| E hene, 29.09.2025, 06:52 PM |
DONIKË GËRVALLA VEPRIMTARE UNIKE PËR KOSOVËN DHE RUGOVISTE E PËRJETSHME
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Kam
punuar një çerek shekulli me veprimtaren e përkushtuar të çështjes kombëtare,
Donikë Gërvalla. Parimore, e guximshme, me karakter të çeliktë, me integritet
të plotë, qëndresëtare unike, rugoviste e përjetshme.
E
shkolluar, me dy fakultete, në Tiranë dhe Hamburg. Pjesë e grevës studentore të
urisë, përkrah tribunit të demokracisë, Azem Hajdari, kundër diktaturës
staliniste fashiste të Enver Hoxhës. Si vajzë njomëzake, erdhi në zyrën e
LDK-së, në Shtutgart, për ta vazhduar aktivitetin politik dhe patriotik për
lirinë e Kosovës.
Si
nënë, me beben në krojshe, përshkonte Gjermaninë dhe Evropën, në takime me
mërgimtarët shqiptarë dhe zyrtarët evropianë. Në Ofenbach të Franfurtit, në një
sallë të madhe, ku ishin shumë qindra mërgimtarë, prisnin ardhjen e
paralajmëruar të Kryetarit Rugova. U dëgjua vaji i një fëmije. Kryetari i Degës
të LDK-së, Hafiz Gagica, tha: "Po qanë nipi i Jusuf Gërvallës". Të
pranishmit shpërthyen në duartrokitje. Janë të njohura debatet e organizuara
për Kosovën, Donikë Gërvalla ishte gjithherë fituese, në përballje me
ministrat, kryeministrat, deputetët, gjeneralët, politikanët serbë, ballkanas,
evropianë.
Kryetare
e Degës të LDK-së në Gjermani, një drejtuese e shkathtë dhe profesionale, më
gjithë pengesat dhe sabotimet që bënte një klan brenda Kryesisë të LDK-së, në
Prishtinë. Më 25 maj 2015, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, në Hotel
"Emerald" në Prishtinë. Si delegat, isha dëshmitar okular, kur
delegatëve nga Dega e Gjermanisë dhe e Zvicrës, iu mohua pjesëmarrja në Kuvend,
me arsyetimin se njëra nga Nëndegët e Degës, "nuk ka bërë zgjedhje të
rregullta!" Qesharake! Ndërkohë që ishin, pikërisht, këto dy Degë që
kishin bërë zgjedhje super të rregullta, me votë të fshehtë demokratike, si në
epokën e Presidentit Rugova.
Ai
Kuvend, i 8-ti me radhë, nuk e pranoi votimin e fshehtë. Konkurrenca e Vjosë
Osmanit për kryetare të LDK-së u refuzua! Votimi aklamativ, fiktiv, i rrejshëm,
i hapur, me ngritje dore, ricikloi Isa Mustafën për kryetar, sa të dhunshëm, aq
edhe të paligjshëm!
Më
vonë u mbajt Konventa e LDK-së, Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, ia dorëzon
materialet e Konventës, Donikë Gërvallës, e ftuar si kryetare e Degës të
LDK-së, nga Gjermania. Në hyrje të sallës u ndalua, tre bodiguardë të
ministrave të Isa Mustafës e tërhoqën zvarrë, vajzën krenare të Jusuf
Gërvallës, Hero i Kosovës! Asaj dite, kur skena bizare e dhunës ndaj
veprimtares më të zëshme në Evropë dhe botë, për çlirimin dhe lirinë e Kosovës,
u bë virale në industrinë mediatike, mijëra anëtarë të LDK-së, në shenjë
proteste, të përlotur, u larguan nga LDK-ja.
Megjithatë,
kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla vazhdoi veprimtarinë
politike, në organizimin dhe drejtimin e partisë të Presidentit Rugova, sikur
të mos kishte ndodhur asgjë! Dhe, këtë fyerje, skajshëm poshtëruese, të bërë
asaj, nga një klan uzurpator i partisë, të "zgjedhur" me aklamacion,
fiktiv, të rrejshëm, e kapërdiu! Dhe, këtë e bëri për hirë të ruajtjes së LDK-së,
duke pritur reflektimin e strukturave të saj, që nga Këshilli i Përgjithshëm,
Grupi i Deputetëve e deri ke shumësia e anëtarëve Kryesisë, të shpërfillur nga
klani namkeq.
I
kemi dëgjuar kuadrot e LDK-së, Ismet Beqirin dhe Lutfi Hazirin, duke thënë se
"ajo ngjarje ishte inskenim nga delegatët e Gjermanisë dhe të
Zvicrës"! Kjo është një shpifje e rëndë dhe zotërinjtë e cituar,
edhe tani, duhet të kërkojnë falje për fyerjen dhe shpifjen mostrume. Për 16
vjet radhazi kam qenë delegatë në Kuvendet Zgjedhore të LDK-së në Prishtinë. Ne
jemi të drejtpërdrejtë dhe nuk merremi me inskenime dhe pisllëqe tjera të kësaj
natyre. Prandaj, pushoni shpifjet, sepse nuk ju bëjnë nder. Përkundrazi, u
bëhen bumerang në karrierën Tuaj politike.
Në
sallën kuvendore ishim 359 delegatë të Kuvendit Zgjedhor. Isha zë i vetëm në
sallë, kur protestova kundër asaj -maskarade zgjedhore-. Dhunshëm e mora
fjalën: "O skllevër të shekullit digjital, hiqni dorë nga zgjedhjet
aklamative, fiktive, të rrejshme! Çfarë fytyre do të keni të dilni para
anëtarësisë, elektoratit, për të kërkuar votën e tyre demokratike, kur ju e
përdhosni aq poshtërsisht besimin e tyre" dhe vërejtje të tjera bazike.
Mua më duartrokisnin, por votën e hapur ia jipnin Isa Mustafës dhe klanit
të tij!
Dorën
në zemër, të paktën, në tri Kuvende radhazi, ka reaguar edhe ish-kryetari i
LDK-së, tashmë, në cilësinë e -Kryetar Nderi-, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, duke
kritikuar se shpërbërja e Aktivave të LDK-së, ishte nismë e çmontimit të
rugovizmit në parti; anashkalimi i votës së fshehtë dhe zëvendësimi me votën
"zgjedhore" aklamative, fiktive, të rrejshme, pra, të hapur, mundëson
shpërfilljen e strukturave të partisë, duke i dhënë parësi riciklimit të
kryetarit me rrethin vicioz të tij! Megjithatë, klani i mërdhezur për pushtet,
nxitonte "me kokë mushku", me shpërfillje klasike, deri në rrugaçëri,
për ta përmbyllur Kuvendin "Zgjedhor", duke marrë trofeun e mandantit
të turpshëm me afat 4-vjeçar!
Donikë Gërvalla, për më shumë se 6
vjet punoi në zyrën e LDK-së, në Shtutgard, së bashku me Sali Çekaj. Ajo kishte
bashkëpunim të rregulltë me kuadro të LDK-së, në Prishtinë, në mes tyre edhe
drejtorin e QIK-ut, si Enver Malokun; me këshilltarin politik të Presidentit
Rugova, Xhemajl Mustafa dhe të tjerë, u vranë si kundërshtarë politikë.
Ekzekutimeve u paraprinë listat emërore, të bëra nga Shtabi i UÇK-së të LPK-së,
në Tiranë. Ajo përjetoi rëndë përgjakjen e bashkëpunëtorëve të saj. Dhe, ata
ishin të shumtë dhe jo 100 apo 200 vrasje politike, siç po i minimizojnë
tellallët e krimit, por disa qindra.
Donikë
Gërvalla u dha emër dhe mbiemër kokave të krimit, me bandat e tyre. Ishin
gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, të cilat konfirmuan denoncimet publike të
veprimtares Gërvalla. Tashmë, nuk përbënë asnjë sekret se krimet politike në
Kosovë, u faturohen eksponentëve me përkatësi partiake të subjekteve politike:
PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN.
Presidenti
Rugova na e la LDK-në me 47 % të votueseve të saj. Shefat drejtues, me klanet e
tyre, e sollën LDK-në në 9.8 %, sepse pjesë e koalicionit ishte edhe Pacolli me
disa partiza minore djathtiste. Kjo tmerroi idealistët e frymës rugoviane.
Vardisja e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pas PDK-së, duke shpërfillur
anëtarësinë dhe strukturat e partisë. Ai luftoi pamëshirshëm Donikë Gërvallën;
përçau Mërgatën. Me Vjosë Osmanin ishte i egër dhe hipokrit - njëherësh. Ishte
patericë e mbajtjes së PAN-it me "komandantët" e tij kriminelë në
pushtet, në vite e dekada!
Binomi
Donika-Vjosa shpëtuan LDK-në në prag të shuarjes, ndërsa largoi nga pushteti
eksponentët e krimit dhe të hajnisë zyrtare, PAN-in kriminal, me patericat e
tij. Reformat e nismuara nga Lidershipi i ri i LDK-së, ishin shpresë e
ngjallur. Por, lënia në gjysmë të reformave, zhgënjeu shumë.
Aleanca
e ripërtërirë me PAN-in, me ideologji të mykur staliniste dhe klani dominues i
Isa Mustafës në LDK, janë bashkuar me sulme dhe urrejtje patologjike, kundër
Donikë Gërvallës, e cila mbron vetëm të vërtetën, pavarësisht kostos që ka ajo.
Këtë e dëshmoi edhe në Intervistën e dhënë në PRESSING, T7 me moderatorin
Leonard Kërçuku, javën e shkuar. Ajo nuk mohoi asnjë nga deklarimet e saja, të
bëra përgjatë përtej tri dekadave të veprimtarisë të saj politike.
Ajo
vlerësoi veprimtarët dhe luftëtarët, për lirinë e Kosovës dhe denoncoi ata që e
përgjakën Atdheun-Kosovë, gjatë dhe pas luftës. Madje, bëri thirrje që krimet
makabre ndaj kundërdshtarëve politikë shqiptarë, të hetohen, të zbulohen dhe të
ndëshkohen me forcën e ligjit. Gërvalla nuk bënë kompromis me krimin dhe
kriminelët, përkundër disave nga politikanët aktiv, të cilët dje kërkonin
gjykim e ndëshkim, ndërsa sot, për të njëjtit, kërkojnë amnistim! E tupshme dhe
kriminale!
Donika luftëtare konsekuente kundër
Serbisë dhe argatëve të saj shqipfolës
Opozita e bashkuar, si në kor
bretkosash, i është sulur zëvendëskryeministres, ministres së Jashtme dhe të
Diasporës, Donikë Gërvalles. E gjithë kjo urrejtje e shprehur, në mënyrën me të
vrazhdë, ndaj kontributes më të madhe për çështjen kombëtare, atëherë kur
Atdheu kishte nevojë për fjalët dhe veprimet e saj të mençura.
Akuza
për mungesën e njohjeve të reja, më se paku mund të fajësohet ministrja në
fjalë, sepse në Marrëveshjen e Vashingtonit është kërkuar të stopohet kërkesa
për njohje, ndërsa Serbia të pushojë ndërhyrjet për pranimin e Kosovës në
organizatat ndërkombëtare dhe të tjera. Edhe pse Serbia nuk ka zbatuar asnjë
nga angazhimet, kinse, të pranuara. Ndërkohë, masat e marrura, për shtrirje të
sovranitetit në veriun e Kosovës të Qeverisë Kurti, BE jo vetëm që nuk ndihmoi
tek pesë shtetet e saj, për ta njohur Kosovën, përkundrazi, sanksionoi Kosovën,
sa padrejtësisht, aq edhe arbitrarisht!
Përformanca
e Gërvallës në cilësinë e ministres së Jashtme, në forumet ndërkombëtare, ka
qenë cilësore dhe përmbajtjesore, duke fituar debatet politike e diplomatike me
kundërshtarët, në veçanti, me zyrtarët e Serbisë. Ajo është një polemiste
brilante, "hazërxhevap" për të gjitha temat aktuale. Dhe, këtë dhunti
të saj, e ka të trashëguar nga i ati, Jusuf Gërvalla, por edhe nga Gjyshja e
saj, Nëna Ajshe.
Fillim
e mbarim, PAN-i ka mohuar çdo sukses të ministres së Jashtme, Gërvalla, sepse
ajo ka qenë konsekuente në goditjen e PAN-it, si sinonim të krimit vrastar dhe
të hajnisë zyrtare, përkundër të tjerëve që dje i shanin dhe i anatemonin
vrasësit, sot i mbrojnë dhe amnistojnë, edhe pse vrastarët kurrë nuk kërkuan falje,
për krimet e tyre serike! PAN-i me SHIK-un e tij i ka agjentët e tij në LDK dhe
kanë qenë edhe mbetën të interesuar për ta goditur ministren Gërvalla. Andaj,
klani Mustafa, në debatet televizive e quajnë atë "dezertore",
ndërkohë që e kanë përzënë përdhunshëm nga LDK-ja.
Vërtet,
akuzat e Donikë Gërvallës, për krerët dhe eksponentët e PAN-it, janë bazike,
por ajo nuk ka deponuar dosje në Gjykatën e Hagës, sepse janë të mjaftueshëm
300 dëshmitarë, të cilët e kanë parësinë e dëshmimit, si rezidentë në Kosovë
dhe shumë syresh e kanë provuar në lëkurën e tyre torturën e komandantëve. Dhe
të tjerë, të cilët vajtojnë familjarët, viktima të Ndërmarrjes së Përbashkët
Kriminale, siç i ka emërtuar, saktësisht, prokurori amerikan, Jack Smith.
Janë
shumë zuzarë dhe rrugaçë, të cilët akuzojnë edhe Presidenten e artë, Vjosë
Osmanin, për karrierizëm! Por, koha dëshmoi se ajo është parimore dhe
përcaktimi i saj jetësor është thellësisht atdhetar. Po të ishte karrieriste,
ajo do të qëndronte në koalicionin me LVV, ku e kishte të garantuar mandatin e
dytë në krye të Presidencës të Republikës të Kosovës. Këtë "nuk e luan
topi!"
Në
një vend të emancipuar e demokratik, si Franca, e cila ia vazhdoi mandatin
presidentit Macron, edhe pa parti, nuk do të merakosej për zgjedhje të reja,
duke e pasur të gatshme një Vjosë Osmani, e cila në votim të drejtpërdrejtë nga
populli, do të ishte më e pëlqyera e Kosovës, për Presidente të vendit.
Ndërkohë, njëri nga kalkuluesit partiak, mjerisht, i LDK-së, i cili asfare nuk
merakoset për cilësinë drejtuese të Kosovës, por i intereson rehatia personale,
deklaron se "Vjosa Osmani do t`i këtë 120 vota kundër!" E turpshme
për kuvendarët, të cilët preferojnë pazaret e pista ndërpartiake parlamentare,
duke injoruar vullnetin e popullit.
Industria
lehaqene e PAN-it, cinikisht e poshtërsisht, e përsërisin, artificialisht, disa
"argumente", të sajuara nga ata, ashtu siç veprojnë me akuza
idioteske, për bisedën aksidentale, një minuteshe, të Mimozë Kusari-Lila, të kurdisur
nga Sllavko Simiq, në koordinim me krerët dhe eksponentët kontrabandistë të
PAN-it. Sipas Doganës të Kosovës, zyrtarë kontrabandistë të PAN-it, në
bashkëpunim me -Listën Serbe-, i kanë shkaktuar dëme prej miliarda euro
buxhetit të Kosovës!
Në
raport me këta kriminelë, hajna e zuzarë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e
Jashtme dhe e Diasporës, Gërvalla, është kristal e pastër, pushtetare
dinjitare, intelektuale e kompletuar, me integritet të plotë, e cila ka
epërsinë absolute e të gjithë lukunisë shpifarake PAN-iste. Rrjedhimisht,
shpifjet denigruese të opozitës nuk mund ta zvetënojnë shkëlqimin e artë të
diplomates unike, Donikë Gërvallës.