin e fshehtë. Konkurrenca e Vjosë Osmanit për kryetare të LDK-së u refuzua! Votimi aklamativ, fiktiv, i rrejshëm, i hapur, me ngritje dore, ricikloi Isa Mustafën për kryetar, sa të dhunshëm, aq edhe të paligjshëm!

Më vonë u mbajt Konventa e LDK-së, Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, ia dorëzon materialet e Konventës, Donikë Gërvallës, e ftuar si kryetare e Degës të LDK-së, nga Gjermania. Në hyrje të sallës u ndalua, tre bodiguardë të ministrave të Isa Mustafës e tërhoqën zvarrë, vajzën krenare të Jusuf Gërvallës, Hero i Kosovës! Asaj dite, kur skena bizare e dhunës ndaj veprimtares më të zëshme në Evropë dhe botë, për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, u bë virale në industrinë mediatike, mijëra anëtarë të LDK-së, në shenjë proteste, të përlotur, u larguan nga LDK-ja.

Megjithatë, kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla vazhdoi veprimtarinë politike, në organizimin dhe drejtimin e partisë të Presidentit Rugova, sikur të mos kishte ndodhur asgjë! Dhe, këtë fyerje, skajshëm poshtëruese, të bërë asaj, nga një klan uzurpator i partisë, të "zgjedhur" me aklamacion, fiktiv, të rrejshëm, e kapërdiu! Dhe, këtë e bëri për hirë të ruajtjes së LDK-së, duke pritur reflektimin e strukturave të saj, që nga Këshilli i Përgjithshëm, Grupi i Deputetëve e deri ke shumësia e anëtarëve Kryesisë, të shpërfillur nga klani namkeq.

I kemi dëgjuar kuadrot e LDK-së, Ismet Beqirin dhe Lutfi Hazirin, duke thënë se "ajo ngjarje ishte inskenim nga delegatët e Gjermanisë dhe të Zvicrës"!  Kjo është një shpifje e rëndë dhe zotërinjtë e cituar, edhe tani, duhet të kërkojnë falje për fyerjen dhe shpifjen mostrume. Për 16 vjet radhazi kam qenë delegatë në Kuvendet Zgjedhore të LDK-së në Prishtinë. Ne jemi të drejtpërdrejtë dhe nuk merremi me inskenime dhe pisllëqe tjera të kësaj natyre. Prandaj, pushoni shpifjet, sepse nuk ju bëjnë nder. Përkundrazi, u bëhen bumerang në karrierën Tuaj politike.

Në sallën kuvendore ishim 359 delegatë të Kuvendit Zgjedhor. Isha zë i vetëm në sallë, kur protestova kundër asaj -maskarade zgjedhore-. Dhunshëm e mora fjalën: "O skllevër të shekullit digjital, hiqni dorë nga zgjedhjet aklamative, fiktive, të rrejshme! Çfarë fytyre do të keni të dilni para anëtarësisë, elektoratit, për të kërkuar votën e tyre demokratike, kur ju e përdhosni aq poshtërsisht besimin e tyre" dhe vërejtje të tjera bazike. Mua më duartrokisnin, por votën e hapur ia jipnin Isa Mustafës dhe klanit  të tij!

Dorën në zemër, të paktën, në tri Kuvende radhazi, ka reaguar edhe ish-kryetari i LDK-së, tashmë, në cilësinë e -Kryetar Nderi-, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, duke kritikuar se shpërbërja e Aktivave të LDK-së, ishte nismë e çmontimit të rugovizmit në parti; anashkalimi i votës së fshehtë dhe zëvendësimi me votën "zgjedhore" aklamative, fiktive, të rrejshme, pra, të hapur, mundëson shpërfilljen e strukturave të partisë, duke i dhënë parësi riciklimit të kryetarit me rrethin vicioz të tij! Megjithatë, klani i mërdhezur për pushtet, nxitonte "me kokë mushku", me shpërfillje klasike, deri në rrugaçëri, për ta përmbyllur Kuvendin "Zgjedhor", duke marrë trofeun e mandantit të turpshëm me afat 4-vjeçar!

Donikë Gërvalla, për më shumë se 6 vjet punoi në zyrën e LDK-së, në Shtutgard, së bashku me Sali Çekaj. Ajo kishte bashkëpunim të rregulltë me kuadro të LDK-së, në Prishtinë, në mes tyre edhe drejtorin e QIK-ut, si Enver Malokun; me këshilltarin politik të Presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa dhe të tjerë, u vranë si kundërshtarë politikë. Ekzekutimeve u paraprinë listat emërore, të bëra nga Shtabi i UÇK-së të LPK-së, në Tiranë. Ajo përjetoi rëndë përgjakjen e bashkëpunëtorëve të saj. Dhe, ata ishin të shumtë dhe jo 100 apo 200 vrasje politike, siç po i minimizojnë tellallët e krimit, por disa qindra.

Donikë Gërvalla u dha emër dhe mbiemër kokave të krimit, me bandat e tyre. Ishin gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, të cilat konfirmuan denoncimet publike të veprimtares Gërvalla. Tashmë, nuk përbënë asnjë sekret se krimet politike në Kosovë, u faturohen eksponentëve me përkatësi partiake të subjekteve politike: PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN.

Presidenti Rugova na e la LDK-në me 47 % të votueseve të saj. Shefat drejtues, me klanet e tyre, e sollën LDK-në në 9.8 %, sepse pjesë e koalicionit ishte edhe Pacolli me disa partiza minore djathtiste. Kjo tmerroi idealistët e frymës rugoviane. Vardisja e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pas PDK-së, duke shpërfillur anëtarësinë dhe strukturat e partisë. Ai luftoi pamëshirshëm Donikë Gërvallën; përçau Mërgatën. Me Vjosë Osmanin ishte i egër dhe hipokrit - njëherësh. Ishte patericë e mbajtjes së PAN-it me "komandantët" e tij kriminelë në pushtet, në vite e dekada!

Binomi Donika-Vjosa shpëtuan LDK-në në prag të shuarjes, ndërsa largoi nga pushteti eksponentët e krimit dhe të hajnisë zyrtare, PAN-in kriminal, me patericat e tij. Reformat e nismuara nga Lidershipi i ri i LDK-së, ishin shpresë e ngjallur. Por, lënia në gjysmë të reformave, zhgënjeu shumë.

Aleanca e ripërtërirë me PAN-in, me ideologji të mykur staliniste dhe klani dominues i Isa Mustafës në LDK, janë bashkuar me sulme dhe urrejtje patologjike, kundër Donikë Gërvallës, e cila mbron vetëm të vërtetën, pavarësisht kostos që ka ajo. Këtë e dëshmoi edhe në Intervistën e dhënë në PRESSING, T7 me moderatorin Leonard Kërçuku, javën e shkuar. Ajo nuk mohoi asnjë nga deklarimet e saja, të bëra përgjatë përtej tri dekadave të veprimtarisë të saj politike.

Ajo vlerësoi veprimtarët dhe luftëtarët, për lirinë e Kosovës dhe denoncoi ata që e përgjakën Atdheun-Kosovë, gjatë dhe pas luftës. Madje, bëri thirrje që krimet makabre ndaj kundërdshtarëve politikë shqiptarë, të hetohen, të zbulohen dhe të ndëshkohen me forcën e ligjit. Gërvalla nuk bënë kompromis me krimin dhe kriminelët, përkundër disave nga politikanët aktiv, të cilët dje kërkonin gjykim e ndëshkim, ndërsa sot, për të njëjtit, kërkojnë amnistim! E tupshme dhe kriminale!
Donika luftëtare konsekuente kundër Serbisë dhe argatëve të saj shqipfolës

Opozita e bashkuar, si në kor bretkosash, i është sulur zëvendëskryeministres, ministres së Jashtme dhe të Diasporës, Donikë Gërvalles. E gjithë kjo urrejtje e shprehur, në mënyrën me të vrazhdë, ndaj kontributes më të madhe për çështjen  kombëtare, atëherë kur Atdheu kishte nevojë për fjalët dhe veprimet e saj të mençura.

Akuza për mungesën e njohjeve të reja, më se paku mund të fajësohet ministrja në fjalë, sepse në Marrëveshjen e Vashingtonit është kërkuar të stopohet kërkesa për njohje, ndërsa Serbia të pushojë ndërhyrjet për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të tjera. Edhe pse Serbia nuk ka zbatuar asnjë nga angazhimet, kinse, të pranuara. Ndërkohë, masat e marrura, për shtrirje të sovranitetit në veriun e Kosovës të Qeverisë Kurti, BE jo vetëm që nuk ndihmoi tek pesë shtetet e saj, për ta njohur Kosovën, përkundrazi, sanksionoi Kosovën, sa padrejtësisht, aq edhe arbitrarisht!

Përformanca e Gërvallës në cilësinë e ministres së Jashtme, në forumet ndërkombëtare, ka qenë cilësore dhe përmbajtjesore, duke fituar debatet politike e diplomatike me kundërshtarët, në veçanti, me zyrtarët e Serbisë. Ajo është një polemiste brilante, "hazërxhevap" për të gjitha temat aktuale. Dhe, këtë dhunti të saj, e ka të trashëguar nga i ati, Jusuf Gërvalla, por edhe nga Gjyshja e saj, Nëna Ajshe.

Fillim e mbarim, PAN-i ka mohuar çdo sukses të ministres së Jashtme, Gërvalla, sepse ajo ka qenë konsekuente në goditjen e PAN-it, si sinonim të krimit vrastar dhe të hajnisë zyrtare, përkundër të tjerëve që dje i shanin dhe i anatemonin vrasësit, sot i mbrojnë dhe amnistojnë, edhe pse vrastarët kurrë nuk kërkuan falje, për krimet e tyre serike! PAN-i me SHIK-un e tij i ka agjentët e tij në LDK dhe kanë qenë edhe mbetën të interesuar për ta goditur ministren Gërvalla. Andaj, klani Mustafa, në debatet televizive e quajnë atë "dezertore", ndërkohë që e kanë përzënë përdhunshëm nga LDK-ja.

Vërtet, akuzat e Donikë Gërvallës, për krerët dhe eksponentët e PAN-it, janë bazike, por ajo nuk ka deponuar dosje në Gjykatën e Hagës, sepse janë të mjaftueshëm 300 dëshmitarë, të cilët e kanë parësinë e dëshmimit, si rezidentë në Kosovë dhe shumë syresh e kanë provuar në lëkurën e tyre torturën e komandantëve. Dhe të tjerë, të cilët vajtojnë familjarët, viktima të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, siç i ka emërtuar, saktësisht, prokurori amerikan, Jack Smith.

Janë shumë zuzarë dhe rrugaçë, të cilët akuzojnë edhe Presidenten e artë, Vjosë Osmanin, për karrierizëm! Por, koha dëshmoi se ajo është parimore dhe përcaktimi i saj jetësor është thellësisht atdhetar. Po të ishte karrieriste, ajo do të qëndronte në koalicionin me LVV, ku e kishte të garantuar mandatin e dytë në krye të Presidencës të Republikës të Kosovës. Këtë "nuk e luan topi!"

Në një vend të emancipuar e demokratik, si Franca, e cila ia vazhdoi mandatin presidentit Macron, edhe pa parti, nuk do të merakosej për zgjedhje të reja, duke e pasur të gatshme një Vjosë Osmani, e cila në votim të drejtpërdrejtë nga populli,  do të ishte më e pëlqyera e Kosovës, për Presidente të vendit. Ndërkohë, njëri nga kalkuluesit partiak, mjerisht, i LDK-së, i cili asfare nuk merakoset për cilësinë drejtuese të Kosovës, por i intereson rehatia personale, deklaron se "Vjosa Osmani do t`i këtë 120 vota kundër!" E turpshme për kuvendarët, të cilët preferojnë pazaret e pista ndërpartiake parlamentare, duke injoruar vullnetin e popullit.

Industria lehaqene e PAN-it, cinikisht e poshtërsisht, e përsërisin, artificialisht, disa "argumente", të sajuara nga ata, ashtu siç veprojnë me akuza idioteske, për bisedën aksidentale, një minuteshe, të Mimozë Kusari-Lila, të kurdisur nga Sllavko Simiq, në koordinim me krerët dhe eksponentët kontrabandistë të PAN-it. Sipas Doganës të Kosovës, zyrtarë kontrabandistë të PAN-it, në bashkëpunim me -Listën Serbe-, i kanë shkaktuar dëme prej miliarda euro buxhetit të Kosovës!

Në raport me këta kriminelë, hajna e zuzarë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Gërvalla, është kristal e pastër, pushtetare dinjitare, intelektuale e kompletuar, me integritet të plotë, e cila ka epërsinë absolute e të gjithë lukunisë shpifarake PAN-iste. Rrjedhimisht, shpifjet denigruese të opozitës nuk mund ta zvetënojnë shkëlqimin e artë të diplomates unike, Donikë Gërvallës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Presidenti i Edi Ramës kërkon punëtorë nga Bangladeshi, reagon Marin Mema Florim Zeqa: Referendumi pa shtet dhe shteti pa Referendum! Idriz Zeqiraj: Pan-i bllokon Kosovën, shkak Vetting dhe Byroja Milazim Zeqiraj: Roli i SHBA në raport më Kosovën që nga 24.3.1999 deri të vendimi për pezullimin e dialogut strategjik me 12.9.2025 Llesh Ndoj: Bo(sh)llëku (dez)informativ dhe konsumatori Klajd Kapinova: Kash Patel deklasifikon raportin: FBI futi qindra agjentë civilë në turmat e 6 janarit 2021 Kalosh Çeliku: Kamaleoni Asllan Dibrani–Luani: Hebrenjtë mbi 200 Nobelistë, shqiptarët vetëm një: Ç’na mungon neve? Florim Zeqa: Votoni asambleistët më të mirë! Adil Fetahu: Drejtësia ndërkombëtare është në krizë, sepse të fortit nuk e respektojnë Asllan Dibrani-Luani: Tokat Historike të Izraelit – Midis së Drejtës dhe Luftës së Përhershme dhe Beteja për Rikthimin e Tokave të Veta Florim Zeqa: Thirrje kandidatëve - Bëni fushatë të qetë dhe dinjitoze Milazim Zeqiraj: Situata politike në Kosovë pas zgjedhjeve Asllan Dibrani-Luani: BIK-u në Serbi e Kosovë – vegla të Beogradit kundër kombit shqiptar Rrezart Kalaja: Hoxhallarët – spiunë të rinj të Serbisë Idriz Zeqiraj: Pezullimi i Dialogut Strategjik - ndëshkim kolektiv i klasës politike! Asllan Dibrani – Luani: Parada e Beogradit dhe Mashtrimi i Dyfishtë ndaj Shqiptarëve Florim Zeqa: Votoni më të mirët, ndëshkoni mashtruesit! Jaho Brahaj: Ku po Shkojmë(!?) Asllan Dibrani (Luani): Gjendja dramatike e politikës botërore dhe përplasja në Lindjen e Mesme

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx