Intervista
Gjergj – Bajram Kabashi: Luljeta Pula - U riktheva se përherë jam ndier e tillë, e krishterë e familjes Nikaj-Mërtur
E premte, 03.10.2025, 07:00 PM
U riktheva se përherë
jam ndier e tillë, e krishterë e familjes Nikaj-Mërtur
Intervistoi:
Gjergj – Bajram Kabashi
Luljeta Pula është një politikane shumë e njohur e Kosovës, e cila me aktivitetet e saja të gjithanshme në shkencë dhe politikë, ka mbetur si femra më e shquar që është marrë më politikë jo vetëm në Kosovë, por në mbarë shqiptarinë përpara luftës. Jo vetëm si politikane me gjykim të thellë kritik, por Luljeta, me vëllain e saj Gazmend Pulën, njihet si pjesëmarrëse e demonstratave të vitit 1968, protesta të mëdha popullore dhe studentore që patën ndikim të madh në krijimin e Universitetit të Prishtinës dhe të Kushtetutës së Vitit 1974.
Në kohën kur ka marrë pjesë në demonstratat e vitit 1968 ka qenë fëmijë, por një fëmijë kryengritës që nuk është ndalur kurrë së luftuari për të drejtat të i takonin popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Luljeta Pulën e kam njohur nga vitet kur punoja përpara luftës në gazetën Rilindja dhe gjithmonë më ka mahnitur me njohjen e temave politike që i trajtonte jo vetëm në bashkëbisedim me masën e populit, por edhe me përfaqësues të ndryshëm të bashkësisë ndërkombëtare. Ajo që e dallonte Luljetën në kohën e vet, ishte njohja e shkëlqyeshme e gjuhës serbe, fakt që ia ka mundësuar të bëhej e njohur në mbarë ish-Jugosllavinë për mënyrën kritike të fjalimeve dhe debateve të saj rreth temave që ishin aktuale në atë kohë.
Fakti që ishte politikane aq kritike, e drejtpërdrejtë dhe e qartë në porositë e saj, ka ndikuar që “të mos jetë e pranueshme” për politikën e kohës, pasi me karizmën e saj, dijet dhe elokuencën e lindur, mund t’i lente nën hije ata që mirreshin me politikë në atë kohë. Talenti i saj dhe natyrshmëria, ka pasur ndikim të theksuar që në këtë apo atë mënyrë të mënjanohej nga politika, me mënyra dhe metoda mëse makiaveliste.
Kështu ka vazhduar edhe pas luftës, por me librin e saj të madh “Rrëfimi i një jete për Kosovën”, Lulejta Pula, ka treguar gjerësisht se kush ishte në atë kohë.
Në intervistën që me Luljeta Pulën e shvilloj për portalin Drini, jam përqëndruar vetëm në faktin domethës se si kjo uragane e mendimit kritik-politik e kulturor shqiptar , kjo grua me pikëpamje moderne jo vetëm politike, e sheh islamizimin e kombit.
Luljeta Pula pas pagëzimit në Kishën Shën Abrahami në Llapushnik
Në periudhën e paraluftës kur ishit mjaft aktive në politikë , e keni vërejtur si e theksoni edhe në librin “Rrëfimi i një jete për Kosovën” se të qenit detyrimisht mysliman /e megjithëse sa më kujtohet ti ishe një person me botkuptime shkencore për jetën, ka qenë një barrë e madhe për ty si politikane , por edhe një ndërgjegjësim për etiketën “popull mysliman” që vazhdon të jetë aktuale edhe sot e kësaj dite…?
Luljeta Pula: Po, të qenit musliman, përherë ka qenë një barrë e rëndë për mua. Që nga fëmijëria. Unë besoj në Zot dhe këte e kam pranuar gjithmonë. Besoj shumë, dhe veç kësaj jam edhe shumë supersticioze. Dhe kjo nuk më bën mirë.
Mbaj mend të më tregonin prindërit që qysh si foshnje jam tmerruar dhe kam qarë shumë nga zëri i hoxhës që thërriste ezanin në xhami. Dhe më vonë, që nga mosha trevjeçare mbaj mend edhe vetë atë trishtim, traumën dhe të qarat e mija .
Një përkatësi fesë islame nuk e kam ndier asnjëherë. Jo vetëm mosreformimi i saj dhe mosecja në hap me kohën, por edhe ideja se islamizimi ynë u bë me dhunë, arabishtja e saj dhe shumë zakone të saj, i përjetoja si tentim për të më vrarë e ngulfatur ndjenjën time kombëtare.
Thjeshtë, kjo , pra feja islame, ishte në konflikt me shqiptarizmën time.
Dhe rezistenca ndaj saj u ngjallë në mua qysh në fëmijëri.
Duke kërkuar trungun e familjes time nga baba , gjeta se stër-stërgjyshërit e mi në vitet 1600-1650 ishin familja NIKAJ-MËRTUR , nga regjioni i Dukagjinit të Shkodrës. Natyrisht katolikë. Dhe unë përherë jam ndier e tillë, e krishterë e familjes NIIKAJ- MËRTUR.
E vendosur për tu rikthyer në rrënjët tona të krishtërimit, provova pagëzimin tim me 15 shtator 1998 në Kishën e Prizrenit.
Meqë policia sërbe ndërhynte në kishë, atë ditë bëra vetëm kungimin, sepse nuk kishte asnjë mundësi të bëhej e tëra procedura e pagëzimit.
Por, rikthimin tim në rrënjët tona të krishtera e quaj të asaj kohe.
Vetëm shumë vite më pas u pagëzova në Kishën e Llapushnikut nga i nderuari, prifti im i dashur Pal Tunaj, me tërë procedurën e paraparë të pagëzimit.
– Ndjehem në paqë me vetvehten dhe ndjehem me identitet ! Krenare që për popullin tim e për atdheun tim e bëra edhe këtë akt të fundit kombëtar!
Çfarë keni për të na thënë për domosdonë e rikthimit masiv të shqiptarëve në rrënjët e Krishtërimit…?
Luljeta Pula: Mendoj se rikthimi i popullit tonë në rrënjët e krishtërimit është akti më sublim kombëtar. Është detyrë e inteligjencisë së mirëfilltë të ftojë popullin tonë për rikthimin e madh te rrënjët tona të krishtërimit. Në emer të së ardhmes së ndritur të kombit tonë dhe mbijetesës sonë kombëtare. Pa asnjë hezitim! Ky është interesi ynë madhor kombëtar! Lexova diku një shkrim dhe më duhet ta parafrazoj, sepse jam e bindur se është kështu!
Duhet të rikthehemi te rrënjët tona të krishtërimit sepse aty fillon historia jonë si komb! Sepse aty lindi gjuha jonë e shkruar dhe e folur! Sepse aty u ruajt identiteti ynë kur gjithçka tjetër rrezikohej të zhdukej.Duhet të rikthehemi patjetër sepse aty u mbajtën gjallë emri shqipëtar dhe Arbër ! Duhet të rikthehemi sepse fjala e parë e shkruar në gjuhën shqipe është Formula e pagëzimit : “Unë të pagëzoj në emër të Atit, e t Birit e t Shpirtit të Shenjt”, në vitin 1462 nga Arqipeshkvi Pal Engjulli!
Duhet të rikthehemi sepse aty nuk u ndaluam të flisnim gjuhën tonë në lutje. Sepse aty nuk u detyruam të ndryshojmë emrin, mbiemrin apo ndërgjegjen! Duhet të rikthehemi sepse aty nuk u thirrëm “turq” as “vëllazen të osmanëve”, por shqiptarë të lirë. Dhe sepse aty nuk u trajtuam si nënshtrues të perandorëve, por si mbrojtës të vlerave. Sepse aty nuk na premtuan Parajsë për nënshtrim, por dinjitet dhe qëndresë ! Dhe sepse në kishën Katolike lindi vetëdija europiane e shqiptarëve! Dhe sepse ne nuk jemi arab, por jemi shqiptarë ! Dhe njëmijë sepse… tjera !
Ne jemi popull me kujtesë! Të kthehemi në rrugën e drejtë ! Bëjeni, vendosni për fatin e juaj dhe fatin e vendit. Kthehuni te rrënjët, kthehuni te identiteti, ringjallni ndërgjegjen tuaj, kthehuni te rrënjët, te palca e qëndresës shqiptare.
Të bëjmë rikthimin tonë shpirtëror dhe civilizues te rrënjët tona ato të krishtera, sepse ky është akti më madhor kombëtar !
Luljeta Pula në muralin e Kishës së Binçës që nga paralufta…
Duhet të rikthehemi masivisht sepse rikthimi ynë i shpejtë është tani çështje e sigurisë kombëtare. Kjo nuk është më një thirrje fetare. Islami politik po bën kërdinë kundër kombit tonë ! Ajo është një thirrje e sinqertë e ndërgjegjes kombëtare. Shqiptarët janë jo vetëm në krizë politike ! Më shumë se kaq ! Kombi është në krizë shpirtërore, identitare dhe civilizuese ! Ta kuptojmë dhe ta respektojmë këtë ftesë hyjnore në emër të interesit madhor kombëtar e në emër të ardhmërisë së ndritur të fëmijëve tonë. Të kthehemi pra masivisht te feja e të parëve tanë, te rrënja e shpirtit tonë ! Ky është shërbimi më i madh që mund ti bëhet kombit e atdheut !
Inteligjenci shqiptare, heshtjes dhe oportunizmit tani duhet ti vijë fundi! Rikthimi në rrënjët tona të krishtërimit duhet të jetë mision! Në emër të ardhmërisë së ndritur të popullit tonë. Kemi një mision – Të bëjmë Dardaninë shenjt !
Përpara luftës keni pasur kontakte me politikanë nga bota, edhe me politikanë gjerman, që hapur e kanë shfaqur dronë për rrezikun e krijimit të një “shteti mysliman” në Europë…?!
Luljeta Pula: Po, kam pasur kontakte të shumta me shtetarë nga mbarë bota, me presidentë shtetesh, me diplomatë të shteteve të ndryshme nga Europa dhe SHBA, me kryetarë të parative në pushtet të shteteve më të rëndësishme europiane, me udheheqës të shumë organizatave joqeveritare dhe organizmave të rëndësishëm të të drejtave të njeriut. Në kërkesën tonë të drejtë për pranimin e të drejtës së vetëvendosjes për Kosovën dhe mbështetjen që kërkonim për pavarësinë e Kosovës , një pjesë e madhe e tyre shprehnin skepticizëm për shkak të ndërlikueshmërisë politike të pranimit të kësaj të drejte që na takonte dhe natyrisht për raportin e disfavorshëm të forcave për ne në atë kohë. Por e kam vërejtur shume herë, më shpesh në formë të sofistikuar që disa nga ata duke bërë pyetje të kamufluara shprehnin drojën për përkatësinë myslimane të popullit shqiptar në Kosovë. Nuk e thonin hapur, por ama ajo ndjehej. Një frikë, një hezitim, një mosbindje edhe për këte.
Deri kur një ditë në një takim që pata kokë më kokë me Sekretarin Internacional të Partisë Socialdemokrtae të Gjermanisë SPD në Bon, parti në pushtet, zotin Hans Eberhard Dingels, pas një shpjegimi të thellë që unë i bëra atij se përse Kosovës duhet t’i pranohet e drejta për vetëvendosje dhe pavarësia, ai hapur dhe pa hezitim e ekuivoke, më tha:
’’ Ju kuptoj plotësisht. Ju keni të drejtë ! Ne do të ju ndihmonim padyshim. Por, kush na garanton neve që nesër, pasi të jetë zgjidhur drejt çështja e Kosovës, nuk do të bëhej aty, në zemër të Europës , një shtet mysliman ?!’’
Ndieja se tek fliste, ai ishte tepër, teper i sinqertë. Nuk kishin pastaj asnjë vlerë përpjekjet e mija për ta bindur ate se shqiptarët mbi fenë kanë kombin dhe lirinë e vendit . Ata që nuk i kuptojnë këto mesazhe të miqve tanë të sinqertë edhe sot kur për fatin tonë të mirë e fituam pavarësinë, por mbështetja ndërkombëtare na duhet gjithmonë, sepse ajo është garanca e sigurisë sonë, ata pra që nuk e kuptojnë këtë realitet janë në anën e kundërt të historisë. Në anën e armiqve tanë .
Në librin tuaj “Rrëfimi i një jete për Kosovën” e lartësoni figurën priftërore të Dom Lush Gjergjit si një personalitet me dije erudite dhe bindëse në raport me të tjerët në botën e asaj kohe. A jeni ende e atij mendimi për të ?
Luljeta Pula: Gjithmonë do ta kem të njejtin mendim për intelektualin erudit, për patriotin e devotshëm, për atdhetarin e shquar e të përkushtuar që ngjallë vetëm respekt e nderim kudo që dëgjohet zëri i tij i fuqishëm, bindës dhe me ndikim gjithmonë në interes të kombit e atdheut.
Dom Lush Gjergji, është një atdhetar i dëshmuar, një intelektual par exellence, një humanist i shquar dhe biograf i dëgjuar në botë i Nënë Terezës e mbi të gjitha prift katolik.
Dom Lush Gjergji është ikona jonë kombëtare. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ishte në zë i fuqishëm, mbresëlënës, dhe me shumë ndikim në shumë Konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare për Kosovën në Europë dhe Amerikë.
Gjatë viteve 90, dhe shumë më parë, ashtu siç ishte edhe pas lufte, e para shpalljes së pavarësisë. Gjithnjë në shërbim të idealit tonë kombëtar!
Gjithmonë kam theksuar në të gjitha forumet politike, se asnjë delegacion i Kosovës, nuk do të duhej të nisej në botë, pa asetin tonë kombëtar Dom Lush Gjergjin.
Nuk është se është përfillur shumë zëri dhe këmbëngulja ime për ta pasur gjithmonë Dom Lushin pjestar të përhershëm në delegacionet tona në botë. Shumë paraqitje tona nëpër botë do të ishin shumëfish më efikase me te. Ne, thjeshtë, pa te nuk do të duheshim të hapnim asnjë nga kancelaritë botërore. Unë nuk po i thurë elozhe Dom Lushit. Unë vetëm po e them një të vërtetë. Kam qenë e pranishme vet kur gati dështoi pjesëmarrja e delegacionit tonë në Kopenhagë në një Konferencë të OSBE për Dimensionin Njerëzor, delegacionit tonë i cili gati mbeti në korridoret e Konferencës.
Sepse Kosova në atë kohë nuk ishte shtet. Erdhi Dom Lushi dhe propozoi të hynim në sallën e Konferencës Qendrore, ku delegacionet e shteteve më të fuqishme anëtare të OSBE, kishin dalë në pauzë, e të provonim të merrnim kontakte me disa nga ata. Veshja e Dom Lush Gjergjit prej prifti katolik mjaftoi të na hapë dyert e mëdha të Konferencës Qendrore. Aty ku Kosova nuk kishte qasje. Për ma pak se gjysmë ore Dom Lushi organizoi më shumë se 11 takime me delegacionet e shteteve kryesore të botës. Kudo një respekt i madh , për te dhe për ne që ishim me te. Një dëgjim i kujdesshëm dhe i përqëndruar për ate çfarë po thoshte ai dhe ne që ishim me te për Kosovën . U bë një punë shumë e madhe, e paimagjinueshme për kohën dhe rrethanat. Me protagonistin kryesor Dom Lush Gjergjin !
Dom Lush Gjergji ishte dhe do mbetet gjithmonë pasuri e madhe e kombit !
Pse në ndërkohë e latë në heshtje procesin e rikthimit në katolicizmin familjar, që e kishit nisë në atë kohë…?
Luljeta Pula: Që nga viti 1998 në një mënyrë e lashë në heshtje, sepse vlerësova se nuk është momenti që ta bëj publike këtë çështje. Ishim në luftë dhe nuk kishte nevojë për shpërqëndrim nga lufta kryesore që bënim, lufta për liri dhe pavarësi. Pastaj në atë kohë islamizmi ishte më i heshtur, më pak agresiv dhe islami politik ishte më i përmbajtur. Islami politik mori dhenë dhe u bë mortajë e këtij kombi, pas luftës. Në atë kohë rikthimin tim e dinte familja ime dhe shumë miqë të mi.
Kur e bëra pagëzimin oficiel në Kishën e Llapushnikut me 6 korrik 2025, e bëra publik vet duke shpërndarë aty ku mendoja se duhet foto nga Pagëzimi. Ky eshtë akti i fundit atdhetar që desha ta bëj për popullin tim. Për Kosovën dhe Shqiptarinë. Dhe ta demonstroj këtë akt me shembullin personal.
Më pagëzoi i nderuari Dom Pla Tunaj. Fjalët e tij miqësore, ndjenja e qetësisë shpirtërore që më kaploi duke më ndarë sakramentin dhe ideja që po kthehesha aty ku e kisha vendin dhe ku ndjeja që duhet të jem, ishin të papërshkrueshme.
Çdo fjalë e priftit të nderuar Dom Pal Tunaj ishte dritë për mua dhe qetësi biblike që nuk e njihja më parë. Në sytë e tij pashë mirësinë, dashurinë, dhembshurinë dhe gjithë virtytet më të larta hyjnore. Dhe ajo që është kryesorja më këmbëngulte një zë i brëndshëm brenda meje që më thoshte se ky është akti i fundit që unë do duhej ta bëja për kombin tim, për popullin tim.
Pavarësisht reagimeve që mund të vinin nga fanatikët, islamistët politikë dhe dashakqinjtë.
Luljeta Pula me Don Fran Kolën, në Kishën “Shën Abrahami” të Llapushnikut
Si e keni përjetuar pasluftën dhe faktin e hidhur se ditë për ditë liria shqiptare, për të cilën kishim luftuar me shekuj, gjithnjë e më shumë rikthehej në atë që gjithmonë e kanë dashur serbët , turqit dhe të tjerët që nuk na donin e duan si shqiptarë, në liri muslimane…?!
Luljeta Pula: Pasluftën e përjetova shumë rëndë. Nuk ishte kjo Kosova për të cilën kishim luftuar. Kudo korrupcion, hajni, krim i organizuar. Pushtetarët e rinj i përjetova si pushtues të rinj. Gjithçka shihej, ishte në dritë të diellit, ama askush nuk fliste. Inteligjencia e Kosovës që i kishte ndenjur përballë pushtuesit sërb tani rrinte e heshtur!
Sepse këta kontrrollonin gjithçka në Kosovë. Kontrollonin institucionet, kontrrollonin vendin, kontrrollonin njerëzit, mendimet dhe ëndrrat e tyre.
Islami politik po lulëzonte, ashtu siç nuk ishte parë kurrë më parë. Dhe të gjithë heshtnin. Nuk kishte, siç nuk po ka as sot vullnet politik e as guxim intelektual për t iu kundërvënë kësaj mortaje morbide, vrastare kombëtare.
Slobodan Millosheviqi pati thënë se, arma më e fuqishme që ne kemi kundër shqiptarëve, është muslimanizmi i tyre. Dhe ashtu është!
Dobrica Qosiqi, akademik, e ish kryetar i Jugosllavisë në projektin e tij tripalësh për rikthimin e Kosovës, midis tre faktorëve qenësorë për rikthimin e Kosovës, nuk e kërkon luftën, por forcimin e islamizimit të Kosovës dhe antiamerikanizimin e saj.
Që për fat të keq,sot u bënë realitet.
Shërbimet sekrete të shteteve armiqësore po bëjnë kërdinë në përkrahje të islamit politik. Po e përdorin armën e tyre më të fuqishme ! A do të lejon ky popull të fundoset nga islami politik dhe fuqizimi i islamizmit në Kosovë i cili nuk është parë i tillë dhe me të tillë fuqi, asnjëherë si sot.
A do të ia plotësojë ky popull dëshirat Qosiqit e t’ia japë këtë armë vizionit të Millosheviqit!?
Ish-Presidenti Rugova me Papa Gjon Palin…
Ibrahim Rugova , ndaj të cilit ju në librin tuaj jeni kritike, por që, megjithatë, e lartësoni figurën e tij si politikan në raport me të tjerët, kishte një qëndrim ndryshe në raport me islamizimin e kombit, një qëndrim të qartë kulturor e kombëtar, gjithsesi mospajtues dhe refuzues. A keni folur me te rreth kësaj teme asaj kohe?
Luljeta Pula: Me Ibrahim Rugovën kam bashkëpunuar ngusht. Kam pas respekt për natyrën e tij të butë, raportin paqësor me njerëzit, personin e tij të ndërtuar , bashkëpunues , njeriun që nuk i ka dashur konfliktet, i ka amortizuar kundërshtitë dhe ka mbajtur kohezion në Lëvizje, që ishte kryesisht meritë e natyrës dhe përcaktimit të tij. Ai ka meritën kryesore që Kosova nuk u përfshi në konflikt të armatosur në të 90 -tat, para luftës në Kroaci, edhepse pati përpjekje të udhëheqjes kroate dhe disa politikanëve shqiptarë të Kosovës që kjo të ndodhte atëherë. E që do të ishte fatale për Kosovën. Në kohën kur ne ishim tërësisht të papërgaditur, ndërsa Kosova e panjohur në botë dhe pa asnjë mbështetje ndërkombëtare. Figura e Rugovës, autoriteti i tij në popull që kishte arritur përmasat e mitit dhe besimi që ai kishte në popull e bën fakt të kryer mospërfshirjen në luftë me Sërbinë në atë kohë .
Meritë tjetër e jashtëzakonshme e Rugovës është kthimi i Kosovës kah Perëndimi dhe lidhja e ngushtë e fatlume me SHBA. Ai nuk bënte asgjë pa u koordinuar me Amerikanët. Dhe populli e ndiqte pas. Krijimi i kësaj aleance të ngushtë me amerikanët ishte fati i Kosovës dhe merita e Rugovës. Që për fat të keq sot është dëmtuar rëndë. Vepër e madhe kombëtare e Rugovës ishte pagëzimi i pretenduar i Rugovës i cili sot është i konfirmuar. Ky është një veprim prej vizionari dhe atdhetari. Ishte e dukshme dhe e fuqishme, jo vetëm një mbështetje e fuqishme ndërkombëtare për politikën e tij paqësore. Më shumë se kaq. Ka qenë i ndjeshëm një afinitet ndërkombëtar i fuqishëm ndaj personit të tij. Unë them i lidhur edhe me rikthimin e tij në fenë katolike. E Ndjeja shpeshherë, që ai jo pa arësye ishte i preferuarai dhe i përkëdheluri i Perëndimt : Si askush tjetër.
Luljeta Pula:
“Rugova është njeriu më i merituar për ndërtimin e katedrales në qendër të Prishtinës, pa rezistenca, pa anatemime e pa kurrëfarë kundërshtimesh. Ai dhe aureola e të Shejtnit që ai kishte në kokat e njerëzve! Rugova ka pasur edhe mjaft gabime politike, disa nga to të rënda për të cilat kam folur në libër. Për të cilat të tjerët do të linçoheshin. Ama Rugovës i faleshin të gjitha. Në kokat e njerëzve ai edhe sot vazhdon të jetë mit dhe idhull. Pavarësisht të gjithave.”
Rreth çështjes së pagëzimit asnjëherë nuk kam folur me Rugovën. E quaja të kotë një pretendim të tillë. Ai ka qenë tip shumë i mbyllur dhe gjithë fshehtësitë edhe ato politike dhe veçanërisht një të tillë çështje i mbante për vehte. Ama e kam admiruar dhe adhuruar këtë vepër të tij, dhe veçanërisht efektin që herëdo-kurdo ky akt i bërë nga ai, si një vepër madhore kombëtare do të jep fryte. Sepse figura e tij vazhdon të jetë e gjallë në popull.
Sipas mendimit tim ju jeni politikanja më e artikuluar shqiptare përgjithësisht, andaj edhe një ndër mospajtimet e mëdha tuajat në periudhën e pasluftës, ishte islamizimi për interesat e huaja antishqiptare, interesa që e aktualizojnë mëdyshjen e politikanit të njohur gjerman, që e citoni në libër…?
Luljeta Pula: Falemnderit për vlerësimin tuaj.
Po… Jam shumë e bindur se shërbimet e huaja perëndimore regjistrojnë në vazhdimësi fuqizimin e islamizimit në Kosovë, veçanërisht pas luftës. Dhe natyrisht i kanë të njohur sponsorët e tyre islamikë si dhe shërbimet antishqiptare serbe dhe ruse që e ndihmojnë këtë proces. Islamizmi politik asnjëherë nuk ka qenë kaq i fuqishëm dhe me trend rritjeje. Është detyrë e inteligjencisë së Kosovës që të prononcohet për këtë rrezik të madh që po i kanoset kombit.
Por inteligjencia është e heshtur!
E mos të flas për një thirrje që kjo inteligjenci duhet ti bëjë popullit për rikthim tek rrënjët tona të krishtërimit. Për te gjitha ato arësye që i theksova më parë . Kjo inteligjenci e heshtur e oportuniste , nuk ka guximin intelektual të prekë këto çështje të ndjeshme.
Por, të tillët pa guxim intelektual, nuk quhen intelektual të mirëfilltë.
Unë jam shprehur për këtë çështje shumë herë dhe në raste të ndryshme. Së pari në referatin publik promocional me rastin e ndarjes së çmimit “uximi Intelektual” për vitin 2023 që mu nda në Gjakovë nga Shoqata e Intelektualëve Jakova. Pastaj në shkrime dhe komente të ndryshme në rrjete sociale dhe tani , së fundmi, në librin që po shkruaj për përjetimin tim të aktualitetit politik në Kosovë, që e kam titulluar “Ditar në udhëkryq”.
Aleancat me Perëndimin , e në veçanti me SHBA, që janë dëmtuar rëndë nga kjo politikë shumë e gabuar e pushtetit aktual, janë më shumë se të domosdoshme për Kosovën. Ne thjeshtë pa to mund ta rrezikojmë ekzistencën tonë si shtet. Ato janë garanca e sigurisë sonë. Dhe natyrisht ky depërtim kaq i rëndë i slamit politik nuk shikohet me sy të mirë nga të huajt. Por, jemi ne ata, dhe Shërbimet tona inteligjente që duhet ta luftojmë islamin politik, ndërsa intreligjencia jonë ajo e cila duhet të përcjellë mesazhet e duhura në opinion përmes deklarimeve të hapura dhe prononcimeve të qarta për rrezikun që i kanoset Kosovës dhe popullit të saj nga ai.
Ju jeni atdhetare e hershme që , përpos angazhimeve të përhershme në shkencë, keni edhe një zë të qartë në raport me shëndetin kombëtar. Andaj Luljeta Pula, kur tu bë Mjaft që, megjithse si përkisje as individualisht as familjarisht përkatësisë religjioze islame, të largohesh nga “hija” e këtij religjioni që të ndiqte kahdo, nga kjo hije e kobshme që i ndjek të thuash të gjithë shqiptarët … ?
Luljeta Pula: Kurrë nuk jam ndie komod me këtë përkatësi nominale fetare as në fëmijërinë time. Asnjëherë. As unë e as familja ime.
Më 1998 u bë mjaft !
“Mjaft është mjaft!!”
Atëherë kur e tentova për herë të parë pagëzimin në Prizren, siç e thashë më parë, por u realizua vetëm kungimi për shkak të ndërhyrjes policore serbe. Që nga ajo kohë e kam mbajtur kryqin, por publike nuk e kam bërë këtë çështje. I tregova arësyet më lartë .
Pse Luljeta Pula deshtët ta mbanit të fshehur pagëzimin tuaj në të krishtere,-katolike, që e patët bërë së voni në Kishën Shën Abraham të Llapushnikut, kur njerëzit ju njohin si njeri e politikane me preokupime të theksuara kombëtare dhe presin që të mbetesh ndër shembëlltyrat e tyre, që t’i udhëzosh e t’ua hapësh rrugët…?!
Luljeta Pula: Nuk është e vërtetë që kam dashur ta mbaj fshehur pagëzimin tim. Provë për këtë të vërtetë është fakti se unë vet ia kam dërguar fotot Shoqatës për Rikthim në Katolicizëm , me të cilat është bërë video inçizimi disa minutësh me këtë informatë , në rrjete sociale ,dhe foto nga pagëzimi i cili ka pasur dhjetëra mijëra shikime !
A jeni e lumtur pas rikthimit në krishterizëm dhe cilat janë mendimet në familje për këtë hap të rëndësishëm në jetën tënde?
Luljeta Pula: Jam shumë e qetë shpirtërisht dhe e lumtur. Edhe më të lumtur më bën vetëdija se e kam bërë gjënë e duhur në shërbim të popullit tim. Dhe e kam dhënë këtë mesazh të rëndësishëm me shembullin personal!
Nuk ka pasur reagime negative, të cilat mbase edhe i kam pritur. Megjithatë, puna ime e gjatë dhe e pasur jetësore – kombëtare, i ka amortizuar në masë të madhe reagimet negative.
Në familje fillimisht ka pasur skepticizëm dhe drojë nga reagimet e opinionit, por kjo mëdyshje ka zgjatur vetëm një ditë.
Me politikanën, profesoreshën dhe atdhetaren e kohërave të vështira për vendin, Luljeta Pulen, më 27 korrik 2025 në Cafe Cornero, në Albi Mall të Prishtinës .
Intervistoi: Gjergj – Bajram Kabashi